Në dimër, jashtë, temperatura shkonte deri -20 gradë celius. Ndërsa brenda në galeri, në zonën ku ne nxirrnim pirit, ishte tmerrësisht e nxehtë, 60 deri në 70 gradë celsius... Bymehu, tkurru sa herë do të nxirrje një vagon jashtë. Por ky ndryshim i tmerrshëm temperature nisi të më forconte. Nuk ndjeja më asgjë, as të ftohtë e as të nxehtë…
Kujtim Kaziu është arrestuar me 15 maj 1980 për agjitacion e propagandë. U dënua me 10 vjet heqje lirie u arrestua nga dega e Krujës. Gjatë hetuesisë kam përjetuar totura psikologjike. Na merrnin ne hetuesi nga ora 9 e darkës deri në 2-3 të mengjesit. Në kulmin e gjymit. Pastaj na çonin në birucë ku na linin pak minuta sa të na zinte gjumi, dhe vinin na zgjonin befas e na merrnin sërish në hetuesi në pyetje deri në orën 7-8 të mëngjesit. Kjo ishte tortura më e tmerrshme që ka hequr gjatë hetuesisë time”.
Pasi mori dënimin me 10 vjet heqje lirie Kujtim Kaziu kujton se e çuan fillimisht në burgun 313 në Tiranës, në kaush, ku e kanë mbajtur 15 ditë. Pas kësaj e dërguan në Spaç.
“Ishte mesi i muajit qershor. Në muajin korrik kur u bë organika e re, më futën si punëtor në një nga zonat më të vështira të Spaçit në zonën e dytë, ku temperatura shkonte deri në 60 apo 70 gradë celsius.
Pas tre muajve më kaluan si minator. Punë me turne,(turni i parë, i dytë dhe i tretë). Nuk kishim asnjë ditë pushim, as festa, as të dielë as të shtunë. Çdo ditë ishte punë rraskapitëse, një mundim i gjatë e i pafund për të arritur normën”.
Një ditë në Spaç siç Kujtim Kaziu e përshkruan kështu:
“Zgjoheshin në 5 të mëngjesit nga zhurma e çangës. Në orën 6 hahej mëngjesi fasule dhe çaj dhe 400 gramë bukë. Në kohën kur unë vuaja dënimin në Spac ky ishte ushqimi i përditshëm.
Pas kësaj shkohej në punë. Zona e dytë ku punoja unë ishte 30 minuta larg, kur ishte ftohtë dhe ngricë shkontë me shumë. Puna fillonte në orën 7. Norma ishte 4 vagona për person. Kur bëhej shembja, dhe kishte shumë pirit norma ishte mbi 12 vagona.
Unë isha i fuqishëm. Isha i ri. Punoja shumë. Ndonjëherë kam nxjerrë edhe 25 vagona mineral brenda një turni.
Klima në Spac ishte shumë e ashpër. Në dimër jashtë temperature shkonte deri -20 gradë celius. Ndërsa brneda në galeri, në zonën ku ne nxirrnim pirit, ishte tmerrësisht e nxehtë, 60 deri në 70 gradë celsius. Punonim pothuajse të zveshur, vetëm me benevrekë, dhe kur nxirrnim vagonat me mineral jashtë trupi pësonte një shok të vërtetë. Bymehu, tkurru sa herë do të nxirrje një vagon jashtë. Por ky ndryshim i tmerrshëm temperature nisi të më forconte. Nuk ndjeja më asgjë, as të ftohtë e as të nxehtë…
Norma ditore duhej arritur me çdo kusht. ‘Ose normën ose shpirtin’, thoshin policët që na ruanin. Nëse ndonjëri nga ne nuk e bënte normën, në zonën e dytë ku punonim ne, jashtë ishte një shtyllë. Aty i lidhnin të burgosurit që nuk arrinin normën dhe i linin të lidhur gjithë natën jashtë në të ftohtë, në borë e akull.
Kushtet e punës në minierë ishin jashtëzakonisht të vështira, sigurimi teknik ishte zero dhe aksidentet ishin të shpeshta. Kujtim Kaziu kujton një rast aksidenti që e ka tronditur shumë:
“Në vitin 1983 isha në front, në galeri. Pranë frontit tim punonte Luc Vukaj nga Vermoshi i Shkodrës dhe Manush Çuka nga Erseka. Fronti kishte vetëm 4 vagonë pirit. Polici i turnit quhej Dod Ndreka, kurse brigadier i lirë Preng Deda. Ata panë frontin dhe duhej të vendosnin për të lejuar punimet apo jo. Galeria kishte dhënë shenja shembje të dukshme dhe këtë si Luci edhe Manushi ia bënë të qartë. Të dy ishin djem të rinj, ishin dënuar për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Polici dhe brigadieri u dha urdhër të futeshin në galeri. “O normën, o shpirtin”, -u thanë ata dy të rinjve. “Luc Vukaj dhe Manush Çuka u frikësuan pasi u kërcënuan se nuk dilnin gjallë nga galeria nëse nuk futeshin në front. Kishte kaluar mesi i natës. Ishim turni i tretë. Galeria dha shembjen tjetër dhe pas pak një masiv i madh ra mbi të dy. Dëgjova britmat e Lucit që erdhën e u shuan. Manushi kishte tub ajri në gojë dhe meqë tubi i mbeti jashtë masivit të shembur ne mundëm ta çanim materialin e ta nxirrnim të gjallë. Luc Vukajn e nxorën pas tre ditësh që kishte mbetur në galeri. Mesa më kujtohet asnjëri prej tyre nuk i kishte mbushur 20 vitet. Pas kësaj ngjarje Manushi nuk u bë më njeri. Tmerri që pa dhe që përjetoi i dha goditje mendore”.
Kujtimi tregon dhe se si protestonin pas aksidenteve të qëllimshme apo dhe vrasjeve në burg.
“Sa herë që ndodhnin aksidente të rënda dhe vdekje për shkak të mossigurimit të kushteve teknike ne gjenim mënyra e protestonim. Nuk ishte i pari Luc Vukaj që mbeti në galeri. Meqë unë e pashë me sytë e mi të gjithë skenën e vdekjes së llahtarshme të Lucit i shkrova një letër Hekuran Isait. Atëherë Hekurani ishte ministër i Brendshëm. I tregova me hollësi se si kishte ndodhur ngjarja. Unë shkrova në këtë letër, të cilën e dërgova për ta postuar tek korrieri i burgut, ministrit se polici Dod Ndreka dhe brigadieri Preng Deda ishin shkaktarët e vdekjes së të burgosurit Luc Vukaj. Letra nuk kishte dalë nga burgu i Spaçit. Këtë e mësova jo shumë ditë më pas. Një i burgosur më tregoi se asnjë letër nuk shkonte as në shtëpitë tona pa u lexuar nga komanda e burgut. Kështu kishte ndodhur edhe në këtë rast edhe pse unë i drejtohesha ministrit. Më thërritën në komandë, më bën presion, më këshilluan se po të hapja gojë për atë që kisha parë do të më vrisnin. Policia e burgut, ata që kishin miqësi me dy autorët e krimit, donin të më eliminonin. Kur e morën vesh të burgosur që më njihnin nuk më linin vetëm asnjë çast dhe aksidenti që pësova në galeri një vit më pas më shpëtoi nga vrasja. Unë nuk u futa në galeri për 2 javë. Nuk flija gjumë dhe u bëra me fiksime. Më dilnin para Luc Vukaj dhe Manush Çuka, britmat dhe lëngimet e fundit të Lucit, të burgosurit që gërmonin materialin me lopata e thonj. Të burgosurit e ndërgjegjes janë ndeshur në këto kampe me të tilla gjëra që nuk besohen. Shumë u ekzekutuan në një formë a në një tjetër duke u deklaruar si vdekje aksidentale, të tjerë u gjymtuan apo humbën kujtesën. Shumë u ndanë nga gratë e fëmijët dhe pësuan depresion. Por pati edhe nga ata që mbijetuan për të dëshmuar krimet dhe masakrat e atij regjimi”
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.