Masakrat e partizanëve sllavë në Kosovë e Maqedoni, pas ikjes së gjermanëve

0
230
blank

Raporti i qershort 1945/ Në çfarë gjendje e gjetën popullsinë shqiptare në Kosovë e Maqedoni partizanët shqiptarë pasi marshuan në këto vise pas largimit të gjermanëve…

Pas çlirimit të Shqipërisë, ndërsa kolonat gjermane kishin kaluar viset e Jugosllavisë, brigadat e Ushtrisë Nacional Çlirimtare kishin vijuar marrshimin pas tyre. Gjatë muajve të parë të 1945, një pjesë e mirë e tyre ishte shpërndarë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, për të vendosur pushtetin dhe për të eleminuar kundërshtarët politik. Një prej njësivë ushtarake që ushtroi ndikimin e tij në Kosovë e Maqedoni deri në qershor të 1945 ishte Divizioni i VI-të S. Në një raport të gjatë mujor, shkruar në qershor të 1945, komisari politik Isuf Keçi i bën një skaner veprimtarisë së tyre në krahinat Ferizaj, Shimlje e Lipjan në Kosovë dhe Ohër, Strugë, e Resan në Maqedoni. Raporti zbulon gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare të këtyre viseve që kishin rënë pre e shovinizmit sllav. Në këtë periudhë brigadat sllave kishin bërë shumë spastrime e vrasje në masë të popullsisë shqiptare, duke përfituar nga trazirat e atyre muajve të pasluftës.

Një pjesë e detajeve se si i kishin gjetur këto zona partizanët shqiptarë jepen edhe në këtë raport të Isuf Keçit.

Dokumenti ruhet në fondin 14 në AQSH, dhe i takon vitit 1945.

Dokumenti i plotë

PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE

KOMITETI DIVIZIONIT VI-të “S”

 

Vdekje Fashizmit – Liri Popullit

Nr. 2/2 Rez.

Ohri, më 15.VII.1945.

KOMITETIT QENDROR TË PARTIS KOMUNISTE SHQIPTARE

TIRANË

Raport’i muejit Qershor 1945

Në mbledhjen e Komitetit të Divizionit të përbamun nga Komisarët e Brigadave, nga Përgjegjësi Rinis Divizionit dhe nga Komisari i Divizionit, u konstatue:

 

1.- Gjendja politike e terrenit në krahinat Ferizaj-Shtimlje e Lipljan. – (krahina ku ka qëndrue Divizioni gjer më 10 Qershor). –

Gabimet e mbëdha politike që kishin bamun repartet ushtarake të Kosmetit gjatë dbimit të Gjermanëve nga Kosova, dhe armiqësija ndërmjet kombësive të ndryshme (Malazese, Serbe e Shqiptare) kishin krijue një gjendje shumë të vështirë në këto krahina. Kjo gjendje e vështirë spjegohet prej faktit se një sasi e madhe e popullit nga frika e persekutimeve të pa vend që bajshin repartet e Kosmetit ishin hedhur me armë kundra pushtetit dhe ishin bashkue me kriminelat e popullit Kosovar që endeshin ndër male. Nga ana tjetër organizatat e partis jo vetëm që nuk ishin në gjendje që t’a rregullojshin këtë situatë, por përkundrazi kishin influencue shumë për egërsimin dhe për ritjen e rrymës shoveniste. Kish antarë Partije që ishin shovenista, të cilët e kishin kuptue Komunizmin si lëvizje Nacionale e jo si lëvizje internacionale. Përveç kësaj tue qenë organizata e ré kishte edhe elemente me tendenca tarafllëku. Këtë e kemi konstatue pse shpesh herë kanë ndërhye për lirim elementash të dobët nga burgu që i kishin miq. Ky veprim pra i organizatës si dhe i reparteve kish dobësue shumë pushtetin dhe nga ana tjetër kish forcue reaksionin i cili nuk rrinte me duar kryq. Karshi kësaj situate reaksioni lëshonte parrulla se Englezët do të zbarkojnë në Dalmaci, se Titua i prishi punët me Englezët për çështjen e Triestes, se forcat Greke dhe Engleze do të sulmojnë nga an’ e Maqedhonisë, se shpëtimi i jonë do të vijë nga Mbreti Pietër, se pa Pietrin nuk lind dielli etj. Këto parulla ngjitshin në popull i cili ishte krejt i pa skjaruar, mbassi i konsideronte Brigadat e Kosmetit të barabarta me xhandarët e Kral Pietrit e të Stajodinoviqëve. E tillë ishte gjendja e terrenit dhe e organizatës kur neve jemi instalue në këto krahina. Gjatë kohës që repartet t’ona ndenjën në këto ana, shumë punë politike asht bamun si ndër masat e gjera të popullit ashtu edhe mbrenda në organizatë. Për të patur një idé të kjartë të punës s’onë mjafton të shënojmë se gjatë muajit Maj i janë dorëzue reparteve t’ona 114 t’aratisur e gjatë muajit Qershor ma se 80 t’arratisur. Kemi shkatrue në këtë mënyrë krejt forcat e armatosura të reaksionit ndër krahinat që na pat besue Shtabi Operativ i Kosmetit. Me operacionet që bëri Divizioni në ditët e para të Qershorit, bamë që edhe dy çeta të vogla që silleshin ndër Bjeshkat e Jezercës e të Zhegorecit të ikin fare prej kësah krahine. Mund të themi me siguri se kur kemi ikur nga Kosova me 10 Qershor, e kemi lanun situatën qind-për-qind të përmirësueme.

2.- Situata politike në Ohër, Strugë e Resan (Maqedhoni). –

Nga tokat e Kosovës kemi ikur me 10 Qershor, dhe mbas 12 ditë udhëtimi kemi mbritur në Maqedhoni (Ohër, Resan, Strugë). Gjatë udhëtimit kemi patur rastin të njohim gjendjen e pushtetit e të prapavijave që nga Kaçaniku, Shkupi, Veles, Prilep, Manastir deri në Ohër. Gjith-kund kemi konstatue çrregullime n’administratat e shovenizëm të tepëruem ndër masat e popullit dhe t’ushtris. Edhe këtu në Maqedhoni, tue qenun popullsija në shumë kombësi (Maqedhon, Shqiptarë, Turq, Bullgarë) ka shumë armiqësina ndërmjet tyne, të cilat e kanë origjinën tek regjimet e kaluara si dhe te gabimet, që kanë bamun repartet Maqedhonase kur iku gjermani tue u hak-marrë mbi Shqiptarët e Bullgarët. Pastaj ajo që e pengon shumë punën në këto vende asht se në pushtet ka akoma asi elementash që deri dje kanë qenë në prehnin e armikut. E plaga ma e madhe asht se populli i këtyne anëve nuk e urren armikun mbasi nuk e ka luftue fare. Për të rregullue këtë situatë të vështirë në këtë krahinë, duhej që të kishte një organizatë Partije shumë të shëndoshë, por përkundrazi, organizata e Partis këtu asht edhe ma e dobët se ajo e Kosovës. Ka ngjarë, që Komisari i qytetit në Resan ka dash të ndalojë parakalimin e Brigadës III-të për në qytet, ka përdorë fjalë brutale kundër ushtrisë t’onë. Dhe ajo ma e keqja asht se udhëheqës t’organizatës, nuk dinë seç luftë ka bamun ushtrija e jonë, seç luftë ka bamun Divizioni i VI-të dhe se nga vinte. Shumë prej përgjegjsave kujtojshin se Divizioni vinte nga Shqipërija për të marrë në dorëzim Maqedhonin. Kjo provon se ata nuk janë të pregatitur politikisht, se ata janë shumë të rinj në punë dhe se shumë herë bien në pozitat e armikut.

Gjatë kësaj kohe që neve jemi instalue këtu kemi fillue një punë sistematike për të ndihmue organizatat e Partis si dhe për të skjarue popullin me konferenca e çfaqje nëpër fshatra. Dhe mund të themi se jemi në rrugë të mirë përsa i përket kësaj pune. Parulla e fillimit se Divizioni ka ardhur për të marrë në dorëzim Maqedhonin ashtu Zhduk e vendin e saj e ka zanun parulla e jonë se Divizioni i VI-të ka ardhur me mbrojtë Maqedhonin bashkë me Armatën e Mareshallit Tito. Besimi që ne kemi fitue në pushtet spjegohet se për çdo manifestim ose meting që do të bahet merret edhe mendimi i jonë. Kështu që sot jemi në lidhje të ngushtë si me pushtetin ashtu edhe me organizatën e Partisë.

E tillë është gjendja e terrenit ku janë dislokue forcat e Divizionit VI-të.

3.- Gjendja politike e reparteve të Divizionit VI “S”. –

Niveli politik i reparteve në përgjithësi ësht i ulët. Një numur i konsiderueshëm partizanësh nuk kanë kuptue akoma qëllimin e qen-jes së tyre të mobilizuar në ushtëri, nuk njohin akoma mirë se kush asht armik i popullit Shqiptar e kosovar, nuk kanë urrejtje kundër reaksionit ndërkombëtar e reaksionit Grek. Shkurt nuk njohin karakterin e luftës s;onë. Bile një pjesë e atyre janë mobilizue në këto kohët e fundit e që nuk e kanë zbraz ndonjë herë pushkën për demokracinë t’onë e konsiderojnë vehten si t’internuem. Shkaku që këto reparte qëndrojnë kaqë ulët politikisht shpjegohet se 1)-një numur i konsiderueshëm i tyre nuk e kanë bamun jetën e lavdishme të partizanve t’onë të vjetër, 2)-një numur tjetër prej tyre vjen nga radhët e armikut, 3)-se edhe neve nuk kemi punue aqë sa duhet për t’i ngritur ata e 4)-se edhe kuadrot t’ona të reja nuk kanë mujtë me gjetë një sistem pune të përshtatëshmë për ‘ta.

Prej të tre Brigadave të Divizionit, ajo që e ka elementin më të mirë, asht Brigada e III-të, e kjo spjegohet pse partizanët Kosovarë që ndodhen në ‘të janë të vjetër e pjesa ma e madhe e tyre kanë marrun pjesë në luftime t’ashpra në Sanxhak dhe në Bosnje. Bile për t’u vue në dukje asht se shumë të rinj Kosovarë janë futur në radhët e Partis, dhe një numur tjetër janë kandidatë për në Parti. Një fakt tjetër që spjegon se Brigada e III-të asht ma e mira, asht se numuri i vogël i të dezertuarve nga kjo Brigadë. Në muejin Qershor ka pas vetëm 2 dezertorë. Pas Brigadës së III-të vendin e dytë e zen Brigada e VIII-të, e cila nuk ka mujtë me rekrutue akoma Kosovarë për në Parti, me gjithë se ka elementin më të shëndoshë Kosovar (të krahinës Drenicës). Dhe ajo që ka mbetë ma mbrapa asht se elementi Kosovar që ndodhet në këtë Brigadë asht shumë i rì, d.m.th. se nuk kanë bamun luftime aspak si edhe kuadrot e kësaj janë më pakë aktive se të Brigadave të tjera.

4.- Gjendja organizative. – Lëvizja e kuadrove, mungesa e Zv. Komisarëve të Brigadave si dhe mungesa e 4 përgjegjësave të tjerë politikë që ndodhen në Kurs, gjith’ashtu edhe lëvizja e reparteve t’ona na kanë pengue shumë në forcimin e organizatës Partis në Divizionin e VI-të. Kështu me gjithë se jemi lodhur për t’a forcue organizatën e Partis, prap se prap nuk ja kemi dalur në krye. Nuk njohim akoma mirë kapacitetin e byrove ndër Batalione, nuk mujtë me kontrollue mirë zbatimin e planit të punës caktuar nga Komiteti Divizionit. E fundi fundit, nuk kemi qenun në gjendje me konstatue se sa asht përfitue nga punimi i atij plani. Kështu spjegohet që organizata e Partis ka funksionue, por nuk asht kontrollue siç duhet.

5.- Gjendja kulturale e reparteve të Divizionit VI-të.

Me që gjendja politike e organizative e Divizionit asht e ulët siç e pamë, rjedh vet vetiu se dhe gjendja kulturale nuk mund të jetë e ndame nga gjendja politike, d.m.th. se asht e ulët. Me gjithë punën e dendur që bëhet në këtë drejtim, prap se prap, repartet t’ona qëndrojnë ulët nga pik-pamja kulturale. Kjo spjegohet:

I)- Se në Divizion ka fare pak elementa që kanë mbarue shkollën e mesme.

II)- Se pjesa ma e madhe (gadi gjithë e reparteve asht fshatar e puntorë që nuk kanë patur mundësi me vazhdue shkollën.

III)- Se një numur mjaft’i konsiderueshmë gati 30% janë analfabet.

IV)- Se gjendja gjithmonë në lëvizje e reparteve nuk ka lejue që të bahet një punë intensive për ngritjen kulturale të reparteve.

Këto janë shkaqet kryesore që kanë pengue punën e përgjegjsave në këtë drejtiml Por kjo nuk do të thotë se puna ësht lanun mbas dore, përkundrazi, për ngritjen e nivelit kultural asht punue mjaft e sidomos tash që forcat janë t’instaluara nëpër kazerma. Mund të themi pa frikë se mbrenda një kohe të shkurtër mund të kemi shumë ndryshime. Sot për sot janë formue dhe kanë fillue t’apin përfundime këshillat kulturale. Analfabetimit i asht bamun një luftë e ashpër dhe përfundimet kanë qenun të mira. Brigada e VIII-të nga 353 analfabetë ka bamë që të mësojnë brenda muajit Qershor 80 vetë, Brigada e VI-të tue qenë se gjendet në kondita më të mira, ka ba që të mësojnë 96 analfabetë. Brigada e III-të ka bamë që të këndojnë e të shkruajnë gjatë muejit Qershor 73 veta. Numuri i analfabetëve që kanë mësue me shkrue e me këndue harin 249, si mbas raporteve që japin Komisarët e brigadave, po prej këtij numuri që supozohet të jetë edhe i egzazheruem, mund të themi me siguri se ma se 150 veta kanë mësue me shkrue e me këndue e nuk mund të quhen analfabetë. Për zhvillimin kultural të reparteve nuk jemi bazue vetëm në luftën kundër analfabetizmit. Kjo gja asht bamun vetëm me ata që janë analfabetë, por me të tjerët asht bamun landë gjeografike e historike, të cilat kanë ngjallur interes të madh ndër partizanët. Ndër orët e lira asht vumun ré se partizanët kënaqen edhe e presin me kënaqësi këtë orë.

6.- Gjendja e kuadrove. – Gati të gjithë kuadrot e Divizionit VI-të janë të reja si ato ushtarake ashtu dhe ato politike. Me përjashtim të një numuri të paktë të gjithë janë fshatarë të thjeshtë dhe të pa zhvilluem. Nuk kanë eksperiencë në punë masash dhe nuk janë të sprovuem në luftën politike. Nga kjo rjedh se gjendja e tyre është e ulët. Por që të gjithë këto kuadro nuk kanë pikë-pamje të gabueme për vijën e luftës t’onë. Janë të thjeshtë, por kurrë nuk bajnë gabime politike. Përsa i përket kësaj pike janë shumë të skjaruem dhe mund t’a spjegojnë me dy fjalë nga se nuk kanë zotësi të folunit. Pastaj ajo që karakterizon kuadrot t’ona asht se teorikisht nuk kanë haber fare. Të paktë janë ata që dinë nga teorija Marksiste-Leniniste. Dhe asht pikërisht kjo që kish shkaktue mërzitin e shumë kuadrove. Në disa ka qenë formue ideja se komunizmi u harit në Shqipni dhe se s’ka gja tjetër për t’u haritur. Mirpo këto u skjaruen dhe sot njohin gjendjen e ulët të tyre.

7.- Rinija në Divizionin e VI-të. – Siç e ka raportue dhe përgjegjësi i Rinis Divizionit, puna me Rinin në Divizion po ecën përpara. Brumi i të rinjve ësht shumë i mirë. Janë të pa djallëzuem dhe kanë oreks për të shkue përpara. Dallohet për punën e saj Rinija e Brigadës III-të. Me gjithë se kuadrot e rinisë janë lëvizur shpesh, prap se prap puna me rininë ka dhanun rezultate të kënaqëshme. P.SH. punën me analfabetët e kanë marrun përsipër të rinjtë dhe ja kanë dalun me sukses. Për të patur një idé të kjartë mbi punën e Rinis në Divizion po ju dërgoj dhe raportin që i asht dërgue Komitetit Qendror të Rinis Komuniste. Aty keni rast me konstatue punën e rinis së Divizionit VI-të.

8.- Puna politike për ngritjen e kuadrove dhe të reparteve në Divizionin e VI “S”. – Për të naltësue kuadrot edhe repartet t’ona politikisht e teorikisht, janë përpilue dy plane punimi: njëri teorik për naltësimin e kuadrove dhe tjetri për të naltësue repartet. Për të skjarue repartet dhe për të krijue koshiencën e luftës ndër ‘ta janë bamun përpjekje nga të gjithë shokët t’anë përgjegjësa. Asht punue me ‘ta landa e caktueme në planin nga Komiteti i Divizionit me 10 Maj, por rezultatet nuk i kemi patur të mira nga se zhvillimi i landës ka qenë artificial. Përgjegjësit kanë shikue më tepër të plotësojnë planin se sa të vrejnë përfitimin që del nga ky plan. Pastaj përveç kësaj, landa e caktueme në këtë plan pune sikurse u kemi pas vue në dijeni ka qenun e vështirë dhe jo e përshtatëshme për repartet e Divizionit VI-të. Në mbledhjen e Komitetit të Divizionit me 25 Qershor kemi vendosur si plan pune për repartet këtë landë: librin “nga Jeta e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare”, Shqipnija fizike, politike, ekonomike tue vumun në dukje vendet ku janë bamun luftimet ma t’ashpra kundra okupatorëve e tradhtarëvet, tue vuemun në dukje vendet më të djegura e shkatërruara nga armiku si dhe shkatërimin e ri-ndërtimin e vijave të komunikasionit e të urave. Si konferenca politike për t’u zhvillue janë caktue: “Vëllazërimi i popujve të Ballkanit garanci paqeje n’Europë” (këtu do të theksohet vëllazërimi i popujve Shqiptar e Jugosllav). Një meting mbi reformën agrare në çdo Brigadë.

Për naltësimin e kuadrove për muejin Korrik asht caktue punimi i broshurave: “Rusija Sovjetike në paqe e në luftë” dhe broshurën “disa çështje të Partis ndër masa”. Duhet theksue se neve nuk jemi mjaftue me caktimin e planit të punës në letër, por i jemi vumun punës vetë për t’u spjegue kuadrove udhëheqësa në mbledhje të zgjeruara. Në muejin Qershuer për kuadrot udhëheqësa janë punue në mënyrë të kënaqëshme tre Kapitujt e parë të Historis të Partis Komuniste Bollshevike t’U.R.S.S.-it dhe u garantojmë se kuadrot t’ona kanë përfitue shumë dhe se asht ritur dëshiri i kuadrove për studime mbi teorinë Marxiste-Leniniste. Përveç kësaj, sikurse u kemi ba me dijtur edhe në raportin e muejit Maj, reth Shtanit të Divizionit ësht zhvillue një kurs teorik drejtue nga Komisari Divizionit. Në këtë kurs kanë marun pjesë 25 deri 30 oficera udhëheqës politikë e ushtarakë dhe janë punue tre Kapitujt e Historis të P.K.B. t’U.R.S.S. si dhe asht kuptue prej një pakice të kursistave. Duhet me dijtë se ky kurs nuk ka qenë ndonjë kurs i rregullt, por asht formue me të vetmin qëllim që të naltësohen kuadrot nga pikë-pamja teorike. Për këtë u themi me siguri se të gjithë ata që kanë marun pjesë kanë përfitue shumë. Për të patur një idé edhe ju, po u dërgoj listën e pyetjeve që kam përpilue unë mbas referateve të tre Kapitujve të Historis P.K.B. t’U.R.S.S.-it.

9.- GJENDJA USHTARAKE. –

a)- Disiplina ndër kuadrot oficera. – Tue qenun se oficerat e reparteve t’ona kanë qenun gjithmonë në lëvizje bashkë me partizanët nëpër fshatra, nuk kanë shkëputur akoma atë marëdhënjen e vjetër të jetës partizane, si kunseguencë e kësaj, rjedh se edhe respekti reciprok i oficerave prej partizanëve nuk ka marrë formën që i duhet ushtrisë t’onë në modernizim. Me gjithë se u asht shpjegue shpesh herë kjo gja prap se prap shenjat e partizanllëkut shifen e sidomos ndër oficera. Shumë oficera kur bisedojnë me superiorë, mbajnë po atë sjellje që kanë patur kur ishin në mal. Në këto kohët e fundit ësht bamun një ndryshim i dukshëm, por ka akoma vese të vjetër për t’u zhdukur.

b)- Disiplina ndër partizanë. – Vihet ré një ndryshim i madh ndërmjet oficerave dhe partizanëve. Ndërsa ndër oficerat egziston sa do e paktë forma e vjetër e partizanllëkut, ndër partizan asht zhdukur fare. Kjo spjegohet edhe prej faktit se masa e madhe e partizanëve që formojnë Divizionin vijnë nga ish Ushtrija e rregullt Jugosllave e si konseguencë ka tërheqë me vehte edhe atë sasi të vogël partizanësh të vjetër që kanë mbetë ndër reparte. Për këtë bindje e këtë disiplinë autoritare që kanë partizanët jemi tue u mundue që t’ja bëjmë koshiente. Por fare pak pune asht bamun, pse disiplina koshiente asht funksion i nivelit politik të repartit.

c)- Shpirti luftonjës e sulmonjës i reparteve. –

Me përjashtim të partizanëve të vjetër dhe deri diku të repartit të Brigadës III-të, shpirti luftonjës nuk ësht i zhvilluar, mbasi sikurse asht thanun edhe më nalt janë shumë të ulët politikisht. Kështu që sot për sot mund të shtijmë në luftë vetëm Brigadën e III-të. Me punën e vazhdueshme që është tue u bamun, mund të themi me siguri se mbrenda një kohe të shkurtër do të jemi në gjendje me fut gjithë Divizionin në luftime frontale. Sigurohemi për këtë, pse dashurija e partizanëve Kosovarë kundrejtë Komandantit t’onë të Përgjithëshmë sa vjen po shtohet. Nga ana tjetër edhe dezertimet që përpara ishin të shumta e në muejin e Qershorit kemi patur vetëm 22 dezertorë. Këto dezertime nuk kanë patur karakter politik, por kanë rjedh nga lidhja primitive që elementi Kosovar ka me familjen.

Sa për shpirtin sulmues dhe moralin e reparteve, kjo ka lidhje gjith’ashtu me nivelin politik. Pra tue qenë se niveli politik asht i ulët, rjedh se edhe shpirti sulmues asht i pa zhvilluem. Morali i reparteve nuk asht i keq. Mërzitja nuk egziston ndër partizanë. Parulla për de-mobilizim nuk ndihen fare. Nga ana tjetër edhe përmirësimi i konditave të jetesës, ka influencue për ngritjen e moralit të partizanëve.

10.- Funksionimi i seksioneve.

a)- Mbrapavija e Divizionit. – Deri më sot Komanda e Mbrapavijave të Divizionit nuk ka funksionue fare. Ky mos funksionim vjen se Komanda e Mbrapavijave nuk ka kuptue akoma kompetencat e veta, dhe nga ana tjetër Komandantët e Mbrapavijave si në Divizion ashtu dhe në Brigada nuk kallzojnë asnjë interesim për këtë seksion kaqë me rëndësi për mbarë-vajtjen e Divizionit. Nga mos interesimi i Komandave të Mbrapavijës, ka rjedh monopolizimi i këtij seksioni në duartë e Komandantave të Divizionit e Brigadave. Për të evitue këtë të metë po punohet që Komandantët e Mbrapavijave të ecin me këmbët e veta, e mund të themi se diçka asht përmirësue në këto kohët e fundit.-

b)- Seksioni Operativ. – Deri 20 ditë përpara veprimet e këtij Seksioni nuk ndiheshin fare në Divizion e Brigada. Ka qenë formue përshtypja se egzistenca e tyre është e kotë, mbasi punën e Operativit e kryenin Komandat e Divizionit e të Brigadave sikurse u kryeshin kur ishin me formacione më të vogla. Kështu që edhe puna e Operativit ishte monopolizue nga Komandat. Mirpo me ardhjen e oficerave operativ nga një kurs që u ba në Tiranë, puna ka ndryshuar fare. Ata kanë kuptuar kompetencat e tyre dhe në këto kohët e fundit Seksioni operativ ka fillue të  funksionojë fare mirë.

c)- Seksioni Informativ: - Edhe ky Seksion me shumë rëndësi nuk funksionon mirë në Divizionin e VI-të. Shkaku duhet kërkue se oficerat informativ, si i Divizionit si edhe ata të Brigadave nuk dinë me punue, dhe as që mundohen me gjithë se shumë herë u është folë për rëndësinë e këtij Seksioni. Nga ana tjetër as Komanda e Përgjithëshme nuk kishte dërgue ndonjë oficer për të skjarue informativët t’anë për detyrat e tyre. Tash së fundi me ardhjen e brigadave në Tiranë, informativët u skjaruan dhe besohet se do të shhkojë përpara. Një gjë tjetër që ka lanë jashtë rëndësisë informativin, ka qenë seksioni i Mbrojtjes, i cili ja ka marrë nga duart kompetencat informattivit.

d)- Oficeri i Mbrojtjes. – Mbrojtja në Divizion ka funksionue fare mirë, gjithmonë, dhe sikurse u tha ma naltë ka monopolizue detyrat e informativit. Por me skjarimin që mori informativi j’onë pranë Komandës së Përgjithëshme kjo e metë me siguri do të zhduket.

e)- Seksioni Shtypit e Propagandës. – Ky seksion me gjithë se është krijue tani rishtas, ka funksionue mirë dhe jep shpresa se do të shkojë akoma përpara. Rivistat e Brigadave dhe e Divizionit dalin në rregull çdo muaj. Veç këtyre del edhe një broshurë në Divizion me artikuj të marrun nga “Bashkimi” dhe nga “Borba”. Gazetat e xhepit dhe të murit dalin në të gjitha repartet. Çfaqjet teatrale dhe organizimi i Grupit koral vazhdon në mënyrë të kënaqëshme.

f)- Artilerija. – Grupi Artileris në Divizion ka një jetë prej dy muajsh. Gjatë kësaj kohe është bamun një farë pune e kënaqëshme. Oficerat që formojnë këtë Grup Artilerije nuk janë kompetenta, me përjashtim të 4 oficerave. Por me anën e një kursi që ka vazhdue rregullisht, oficerat t’anë kanë përfitue shumë dhe sot për sot kanë haber nga Artilerija. Numri i këtyre Oficerave harin 18. Puna e Partis në Artileri nuk ka qenë e mirë, mbasi nuk dimë akoma se si do të funksionojë. Me gjithë atë plani i punës ësht punue edhe atje.

Për t’a pastrue Artilerinë nga një element i dobët që quhet Niazi Bimi, mendojmë që këtë t’a heqim fare nga Artilerija jonë, me gjithë se ky punon shumë. Largimin e tij do t’a bajmë kur të na vijë një kompetent nga Komanda e Përgjithëshme.

Më von do të dërgoj një listë të kuadrove që shkojnë përpara, t’atyre që rinë në vend si dhe t’atyre që ecin mbrapsh. Do t’ju dërgoj gjith’ashtu edhe listën e kuadrive që na mungojnë si dhe propozime për t’i zëvendësue.

PËR KOMITETIN E DIVIZIONIT VI “S”

KOMISARI POLITIK

     (ISUF KEÇI)

      (vula, firma)

blank blank

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here