1951/ Mehmet Shehu: Jemi forcuar, amnisti për 480 të dënuar politik e 1280 ordinerë

0
275
blank

“Propozojmë t’u ulim dënimin duke marrë parasysh forcimin e pushtetit popullor dhe të pozitave të Demokracisë Popullore në vendin t’onë nga një anë, dhe nga ana tjetër  se rrezikshmëria shoqërore për një pjesë të të dënuarve nga Gjykatat Popullore ëhstë pakësuar ose çdukur fare…”.

Në fund të nëntorit 1951, me rastin e festës së Çlirimit, regjimi komunist kishte planifikuar të bënte një amnisti në radhët e të burgosurve politikë dhe ordinerë.

Listat ishin hartuar nga Ministria e Brendshme dhe Mehmet Shehu ia delegonte, nga zyrat e kryeministrisë, presidiumit të Kuvendit Popullor. Listat e hartuara me emrat e të burgosurve që do të amnistoheshin, janë një burim i vyer të dhënash historike për këtë periudhë. Mehmet Shehu citon në shkresën e tij shoqëruese, se kjo amnisti po bëhej  “duke marrë parasysh forcimin e pushtetit popullor dhe të pozitave të Demokracisë Popullore në vendin t’onë nga një anë, dhe nga ana tjetër  se rrezikshmëria shoqërore për një pjesë të të dënuarve nga Gjykatat Popullore është pakësuar ose çdukur fare…”.

Duke treguar me këtë që regjimi i kishte forcuar pozitat në shkallën që nuk u trembej më “armiqve të brendshëm”, kjo shkresë e Mehmet Shehut, sikurse edhe listat e të burgosurve që propozoheshin për amnisti, dëshmon një varg të vërtetash domethënëse: Regjimi komunist ishte shumë më tolerant dhe i mëshirshëm me krimin ordiner, krahasuar me qëndrimin që kishte ndaj “krimit politik”. Armiqtë politikë ishin gjithnjë nën vëzhgimin më të rreptë.

Nëse i referohemi listave të hartuara nga Ministria e Brendshme, në listën e “armiqve të popullit” janë listuar 480 të dënuar, të cilëve do t'u shqyrtohej ulja e dënimit, ndërsa në listën e të dënuarve ordiner, listohen 1280 të dënuar, pra 800 të dënuar ordiner më shumë se sa politikë.

Kjo vërteton se regjimi edhe në këtë rast, u kishte  dhënë prioritet dhe ishte treguar shumë më i mëshirshëm me të dënuarit ordinerë. Po ashtu, kjo mëshirë vihet re edhe nëse analizojmë zbritjen e dënimeve, ku tek ordinerët, nga 20 vjet, e ulnin dënimin deri në 1 vit, apo nga dënim i përjetshëm, në 2 apo 5 vjet.  E kundërta vihet re në listën e propozuar për të dënuarit politik, ku uljet janë gati të papërfillshme krahasuar me të dënuarit ordinerë.

Veç të tjerave, këto lista, sidomos ato të hartuara për të dënuarit si “armiq të popullit”, na ofrojnë sot një varg  faktesh të vyera historike, pasi listat e tyre pajisen me të dhëna të hollësishme mbi datëlindjen, vendbanimin, datën e arrestimit apo edhe akuzat e hartuara nga regjimi.

Kujto.al do të shtojë në databazën e saj të gjithë të dhënat e reja referuar këtyre dokumenteve zyrtare për të 480 të dënuarit politik që ishin shqyrtuar, në nëntor të vitit 1951.

Më poshtë, sjellim të plotë shkresën shoqëruese të Mehmet Shehut, lidhur me të dënuarit e këtyre listave.

Republika Popullore e Shqipërisë

Kryeministria

Tiranë 24.11.1951

Nr.prot.7/445

Presidiumit Kuvendit Popullor

Tiranë

Duke marrë parasysh forcimin e pushtetit popullor dhe të pozitave të Demokracisë Popullore në vendin t’onë nga një anë, dhe nga ana tjetër  se rrezikshmëria shoqërore për një pjesë të të dënuarve nga Gjykatat Popullore është pakësuar ose çdukur fare, prandaj në bazë të nenit 3 të dekretit Nr.1317, datë 19/Vi/1951 mbi faljen e dënimeve, i propozohet atij Presidiumi që në konformitet me nenin 58 pika 7 të Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë, që me rastin e festës së përvjetorit  të çlirimit t’u falet ose t’u pakësohet dënimi të burgosurve ordiner dhe armiqve të popullit sipas listës anekse.

Njëkohësisht të dënuarve të falur t’u kthehen edhe të drejtat civile.

P.Kryeministri:

N/Kryeministri

Mehmet Shehu

Firma

blank

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here