Në fshatin Mënik, aty ku në natën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë të Tiranës. Rrëfimet e Rakip Hysës për kujtimet e të atit mbi piskamën e gruas dhe bataret e armëve që shuan jetën e 22 njerezve. Momenti e hapjes së varrit të përbashkët dhe telat me gjemba që u gjetën në gjymtyrët e të vrarëve. Komunizmi që vrau, mbolli dhe “rriti” frikën dhe harresën edhe pas viteve 90’.
Me hap të ngadaltë e sytë ngultas, kah një qiparisi të vogël, që “ushqehet” me gjakun e 22 njerëzve, Rakipi afrohet dhe bashkë me dorën e zgjatur të takimit, pyet qortueshëm: “kush je?, e di ti se ku ke shkelur o bir”?, kërkon përgjigje të menjëhershme dhe i gatshëm për të na thënë të largohemi, sepse këmbët pa e ditur mirë i kishim mbi dheun që mbuloi 22 të pushkatuar nga regjimi komunist, më 26 shkurt 1951. “Ah, je gazetar…, çtë shkruash për këtë vend të mallkuar, që u kthye në një varrezë të madhe të kundërshtarëve të komunizmit”, sfidon 58-vjeçari, që gati na “paralajmëron” se nuk ka penë që e përshkruan atë që ngjau në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951. Ajo shashkë e hedhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik, stisur nga Sigurimi i Shtetit, u bë shkak që brenda një nate Tirana të ndizej nga arrestime, tortura, e pushkatime. “Baba më tregonte shpesh kur u rrita. Ishte vonë, dhe tre-katër shtëpi përdhese ndodheshin diku pranë këtij vendi. U dëgjuan klithjet e një gruaje, e pa e përfunduar thirrjen, breshëri të gjata automatiku oshëtinë vendin”-kujton Rakip Hysa, nga rrëfimet e të atit. Më vonë e mësuan emrin e asaj gruaje që briti, qe zëri i 38-vjeçares Sabiha Kasimati, që u shua pas zbrazjes së armëve. Askush nuk doli nga shtëpitë. Vendi ishte mbushur me polic. Banorët mezi prisnin që të vinte agu, për të parë çkish ngjarë. Me shumë drojë pas disa ditësh iu afruan vendit dhe panë që dukej një gropë e mbuluar, shenja të gomave të makinave dhe shumë gëzhoja. Sa shumë plumba u derdhën atë natë… “Zgjatën gati një minutë breshëritë e armëve”-kujtojnë më të vjetrit. Sa ishin të vrarët, po britmat e asaj gruaje? Këto dilemma ndoqën nga pas banorët e zonës, që kurrë nuk u shprehën hapur. Me zë të ulët bisedonin mes tyre. “I kanë vrarë o bir, por nuk dihet sa kanë qenë, po ajo grua ç’qe që kthithi, a e vranë edhe atë?-më pyeste shpesh babai, kujton Rakipi. Dhe ky burrë i fisshëm dhe i thjeshtë i Mënikut, dilemën e të atit që si hiqej nga mendja piskama e mesnatës së vitit të largët 1951, e zbuloi vetëm pas përmbysjes së sistemit komunist. “Ishte fillimi i demokracisë, nuk e mbaj mend mirë vitin, por erdhën njerëz të interesoheshin. Ditën që u krye zhvarrimi un shkova atje”-tregon Rakipi, teksa hovin për të rrëfyer edhe pa e pyetur në detaje, ia ndalin dy lot që i shkajnë nga sytë vetishëm, për t’iu bashkuar poshtë mjekrës. Bën një hap pas dhe nis të rrëfejë me dorën zgjatur: “Ja, bash mu këtu i kishin vrarë e varrosur”-thotë 58-vjeçari, ndërsa mbledh veten dhe fshin me trinën e pëllëmbës lotët. “Ishte e rëndë, në fillim u zbulua kafka e një njeriu, më pas ngadalë nisëm të zbulonim një e nga një eshtrat. Nuk kishte gjë më të rëndë, gjetën në gjymtyrë ende tela me gjemba që i kishin të lidhur”-tregon ai. Familjarët e viktimave nuk patën lot të qanin, por shtangën e u kapluan nga ankthi. Sa eshtra do gjendeshin, a do kishte një varr për të afërmit që regjimi i vrau natën, pa gjyq, duke ua dorëzuar xhelatëve ekzekutor të ish-Sigurimit të Shtetit? Vështirë të dalloje eshtrat e kujt zbuloheshin. Ata edhe nga kjo botë ikën të lidhur të 22, të gjithë bashkë nga tela me gjemba. Përveçse çdo trup kishte duart e lidhura. Në formë rrethi u gjet edhe një tel i trashë që i kishte bashkuar të 22 të pushkatuarit, për të mos u lënë asnjë mundësi ijke. Gryka e Erzenit vijonte ende nga oshëtima e armëve. Më pas ra një qetësi vdekje. Në beharin e vitit 1951, bari rritej më shumë në atë gropë jo fort të madhe, me përlasat 4.5 metra të gjatë dhe tre të gjerë. “Më kanë treguar se bagëtitë e kooperativës i kishin lëshuar në këtë fushë, disa prej tyre rendën drejt barit që kish mbirë mbi varrin e madh dhe u larguan. Gjaku kishte zënë edhe kafshët”-tregon Riza Shtina, një banor i Mënikut.
Regjimi që “thau” qiparisin e shoi fenerin…
Na u desh kohë të gjenim vendin ku ishin pushkatuar 22 intelektualë të Tiranës. Pyesnim e na drejtonin me duar. “Ja, futu në atë rrugicë, ec ca, kthehu djathtas dhe do gjesh vetëm një qiparis gjysëm të tharë, përmendore nuk ka”-tregojnë banorët. Këtë shpjegim, gati të thatë na e japing të gjithë. Prisnim të kishte një shenjë, përmendore të vogël, apo pllakadë me emrat e të pushkatuarve, por asgjë nuk ka mbetur. Nëse mund të quhet “shenjë”, është një qiparis i mbjellë nga Osman Kaceli (i afërm i të pushkatuarit Jonuz Kaceli). Vendosi edhe një fener si një dritë që nuk shuhet, por ndonjë fëmijë edhe atë e ka marrë. Pushteti lokal i zonës as e ka në listën e vendeve për tu kujtuar, ndonëse ajo kodrinë e vogël buzë Erzenit është e denjë për tu kthyer në peligrinazh. “Janë interesuar disa të afërm, kanë ardhur e parë vendin, më shpesh vjen Osman Kaceli që na u lut të mbillte këtë qiparis”-thotë Rizai, ndërsa afrohet dhe konfirmon se qiparisi është drejt vyshkjes, ndoshta në buzë pranvere edhe mund të çelë… Për disa muaj një fener që nuk shuhej ndriçonte shpirtin e 22 të rënëve, por nuk është më. Menduan se vitet e para të demokracisë do zbardhnin të vërtetat e komunizmit, por “drita” që u ndëz për pak kohë, është shuar. Sistemi nuk vrau vetëm me armë, por mbolli ndnjesinë e frikës e mbuloi me terr të shkuarën. Ashtu si në natën e 26 shkurtit 1951. “Disa të afërm vinin shpesh para disa vitesh, por tani janë gjthnjë e më të rrallë”-tregojnë banorët e Mënikut. Për ta ai vend nuk është i vetmi që mund të mbajë viktimat e komunizmit. Herë pas herë në kohë të ndryshme, nga viti 1946-1953 dëgjoheshin natën batare armësh. Dhe banorët u mësuan, cili mbylli sytë sonte, kush e pat fatin e keq që ra në duart e diktaturës. “Ka edhe vende të tjera që mendohet se ka të varrosur. Përgjatë gjithë bregut të Erzenit, mendohet se ka eshtra të të pushkatuarve”-kujton Rizai, ndërsa thotë se pas vitit 1953, nuk u dëgjuan më krisma armësh. Zona po popullohej më shumë dhe komunistët ndryshuan vend, duke hapur varre të tjera masive, një prej të cilave është edhe Mali me Gropa. Ikim nga fshati Mënik ,duke ndjekur me sy qipatrisin e vogël dhe të ecurën e ngadaltë të Rakipit, që futet në shtëpinë e tij, aty ku vite më parë babai i rrëfeu për herë të parë tremerrin e asaj natë dhe piskamën e Sabihasë.
Shashka që “vrau” 22 intelektualët
Në mbrëmjen e 19 shkurtit 1951 në ish-abasadën e Bashkimit Sovjetik u dëgjua një shpërthim. Kaq mjaftoi që të ndizej makineria terroriste e pushtetit. Sajoi një shkak për të kaluar në sulmin më të egër të atyre viteve. Në zyrën e tij Mehmet Shehu dha urdhër i prerë; të arrestohen 100-150 njerëz, ku 10-15 prej tyre të pushkatohen. Arrestimet i kaluan numrin 200, ndërsa me një të rënë lapsi në listën e pushkatimeve u përfshinë 22 persona. Të gjithë e dinin se asnjë prej të pushkatuarve nuk kishte lidhje me bombën, por ishin të skeduar më parë si kundërshtarë të mundshëm të sistemit komunist. Pas pesë ditësh tortura çnjerëzore në Hetuesinë e Tiranës dhe në Burgun 302, me një fletë në duar xhelatët e ish-sigurimit të Shtetit rendën në qeli dhe morën 22 të arrestuarit, duke i ngjitur në një kamion ushtarak të mbuluar dhe i ndalën buzë Erzenit, në fshatin Mënik. Krismat e armëve shuan jetën e 22 njerëzve.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.