Asije Habili: Si më vdiq motra 8 vjeçe në Tepelenë

0
325
blank

“E mbaj mend si sot… e di vendin ku është varrosur, në atë shpat kodre në Turan...”

Ishte fëmijë kur u internua bashkë me gjithë familjen në Berat, e më pas, në Tepelenë. Asije Habili e rrëfen me detaje jetën e tmerrshme në kampet e internimit. Nis në vitin 1945, me internimin në Berat, ku qëndruan katër vite, për të shkuar më pas në Tepelenë, në vitin 1949. Asija i mban mend të gjitha vuajtjet, por veçon një prej tyre. Kurrë nuk i shlyhet nga shpirti dhimbja për motrën, që mbeti në një shpat mali në Turan. Desi ishte tetë vjeçe kur u sëmur në kamp, ku humbën jetën shumë fëmijë të familjeve të internuara.  Kemi shkëputur një pjesë nga rrëfimi i Asije Habilit, për të motrën Desin dhe ditët e fundit në kampin e frikshëm të Turanit, atje ku dha frymën e fundit e vogla, Desi.

Na lanë 8 ditë rresh pa bukë dhe asnjë mundësi për t’u ushqyer. Njerëzit filluan të vdesin nga uria. Ndërkohë, drurët e shkurret rrotull kampit, u “pastruan” nga gjethet, që filluam t’i mbledhim e t’i ziejmë në formë lakrash, me një dorë oriz, sa për të shuar urinë. Filloi dizanteria në masë dhe kufiri që dallonte njeriun nga shtaza, ishte shumë afër. Njerëzit u bënë si të çmendur e flisnin me vete. Në këto kushte, ne duhej të mendonim edhe për sëmundjen e Desit të vogël, 8 vjeçe. Ajo ishte e uritur dhe nuk kishim asgjë ç‘t’i jepnim. Mbaj mend që i thoshte Nanë Dijes (Dije Hoxha, nga Luzi i Madh, e internuar me dy vajzat, Bakushen dhe Dritën),  – “Pse, nanë Dija, kto laknat tueja zijnë mô shpejt?!...”

– “Ashtu!? Hajt Desi, se të jap nana ty lakna, tashi, menjiherë!” I jepte nga pjesa e vajzave të veta, të sëmurës Desi. Ne ishim gjashtë fëmijë, “laknat”, një përzierje gjethesh rrushi të egër, ferrash e barishtesh, i vinim në sasi më të madhe, çka kërkonte më shumë kohë të zienin, por Desi nuk priste dot.

Pas 8 ditësh urie të skajshme, filluan të na sjellin bukë misri nga Berati. Bukë kishte emrin, sepse në fakt ishte diçka si punë brumi, i mykur, gati jeshil, i papjekur fare dhe në sasi krejt të vogël për nevojat e njërëzve. Filluam ta racionojmë dhe ta ndajmë. I takonte pa ekzagjerim, një copë e barabartë me një kuti shkrepëse të sotme, që mban 50 fije. A mund të rronte njeriu me këtë sasi ushqimi?!... Por vdekjet e shumta, në fakt, sikur e lehtësuan disi këtë uri. Vdisnin mbi 8 ose 10 vetë në ditë. Kur vdisnin 3 ose 4, quhej ditë me pak të vdekur. Aty ishin 8 kazerma dhe për 2 muaj vdiqën, kush i mban mend sa njerëz, gjysma ndoshta.

Njëherë, e shoh Desin që hëngri një racion tepër, dhe si më e madhe, i them:  –Pse e hëngre edhe racionin tim? Ajo më sheh e trembur dhe si e habitur, ndërsa ndërhyn Nanë Vathja që thotë: –S’ka gjë, se unë nuk dua, le ta hajë Desi copën time!

Deri sa të vdes nuk me harrohen ato pamje, kur ne s’kishim si ta ushqenim apo kuronim motrën tonë të vogël, e cila vdiq më shumë nga uria, sesa nga sëmundja. Kushtet higjenike ishin të tmerrshme. Na jepnin mundësi vetëm një herë në javë të lanim rrobat në përrua, thjesht me ujë mali, pa sapun, detergjente, etj.. Na shoqëronin e ruanin me policë, të cilët ishin ca ish–partizanë, që s’kishin asgjë të përbashkët me njeriun.

Të internuarit i ndanë në 2 grupe, të aftët për punë dhe të pamundshmit, për shkak të moshës, etj.. Neve që quheshim të rinj, unë dhe Ragipi, na dërguan në Memaliaj, ku punonim me kazmë për hapjen e rrugës automobilistike. Jetonim në çadra të ushtrisë.

Një mëngjes, vjen një roje dhe më njofton se më kërkonte vëllai. Dal te rrethimi dhe takoj tim vëlla, Ragipin, i cili më thotë të bëhem gati e të shkoj në kamp, sepse kishte ardhur Dajë Hekri (Hekuran Saraçi, daja, shën. ynë) që kishte porosi nga Bab Rama të mos kthehej pa i parë të gjithë fëmijët. Unë e kundërshtoj dhe i them: “Po ti, pse nuk vjen?!” Ai më shpjegon se nuk e linin të ikte nga puna.

Nisem për te kazerma bashkë me një plak që na sillte ushqimin me kalë, i cili ishte nga Malësia e Shkodrës. Rrugës, ai më pyeste se sa motra apo vëllezër kisha, sa vjeç ishin, etj... Unë nuk po u jepja dum fjalëve të tij, megjithatë, i thashë se jemi 3 motra e 3 vëllezër! Ai më pyeste për emrat e për moshën dhe gati më bezdisi me ato pyetje që unë i quaja trashanike! Kur afrohem afër kampit në Turan, aty dëgjoj zëra grash që pëshpërisnin: “Ja kësaj i ka vdekur motra!” Nuk po e kuptoja dhe më dukej e pabesueshme që ato fjalë të ishin për mua! Kur mbërrij në kazermën nr.2 ku ishte familja ime, mësoj se Desi ishte varrosur! Filloj e ulurij... dhe sot e kësaj dite, nuk më del hidhërimi për humbjen e motrës. Doja të shkoja ta shihja edhe njëherë e këmbëngula të hapnim varrin, sa për ta puthur për herë të fundit. Më sqaruan se e kishin futur direkt në tokë, pa arkivol, apo “shulse”, ose dërrasa varri që të mund të mbronin kufomën. Ma bënë të qartë se gjithë ato gurë e dhé e kishin prishur tashmë fytyrën e saj të njomë! Qaj aty derisa s’më dilnin më lotë e kthehem me shpirtin copë në kazermë, ku vazhdonte jeta e internimit! Edhe sot, më thotë mendja, e di vendin ku është varrosur, në atë shpat kodre në Turan...

Intervista e realizuar nga Neritan Kolgjini

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here