Musa Çapani: Ju rrëfej tmerrin në kampin e internimit në Kamëz

0
296
blank

“Një ditë prej ditësh, Jani u përkeqësua dhe nuk e dëgjuam më kitarën e tij. Dëgjova lajmin se Jani vdiq. Të nesërmen, të gjithë sa ishim, gra, kalamaj, shkuam tridhjetë metra më tutje fushës… të rriturit hapën një varr, e morëm Janin dhe e varrosëm aty. Ky është varrimi i parë që mbaj mend dhe që e kam parë me sytë e mi”.

Ishte vetëm 6 vjeç kur u përball për herë të parë me vdekjen. Ishte në një kamp internimi. Musa Çapani ishte fëmija i katërt i Hasan Alizot Çapanit, i shënjestruar nga regjimi komunist si armik i popullit, qysh në vitet e para të diktaturës. Musa Çapani ishte i mitur kur mori rrugën e internimit, bashkë me të ëmën, gjyshen, motrat e vëllezërit e tij. Nga i gjithë ky udhëtim tmerri, për dekada me radhë, Musa Çapani ruan në kujtesë dy momente të trishta: Është vdekja e një 17-vjeçari të internuar dhe pak kohë më pas, humbja e shokut të tij të fëmijërisë, i cili ndërroi jetë nga dizanteria. E kishte emrin Besnik dhe ishin shokë në kampin e internimit, në Kamëz, në vitin 1950, një kamp me kushte të ngjashme me atë të Tepelenës.  Aty do të sëmurej Besniku i vogël 9-vjeçar nga dizanteria e do të vdiste në atë humbëtirë për t'i lënë gjurmë të dhimbjes, jo vetëm tek e ëma e familjarët e tjerë, por edhe tek shoku i tij, Musa Çapani. Pas rënies së regjimit komunist, Musa Çapani ka shkuar menjëherë tek kampi, atje ku mbante mend se ishte varrosur shoku i tij, por nuk kishte mundur ta gjente.

Musa Çapani rrëfen jetën e tij pas arrestimit e pas arratisjes së babait, betejat për mbijetesë nëpër kampet e internimit, dhe na rrëfen detaje të panjohura më parë për kampin e Kamzës, që duket të ketë qenë po aq famëkeq sa ai i Tepelenës.

Arrestimi dhe arratisja e të atit

Hasan Alizot Çapani ishte një ndër tregtarët e Leskovikut, një ndër ata që diktatura e sapovendosur komuniste e kishte etiketuar për të quajtur “armik i popullit”. Ishte arrestuar qysh në vitin 1945 dhe ishte liruar pas rreth një viti. Por në vitin 1947, do të arrestohej sërish dhe kësaj here, do të niste një histori e gjatë vuajtjesh për familjen e tij, pasi vetë Hasani mundi të arratisej, duke i shpëtuar xhelatëve nga duart, gjatë kohës kur po e çonin në burguin e Ersekës. Arratisja e Hasanit do të kthehej në një valë sulmesh të dhunshme për pesë fëmijët e tij, nënën dhe bashkëshorten. Musa Çapani, një prej djemve të Hasan Çapanit, e ka rrëfyer udhëtimin e mundimshëm të familjes së tij, gjatë diktaturës komuniste. Nis me internimin drejt kampit të Kamzës, kampi që ishte ngritur për t'u grumbulluar në internim, familjet e kundërshtarëve të regjimit, që vinin nga jugu i Shqipërisë. Për ata të veriut, ishte duke u ngritur në atë kohë, kampi i tmerrshëm i Tepelenës.

Musa Çapani e rrëfen kështu ditën e parë të internimit. Ishte vetëm gjashtë vjeç në atë kohë, dhe për të, do të mbeten të pashlyera kujtimet e hidhura gjatë diktaturës komuniste.

Udhëtimi i parë drejt kampit të Kamzës

“Ec, ec, ec dhe përfundojmë në orën gjashtë të darkës, në Kamëz. Kamza ishte një fermë e ndërtuar që në kohë të Italisë, një fermë blegtorale. Ne na shkarkojnë pranë një ndërtese njëkatëshe, që shërbente si hangar për makineritë bujqësore, se aty kishte nja dy makina mbjellëse, dy plugje dhe në pjesën tjetër, rrinin kuajt. Hangari ishte i lartë. Kishte aty dhe një kthinë më vete, ku me sa duket, rrinin rojet. Ne na fusin në këtë hangar. Kur vajtëm, gjetëm edhe tre familje të tjera aty. U futëm dhe ne brenda. Ishte natë dhe na zuri gjumi. Vetëm mbaj mend që të nesërmen, vijnë dhe dy-tre makina të tjera. Shkarkojnë edhe dy-tre familje të tjera. Vjen një burrë, patjetër komandanti i kampit. Thotë: “Tani jeni shtatë a tetë familje, dhe sistemohuni. Gjeni ndonjë mjet rrethanor ta shtroni dhe sistemohuni.”

Ajo ishte ndërtesë përdhese. Pjesa ku rrinin makineritë bujqësore, ishte e shtruar me tulla; te pjesa ku rrinin kuajt, dyshemeja ishte prej dheu. Komandanti i kampit na tha se do të vijnë dhe gjashtë ose shtatë familje të tjera: nja pesë nga Shkodra dhe disa nga Gjirokastra. Ndërtesa ishte e pandarë, ishte e hapur, por njëra pjesë ishte për makineritë. Tërë atë paradite, nënat tona u morën me rregullimin tonë. Gjetën ndonjë dërrasë, gjetën ndonjë letër katrama, bënë ndonjë si shtrat në anë të murit, dhe vunë ato pak rroba që kishin, ndonjë kuti të vogël, enët, lugët, pirunjtë që kishin. Kështu e ndamë vendin: secili nga një copë të vogël. Mbaj mend nja dymbëdhjetë, trembëdhjetë familje. Fqinjët tanë më të afërt aty, ishin një familje që erdhën të nesërmen nga Kolonja. Ishin burrë e grua, të moshuar, nga Jugu. Aty flinim: një rresht këndej e një rresht përballë nga ana tjetër.

Jani, 17-vjeçari me kitarë që vdiq nga tuberkulozi

Kampi nuk ishte i rrethuar, ishte në mes të fushës. Një godinë në mes të fushës. Pesëdhjetë metra më tutje, kalonte xhadeja që shkonte nga Tirana, në Valias. Aty afër, ishte një kthinë, të cilën e pastruan dhe ndërtuan një si shtrat dhe atje çuan një djalë të ri. Ky ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, por ishte me turberkuloz. Më kujtohet ky i shkreti, Jani, kur i binte kitarës. Dhe këndonte…

Jani ishte i internuar, ishte shtatëmbëdhjetë vjeç dhe ishte i sëmurë me turbekuloz. Me sa mbaj mend, ishte nga Saranda, Konispoli. Nuk e di me siguri. Isha i vogël, pesë a gjashtë vjeç. Një ditë prej ditësh, Jani u përkeqësua dhe nuk e dëgjuam më kitarën e tij. Një ditë, vjen lajmi se Jani vdiq. Të nesërmen, të gjithë sa ishim, gra, kalamaj, shkuam tridhjetë metra më tutje fushës, hapëm një varr, e morëm Janin dhe e varrosëm aty. Ky është varrimi i parë që mbaj mend dhe që e kam parë me sytë e mi.

Kampi ku rrinim ne, quhej Kampi i Mesit. Quhej kështu, se më poshtë, u ndërtua një kamp tjetër që u quajt Kampi i Poshtëm, ndërsa lart në kodër, ishte një kamp i tretë, Kampi i Sipërm. Ia vumë emrin vetë, se nuk besoj të ketë ndonjë emër të tillë të dokumentuar.

Ata sollën nja dy kazanë, të cilët i vendosën te një strehë, që gjendej në krahun e kuajve. Nën këtë strehë, sajuan një si kuzhinë. Dhe gatuanin një lloj supe me mbeturina ushqimore, që vinin nga vaporët rusë dhe me bathë, se fushat rrotull ishin mbjellë me bathë. Gratë e gatuanin vetë supën, buka vinte nga qyteti. Për sa anëtarë ishim në familje, të jepnin nga një garuzhdë. Shtatë vetë, shtatë garuzhde supe. Bukën e sillnin me një zetor nga ferma “Ylli i Kuq”. Nga dyqind gramë bukë. E merrnim atë ushqim dhe me të mbaheshim.

Jemi në fillim të vitit 1949. Ne u bëmë për në shkollë. Aty ku është sot shkolla e mesme e Kamzës, ishte një ndërtesë e vogël njëkatëshe me dy dhoma. Kjo ndërtesë, u improvizua si shkollë fillore dhe u quajt Shkolla Fillore “Ylli i Kuq”. Nga Kampi i Mesit, ishim pesë fëmijë që kishim arritur moshën shkollore dhe na çuan në këtë shkollë. Pra filluam shkollën. Se si shkonim gjer në shkollë, nuk e di. Mbaj mend që profesori i parë quhej Eqerem dhe fliste gegnisht. Atëherë, në abetare kishte edhe ‘a’-në e theksuar të Shqipërisë së Mesme dhe Veriore. Unë si leskoviqar që isha, nuk thosha dot “ma”, por  “më”. Dhe ai më bërtiste: “Do ta thuash ‘ma’!” Na jepte një fletore, e ndanim në mes atë fletore dhe me atë punonim.

Kaloi një vit e gjysmë. Në vitin 1949, te kthesa e Valiasit, ose në të dalë të Kamzës tani, ngrihet një kamp. Ndërtohen tre baraka me dërrasa të rrethuara me tela, një ngrehinë njëkatëshe, ku do të rrinte posta e policisë, dhe një ngrehinë tjetër për kuzhinën. Ky ishte kamp tamam si ato kampet e nazizmit, Aushvici apo të tjerët. Në fundin e 49-ës, ne na hoqën nga Kampi i Mesit dhe na çuan në këtë kamp. Ndërtesat tani ishin me dy kate, se u shtuan të internuarit. Tashmë ishim në një kamp të organizuar, të rrethuar me tela me gjemba, gjithë kohën nën rojë. Ne ishim mësuar me atë lirinë e Kampit të Mesit dhe këtu na u duk një tmerr. Dera hapej në shtatë të mëngjesit dhe mbyllej në nëntë të darkës. Ishte problem sidomos për nevoja personale, se nuk dilje dot jashtë. Banjot ishin përjashta.

Erdhën duke u shtuar radhët e kampit. Venin e vinin të tjerë. Erdhën edhe disa burra të sëmurë, që i kishin hequr nga burgjet. Siç duket, sëmundjet i kishin të shkallës së rëndë dhe nuk ishin më për asgjë. Kapanoni rreth e rreth, kishte shtretër dykatësh. Neve si familje ishim të caktuar në katin e dytë. Mbaj mend, sollën dhe tre robina gjermane të luftës. Këtë e mbaj mend shumë mirë, se i kisha përballë. I mbaj mend edhe se dukej kultura tek ato. Më kujtohet që mbanin një kanaçe nga ato të ujit a të qumështit, çfarëdo të ishin, dhe gjithmonë vinin dy-tri lule të freskëta në të. Mbanin edhe nga një kryq a ikonë, nuk e di. Po mua më bënte shumë përshtypje që ato vinin atje kanaçen me lule. Nganjëherë ndiznin ndonjë shkrepëse apo qiri. Nuk e konceptoja dot atëherë se çfarë bënin, po me siguri kishin ndonjë kryq apo ikonë aty dhe luteshin, i shërbenin fesë së tyre me aq sa mundeshin, aty, pranë faqes së murit. Në faqen e murit, kishin vënë një dërrasë si sergjen dhe aty kishin vendosur kryqin a ikonën. Aty mbanin dhe kanaçen me dy lule dhe ndiznin një qiri.

Gratë shkonin të gjitha në kodrat e Paskuqanit, rrëzë Dajtit, për të marrë rrënjë të thara trungjesh që i përdornim për dru. Me to ndiznin zjarrin dhe gatuanin.

Supa mizerje

Do të tregoj një detaj për ushqimin: gjella që gatuhej në kazan, ishte një gjë e shpifur, saqë nuk vihej në gojë, sado i uritur të ishe. Mbeturina orizi, mbeturina makaronash të përziera bashkë me pak vaj, që krijonin një gjë, të cilën që kur e shihje, ta shpifte. Por ai ishte i vetmi ushqim që na jepej. Erdhi një ditë, që edhe këtë ushqim, nuk po e gëlltitnim dot. Dhe, rahmet pastë nëna jonë, gjeti një shishe vaji. Tani e shoh si gjë të madhe, sepse ne ishim nevojtarë për çdo gjë, edhe për një shishe vaji. Vajin e përdornim si mjet për të mbijetuar. Racioni i ushqimit jepej në darkë për tërë ditën; supa me garuzhde dhe racioni i bukës. Dhe nëna, çfarë bënte: merrte një lugë, dhe nëse kishte ndonjë çikë lyrë tek ajo supa, e mblidhte me lugë dhe e hidhte te shishja. Pastaj bukën e priste feta-feta dhe e lyente me këtë vajin dhe na jepte nga një çikë, se ne nuk e kapërdinim dot atë lëtyrë. Ndërsa vetë gjyshet dhe nëna, hanin mbeturinat e asaj supës së famshme. Kështu vazhdoi deri nga shkurti i 1950-sës, nja shtatë muaj. Lavdi Zotit që mbaroi shumë shpejt tek ai Kampi Poshtë.

Varreza në Kamëz

Atëkohë ra një epidemi dhe vdiqën shumë të internuar. Diçka si kolerë, si dizanteri, a kush e di. Kisha një shok të ngushtë që vdiq. Ishte moshatari im. Erdhi koha për ta varrosur, por nuk kishte varreza. Bisedojmë me ata të kampit.

Na thanë: “Nuk kemi ku t’ju çojmë. Këtu brenda këtij territori do të varroset.” Kur u kujtuam se atje poshtë, te Kampi i Mesit, kishin varrosur një të internuar. Po me sa duket kishin vdekur edhe dy-tre pleq të tjerë dhe ishin bërë nja tre-katër varre.

Po, një varrezë e vogël, por nuk ekziston më ajo varrezë. Vajta kur erdha në Tiranë, në vitin 1991. Barakën e gjeta, por varreza nuk ekzistonte më.

Erdhi koha për ta varrosur. Ishte dimër. Ata hapnin varrin dhe varri mbushej me ujë. Fushë. Morën ca teneqe dhe përpiqeshin ta zbraznin ujin që të shtinin brenda trupin. Nëna ime kishte një kapotë që e kishte ruajtur nga rinia. Vajti me vrap në kamp dhe grisi astarin e kapotës që të mbështillnin atë djalin, Besnikun, se Besnik quhej. Kjo është një ngjarje makabre që nuk më shqitet kurrë nga mendja” rrëfen Musa Çapani.

Citimet i përkasin intervistës së Musa Çapanit, të publikuar në “Zërat e Kujtesës” V, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun.

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here