Nata e fundit e Sabihasë!

1
919
blank

Diti Biçaku rrëfen qelitë e ftohta të burgut të grave intelektuale... Pak çaste para se Sabiha Kasimati të pushkatohej, të fundit dorë që shtrëngoi në këtë botë, ishte dora e Ditit

Diti Biçaku sapo i kishte mbushur 25 kur natën e 26 shkurtit të vitit 1951, e pa veten pas hekurave të burgut të Tiranës, midis grupit të të arrestuarve për bombën e ambasadës ruse. Ishte një vajzë e re me ëndrrat e saj që do t’i burgoseshin përgjithmonë në kampet e tmerrshme të diktaturës komuniste. Një ndër momentet më të vështira do të mbetej ndarja me miken e saj të ditëve të vështira, intelektualen e shquar Sabiha Kasimati. Pak çaste para se Sabihaja të pushkatohej, të fundit dorë që shtrëngoi në këtë botë ishte dora e Ditit. Kur xhelatët komunistë erdhën për ta marrë, Sabihaja tentoi të kundërshtonte, nuk donte të ndahej nga Diti se kishte frikë për të, kishte frikë ta linte vetëm. Nuk e dinte pse Diti po qëndronte ende brenda hekurave të burgut të ftohtë e pse ajo po largohej prej andej. Sabihaja ndoshta nuk e dinte se ky do të ishte takimi i fundit me të e se kurrë më nuk do ta shihte miken e saj të ngushtë. Sabihaja nuk e dinte se duke lënë pas hekurave të burgut të ftohtë, miken e saj të ditëve të vështira, do të shkonte vetë drejt një fati edhe më të tmerrshëm, do të mbulohej në dheun e ftohtë pas plumbit që diktatura kishte rezervuar për të e foshnjen e saj në bark...

Është një ndër krimet më të tmerrshme të diktaturës komuniste vrasja e Sabiha Kasimatit. E ka rrëfyer Diti Biçaku atë natë të fundit të Sabihasë, në qelitë e ftohta të burgut të Tiranës dhe çastet e fundit të saj para se të shkonte drejt pushkatimit.

Në një intervistë për gazetën Standard, dhënë në vitin 2015, Diti Biçaku rrëfen ditët në burgun e  Tiranës dhe  ndarjen me Sabiha Kasimatin, para se ajo të pushkatohej.

Është një prej grave intelektuale që u burgosën gjatë regjimit komunist. Është një ndër ato gra që vuajti kalvarin e kampeve të tmerrshme të diktaturës komuniste. Ishte mike e Musine Kokalarit, Sabiha Kasmitatit, e të tjera gra intelektuale që u burgosën në fillimet e diktaturës komuniste.

Zonja Diti Biçaku Maliqi, ju jeni dëshmitarja e vetme okulare e arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve që pasuan me ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike. Si e kujtoni atë natë?

Ishte ora 12 e natës kur ra dera e shtëpisë sime. Ishin tre të Sigurimit, të cilët të armatosur hynë brenda. Erdhën dhe më pyetën: Kush je ti? – Unë jam Diti Biçaku, iu thashë. – Në emër të popullit je arrestuar! Më vunë hekurat. Bënë një kontroll të imët nja një orë e ca në shtëpi, por nuk gjetën asgjë. Ashtu e lidhur u hodha sytë prindërve që po qanin me lot. U thashë të mos kenë gajle se unë isha pa faj e se do kthehesha prapë. Në ato momente nuk e di, por Zoti më dha forcë. Dola bashkë me ata të Sigurimit, të cilët ishin tre veta; njëri më rrinte majtas, tjetri djathtas e i treti përpara. I fola njërit që kisha në krah: Ku po më çoni? – Mos fol! – më bërtiti.

Thatë se ishte ora 12 e natës. Ku ju çuan?

Drejt e në qendrën e qytetit, ku është Sahati. Pastaj na drejtuan te burgu i ri (kështu i thoshin atëherë). Por kur dolëm te sheshi “Skënderbej” ishte mizëria me të burgosur. Rrugët ishin të mbushura me plot të arrestuar e drejtimi i të gjithëve ishte drejt burgut të madh. Të gjithë të burgosurit shoqëroheshin me nga tre të Sigurimit dhe kështu ne nuk mund të kthenim kokën as majtas, as djathtas që të shihnim njëri-tjetrin. Te burgu i ri pritëm shumë sepse nuk mbaronte radha e të burgosurve. Unë nuk e di në isha e fundit apo e parafundit. Kur më erdhi radha hyra te dera e parë. Një kërcitje e tmerrshme nga pas. Pas saj ishte një tunel shumë i errët që ndriçohej nga një dritë e zbehtë. Kaluam derën e dytë dhe pastaj më futën në një birucë. Biruca ishte pus. Nuk kishte fare dritë. Më lanë aty dhe i vunë llozin derës. Unë nuk e dija ku isha. Në atë moment u ndez një fije shkrepëse në mes të 5-6 vetëve që ishin të gjitha gra. Mes tyre ishte dhe Sabiha Kasimati. Ishte ajo që ndezi fijen e shkrepëses. Kush je?- më tha, se nuk shihej mirë. – Jam Diti Biçaku, iu përgjigja. Në vend që të më thoshte “obobo”…se më kishin arrestuar, tha “o shyqyr”, ngaqë i doli një e njohur në atë tmerr. Unë, Sabiha Kasimatin e kam njohur që kur kam qenë në Elbasan.

Sa kohë ju mbajtën në qeli?

Nuk e di, se nuk e kuptoje se kur ishte ditë e kur ishte natë. Ngaqë bënte shumë ftohtë u futa në dyshekun e Sabihasë dhe u mblodhëm të dyja për t’u ngrohur. Ajo ishte me temperaturë. Ndërkohë që po bisedonim kërciti dera. Erdhën ata të Sigurimit. U futën brenda dhe thirrën emrin e Sabiha Kasimatit. Sabihaja dridhej nga të ftohtit se ishte sëmurë. Unë hoqa pallton time të madhe dhe ia hodha në krah. Me atë pallto është pushkatuar. Doli Sabihaja. Pas pak erdhën dhe thirrën edhe emrin tim. Të dyjave bashkë na futën në një dhomë ku ishin dhe disa persona të tjerë. Ishin ata të hetuesisë. Na ulën në një tavolinë që ndriçohej nga një fener. Ishte Mehmet Shehu dhe ca që nuk i njihja atëherë, por tani i njoh. Mehmet Shehu përplaste dorën në tavolinë duke thënë: “Këto janë armike të popullit. Këto deshën të na përmbysnin pushtetin tonë popullor. Nuk duhet të kemi mëshirë për to, por t’u japim dënimin maksimal se e kemi fitu me gjak pushtetin popullor”. Në këtë moment unë dhe Sabihaja i shtrënguam dorën njëra-tjetrës dhe e kuptuam se ishim shumë në rrezik.

Çfarë ndodhi pas kësaj me ju dhe Sabihanë?

Pasi mbaruam aty na larguan nga dhoma. Pas pak dëgjuam zhurmën e një makine të madhe. Ajo makinë vinte gjithmonë aty e mbuluar. Edhe sot e kësaj dite zhurmën e makinës më duket se e dëgjoj. Erdhi makina te dera dhe i futën të gjithë të lidhur. As kokën s’e ngrinin dot. Ne nuk e mendonim kurrë se po i çonin për t’i pushkatuar, por mendonim se ata shpëtuan dhe po i lironin. Ne ishim të gjithë të pafajshëm. Erdhën dhe morën edhe Sabihanë që e hipën në atë makinë. Në atë moment ajo më tërhiqte që të shkoja me të. Unë doja të shkoja me Sabihanë, por një nga gardianët më tërhoqi dhe makina u nis. Me sa duket unë nuk isha në listë për t’u pushkatuar. Nuk e di si shpëtova, por në atë kohë pyesja "o Zot, pse nuk shkova dhe unë me Sabihanë?", sepse mendoja se atë e kishin liruar.

Shënim: Intervista është marrë nga gazeta Standard e datës 26 shkurt 2015

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

1 COMMENT

  1. Ehh, cfare komenti ti besh kesaj?
    Holocausti Shqiptar iku ashtu, pa foto pa rekorde.
    Edhe kur dikush flet, 80% e njerzve jane shurdh, 10% jane indiferente 9% thone: "Ajo kphe mos ardhte kurre.
    Vetem 0.1 % ( nje ne nje mije) derdh nje lot, apo vendos nje lile ne varrin e saj...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here