“Ndjesa që nuk ia kërkova dot Dom Shtjefnit kur e dënova me pushkatim”

0
891
blank

Letra e ish-prokurorit Hajredin Fuga drejtuar Nikolin Kurtit, nipit të Dom Shtjefën Kurtit i pushkatuar nga regjimi komunist, në vitin 1971

“Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur ....Kam punuar afro 50 vjet, gabime edhe mund të kem bërë, këtë kurrë nuk e përjashtoj, por në shpirt jam përpjekur të jem i pastër. Të falenderoj që më premtove se do të mbetemi miq të vërtetë!”

Hajredin Fuga, ish Prokuror i rrethit Krujë

Në takimin e parë të datës 2 qershor 2011, unë të shpreha keqardhjen time të thellë, për gjithçka ndodhi në Shqipëri, në periudhën e regjimit komunist ndaj qindra e mijëra shqiptarëve, përfshirë dhe rastin konkret, të cilët u persekutuan dhe u martirizuan vetëm e vetëm pse u përpoqën dhe luftuan për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë. Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexur, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të Dom Shtjefnit, si një patriot, atdhetar, personalitet dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. U përgëzoj për atë punë të lavdërueshme që keni bërë për njohjen dhe përjetësimin e figurës së këtij martiri. Këtë e them me sinqeritet dhe të më besoni.

Kanë kaluar diçka më shumë se dyzetë vjet në largësinë e viteve dhe do të përpiqem të jem i saktë në kujtesën time. Ngjarja ka filluar dhe është zhvilluar kështu: Organet e policisë së rrethit Krujë, rastësisht apo të njoftuar, kapën nja dy kooperativistë të fshatit Gurëz, duke tregtuar drithë në pazarin e Milotit. Pasi bën verifikimet, u rezultoi se drithi ishte i vjedhur në kooperativë, prandaj për kompetencë, materialet iu dorëzuan Prokurorisë së Krujës, bashkë me dy kooperativistët, emrat e të cilëve nuk i mbaj mend, që ishin të ndaluar nga policia. Nga Prokuroria e Krujës u zhvilluan hetime për krimin e përvetësimit të pasurisë kooperativiste, nga ku rezultoi se në këto vjedhje ishin implikuar edhe persona të tjerë. U kryen arrestime, gjithnjë për vjedhje të pronës në përpjestime të mëdha. Pas pak muajve, në Komitetin e Partisë Krujë, u organizua një takim, ku qenë të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Brendshme dhe unë si Prokuror i rrethit Krujë. Përfaqësuesit e Ministrisë kërkuan që çështja të transferohej për hetime të mëtejshme në Ministrinë e Brendshme, duke nxjerrë dy arsye: Së pari, se Prokuroria e Krujës nuk kishte forca fizike të mjaftueshme (organika me pak njerëz) dhe së dyti, sepse Ministria kishte të dhëna që vjedhjet bëheshin me motive armiqësore. Unë nuk i pranova këto arsye dhe njëkohësisht kërkova ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila më dërgoi për disa kohë një hetues nga Prokuroria Lezhë, që më kujtohet quhej Adnan Gërxhaliu. Ndërsa ne vazhdonim hetimet, gjithnjë për krimin e vjedhjes, më vjen urdhëri verbal nga Prokuroria e Përgjithshme, që çështja të transferohej për hetime të mëtejshme në Ministrinë e Brendshme. Zbatuam urdhrin dhe nga ai moment ne si Prokurori ndërpremë çdo lidhje me çështjen. Të arrestuarit dhe dokumentat e hetimit u kaluan në Tiranë. Me hetimet e mëtejshme u muar Drejtoria e Hetuesisë së Ministrisë së Brendshme, të cilat zgjatën mbi dhjetë muaj. Gjatë hetimeve të kryera nga Drejtoria e Hetuesisë së Ministrisë së Brendshme janë marrë si të pandehur, janë akuzuar dhe janë arrestuar (me miratim të Prokurorisë së Përgjithshme) edhe persona të tjerë, midis të cilëve Dom Shtjefën Kurti. Në përfundim të hetimeve, me aktakuzë të Drejtorisë së Hetuesisë së Ministrisë së Brendshme, çështja i dërgohet për kompetencë gjykimi, Gjykatës së rrethit Krujë. Gjykimi me porosi u zhvillua për disa ditë në fshatin Gurëz, në ish kishën e zonës, që ishte shëndruar si vatër kulture. Unë në këtë gjyq isha në rolin e Prokurorit të çështjes, ndërsa gjyqtari ishte Kryetari i Gjykatës zoti Qazim Mani dhe dy ndihmësgjyqtarë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen. Gjykimi ishte i hapur, me pjesëmarrjen e banorëve të fshatit, një pjesë e të cilëve edhe kanë diskutuar para dhënies së vendimit. Të pandehurit u janë përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga trupi gjykues, kanë dhënë shpjegime dhe qartësime rreth akuzave, janë mbrojtur vetë (sepse avokatia nuk funksiononte atë kohë) dhe, me sa më kujtohet, kanë pranuar fajësinë e tyre dhe të pjestarëve të grupit. Pas pretencës që unë mbajta, e cila ndodhet në dosje, dhe pas fjalës së fundit të të akuzuarve, Gjykata dha vendimin e saj, që gjithashtu gjendet në dosje. Sipas vendimit të Gjykatës, akuzat e ngritura u konsideruan të vërtetuara dhe të cilësuara juridikisht drejt, duke dhënë vendimet përkatëse. Mbi ankimet e të akuzuarve, çështja u shqyrtua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili la në fuqi vendimin e Gjykatës së rrethit Krujë. Edhe ky vendim ndodhet në dosjen përkatëse.

Më kujtohet se gjatë gjykimit në fshatin Gurëz, që zgjati 5-6 ditë, ishte i pranishëm i dërguari i Prokurorisë së Përgjithëshme zoti Zaim Myftari, që kryente detyrën e Prokurorit pranë Gjykatës së Lartë. Po kështu, më kujtohet se gjyqin e ndoqën edhe zoti Vahid Lama me një shokun e tij, emrin nuk ia di, të cilët ato ditë ndodheshin duke kryer punën fizikë në atë zonë, që të dy punonjës të Aparatit të Komitetit Qendror. Pasi vendimi i dënimit mori formë të prerë nga Gjykata e Lartë, Presidiumi i Kuvendit Popullor ligjëroi dënimin me vdekje të të ndjerit Dom Shtjefën Kurtit.

Për ekzekutimin e këtij vendimi, kam ardhur në dijeni në këto rrethana: Një ditë ndihmësprokurori Piro Suli më vjen me vonesë në zyrë. Ky punonte në Krujë, por banonte familjarisht në Tiranë, dhe më tha se “mbrëmë në mesnatë më erdhën në shtëpi punonjësit e policisë dhe më thanë të isha prezent gjatë zbatimit të vendimit për të ndjerin Dom Shtjefën Kurti, kështu që thuajse gjithë natën e kaluam në këtë veprim”. E pyeta nëse ishin zbatuar rregullat dhe a u mbajtën dokumentet përkatëse dhe ai mu përgjigj pozitivisht. Unë vetë, as jam vënë në dijeni të faktit se do zbatohej vendimi i Gjykatës, as kam caktuar ndonjë person që të përfaqësonte Prokurorinë dhe as nuk e di se ku dhe si është bërë zbatimi i vendimit, rrjedhimisht nuk kam asnjë dijeni më tepër për të ndihmuar sado pak familjarët e të pushkatuarit, për gjetjen e eshtrave të tij, përveçse aq sa më informoi vartësi im. Tani më kujtohet se zoti Stavri Çiço nga viti 1995-1996 më ka thënë se kisha katolike kërkon të dijë për gjetjen e eshtrave dhe unë jam përgjigjur se nuk kam dijeni, pasi nuk kam qenë i pranishëm gjatë

ekzekutimit. Po kështu, rreth 7-8 vjet më parë, miku im Zija Vuci më ka thënë se zoti Nikolin është interesuar dhe kërkon ndihmë për gjetjen e eshtrave dhe unë i kam thënë Ziajit që t’i transmetonte zotit Nikolin, se unë nuk kam dijeni tjetër, veç asaj që më ka thënë Piro Suli. Pra e them me përgjegjësi, se kaq është dijenia ime rreth këtij fakti, përndryshe do ta ndjeja si një detyrim që të bëja çmos për të ndihmuar familjarët, që të paktën të zvoglonin disi dhimbjen e tyre për këtë fatkeqësi.

Dënimi i dhënë në rastin e grupit të Gurëzit, nuk mund të ishte i pandikuar nga interesat dhe propaganda e Partisë. Më kujtohet se, edhe për këtë çështje, u përdorën forma dhe metoda të ndryshme, nga të cilat po përmend:

  1. a) Përpunimi politik dhe ideologjik mbi trupin gjykyes e të tjerë.

Pasi Ministria e Brendshme përfundoi hetimet, për rezultatet e tyre ka informuar Komitetin Qendror të Partisë. Pak kohë para gjykimit, nga Komiteti Qendror është botuar një buletin, i cili u shpërnda në tërë vendin dhe me të u njohëm edhe ne. Në këtë buletin që përmbante konkluzionet e Partisë, bëhej analiza e veprimtarisë së grupit që nxitej dhe frymëzohej nga armiku për të sabotuar ekonominë dhe sistemin kooperativist në Shqipëri. Grupi, veçanërisht i ndjeri Dom Shtjefën Kurti, cilësohej mjaft i rrezikshëm, etj. Kjo metodë nuk dallonte aspak nga ato të përdorura më parë apo më pas, për të ashtëquajturat veprimtari armiqësore në ekonomi, në ushtri, në art e kulturë, në naftë, etj, ku analizat, konkluzionet, përgjegjësitë dhe deri tek epitetet juridike i bënte Partia, përpara hetuesisë dhe gjykimeve.

  1. b) Komiteti i Partisë i rrethit, para gjyqit, e paraqiste gjendjen në këtë kooperativë mjaft shqetësuese nga pikëpamja politike, ekonomike dhe e mobilizimit për punë, duke bërë gjithnjë përgjegjës veprimarinë mjaft të rrezikshme të këtij grupi dhe posaçërisht të Dom Shtjefën Kurtit.
  2. c) Organet e Partisë në rreth paraqiteshin të preokupuara për gjendjen ekonomike të kësaj kooperative, për shkak të të ardhurave të pakta, me zhvillim ekonomik të pakënaqur dhe me shpërblime për ditë pune nga më të voglat në vend. Gjithashtu, paraqisnin shqetësimin se kishte rënë shumë interesi i kooperativistëve për punët e kooperativës, sepse sipas tyre, këta i nxirrnin mjetet e jetesës nëpërmjet vjedhjeve, që për hir të së vërtetës duhet thënë se shumë persona ishin të implikuar. Në dosjet hetimore duhet të gjenden lista dhe mandat anketime, që mjaft persona u detyruan të dëmshpërblejnë kooperativën bujqësore, por për shkak të numrit të madh, jo të gjithë u ndoqën penalisht. Shpesh dëgjonim të na thuhej se fshati Gurëz dikur furnizonte me drithë gjithë Veriun e Shqipërisë dhe tani nuk ka bukë për fshatarë të tij.

ç) Një metodë tjetër e përdorur edhe në këtë gjykim, ishte zhvillimi i gjykimit para masës. Organet e Partisë merrnin masa që përfaqësues nga Partia, rinia, fronti, gruaja, etj, diskutonin në gjyq para dhënies së vendimit. Duke demaskuar të akuzuarit, të shoqëruar me thirrje për dënime të ashpra, ata synonin të ndikonin mbi trupin gjykues, të elektrizonin pjesmarrësit, por edhe të frikësonin të tjerët, po qe se bënin përpjekje të njëjta si të akuzuarit, pasi i priste i njëjti fat.

  1. d) Në dënimin e Dom Shtjefën Kurtit, natyrisht ka ndikuar edhe fakti se edhe më parë kishte qenë i dënuar me 20-25 vjet burgim, duke u konsideruar si një kundërshtar i pakorigjueshëm dhe frymëzues shpirtëror i gjithë grupit.

Sikundër pranonin dhe vetë të akuzuarit, pas kontaktit me të, vjedhjet në këtë kooperativë u intensifikuan më shumë në raste, në sasi dhe në implikime të njerëzve, të shoqëruar edhe me propagandë antiparti.

Të gjithë personat, pjesëtarë të këtij grupi, akuzoheshin për të njëjtat vepra penale, sipas Kodit Penal në fuqi, po kështu edhe Gjykata e Rrethit dhe Gjykata e Lartë i pranuan të drejta juridikisht këto akuza, pavarësisht se jo të gjithë pjesëtarët kishin të njëjtin rol në këtë vepër. Pothuajse të gjithë ishin në rolin e e kzekutorit, sepse i kryenin vjedhjet në magazinë, në lëmenj, në koçekë, duke nxjerrë edhe përfitime materiale, kurse Dom Shtjefën Kurti, akuzohej si personi ndihmës, në rolin e nxitësit. Sipas nenit 26 të Kodit Penal, bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale quhen: Organizatorët, ekzekutorët, shtypësit dhe ndihmësit, të cilët kanë përgjegjësi, si dhe ekzekutorët për veprën penale të kryer. Në caktimin e dënimit për bashkëpuntorët merret parasysh shkalla e pjesmarrjes dhe roli i secilit për kryerjen e veprës penale. Edhe sikur vepra të cilësohej si vjedhje në përpjestime të mëdha, dënimi sipas Kodit Penal të kohës(neni 80 K. Penal) ishte jo më pak se 7 vjet heqje lirie deri në vdekje. Gjykata e Lartë, në praktikën e saj gjyqësor, kishte pranuar se shpërdorimi dhe përvetësimi i pronës në përpjestime të mëdha i shoqëruar me agjitacion dhe propagandë, konsiderohej si sabotim ekonomik. Që nga viti 1955, ka shembuj të vendimeve të Gjykatës së Lartë, të botuara në revistën “Drejtësia” dhe në buletinin e Gjykatës së Lartë, derisa aty nga viti 1973-1974 doli edhe Udhëzimi i Plenumit të Gjykatës së Lartë “Mbi krimet kundër shtetit”, i cili konfirmonte edhe njëherë këtë praktikë disa vjeçare të Gjykatës së Lartë. Edhe në literaturën juridike apo në leksionet dhe praktikat mësimore, mbahej i njëjti qëndrim. Këtë sqarim juridik nuk e bëj për justifikim, por dëshiroj ta them me sinqeritet, se kjo ka qenë bindja ime dhe se asnjëherë me vetëdije dhe me paramendim nuk kam pranuar, apo nuk do të pajtohesha me shtrembërime të qëllimshme të ligjit.

Kam punuar afro 50 vjet, gabime edhe mund të kem bërë, këtë kurrë nuk e përjashtoj, por në shpirt jam përpjekur të jem i pastër.

Të falenderoj që më premtove se do të mbetemi miq të vërtetë!

Tiranë, 07.06.2011.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here