Punë e rëndë, uri, etje dhe mizori policësh... kjo ishte jeta e të burgosurve në kampet e punës së detyruar. Arshi Pipa zbulon në këtë histori vuajtjen e të pafajshmëve, shtazërinë e policëve dhe bashkëpunimin me ta të disa të burgosurve
Nga Arshi Pipa
Atë ditë në fund të korrikut, ishte shumë nxehtë. Dielli digjte si asnjëherë, duke e përmbytur kënetën me një dritë verbuese. Balta e njomë e kanalit shndriste si antracit.
Nikollën e kishte marrë etja, po në pagurë s’kishte mbetur asnjë pikë ujë; e më e keqja ishte se nuk kishte asnjë mundësi për ta mbushur sërish. Askush nuk kishte kaluar atë ditë nga kanali për të sjellë ujë të pijshëm. Nuk ishte hera e parë në një ditë të nxehtë si kjo, furnizimi me ujë, lihej pas dore. Po të kishte qenë nga ana tjetër e kanalit, ku njerëzit punonin në tokë të thatë, do të kishte gërmuar një gropëz të vogël sa për të pirë ujin që do të dilte në fund. Uji do të kishte qenë i pështirë, disi i njelmët e me duhmë kalbësire e do t’i rëndonte në stomak si plumb i shkrirë, por megjithatë do t’ia kishte lehtësuar disi etjen torturuese. Nikolla e la lopatën për një çast. Fshiu djersën nga balli, e u kthye nga Mukoja-shoku që punonte në krah-për ta pyetur nëse kishte ndonjë pikë ujë në pagurë. Tjetri u kthye i habitur: “E ku ta marr ujin? Apo mos mendon se dielli më mban me hatër?” Pastaj vazhdoi me shpoti: “Ti të paktën je në baltë deri në fyt, tamam si ata buajt në katundin tënd. Pa provo të zhgërryhesh pak si ata. Të siguroj se do të ta kalojë etjen.”
Pasoi e qeshura therëse e Mukos. Nikolla e dinte se Mukoja kishte ujë. E dinte se kishte, sepse e kishte parë të vidhte ujin e limanit kur e morën rojet. E dinte edhe se Mukoja s’ishte soji i njeriut që ndihmonte shokun në hall dhe u pendua që i kishte kërkuar ndihmë. Mukoja sapo kishte mbaruar së qeshuri kur pas shpinës së tyre u dëgjua një zë tjetër: “Më duket se e paske me qejf të zhgërryhesh si buall!” Nikolla ktheu kokën andej nga erdhi zëri; e njohu menjëherë. Ishte zëri i rreshterit Zija, një nga rojet më të egra të kampit. Ai po rrinte pak hapa pas tyre, në zgrip të kanalit. Të burgosurit nuk ia kishin dëgjuar hapat për shkak të zhurmës së karrocave të dorës, që hiqnin baltën nga kanali. Po sillte në dorë një dru, të trashë e gjithë nyje që duhet ta kishte marrë në kuzhinë.
“Ti bir bushtre ç’ke që merresh me llafe, e s’bën punën! -i ulëriu Mukos. -Pse të kemi vënë këtu? Të punosh apo të zbardhësh dhëmbët? Ec këtu shpejt!”
Mukoja shpejtoi përmes moçalit dhe qëndroi para këmbëve të rojës. Lopatën e kishte shtrënguar me të dy duart. Nuk guxonte të ngrinte kokën për të takuar vështrimin mizor të rojës. Zëri i tij tani u bë më i ashpër. “Me sa shoh dashke të na sabotosh e të mos i lësh njerëzit të bëjnë punën. Shakaxhi i madh ti! Pa eja pak këtu; të mësoj unë si bëhet shaka!” Ngriti krahun dhe i hyri në dajak-ku mundi e sa mundi në shpinë, krahë e shpatulla. Mukoja ishte mbledhur si kërmill e nuk lëvizte. U dëgjua një “krrak” i fortë, si diçka që thyhet. Roja pushoi e pa për një çast drurin e thyer për gjysmë; pastaj e flaku tutje dhe i hyri në shkelma trupit të bërë kruspull, që i dergjej para këmbëve. Më në fund u lodh dhe e la aty të ndragur në baltë. “Hidheni në ujë”,-tha rreshteri duke dihatur. Dy të burgosur lanë punën në kanal dhe u nisën për të zbatuar urdhrin. Nikolla nuk lëvizi edhe pse ishte më afër se të gjithë. Rreshteri e shikoi me inat. “Hajde, tunduni mor kodoshë”,-iu kthye dy të burgosurve. “Kapeni për zhelesh e hidheni në ujë këtë derr.” Mukoja që i kishte rënë zalia, erdhi përsëri në vete nga kontakti i beftë me ujin. U çua në këmbë me zor duke u munduar të marrë frymë, po nuk u mbajt dot e u plas në llucë. U çua përsëri dhe filloi të zvarritej këmbadoras për të dalë nga kanali. “Mos e lini të dalë qenin. Zhyteni brenda!” Një person i tretë, iu afrua Mukos së shkretë. Nikolla e njihte mirë edhe pse nuk e kishte në skuadër. Ky ishte një hajdut i hurit e i litarit, që quhej Vojo e mesa dukej e kishte ndjekur pas rreshterin. Ai më shumë se një herë i kishte ndihmuar rojet në trillet e tyre të përbindshme. Duke dalë vullnetar për t’i zbatuar. Mori një lopatë dhe ia veshi Mukos fytyrës, duke e plasur disa metra tutje në kanal-nën të qeshurën histerike të rreshterit. Vojoja merrte baltë me lopatë e ia hidhte Mukos sipër për të mos e lanë me dalë. Rreshteri po shqyhej së qeshuri. “Hahaha! E si the më parë, si the?” Si buall ëëë? Ja tek e kemi buallin. ” Pastaj u kthye nga shikuesit: “Jepini një dorë ju zuzarë, apo ju dhimbet?” Mandej Nikolla që s’kishte bëzajtur deri atëherë, foli: “Mjaft më se do ta mbytësh.” Roja u kthye i çuditur: “Shiko, shiko. Pa na i vikërka keq njërit.”
Nikolla s’foli. “Pa eja pak këtu.” Zëri ishte i ulët e i ftohtë. Plot ligësi. Nikolla doli përpara ngadalë dhe e vështroi rreshterin drejt e në sy. Rreshteri e hetoi pak në heshtje. Pastaj ia veshi me sa fuqi pati, me grusht fytyrës. Nikolla u lëkund, por nuk ra. Drejtoi trupin përsëri dhe vijoi ta shihte rreshterin drejt e në sy, duke fshirë herë pas here gjakun që i kullonte prej hundëve.
“Shpejt në kanal”, -urdhëroi rreshteri duke kërcëllitë dhëmbët! Nikolla u nis ngadalë e u zhyt deri në mes. “Ndak aty! Futu krejt në ujë!”
Nikolla u krodh në ujë duke lënë jashtë vetëm kokën e gjakosur.
“Edhe kokën po të them!”
I burgosuri zhyti kokën, dhe e nxori pas pak. Në fytyrë i kullonte baltë e pistë e përzier me jargë.
“Prapë!...Prapë!...Prapë!”
Sa herë që rreshteri ulërinte, Nikolla përsëriste të njëjtën lëvizje si robot. Më në fund rreshteri u mërzit, sepse kjo i dukej tashmë jo si torturë, po si teatër kukullash.
“Jepini tani një lopatë, që të vazhdojë punën,-vazhdoi me ton të zbutur,-e ta mbajnë mend mirë këta dembelë, kryeneçë e sabotatorë, se kështu do ta pësojnë të gjithë.”
Pastaj u largua duke fishkëllyer nëpër dhëmbë një këngë.
Marrë nga libri “Premtimi i përmbushur” me autor Gjon Sinishta.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.