Në kërkim të Bujar Sheshit, që torturoi Petraq Xhaçkën dhe e kërcënoi me grua e fëmijë...

0
1030
blank

“Ishin tre veta. Më përplasnin kokën në mur, më gjuanin me shqelma kokës, stomakut e kurrizit e kudo, më trajtuan si një kafshë me metodat mesjetare të inkuizicionit. ...por nuk i pranova akuzat, sepse ishin të pavërteta. Por ...ata më kërcënuam me gruan e me fëmijët dhe kjo nuk durohej...”

Kur ia përplasën kokën pas murit, Petraqi duroi. Edhe kur e gjuajtën me shqelma kokës, kurrizit e stomakut, duroi. Duroi edhe kur ndaj tij përdorën torturat më shtazarake, ato që përdoreshin në mesjetë. Megjithatë, Petraq Xhaçka i duroi torturat e nuk i pranoi akuzat që i bëheshin, se ishin të pavërteta. Por, kur tre njerëzit e Sigurimit të Shtetit e kërcënuan me fëmijët dhe gruan, Petraqi u dorëzua. Nuk mund ta duronte këtë presion. Nuk kishte burrë ta duronte këtë presion. Por kishte burra, që e bënin këtë presion dhe ata ishin të Sigurimit të Shtetit. Njëri prej atyre që e bëri këtë kërcënim, ishte Bujar Sheshi. E sigurt është se një prej tre sigurimsave që e torturuan e kërcënuan Petraq Xhaçkën, është Bujar Sheshi. Gjithashtu, dimë që një person me emrin Bujar Sheshi, është zgjedhur pak muaj më parë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pra i njërit prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë së re. Këto dy të dhëna janë shumë të rëndësishme, për të vazhduar më tej në identifikimin e Bujar Sheshit që torturoi Petraq Xhaçkën. Bujar Sheshi thotë se nuk është ai që torturoi e kërcënoi Petraqin, se nuk është Bujar Sheshi i Sigurimit të Shtetit. Madje për këtë, ai ka bërë padi dhe Gjykata e Tiranës e ka pranuar padinë e Bujarit, e mund të na thotë së shpejti se ky Bujar Sheshi, sigurismi që torturoi Petraq Xhaçkën, por edhe shumë të tjerë si ai, nuk është ai që ka pak kohë që u zgjodh anëtar i njërit prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë së re, këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Por ka një të dhënë tjetër. Autoriteti i Dosjeve, AIDSSH na thotë se Po. Ky është Bujari Sheshi, i cili torturoi jo vetëm Xhaçkën, por shumë të tjerë. Ky Bujar Sheshi, që u zgjodh anëtar i KLP-së dhe për këtë arsye, ka paraqitur pranë organeve të drejtësisë, të dhënat e dokumenteve të Sigurimit të Shtetit për të. Ne e dimë me siguri, se një prej tre personave që kryen procesin hetimor quhet Bujar Sheshi. Ja dhe dokumenti zyrtar i Sigurimit të Shtetit që e vërteton këtë.

blank

Por një prej pretendimeve të Bujar Sheshit të KLP-së, është se nuk bëhet fjalë për të, por për një tjetër Bujar Shesh. Ndërkohë që ndryshe pretendon AIDSSH. Nga dokumentacioni që gjendet në vendimin e sotëm të gjyqit, rezulton se nga kërkimet e bëra nga drejtoria e gjendjes civile, nuk ka asnjë tjetër me këtë emër Bujar Sheshi, përveç këtij që është zgjedhur anëtar i KLP-së, pra i bie të jetë i njëjti, që i ka përplasur kokën pas murit Petraq Xhaçkës, që e ka torturuar si kafshë e çfarë është më e rënda, e ka kërcënuar me gruan e fëmijët.

Vendimi

E megjithatë, Anëtari i këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, e ka fituar betejën e parë me Autoritetin e Dosjeve sepse Gjykata e shkallës së parë e ka pranuar padinë e tij ndaj AIDSSH-së, institucioni që e ka klasifikuar anëtarin e KLD-së si pjesë e strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit. Si anëtar i ish-Sigurimit të Shtetit, Bujar Sheshi nuk mund të ishte anëtar i KLP-së. Edhe pse AIDSSH ka provuar bindshëm se Bujar Sheshi ka qenë pjesë e strukturës gjakatare të diktaturës komuniste, ai nuk e pranon dhe gjykata e ka besuar atë. Ka një sërë argumentesh që AIDSSH paraqiti në gjykatë, për të mbrojtur vendimin, sipas të cilit Bujar Sheshi ka qenë anëtar i Sigurimit dhe që janë pjesë e vendimit. Kujto.al i publikon në fund të këtij shkrimi.

Ndërkohë, en.kujto.al ka zgjedhur të publikojë sot dëshminë e njërit prej viktimave të Bujar Sheshit, rrëfimin e Petraq Xhaçkës, i cili na tregon dhunën e pashoqe, që ai ka vuajtur në kurriz nga Bujar Sheshi dhe shokët e tij. Bujar Sheshi mund të fitojë betejat në të gjitha shkallët e kësaj drejtësie që ne, për fat të keq, e kemi sot, por i duhet të fitojë një tjetër shumë të rëndësishme, atë me ndërgjegjen e tij. Për këtë, duhet të dalë e të thotë publikisht: unë nuk e kam hetuar, torturuar e kërcënuar Petraq Xhaçkën.

Petraq Xhaqka e ka rrëfyer para se të vdiste, torturën e kërcënimet e Bujar Sheshit, Qemal Lames e Reshat Leskaj. Se cilat ishin presionet që atij iu bënë me anëtarët e familjes, çfarë presionesh i bënte Bujar Sheshi, Petraq Xhaçkës, si e kërcënonte me gruan e fëmijët e tij. Këtë betejë Bujar Sheshi, ka pak gjasa ta fitojë.

Më poshtë, botohet një pjesë nga intervista e Petraq Xhaçkës pasi u lirua nga burgu, e ku rrëfeu mundimet e jetes së tij në burgjet komuniste, torturat që i bënë Bujar Shesh-rat në ato zgafella të tmerrit.

Xhaçka: "Ishin tre veta. Më përplasnin për muri, më gjuanin me shqelma kokës si t'iu vinte, më trajtuan si një kafshë me metodat mesjetare të inkuizicionit. Torturat vazhduan me orë e me ditë, dhe unë kurrë nuk i pranova akuzat, sepse ishin të pavërteta. Por më pas, kaluan në presione psikologjike. Ata më bënë presion me rrethin tim familjar. Më kërcënuan me gruan e më fëmjiët...''

Më poshtë, botohen pjesë nga vendimi i gjykatës, ku gjenden argumentat e AIDSSH dhe të të akuzuarit, Bujar Sheshi.

 

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here