Janë rreth 5 mijë persona të zhdukur në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial komunist. Ka nisur identifikimi i 13 mbetjeve humane, që prej rreth 9 vitesh ndodhen në morgun e Tiranës.
Janë me qindra familjarë që prej 28 vitesh kërkojnë eshtrat e prindërve e të afërmve të vrarë gjatë diktaturës komuniste. Pranë ICMP vijnë dhjetëra familjarë për të dhënë kampionin e gjakut, një procedurë që i ndihmon përmes ADN-së, për të identifikuar eshtrat e të afërmve të vrarë në diktaturë.
Kampioni që sapo është paketuar, niset drejt Hagës, atje ku një komision i posaçëm verifikon kampionet e gjakut me ato të eshtrave të gjetur, me qëllim identifikimin e personave të zhdukur, përmes ADN-së.
Me qindra raste të tilla janë paraqitur pranë organizatës për gjetjen e të zhdukurve, ICMP me qendër në Tiranë. Procesi ka nisur rreth 8 muaj më parë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së qeverisë Shqiptare me ICMP, organizata për gjetjen e të zhdukurve.
Janë rreth 5 mijë persona të zhdukur në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial komunist.
Projekti ICMP është financuar nga Bashkimi Evropian për të gjetur eshtrat e këtyre personave të zhdukur. Kjo organizatë bashkëpunon ngushtë me institutin e ish-të përndjekurve politik, drejtuar nga Bilal Kola si dhe Autoriteti i Dosjeve drejtuar nga Genta Sula. Këto ditë ka nisur identifikimi i 13 mbetjeve humane, që prej rreth 9 vitesh ndodhen në morgun e Tiranës. Këto mbetje humane janë sjellë aty nga një proces zhvarrimi i kryer në vitin 2010, rrëzë malit të Dajtit.
Procesi është kryer nga familjarët që besuan se aty gjenden eshtrat e të afërmve të tyre të vrarë gjatë regjimit komunist.
Matthew Holliday, kreu i ICMP-së, na rrëfen se si po kryhet procesi në morgun e Tiranës.
“Në këto momente që jemi duke folur, ekspertët mjekoligjorë të ICMP-së dhe antropologët janë duke bërë ekzaminimin e 13 individëve të zhvarrosur në varrezën masive të Dajtit dhe që gjenden prej disa kohësh në morgun e Tiranës. Janë mbetjet humane të 13 personave, zhvarrimet për të cilët janë bërë në vitin 2010.”- u shpreh Matthew Holliday.
Në ekipin e ICMP-së, ka antropologë, ekspertë mjeko-ligjorë, arkeologë dhe të tjerë. Por para se të vijmë në këtë fazë, çfarë e bën të sukseshëm ose jo procesin e gjetjes së të zhdukurve, është angazhimi i familjarëve përmes dhënies së kampioneve, por edhe roli i autoriteteve shtetërore. Miratimi i procedurave për nisjen e zhvarrimeve është me shumë rëndësi në këtë proces, por pala shqiptare ka pasur një ecuri mjaft të ngadaltë në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste.
Burimi: Intervista dhënë për gazetaren Luljeta Progni, trasmetuar në News24
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.