Një gur kujtese/ Përurohet memoriali në nderim të të burgosurve dhe të rënëve në Qafë-Bari

    1
    471
    blank

    Pak, veç rrëfimeve të atyre që i kanë mbijetuar Qafë-Barit, dëshmojnë për torturat e ushtruara në këtë burg dhe revoltën e 22 majit 1984. Por nga sot, do të jetë edhe një memorial i thjeshtë, në nderim të të burgosurve politikë dhe në kujtim të atyre që vdiqën nga puna e rëndë, në tortura apo u pushkatuan pas revoltës së 22 majit.

    Memoriali i financuar nga Kujto.al u vendos sot, 35 vjet nga revolta e Qafë-Barit, gjatë një pelegrinazhi përkujtimor, të organizuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), në bashkëpunim me Fondacionin Kujto.al dhe Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, në ish-burgun e Qafë-Barit në Fushë-Arrëz, si një gur më shumë në ngrehinën e zbardhjes së krimeve të komunizmit, që edhe pse mbi 25 vjet pas shembjes së diktaturës, është ende në fazat e saj fillestare.

    Dy ditë më parë, me propozim të Kujto.al dhe themeluesit të saj, Z.Agron Shehaj, Bashkia Fushë-Arrëz miratoi emërtimin “Revolta e Qafë-Barit” të rrugës që bashkon rrugën nacionale me ish-burgun famëkeq.

    “Ngritja e memorialit dhe emërtimi i rrugës në përkujtim të revoltës së Qafë-Barit, është një moment i rëndësishëm për të kujtuar një prej akteve të qëndresës më të rëndësishme kundër regjimit komunist. Me qindra të rinj shqiptarë kanë vuajtur një dënim të padrejtë dhe çnjerëzor në këtë burg. Vetëm në arkivin online en.kujto.al, listohen mbi 52.000 profile viktimash të regjimit, të pushkatuar, të dënuar me burg ose të internuar. Në të vërtetë, viktimat janë shumë më shumë, dhe është detyrë e shtetit shqiptar të zbulojë dhe kujtojë të gjitha viktimat. Por shteti shqiptar, jo vetëm nuk zbardh apo kujton ato, por është mohuesi më i madh i atyre krimeve”, tha Agron Shehaj gjatë përurimit të memorialit. Në këtë aktivitet, ishin të pranishëm edhe ish-të dënuar politikë që kanë vuajtur dënimin dhe punën e detyruar në këtë burg.

    Ky aktivitet vjen pak kohë pas një debati publik, mes të dënuarve dhe ish-komandantit të policisë së këtij burgu në vitin kur shpërtheu revolta, por edhe përplasjeve të Spartak Brahos me kryetarin e ISKK, Agron Tufës.

    “Sulmi dhe kërcënimi i përfaqësuesit të maxhorancës kundër Agron Tufës, kryetarit të ISKK, përveçse i turpshëm, tregon që persekutorët që shtypën shqiptarët për 45 vjet, nuk kanë asnjë ndjenjë faji mbi krimet që janë bërë. Janë pikërisht këta ish-gjykatës, ish-prokurorë, hetues, politikanë që sot pretendojnë të ndërtojnë një Shqipëri demokratike dhe të drejtë për fëmijët tanë. Akti i këtyre djemve që ngutën kohën në kushtet më të vështira të mundshme, na frymëzon që të mos ndalemi në betejën tonë për të zbardhur dhe kujtuar krimet e regjimit komunist”, vazhdoi Shehaj.

    blankRevolta e Qafë-Barit përfundoi me pushkatimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës dhe torturat dhe ridënimin e rreth 10 të burgosurve të tjerë, duke treguar një nga fytyrat më çnjerëzore të pushtetit komunist, përballë të rinjve që refuzuan ridaljen në punë të detyruar, duke organizuar një prej të paktave akte rezistence gjatë viteve të terrorit komunist./en.kujto.al

     

    In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

    1 COMMENT

    1. I PERJETSHEM KUJTIMI I HERONJVE TE REVOLTES SE SPAC DHE QAFE-BARI.ROLAND DURDA 0696606514

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here