Një rrëfim nga Gani Kupi: Arratisja e babait, jeta nëpër burgje dhe internime në diktaturë

2
651
blank

Pa ikur gjermanët nga Shqipëria, babai im Shaban Kupi, ishte i arratisur bashkë me vëllanë e tij, Abaz Kupin. Dhe mbasi Abazi iku në Itali, bashkë me dy djemtë e tij (Petritin dhe Rustemin) dhe me disa shokë, baba im, Shabani, vazhdoi të ishte në arrati dhe për shumë kohë. Kështu ai ndodhej gjithë kohës larg shtëpisë e familjes. Më kujtohet një rast: ishte mbrëmje dhe në oborr pashë papritur babën, i cili kishte ardhur fshehtas. Mbasi më pyeti për disa halle të familjes, më kërkoi që t’i përgatisim disa ndërresa dhe ushqime për t’i marrë me vete. Gjatë bisedës ai u drejtua drejt një dhome e cila ishte jashtë kulmit të shtëpisë, e ndarë veçmas në oborr, por, pa që dera ishte e mbyllur. Aty ishin 10 partizanë, të cilët, Këshilli i Lagjes, na i kishte caktuar për strehim dhe ushqim. Unë i tregova babës se aty ishin 10 partizanë të Brigadës së 9-të Sulmuese. Natyrisht, babai ishte i armatosur me maliher grek, nagant dhe dy bomba, por, nuk bëri asnjë veprim më tej. I dhamë teshat dhe bukën dhe mbasi u përshëndet me gjyshen, nanën dhe fëmijët që ishin aty, u largua. Ishte e natyrshme që për 4-5 vjet që ka ndejtur i arratisur në mal, ndoshta ka fjetur ose jo 4-5 netë brenda në shtëpi branda një viti. Ne i dërgonim herë pas herë ushqime dhe tesha në një shtëpi aty në lagjen tonë, ku ai vinte në mbrëmje, i merrte dhe ikte, pasi në mbrëmje, nuk ishin shpërndarë pritat që i vendoste Sigurimi i Shtetit dhe policia. Baba e njihte këtë eksperiencë që në kohën e fashizmit, kohë në të cilën ai jetoi po në arrati.

Para se të internoheshim në Berat, vëllain tim të madh, Samiun, e morën në Degën e Punëve të Brendshme dy herë nga një natë, duke i kërkuar të informojë nëse ka dijeni se ku ndodhej baba, e “a i çoni ushqime, ndërresa?” e kësisoj... Unë, Ganiu, në këtë kohë, isha në gjimnaz në Tiranë dhe ndodhesha atje, edhe kur internuan familjen në Berat. Në këtë kohë, kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Krujë ka qenë Hamit Pengili dhe sekretar i blankPartisë, Saba Hasa, të dy kruetanë. Kur internuan familjen, në shtëpi ishin Zenepe Kupi (gjyshja), Aishja (nana jonë) Samiu (vëllai i madh), Fadili vëllai pas meje, Kumrija (motra) dhe vëllai i vogël Bashkimi. Pasi kanë ngarkuar teshat në makinë, policia u ka hequr disa dyshekë dhe jorgane, pasi sipas tyre, ishin shumë. Pas këtij episodi i kanë nisur në Berat. Fati i dyshekëve dhe jorganeve ka qenë i njejtë me fatin që kanë pasur të gjitha teshat dhe orenditë e shtëpisë, e cila ishte mjaft e kompletuar për kohën. Përveç këtyre, kemi pasur edhe një qilar, të cilën e quanim “dhoma e Isufit”, në të cilën magazinonim lesh delje, thasët e të cilëve mbërrinin deri në trarët e shtëpisë dhe gjashtë magripë me vaj ulliri, një plug, një shalë kali, etj. Në Pyllin e Butë, që ishte njëra nga pronat që na u sekustrua, kishim: 50 kuaj të egër, mbi 50 krenë lopë të egra, 4-5 buaj, dy kuaj shale, një mushkë të vogël, 150 krerë dele, 150 krenë dhi. Kurse në Mamurras, kishim 2 palë shtëpi. Te shtëpia që ishte disi më e vjetër, kati i parë përdorej si dyqan, dhe kati tjetër për banim për punëtorët që punonin në periferi të tokave. Ka qenë edhe një mulli bloje gruri dhe misri. Kurse shtëpinë e cila ishte më e re, dikush e ka shembur deri në themel, duke i marrë materialet, për të ndrequr shtëpi tjetër për vete. Ky ishte kryetari i Kooperativës së atëhershme, i cili ka prishur edhe dy ndërtesa të tjera: njëra ka qenë ndërtesa e mullirit të blojes dhe tjetra ishte një ndërtesë një-katëshe, e gjatë 6-7 metra, ku flinte Kola prej Elbasani (një i moshuar) si edhe Molla, i cili shërbente si në Mamurras ashtu edhe në Krujë, apo edhe ndonjë tjetër, të cilin mund ta zinte nata jashtë. Në Mamurras, kemi pasur edhe një magazinë qymyri, me sipërfaqe 20 X 7 metra. Dhe të tjera që tani nuk më kujtohen, por, të gjitha të sekuestruara. Aty kemi pasur edhe 4-5 bujq. Në Krujë kemi pasur edhe një hajat që merrte brenda një lopë dhe një mushkë të vogël. Dhe pikërisht ajo dhomë, që deshi të hynte baba e ku strehoheshin partizanët, ka qenë magazina e barit. Në krah të magazinës ishte porta dhe pas portës, bahçja që kufizohej me rrugën e lagjes.

Unë mbeta në shkollë në Tiranë, mbas internimit të familjes. E mbasi patëm 3-4 ditë pushim, erdha në Krujë dhe ndejta tek daja në lagjen “Meçe” dhe, mbas katër ditësh, u nisa prapë për në shkollë në Tiranë. Në lagjen “Zim Zenel”, ishte vendosur një postbllok prej policisë së Krujës. Ata më daluan dhe më çuan në Degën e Punëve të Brendshme. Prej aty, ata të Degës, më nisën në Degën e Durrësit. Në Degën e Krujës, mbaj mend që pashë të ndjerin Sabri Veseli, të cilin e njihnim mirë qysh kur kemi qenë në arrati aty në një katund të Tiranës, me çetën e Abaz Kupit gjatë luftës. Në Degën e Durrësit më pyetën nëse kishim ndonjë të njohur në Durrës dhe unë i thashë se po (kishim tezen dhe familjen Belegu), por, preferova më tepër mos të shkoja kurrkund dhe vendosa të flija në hotel. Duke pyetur, gjeta një hotel. Por, gjithë natën nuk mbylla sy, sepse krevati i hotelit kishte tartabiqe. Kur zbardhi dita, mbasi hëngra mëngjesin në një mëngjesore, u nisa për në Degën e Brendshme dhe mbas disa orëve më nisën për në Berat. Në makinë më vunë me familjen Deliallisi (Fajë Bej Deliallisi) prej Shijaku, e përbërë prej nënës së Fajës, të shoqes Fitnetes, birit Idealit, dhe dy motrave. Në të njejtën makinë ishte edhe një familje tjetër me mbiemrin “Mancaku” nga Shijaku.

Mbasi mbërritëm në Berat, familja aq sa u gëzua kur më pa, aq edhe u erdhi keq, sepse kishin patur shpresë se së paku unë shpëtova nga internimi. Aty në Berat, pashë shumë të internuar prej Kruje si: familjen e Dar Tetës, Muharrem Sallakut, Sabri Shanit, Sul Merlikës, Zinit Lez Pajës, etj. Nga rrethet tjera, mbj mend mirë familjen e Gjon Markagjonit prej Mirdite, e Cen Elezit prej Dibre, e Gafurr Spahiut prej Lume, e Papalilos, e Llesh Marashit, vajzën e të cilës, Rexhinën , e kisha në klasë. Mbasi Lleshi u vra, familjen e liruan. E shoqa e Llesh Marashit quhej Rozi dhe ishte një grua me kurajo të madhe. Ishin edhe shumë familje të tjera prej krahinave të ndryshme të Shqipërisë që tani nuk më kujtohen.

Në Berat, në shkollë unë hyra në klasën e 3-të unike dhe më arrestuan pa e dhënë provimin në mësimin e natyrës. Mësuesja ime ka qenë Bukurie Protopapa nga qyteti i Beratit (të cilën e futën në burg më pas); në frengjisht, na jepte mësim një i moshuar, Petro Koçivaci, dhe më vonë, Jani Verceçka; në gjuhë, Zef Shpani prej Mamurrasi të Krujës, dhe më vonë Kolë Ashta prej Shkodre dhe Mexhid Daiu prej Elbasani. Gjeografinë na e jepte prof. Kostaq Stefa, matematikën prof.Shunda prej Korçe dhe diturinë, prof.Shtino prej Gjirokastre. Nga të gjithë mësuesit, vetëm njëri prej tyre sillej ashpër me mua ngaqë isha i internuar, i cili dukej se kishte pikëpamje komuniste. Dy nga profesorët e lartshënuar, i burgosën (Kostaqin dhe Mexhitin) dhe më gjetën në burg, pasi unë u arrestova para tyre. Gjatë kohës që isha në shkollë, bënim edhe punë vullnetare: shkonim nëpër fshatra për të mbytur karkaleca dhe gjatë punës, një profesor nga Shkodra, na mësoi të këndonim një këngë italiane, ku në mes të të tjerave, më kujtohen fjalët: “Il tuoi capelli sono neri”, etj. Në klasë rrija në bankën e dytë nga dera dhe shok banke kisha Fatmir Dollanin, me një vëlla të pushkatuar. Babën dhe axhën e tij, i gjeta në burg kur u arrestova. Një ditë të bukur pranvere, ditë e djelë, vesha për herë të parë një palë sandale që m’i kishte bërë këpucari prej Shkodre i cili punonte në Berat e që quhej Daut Myftari (më ka bërë shumë lehtësime dhe me të cilin mbetëm miq; vëllai i Dautit, Qamili ra edhe ai në burg më vonë). Si zakonisht në ora 3.00-4.00 mbas dite, i veshur me sandalet e reja, shkova në Degën e Brendshme që të paraqitesha, pasi mua dhe vëllait, na ishte dhënë urdhëri që të paraqiteshim dy herë në ditë, ndërsa të tjerët, kryefamiljarët, paraqiteshin një herë në ditë. Kur hyra në zyrën e përhershme, aspirant Emërlla Kuta prej Mallakastre, nxorri nagantin prej këllëfi dhe ma drejtoi, duke më urdhëruar: “Duart lart!” Dhe unë i ngrita duart lart duke qeshur. Aspiranti më tha: “Në emër të popullit je i arrestuar!” Por, unë prapë qesha dhe i thashë: “Të arrestuar jemi, përderisa jemi të internuar!”

Atëherë më shoqëroi dhe më çoi në katin e çatisë. Çatia ishte me soletë dhe tjegullat ishin marsejeze. Çatia ishte e ndarë në dy pjesë. Kishte edhe një mur ndarës në mes. Qysh në natën e parë, më datë 28-4-1946 që më arrestuam (vëllain tim Samiun, e kishin arrestuar më parë, kur ishte paraqitur ne Dëgë sipas rregullit), mua me çuan në burg. Gjatë kohës që isha në burg, mbas një muaji, më lidhën duart siç e kishin zakon me të burgosurit, hapën dy dyert e brendshme prej hekuri dhe më çuan në Degën e Punëve të Brendshme, në një zyrë ku ishin Selfo Bilimbashi (nënkryetar i Degës), Thoma Bardha nga Myzeqeja, Paskal Andoni prej rrethit të Sarandës (që të tre, me gradën “kapiten”) dhe aspirant Zigur Lelo. Paskali më mori në pyetje e në mes të të rrahurave, më shau nga nëna. Të gjitha ia bëj hallall, të sharën jo.

Tre oficerët e tjerë nuk më kanë prekur me dorë, por, kur më rrihte Paskali, ata më thoshnin, herë njëri e herë tjetri: “Tregoji të gjitha, mos vuaj kot!” Akuzat ishin se “ti e din ku rrin babai yt në arrati”, “keni dashur të arratiseni” dhe “se keni folur kundër pushtetit popullor.” Si përfundim, nuk pranova asgjë, e mbas dy orësh më çuan prapë në burg. Samiu ishte në katin e çatisë së burgut. Ne të dy e dinim mirë se ku rrinte baba, por në asnjë mënyrë nuk e hapëm gojën. Kur ishim pa u futur në burg, kishim marrë vazhdimisht letra, të cilat na i çonte daja i babës, Met Shani. Shkrimi ishte i babës dhe firma ishte e Metit. Këto lloj letrash i kemi marrë edhe kur ishim në burg, herë mbas here. Ne e njihnim mirë shkrimin e babës, që vazhdonte të ishte i arratisur.

Mbasi më torturuan, më çuan prapë në burg. Kur hyra në “kaush” (siç quhej dhoma e izolimit), të burgosurit filluan të më pyesnin se çfarë kisha në fytyrë që isha i skuqur dhe i enjtur. Unë iu përgjigja se më kanë dalë shytat, por, ata e kishin kuptuar fare mirë se nuk ishin shytat, por gjurmët e torturave. Dhe qysh atëherë, nuk më pyetën më. Dhe meqë ra fjala, ata  më parë më pyesnin edhe “ç’kemi ndonjë lajm?, dhe “ç’thoshte Zëri i Amerikës?” Unë, duke menduar se mund t’u besoja të burgosurve, u tregoja ato që kisha dëgjuar për sa kohë isha jashtë. Por, mbasi u ktheva prej Dege, një i moshuar që quhej Haziz Bej Malasi, u tha shokëve të dhomës: “Mos e pysni më këtë djalë për ndonjë lajm nga jashtë dhe qysh…” Dhe prej atëherë, ata nuk më pyetën më. Unë e kuptova këtë ndërhyrje kur njëri në dhomë më tha se “këtu në burg ka spiunë” gjë që unë nuk e dija dhe qysh kur më foli Haziz Bej Malasi, nuk hapa gojë më. Para se t’i besoja dikujt, duhej ta njihja mirë.

Pra, gjatë kohës që isha në burg, vëllai im Samiu, ishte në Degën e Punëve të Brendshme, duke iu nënshtruar procesit të hetuesisë, ku torturohej. Një natë pashë përtej dritares së dhomës, se si doli prej derës së hekurit një i burgosur me kryet e dorën të lidhur me fasho të bardhë dhe që pastaj e futën në kaushin e 6-të. Kishte qenë im vëlla, Samiu, siç e mora vesh më vonë. Mbas pak më thirrën mua, më nxorrën jashtë koshit, më lidhën duart mbrapa dhe më çuan në Degë. Për sqarim: “kosh” quhej një kafaz hekuri, që ishte afërsisht 2 metra i lartë, një si tip dhome e përbërë prej shufrave të hekurta rreth e qark dhe me një derë po prej shufrash hekuri (70 cm x 70 cm). Për të hyrë brenda në oborrin e burgut, duhej të kërruseshe. Aty në mes të oborrit të burgut, ishte një pus uji, por i mbyllur me çimento, dhe aty pranë pusit, ishte një tub, përmes të cilit, mbushnim ujë për të pirë dhe për të larë herë pas here qypin me ullinj, që t’i dilte idhtësia. Meqë ra fjala, ullinjtë e Beratit na kanë shpëtuar jetën në burg;  i blinim përmes dritares së burgut, me të holla të cilat na i çonin familjet tona të përvuajtura, kur ishte radha e takimit një herë në javë. E ku e kisha fjalën…pra, më lidhën duart dhe më çuan në Degë. Nuk më kujtohet se kush më ka shoqëruar për në Degë. Qysh natën e parë, më vunë me shpatulla për muri, më hoqën sandalet duke më urdhëruan të rrija në këmbë pa lëvizur. Kjo torturë vazhdoi për tre netë rresht. Pastaj më çuan një kat më poshtë, ku ishte hetuesi Paskal Andoni e të tjerë, më torturuan prapë, por, megjithë dhimbjen, unë nuk mundesha të pranoja gjithë ato akuza që më bënin. Pas dy-tre orësh, më çuan prapë në katin e sipërm dhe më lanë në këmbë, pa gjumë dhe pa bukë. Aty e kuptova, se si njeriu pushon së qeni njeri. Pse? Sepse nga pagjumësia, më dukeshin sytë si të mbushur me rërë. Një natë i thashë Shyqyri Kavajës, policit: ”Çjanë këto këngë? Fëmijët e shkollës?” Ishte ora rreth dy pas mesnate. Shyqyrija, ishte polic shumë i mirë. Ai më tha: “Të duket ty ashtu. Është ora dy pas mesnate e tash nuk ka asnjë njeri në rrugë.”

Në hetuesi, më futën në një dhomë ku ishte Hamdi Sefa, prej Sefajve të Lushnjes. Ai e kishte mbaruar hetuesinë dhe priste nga dita në ditë, që ta çonin në burg. Mbaj mend që aty ishte dhe një burrë i moshuar nga Çamërija, emri i të cilit nuk më kujtohet. Një ditë prej ditësh, Hamdiu më sugjeroi që ta firmosja proces-verbalin sa për të kaluar radhën sepse i dhimbsesha si i ri që isha; ndoshta i kishte fëmijët afërsisht në moshën time. Më tha “bëje, sepse pa një dënim, gjithsesi nuk shpëton.” Aty, nga ai çami, me veshët e mi kam dëgjuar të shante i zhgënjyer me vete: “O Shqipëri nanën ta kajsha/ se me arxuall (lutje) të kam kërkuar.” Dhe e kam dëgjuar, t’u lutej hetuesve: “Më vrisni, se me besë të Zotit, nuk do të keni asnjë ankesë nga askushi!” Por, oficeri i hetuesisë iu përgjigj: “Po lut të vdesësh, por, kush po të lë, pa i treguar të gjitha. Dhe Zot s’ka, a more vesh apo jo?!” Mbas pak ditësh, e morën plakun prej Çamërije dhe nuk di se ku e çuan. Rojet që punonin aty, me sa mbaj mend unë, ishin katër: Dan Saliu prej Buzmani të Kukësit, Shyqyrija prej Kavaje, një i ri me emrin Misto dhe një tjetër nga katundet e Lushnjes, me mbiemrin Xhindolja. Tre të parët, ishin shumë njerëz të mirë, kurse ai Xhindolja, nuk më linte të lëvizja vendit. Një ditë prej ditësh, i vuri bajonetën pushkës, gjë për të cilën, unë mendova se ishte i frikësuar se mund t’i rrëmbeja pushkën. Kurse Mistoja, një natë më tha: “Veç nuk e di se nga të ikim, se do të të merrja me vete dhe do t’ia mbathnim. E di unë mirë se ç’është burgu; kam ndejtur në Burgun e Gjirokastrës, ku më pikonin pikat e ujit në trup.”

Dan Salihu ishte ushtar i Divizionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, megjithë Xhindolën; dy të tjerët ishin policë. Prej Dan Salihut, mësova edhe ngjarjen që i ndodhi tim vëllai, Samiut, pasi kur ishte hedhur nga dritarja e katit të tretë, Dani kishte qenë roje në Degën Ushtarake, pak më poshtë Degës së Punëve të Brendshme, por, që ndodheshin  disi karshi njëra- tetrës. Dan Saliu më tha: “U dëgjua një gjëmë e vogël përpara, dhe mbas pak sekondash një e ankim ‘ou!’”. Atëherë e kam parë Samiun, që u ngrit në këmbë dhe filloi të ecte ngadalë…”

Pra, vazhdoja të isha në tortura e sipër, i ndëshkuar të rrija në këmbë, pa bukë dhe pa ujë, kur një ditë më morën policët e më çuan në dhomën e hetuesisë. Paskali më tha: “po të lexoj dhe dëgjoje me kujdes proces-verbalin!” Në proces-verbal ishte shkruar që “…është nipi i Abaz Kupit, dhe i biri i Shaban Kupit, të dy kriminelë të Republikës së Shqipërisë. Lindur dhe rritur me ndjenja reaksionare, armiq të popullit dhe Pushtetit Popullor. Ka bërë agjitacon dhe propagandë kundër Pushtetit Popullor…ka dashur të arratiset jashtë shtetit…” e disa fjalë të tjera, të cilat nuk më kujtohen. Mbas disa ditëve, më çuan në burg, ku edhe u takova me Samiun.

Mbasi mbarova hetuesinë më dhanë dyshekun dhe jorganin, dhe më vendosën pranë një dritarje. Dritaret ishin rrafsh me soletën, me lartësi afërsisht 40 cm dhe të gjata rreth 1 m. Një ditë në mëngjes, dëgjova zërin e gjyshes time. Unë gërvishta pak me thua gazetën që i kishin vënë xhamit, dhe pashë gjyshen që po i thirrte policit: “Të lutem, çoja Ganisë këto ushqime!” Kishte në dorë një xhevze bluri që merrte një gotë qumësht (e njihja mirë se ishte xhevzja e shtëpisë) dhe një kokërr vezë. Polici i tha: “Mos ki merak; do t’ia çoj unë që tani!” Dhe gjyshja iku për në shtëpi. Prita deri afër drekës se mos më sillin gjë, por, nuk ma sollën ushqimin. Duket se i mbajti për vete polici.

Në hetuesi ishim 7-8 metra larg njëri-tjetrit. Këtu u njoha me Hamdiun dhe me të burgosurit e tjerë, si me Estref Myftiun, Ahmet Dollanin, Gani Dollanin, Muharrem Therepalin, Enver Vranin, Sadi Kuçin, Mehdi Dibrushën, Isuf Ngruçanin nga Lagja Vakëf e Beratit, Jup Kokoshin edhe ai prej Vakëfi; Ahmet Xhindolin me të vëllanë Ismailin, Ceno Velmishin, Hyso Çelën, Banush Saraçin, Rrap Qerretin, Enver Karrapatin, Asqeri Arifin, Vehxhi Buharanë që ka përkthyer edhe “Gjylistani dhe Bostani”, Fatmir Shehun me një dorë, Petrit Myftiun, Myrto Malasin, Xhavit Malasin, Demo Veliun me djalin, Pasho Veliun, Nexhip Zdravën me djalin Qaniun, Dylaver Çarrogjatin, Ferik Zhapokikën, Baba Tahirin e Kuçit, Dervish Rizain dhe Dervish Reizin, që ishte i ri ne moshë, e që dukej të ishte rrufai. Po kështu, Baba Bajram Plashnikun, Baba Samiun, Maliq Backën, Refik e Tefik Çepelen (dy vëllezër), Isa Godon, Lirie Luarin, Qani Dinen e Qani Malajn, të dy prej Mallakastre; Gani Limzën, Qamil Kadrinë (që të dy u vranë nga policët kur kanë dalë në punë), Karafil e Gani Xhapovën, të cilët, kishin qenë oficerë të Mbretit Zog, Ismail Kolaverin nga Mati (edhe ky ish- oficer i Zogut), Banush Hazizin, Hysen Stranin, Kamber Dobrushën, e shume të tjerë…

Një ditë prej ditësh, dolëm në “pajtoz” (kështu quhej “parajsa e të burgosurve”, pra, “ora e ajrosjes”). Bëhej fjalë për nje dalje në oborrin brenda burgut, i cili ishte jo më i madh se njëqind e pesëdhjetë metra katrorë, i rrethuar me mure të larta, mbi të cilat, vrojtonin roje të armatosura. Dalja në oborrin e burgut, ishte një orë para dite dhe një orë pas dite. Ne ecnim rrethepërqark, por,  nuk na lejohej të flisnim as me njëri-tjetrin. Për fat të keq, Nexhip Zdrava, kur po ecnim në radhë, pa që po i derdhej gjella dhe u ndal një sekondë për t’i hequr kapakun kusisë që po ziente në mangallin me qymyr, dhe polic Kasemi nga Gorishti i Vlorës, thirri: ”Nexhip, hajde këtu! Pse u ndale dhe e preke gjellën?” dhe i ra me shpullë fytyrës, aq fort, saqë besoj të jetë dëgjuar deri përtej burgut.

Një natë, unë dhe Baba Samiu i Kulnakut, i ramë derës dhe i kërkuam rojes që të hapte derën të dilnim për të urinuar. Me t’u hapur dera, roja ia kërciti me shpulla fytyrës Baba Samiut. Pass atij, edhe mua. Ndaj edhe ne po luteshim: “Ishalla është në turn ndojë polic që nuk ka dorë!” Për fatin tonë të keq, kishte qenë polic Kasemi prej Gorishti, i cili mbante një shkop 60-70 cm të gjatë e me kokë. Atë shkop ai e linte brenda në kosh, dhe sa herë që kishte shërbimin, e gjente aty.

Kur u takova me Samiun më vonë, biseduam rreth hetuesisë dhe torturave e forta. Ai më tregoi, se përveç rrahjeve, ndaj tij kishin përdorur edhe rrymë elektrike, tek duart, në veshë dhe në organet gjenitale. Nga këto tortura të forta, ai u hodh nga dritarja e katit të tretë për të vdekur, por deshi Zoti dhe nuk vdiq. Kur u hodh, Samiu kishte rënë mbi tela me gjemba, me të cilat ka qenë rrethuar vendi. Kur ka rënë mbi telat, ka thyer një dhëmb dhe dorën e djathtë në shpinë, të cilën gjithmonë e ka pasur të enjtur deri në fund, pse nuk u dërgua tek mjeku i kockave për t’ia çuar në vend frakturën, por, u la në mëshirë të fatit.

Le t’i kthehemi përsëri burgut: ne të katit të parë na çonin të punonim në fermën e Otllakut, që ishte para se të hyje në Berat. Punonim me bela; bënim kanale. Puna në Otllak kishte qenë shumë e mirë, mbasi në mbrëmje, ktheheshim në burg dhe flinim në teshat tona. Ndërsa vitin e dytë, në vitin 1947, na çuan në kanalin e Maliqit, për gjashtë muaj rresht. Drejtori i burgut ishte njëfarë Tasi Marko, i vëllai i Rita Markos. Thoshnin se ka qenë furrxhi më përpara, por, si drejtor kampi kishte gradën “toger” dhe ishte njeri pa autoritet. Punonim me kovë dore duke nxjerrë dhé dhe llucë në breg të kanalit. Kur ndonjëri nga të burgosurit, për arsye të ndryshme, ndalonte pak, ata që vinin me karrocë mbrapa tij, i binin këmbëve dhe e sakatonin. Kur punonim në gërmim, dheu dhe uji i ftohtë na arrinin deri në brez, e prej kësaj na thartohej ushqimi në stomak. Doktor Pogu që vinte nga burgu i Shkodrës, na këshilloi të vinim gjëra leshi në stomak; kështuqë atij që i kishte mbetur ndonjë fanellë, çorape a shall leshi, e vinte në bark. Kemi fjetur në çadra ngaqë nuk kishte ndërtesa në kamp. Në çadër kam fjetur me dy vëllezër çifutë; quheshin Pepi Levi dhe Moisi Levi, të cilit vinin nga Burgu i Vlorës, ndërsa vëllai im, Samiu, nuk më kujtohet se me kë ishte në çadër. Mbas gjashtë muajsh, të lodhur e të uritur, u kthyem në Burgun e Beratit.

Njeherë kur po bisedonim vëlla me vëlla dhe në mes të tjerash, dolëm prapë tek çështja e hedhjes nga dritarja. Unë e pyeta se ku shkoi, pasi u hodh nga dritarja e burgut dhe si shpëtoi gjallë? Samiu më tha: “Meqë isha shumë i tronditur dhe i dërrmuar, shkova në kodra, aty tek ullishtet e lagjes Vakëf dhe nuk di të them se si kam ecur, deri kur hasa një përrua. Aty kishte do si shpella. I pafuqishëm për të shkuar larg, u futa në përrua, dhe u mbulova me dhé. Kam ndenjur aty deri kur u err. Kur u err, ashtu i dërmuar e me gjithë dhembjet që kisha, shkova dalëngadalë në shtëpi. Gjeta gjyshen e shumëvuajtur, e cila më futi përnjëherë brenda dhe shkoi e mori pronarin e shtëpisë ku banonim, i cili quhej Sabri Lubesha, një burrë dhe familje shumë e mirë beratase. Më morën pastaj në krahë dhe më kthyen në Degën e Punëve të Brendshme, sepse unë nuk dija as ku të ikja, por, edhe sikur ta dija, isha i pafuqishëm. A e di se çfarë më tha Dan Saliu që ishte roje në Degë? Më tha se i kishin dhënë urdhër, që ku ta shihni Samiun, ta vrisni!” Unë i thashë Samiut, se kishte qenë një zgjidhje e mirë, që ishte mbuluar me dhè.  “Kur u dorëzova, më torturuan prapë- vazhdoi Samiu, - dhe mbas pak ditëve, më kthyen në burg.”

Të nesërrmen e ikjes së Samiut, në Degë,  morën nënën tonë dhe dy vëllezërit që ishin më të vëgjël se unë. Nënën tonë e kanë torturuar, që të tregonte se ku ishte Samiu. Kanë përdorur korent , rrymë elektrike dhe e kanë lënë në këmbë, kur dihej që ajo vuante prej zemrës. Dy vëllezërit më të vegjël, i kanë rrahur që të tregonin nëse ka ardhur Samiu në shtëpi apo jo.

Po i kthehem edhe njëherë kohës së hetuesisë, për diçka që mbeti mister: pak ditë pasi mbarova hetimin, më çuan në burg. Në këtë rast prapë u paraqit aspirant Emërlla Kuta. Sa e pashë, m’u kujtua naganti që më drejtoi duke iu dridhur dora. Ai më tha: “Bëhu gati se do të të çoj në burg.” Unë u bëra gati, ulëm shkallët e tri kateve dhe u nisëm, por, jo përmes rrugës që ishte më afër, por, duke zgjedhur një rrugë tjetër, që i binte shumë më gjatë, nga lagja Vakëf.

Emërllai më tha: “Nuk po t’i lidh duart, por, shiko para dhe mos flit me asnjë njeri”, ndërkohë që nagantin e kishte në dorë dhe rrinte pas meje. Nuk e di edhe sot se pse m’i zgjidhi duart e lidhura me hekura gjermani. A mos vallë që të tentoja të ikja dhe ai të më vriste? Më në fund, më çuan në burg dhe qysh atëherë, nuk e kam parë më Emërlla Kutën.

Zymer Halili ka qenë kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, në kohën që jemi arrestuar unë dhe Samiu. Një grua po prej Gurëzi (një katund i rrethit të Krujës, bashkëfshatare me Zymerin) e cila ishte gjithashu e internuar ngaqë kishte të birin e arratisur, mbasi u hodh Samiu nga dritarja (histori që bëri bujë atëkohë në Berat), i thotë Zymerit: “O Zymer, mos u merr me kalamajt. Liroji prej burgu se është gjynah!” Kjo zonjë, me sa mbaj mend, e kishte emrin Katrinë Tonja.

Për kujtesë: unë kam qenë 16 vjeç dhe Samiu 18 vjeç, kur na arrestuan. Ne kujtonim se Zymeri ishte kosovar, por, pas 8-9 vitesh këtu në SHBA, kur isha për darkë tek një miku im prej Plave ku ishin të thirrur 15-16 vetë, në bisedë e sipër, doli që Zymeri kishte qenë prej Plave a Gucie, diku prej një katundi atje, dhe jo nga Kosova. Prej nipit të Zymerit, që ishte në këtë darkë, mësova se një vëlla, Zymerit, ia kishte pushkatuar Enveri, për inate të ndryshme, kurse unë e kam ditur qysh herët, se i vëllai i Zymerit, ishte pushkatuar sepse kishte dalë 1 milion e gjysëm deficit në dyqan, ngaqë punonte shitës. Por, ai, i vëllai, kryente edhe disa punë sekrete: atë e çonte qeveria e atëhershme në Jugosllavi me mision. Këtë ia kishte treguar babës tim, një mik i yni, i cili dilte në Jugosllavi bashkë më vëllain e Zymerit. Këta dy persona, çonin flamurë shqiptarë dhe disa letra. Sipas mikut, ata asnjëherë nuk kishin dalë nga Shqipëria nga pikat kufitare që i urdhëronin drejtuesit, sepse zakonisht, ata që kalonin kufirin e Jugosllavisë andej nga ishin instruktuar të kalonin, binin në pritat e serbit, dhe shumë prej tyre u vranë në kufi.

Duke iu kthyer periudhës së burgut: pas Maliqit, na çuan në Beden të Kavajës, për tharjen e kënetës së Zhabjakut. Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba (siç ndodhte në të gjitha kampet e burgjet), dhe ishte aq i dendur, saqë as skilja nuk mund të dilte prej andej. Në çdo 30-40 metra, ishte një kullë vrojtimi me policë ose ushtarë të armatosur, a thua se ne ishim kriminelë të mëdhenj, kur rrallë, ose asnjëri prej nesh, nuk ishte kriminel, por, njerëz që nuk kishin bërë asnjë të keqe, vetëm që nuk u pëlqente regjimi komunist. Dhe pikërisht për këtë “faj”, po punonim në Kanalin e Bedenit.

Na caktuan në brigada, dhe mua më takoi Brigada e Qazim Osmanit, që ishte i burgut të Shkodrës. Skuadra ku punoja unë, ishte e mbushur me priftërinj katolikë të Shkodrës dhe një Shefqet Muka, po shkodran. Një ditë krisi pushka e mitralozi. Ne po punonim në kanal, po njëherazi u ulëm që të mbroheshim nga plumbi. Shyqyri Rjolli, komandant i trupave ushtarake, prej së largu u duk me mbathje të shkurtra sikur të ishte ngritur nga shtrati, duke ecur dhe duke u bërtitur rojeve që rrethonin kampin “Mos shtini! Mos shtini!” disa herë, derisa u qetësua gjendja. Atëherë u ngritëm dhe filluam përsëri punën. Drejtori i kampit Haxhi Pela prej Lushnje, nuk u pa në atë ngjarje dhe unë nuk e kuptoj edhe sot pse ngjanë ato të shtëna.

Priftërinjtë dhe Shefqet Mukën i mundonin veçanërisht. Pra, bridatën tonë e çonin në parcelat më të vështira, me ujë dhe baltë. Kam parë me sytë e mi kur i thoshte polici, Shefqetit:”Shtrihu në llucë!” sërish e sërish. Ashtu vepronin edhe me priftërinjtë.

Norma e gërmimit ishte 8 metra kub për njeri, por, kishte të burgosur që bënin edhe 25 metra kub në gërmim dheu me bel. Më kujtohet një djalë e ri vlonjat, të cilit, nga puna e tepërt, i doli vjamthi në të dyja anët, dhe të këpuste shpirtin kur fillonte të qante prej dhimbjes dhe komanda e kampit nuk interesohej fare për ta çuar në spital. Më kujtohet edhe një i burgosur nga Lushnja, Hasan Spaho, i cili gërmonte me bel deri në 25 metra kub dhé, që njëkohësisht duhej hedhur jashtë, në bankinën e kanalit. Toka ishte e fortë dhe kishte edhe mina. Gjatë punës, pa e ditur se kishte mina, njëri prej vëllezërve Agaçi nga Lushnja, u plagos dhe humbi vetëdijen, dhe nuk u mor vesh se si përfundoi fati i tij.

Një ditë, brenda në kamp gjatë kohës së pushimit, po më kërkonte brigadieri im, i cili ishte prej bregut të detit (nga Himara a Dhërmiu); më parë ai kishte qenë anëtar partie dhe tani ishte i burgosur ordiner. Ai më urdhëroi që të shkoja për të mbushur bidona me ujë për komandën e kampit me një shok tjetër që nuk e njihja fare, punë, të cilën, zakonisht, e bënin të burgosur me dënime të lehta. Megjithëse unë u mundova të mos dal, Nikua (kështu quhej brigadieri), nuk më la vend duke më kërkuar, dhe qe e pamundur t’i shmangesha. Si përfundim dola bashkë me atë shokun tjetër dhe me nga një bidon në sup, u nisëm për tek çesma. I mbushëm bidonat dhe u kthyem në kamp. Gjatë kësaj kohe na shoqëronte një rreshter, i cili ka qenë shumë djalë i urtë, e që kishte një automatik për armë. Pas disa ditësh, një i burgosur më tha që: “Ty të kanë nxjerrë gjoja për të mbushur ujë, e duke pretenduar se ke dashur të ikësh, rreshteri të të vriste.” Por kjo gjë nuk ngjau. Ai më tregoi që rreshterit i kishin thënë: “Pse nuk e vratë Ganiun?” Rreshteri i ishte përgjigjur: “Nuk tentoi të ikte, dhe unë kot nuk vras njeri!’. Në të njëjtën kohë për të cilën po flas, në kampin e Maliqit, në të njejtën mënyrë, u vra Muharrem Xhixha, nipi i familjes Kupi.

Më kujtohet një herë: një natë më parë, ra pak shi dhe rruga, ku do të kalonim, vende-vende ishte e mbytur në ujë. Kur ktheheshim prej pune për në kamp, duhej të ecnim shpejt, sepse ata që ngelnin të fundit, i rrihnin. Unë, për t’u ruajtur që të mos më lageshin këmbët, kalova anës së rrugës, kështuqë u vonova pak. Një burrë i madh në trup, më kapi e më futi nën sqetull, deri sa kaluam lagështirën, e pastaj më lëshoi. Ishte pikërisht Ymer Sakati prej Hasi. Duke ecur më tha: “I paske ngjarë të parëve të tu!” Ymeri ishte një burrë i gjatë, i fuqishëm, me mustaqe disi të gjata. Në jakën e gjysëmpalltos së tij kishte kishte një gëzof, i cili, më duket, se ishte gëzof ujku. Kur u kthyem në kamp, më fali një palë çorape të reja leshi. Unë e falenderova për këtë dhuratë, mbasi sandalet më ishin prishur qysh në burgun e Beratit, dhe zakonisht, ata që nuk kishin këpucë, merrnin këpucët e të tjerëve. Dhe Ymerin, qysh prej kampit të Bedenit, nuk e kam parë më.

Diku, kanalit i takonte të çante përmes tokave bujqësore. Ishte kanali ujë-mbledhës. Atje të burgosurit mblidhnin kikut, spinaq të egër, recin, etj, për t’i ngrënë, sepse nuk u dilte ushqimi dhe të pangrënë, nuk mund të mbroheshin as nga sëmundjet. Unë kisha një tas alumini, një lloj gavete me dy vesha teli. Në tas kisha shkruar emrin dhe datën kur mbërritëm në Beden. Më kujtohet, se një ditë m’u mbush mendja të numëroja se sa kokrra groshë më ranë për drekë në racion. I numërova; ishin 9 kokrra groshë gjithsej, e pjesa tjetër veç ujë me ngjyrë. Ky ishte ushqimi ynë i zakonshëm. Rrallë ndonjërit, mund t’i vinte dikush e t’i sillte ushqim në kamp.

Një ditë pushimi, po rrija në shtrat si të gjithë. Atëherë, më drejtohet njëri dhe më pyet: “A pe njeri këtu?” Ishte 4-5 shtretër larg meje. “Pse, -e pyeta unë, çfarë ka ngjarë?” Ai më tregoi se i kishin vjedhur bukën, të cilën, siç e kuptova, e kishte lënë jashtë, pa e futur në trastë. Dhe kam parë edhe burra shumë të mirë, të cilët mblidhnin duqe duhani dhe i thithnin. Gjithashtu kam parë njëherë një të burgosur, i cili mbasi shikoi anash me kujdes që të mos ta shihnin të tjerët, kapi një lëkurë bostani në gropën e mbeturinave, i ra dy herë pantallonave me të për ta fshirë, dhe filloi ta hante.

Para se të prisheshim me Titon, na bërtisnin dhe na shanin me çfarë t’u vinte për goje, e mbasi u prishëm me Titon, ndërroi klima. Drejtori i kampit, Haxhi Pela zuri të thoshte: “Hej, vllazën, punoni sa të mundeni!” dhe atëherë, disa policë që kishin qenë më brutalët, filluan të zverdheshin. Atë moment, sikur të burgosurit t’i urdhëronin “Hidhe përdhe automatikun!”, ata, me siguri, do të ishin gati që ta hidhnin.

Mbasi u lidhën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ndërroi sërish situata në kamp. Një ditë pushimi, që ishte e djelë, drejtori i kampit, dha urdhër që të dilnim të gjithë jashtë kazermës dhe na grumbulloi në oborr, ku ai do të na mbante një fjalim. Ai tha: “Këtu ka shumë armiq të Pushtetit Popullor…” e shumë fjalë të egra fyese, pasi një i burgosur nga Vlora, kur u prishëm më Titon, gjoja paskësh thënë se “tani këta do të vijnë si cjapi tek kasapi”. Mbasi mbaroi fjalimin, në sy të të gjithë të burgosurve, atë vlonjatin, i cili mundet edhe ta kishte thënë atë fjalë, e morën dhe dy policë e rrahën me dru derisa i thyen gishtat e duarve, dhe e bënë në atë gjendje saqë s’mund të ngrihej më në këmbë. Aty e kam parë atë njeri fatzi të ecte me katër këmbë si bagëtija, ose siç i themi ne në Krujë, të ecte kambadoras si foshnjat. Mbas gjithë kësaj torture, e lidhën pas një shtylle dhe e lanë aty të lidhur deri vonë në mbrëmje. Aty e kam kuptuar se njeriu qenka shumë i fortë.

Një mesnatë, dëgjuam një zë të fortë që thërriste mesa fuqi kishte ”I bëfsha nënën Stalinit dhe Enver Hoxhës!” prej çatisë së kampit, ku kishte hipur. Ky i burgosur ishte prej katundeve katolike të Shkodrës. Policët hynë brenda në kamp, me armë dhe shkopinj, dhe e urdhëruan që të ulej, derisa e zbritën me forcë. Çatia ishte e mbuluar me fuçi zifti. E morën, e nxorrën jashtë kampit, dhe ai njeri nuk u pa më kurrë. Kushedi se çfarë i kishin bërë; me siguri e kishin mbytur me dru. Këtë ngjarje e kam dëgjuar me veshët e mi. Kur u gdhi, e pyeta tim vëlla, Samiun, nëse kishtë dëgjuar gjë natën, dhe ai më tha se po. Biseduam edhe për fatin e të shkretit djalë, dhe vëllai im pohoi të njejtën gjë: që mund ta kishin mbytur me dru. Zërin e tij e kemi dëgjuar mirë, shumë prej nesh, të burgosurve, sepse kapanoni ishte i veshur me hasër (rrogoz).

Mbas afërsisht 6 muajsh u kthyem prej Bedeni, në burgun e Beratit. Si zakonisht, ishim dobësuar e katandisur në skelete nga vuajtja, saqë familjarët mezi na njihnin. Atëherë, filloi të përmirësohej disi gjendja fizike; pak prej ushqimit që na çonte familja (të cilët ishin të internuar atë kohë) e pak prej ullinjve, filluam ta merrnin veten disi. Por unë u ktheva i sëmurë nga Bedeni, shumë i sëmurë, saqë për 15 ditë rresht, nuk i kam mbyllur sytë një orë të vetme. Kur çohesha të shkoja në banjo, duhet të mbështetesha pas muri, duke u tërhequr zvarrë. Duke parë gjendjen time shumë të rëndë, vëllai im Samiu, rastin e parë që erdhi drejtori i burgut (i cili quhej Nikola Kule, dhe ishte nga Myzeqeja), gjeti guximin dhe i tha: “E kam vëllanë shumë sëmurë. Të lutem, bjeri një mjek që ta vizitojë!” Dhe në të vërtetë, brenda dy ditëve, erdhi nje mjek italian, të cilin ne e njihnim shumë mirë, dhe na njihte shumë mirë. Mbasi më vizitoi, më dha disa kokrra dhe dy shishe me vaj peshku me një ngjyrë si në të verdhë, të cilin e pija direkt nga shishja, e jo me lugë. Pra, vëllai im Samiu, nuk mori parasysh torturat që do t’i bënin pas kësaj, pasi polic Kasemi, ishte shumë i gatshëm dhe e kishte shumë për zemër përdorimin e atij shkopit me gunga. Ishte ligj që kushdo i burgosur që i del drejtorit përpara për t’i kërkuar ndonjë gjë, e kishte mëse të sigurtë rrahjen dhe torturën. E pas kësaj, të gjithë me keqardhje të madhe, prisnin se kur do të fillonte druri pasi të ikte drejtori, por për fat të mirë dhe për çudinë tonë, polic Kasemi nuk e thirri dhe nuk i tha asgjë Samiut. Vëllai im Samiu, të cilin unë e kam njohur më mirë qoftë në burg ashtu edhe jashtë, bënte shumë për njerëzit e vet edhe për shokët. Ishte njeri i vetësakrificës.

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

2 COMMENTS

  1. Persa i perket rrefimit te Gani Kupit, ai genjen e mashtron qe ne fillim, kur thote se' i ati Shaban Kupi, i njohur si Bam Kupi, s'ka qenedrue nje dite i arratisur ne mal, , por i internuar me familjen ne Beratm qyshe ne maj 1945, eshte liruar e pastaj internuar perqseri ne Plug te Lushnjes (kete e thame njhere). Shabani me 1954-55 ka qene ne kampîn e Plugut te Lushnje ku ishte e internuar dhe familja e Abaz Kupit, e familje te tjera si Gjomarkaj, Merlika, Pervizi, dhe familja ime malesore (me emer tjeter). Shaban Kupi s'eshte arratisur kurre, as brenda as jashte shtetit. Prandaj Ganiu ketu çalon e genjen, Per disa rrethaha te tjera te denimeve te veta. aty s'kem ç' themi. Por dhe personat e famimjet qe pertmend jane te kufizuara e jo te sakta, ku ka mungesa citimesh famijesh te medha qe kane perciell kampet e internimi 45 vjet. , dhe jo vete dy tri emra qe ai permend. Te dheant ai i ka marre nga persona te tjere per Beratin. Sidoqofte te kihet kujdes ne deshmite qe ju vijne gazetes, te pakontrolluara.

  2. O zotni "Shkopi", ne deshmine e tij, z. Kupti nuk mund te fliste per cdo gje, me emra pafund familjesh. Sa per vertetesine e deshmive, sigurisht, ne i besojme z. Gani Kupti, qe ka nje emer e mbiemer, ka nje identitet te qarte e te dukshem, dhe jo juve, qe quheni "shkopi". E kuptoni sa qesharak beheni? Mendojeni vete: t'i besojmë Gani Kuptit, apo njefare "shkopi"?
    Pa dashur t'ju fyej, hipotetikish mendja me thote, se ky "shkopi", pa emer, qe e akuzon Kupin se genjen, mund te kete arsyet e tij te brendshme, p.sh., mund te kete qene nje nder persekutoret e tij. Me thuaj tani, pse une nuk duhet te mendoj keshtu!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here