Piskama e nënave në kampin e internimit në Tepelenë

0
301
blank

Ditën tjetër në oborr nuk kishte fëmijë. Kishin mbetur veç cinglat e Ndrekës të hedhura shkujdesur diku në qoshen pranë derës. I kishte lënë aty, kur po hidhte  hapat e fundit me këmbët e tij…

Nga Luljeta Progni

Ndreka kishte kullufitur me një frymë rracionin e bullgurit dhe kishte dalë në oborr për të gjetur shokun e tij. Por, Pali nuk doli atë ditë në oborrin e kapanonit. Nata kishte qënë e vështirë. Në kapanon kishte patur shumë zhurmë, rënkime e ulurima.

Si çdo mëngjes nisi ritualin e përditshëm të lojës, por e pa veten vetëm, sepse Pali, shoku i tij i cinglave nuk ishte aty. Kishte lidhur miqësi me të, sepse luanin bashkë me cinglat që gjenin në oborr, apo edhe nëpër kapanon hapa dollapa.

Pali kishte mbetur në qoshen e tij në fund të kapanonit. Atje ishte vendosur familja e tij. Ndreka u nis drejt tij për ta kërkuar, por nuk e lanë t’i afrohej. Mes njerëzish që i ishin afruar mundi të shohë fytyrën e verdhë të Palit që rënkonte papushim. Ishte sëmurë e kishte zënë dizanteria. Infermier Azizi vraponte sa në infermieri sa në kapanon në përpjekje për ta ndihmuar. Ndreka u kthye te dera e kapanonit dhe që andej shihte çfarë po ndodhte nëpër fytyrat e trishtuara të atyre që kishin hedhur vështrimet drejt qoshes së kapanonit. Të gjithë e kishin drejtuar kokën andej nga po ndodhte gjëma. Përmes disa çarçafëve që ndanin hapësirën mes krevateve, Ndreka e pa për herë të fundit fytyrën e shokut të tij të cinglave.

E ëma e Palit nuk pushonte së qari. Ishte munduar ta ndihmonte me sa mundej, i kishte ndenjur mbi kokë gjithë natën.

Ndreka pa skenën dhe u largua i dëshpëruar. Në duar mbante cinglat e veta dhe vërtitej nëpër oborr prej nga dëgjonte zërat e mbytur që vinin nga fundi i kapanonit. Vazhduan për disa orë. Më pas u dëgjua një zhurmë e madhe zërash që mbysnin njëri tjetrin... dhe pastaj një heshtje e pazakontë. Dila lëshoi piskamën për birin që dha frymën e fundit.

Pali nuk do të dilte më me shokun e tij në oborr. I duhej të gjentë një tjetër, një shok që të mund të luante edhe kur i gërryente stomaku nga uria. Por nuk kishte shumë fëmijë që të mund të zgjidhte, shumica ishin të sëmurë.

Ndreka u end atë ditë nëpër oborr i vetëm dhe shumë i trishtuar. I uritur ishte si zakonisht. Edhe e ëma,  Maria, ishte e sëmurë. Mëngjesin e ditës tjetër ajo nuk doli në mal për dru bashkë me gratë e tjera. Infermieri kishte mundur ta justifikonte duke i kërkuar rojeve ta linin atë ditë pushim, sepse ishte e pamundur për të punuar. Ndreka u gëzua shumë sepse atë ditë nuk do ta shihte atë skenën e frikshme kur e ëma i vinte nga mali e gjakosur me sytë e zgurdulluar nga uria, e me fytyrën e frikësuar kur e kërkonte atë nëpër kapanon. Ajo e shumë nëna të tjera i druheshin çdo ditë kosës të sëmundjeve që po bënte kërdinë, mundësisë për ta gjetur fëmijën e tyre në krevat të prekur nga dizanteria apo tifo.

Dhe nëse kishe shenjat e sëmundjes, ishte thjesht çështje ditësh, ishte fillimi i fundit. Ndërkaq Ndreka frikësohej edhe më shumë nga ai merak i tepëruar i së ëmës. i dukej se diçka e tmerrshme do të ndodhte, diçka e pashmangshme që priste orën e vet, aty Brenda kapanoneve që mbusheshun me ulërima çdo natë.

Ditën e pushimit të së ëmës, Ndreka qëndroi pranë saj. Përpiqej ta ndihmonte me sa mundej e t’i ledhatonte këmbën e maviosur që ia kishte zënë një copë druri një ditë më parë. Ndjehej shumë i sigurt gati i lumtur edhe pse shumë i uritur. i ati ishte në Luzat, sepse atje i kishin çuar burrat e djemtë mbi 18 vjeç për të punuar, hapej një rrugë e re. Kishte disa javë që nuk e shihte të atin. Ndaj dhe kur i sëmurej e ema ndjehej kaq i trembur, e dinte se nuk ishte ende aq i madh e i fortë sa për t’i dalë krah të tijve.

Sofia, një plakë që vinte nga Tropoja, nuk kishte fëmijë të vegjël. i kishte të rritur dhe ishin të gjithë nëpër burgje. Ajo përpiqej t’i jepte Ndrekës ndonjë gjë nga rracioni i saj herë pas here. Atë ditë kur  Maria ishte e shtrirë në cepin e saj në anë të derës së kapanonit, Sofia i ishte afruar dhe i kishte sjellë pak oriz. Ndreka e pa dhe kuptoi se “racioni i tij” i dhuruar nga Sofia për atë ditë, kishte kaluar për të ëmën. Nënë e bir e ndanë atë copë të vogël buke, por Ndreka ishte ende shumë i uritur.

Ashtu doli në oborr dhe iu kthye cinglave të veta, kur papritur nisi t’i thërë barku. Paniku e përfshiu të tërin dhe vrapoi për te doktor Azizi, ashtu i thërrisnin të gjithë në kamp infermierit të internuar. “Po më dhemb barku… po më dhemb barku. Ma jep një ilaç.” Azizi e kuptoi menjëherë dhe filloi ta pyeste për shenjat në mënyrë që të sigurohej a ishte prekur edhe ai. Ndrekës i kishte ardhur rradha.

E ëma e dëgjoi bisedën e tij me infermierin dhe u tmerrua. U ngrit shpejt në këmbë dhe u nis drejt djalit të saj. Ishte vetëm 5 vjeç. Kështu nisi edhe rruga e Ndrekës. Kaloi ajo ditë me dhimbje barku që sa vinin e shtoheshin dhe erdhi momenti i tmerrit kur nisi të nxjerrë gjak. Maria e kuptoi se nuk kishte asnjë shpresë. Infermieri e mori Ndrekën dhe e vendosi në krevatin e improvizuar.

“Doktor a do të vdes unë?”, i tha Azizit. “Jo nuk do të vdesësh” ia ktheu inferimer Azizi. “Atëherë me jep pak bukë e ndonjë ilaç të shërohem”. Azizi i dha pak bukë atë ditë, por Ndreka sa vinte e përkeqësohej. Dha frymën e fundit pas pak ditësh… Maria piskati…

Ditën tjetër në oborr nuk kishte fëmijë. Kishin mbetur veç cinglat e Ndrekës të hedhura shkujdesur diku në qoshen pranë derës. i kishte lënë aty, kur kishte hedhur hapat e fundit me këmbët e tij…

Shënim: Kjo histori është rrëfyer nga gjyshja ime Sofi, e cila ishte e internuar në kampin e Tepelenës ku humbën jetën në kushte ç’njerzore më shumë se 300 fëmijë. Nuk ka statistika të sakta për atë kohë, pasi dosja e Tepelenës është zhdukur. Nuk janë në asnjë regjistër as emrat e atyre fëmijëve.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here