Prokuroria më 1973, “Rreth 100 të burgosurve ju mohohet ndihma mjekësore”

0
180
blank

Raporti i prokurorit të përgjithshëm Dhori Panariti: “Presin nga 8-9 muaj për tu shtruar në spital, edhe pse disa kanë nevojë urgjente për ndërhyrje”.

Të sëmurëve të burgosur në Spaç, Qafë Bari apo Burrel, ju mohohej prej më shumë se 9 muaj ndihma mjekësore.  Kështu dëshmon njëj dokument i prillit 1973. Shumë prej tyre kishin nevojë urgjente për ndërhyrje. Por regjimi komunist nuk kishte reaguar. Këtë fakt të rëndë e gjejmë në një dokument të rëndësishëm zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme, nënshkruar nga prokurori Dhori Panariti, i cili  shpjegon me detaje rast pas rasti të gjithë shkeljet ë ishin breë në dëm të të burgosurve, të cilët edhe pse mbaheshin të izoluar, me kushte të tmerrshme jetese, në punë rraskapitëse ku rrezikonin jetën ccdo ditë në miniera, edhe kur sëmureshin liheshin në mëshirë të fatit.

RELACION
MBI DISA TË DËNUAR QË KANË NEVOJË PË
SHTRIM NË SPITAL

Në Prokurorinë e Përgjithshme janë lutje nga të dënuar që ndodhen në repartet e riedukimit, me të cilat kërkojnë ndërhyrje për t’u shtruar në spital, sipas rekomandimeve që kanë dhënë komisionet mjekësore gjatë vizitave periodike që janë bërë në këto reparte. Gjithashtu një pjesë e të dënuarve ankohen, sepse megjithëqë nuk kanë rekomandim nga komisioni, ndiejnë nevojën e shtrimit në spital si për mjekime ashtu edhe për analiza, konsulta apo për të qenë nën observacionin e mjekëve specialistë. Shumë ankesa të kësaj natyre u janë bërë prokurorëve të rretheve gjatë kontrolleve që kanë ushtruar në repartet e riedukimit si dhe të deleguarve të Prokurorisë së Përgjithshme kur kanë zhvilluar kontrolle në vendet e vuajtjes së dënimit. Vetëm në repartin e riedukimit të Bulqizës janë 34 të dënuar që kanë nevojë të vizitohen tek otorinologu, 23 tek ortopedi, 14 tek okulisti, 16 te dermatologu dhe 9 te psikiatri. Kërkesa të tilla ka edhe në reparte të tjera.
Duke u nisur nga konstatimet që ka vetë Prokuroria e Përgjithshme si dhe nga disa relacione të dërguara nga prokuroritë e rretheve, rezulton se është bërë një punë jo e pakët për t’i dhënë ndihmën mjekësore të dënuarve që kanë pasur nevojë për një gjë të tillë, sipas rekomandimeve nga komisioni. Vetëm për vitin 1972, janë shtruar në spital apo sanatorium 226 të dënuar të ndryshëm.

Një pjesë e këtyre të dënuarve janë shtruar brenda një kohe të shkurtër nga dita e konstatimit të sëmundjes dhe e rekomandimit të komisionit, për rrjedhim të sëmurët janë shëruar plotësisht, është evituar përparimi i sëmundjes dhe koha e qëndrimit të tyre në spital ka qenë më e shkurtër. Në këto çaste edhe qarkullimi i të sëmurëve ka qenë më i madh, duke krijuar mundësi për t’u shtruar në spital më shumë persona. Në repartin e riedukimit të Qytetit Stalin dhe të Borshit, ndonëse kërkesat për shtrim kanë qenë më të pakta në krahasim me repartet e tjera, duhet thënë se janë marrë masa më të mira për dërgimin dhe shtrimin e të sëmurëve në spital. Në disa reparte të tjera si në Ballsh, Bulqizë, Spaç, ky problem nuk është zgjidhur si duhet. Të dhënat nga prokuroritë e rretheve tregojnë, se për personat e dërguar në spital gjatë vitit 1972 janë vërtetuar vonesa të theksuara. Në repartin e Bulqizës, të dënuarit Ismail Halili, Zyhdi Sela, Hiqmet Murati, Bilal Korriku, Hazis Hasani, Spiro Gjuni, Hazis Lushaj etj., janë rekomanduar për shtrim e mjekim që në janar 1972 dhe efektivisht janë shtruar më 22 maj 1972. Në repartin e Spaçit, i dënuari Asllan Shima është shtruar pas 4 muajsh nga dita e rekomandimit të komisionit etj. Duhet theksuar se një pjesë e të sëmurëve vuanin nga sëmundje të rënda dhe infektive ose kanë pasur nevojë për operime të ndryshme dhe pa dyshim koha e gjatë që ka kaluar ka influencuar në keqësimin e gjendjes shëndetësore dhe nga ana tjetër ka vështirësuar shërimin e shpejtë të tyre. Kështu i dënuari Muharrem Mborja, pothuajse prej 1 viti ka kërkuar shtrimin në spital dhe përfundimisht, pasi u shtrua me insistimin e prokurorisë së rrethit Fier, në gjendjen e tanishme mjekët ishin të mendimit se për shkak të avancimit të sëmundjes nuk ka shërim por i duhet prerë këmba, dhe në fakt kështu u veprua.
Aktualisht janë 99 të dënuar që kanë raport nga komisioni mjekësor për t’u shtruar në spital apo në sanatorium, që i përkasin repartit të Ballshit 48 të dënuar, repartit të Spaçit 20, repartit të Fishtës 6, repartit të Borshit 7, repartit të Burrelit 5 dhe repartit të Bulqizës 13 të dënuar. Mjaft nga të sëmurët kanë disa muaj që presin për t’u shtruar. Kështu 48 të dënuarit e repartit të Ballshit janë caktuar që në muajin qershor 1972 për t’u shtruar dhe efektivisht nuk janë shtruar akoma, 15 të dënuarit e repartit të Spaçit janë që nga muaji gusht 1972, 13 të dënuar të repartit të Bulqizës janë që nga muaji qershor 1972 etj. Pra siç shihet, të sëmurët kanë nga 8-9 muaj që presin për t’u shtruar në spital apo sanatorium.
Shkaku kryesor për këtë gjendje është se kapaciteti i spitalit të burgut është i vogël dhe masat që parashikohen të merren nuk e zgjidhin këtë problem definitivisht. Në të njëjtën kohë nuk është ndjekur edhe një kriter i drejtë për shtrimet. Kështu ndërsa të dënuarit e reparteve të Ballshit, Spaçit apo Bulqizës qëndrojnë pa u shtruar në spital që nga muaji qershor e gusht 1972, të dënuar të tjerë nga këto reparte apo nga reparti i Burrelit dhe Borshit ndonëse me sëmundje të njëjta janë rekomanduar dhe shtruar brenda një kohe të shkurtër në muajin dhjetor 1972 ose janar e shkurt 1973. Pra vende në spital janë liruar herë pas here, por këto nuk u janë rezervuar në radhë të parë rekomandimeve më të vjetra, duke përjashtuar natyrisht rastet urgjente. Gjithashtu edhe puna në spital nuk është organizuar si duhet për të mjekuar më shpejt të sëmurët me qëllim që të lirohen sa më parë vendet.
Problem që akoma nuk ka gjetur zgjidhje është edhe çështja e shtrimit në spital të paraburgosurve që dërgohen për ekspertiza sidomos psikiatrike. Në praktikë ka pasur raste që të paraburgosurit kanë qëndruar me 3-4 dhe 5 muaj në dhomat e izolimit në pritje për t’u dërguar në spitalin psikiatrik. Aktualisht janë 25 të paraburgosur që mbahen në hetim vetëm sepse nuk është zhvilluar ekspertiza psikiatrike për mungesë të vendeve në spital.
Jemi të mendimit se është e domosdoshme marrja e masave të tjera për ndryshimin e gjendjes së krijuar si për sa i përket mjekimeve ashtu edhe shtrimeve në spital, të zbatohet më mirë për këtë qëllim, udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë, mbasi aktualisht ky udhëzim nuk po gjen zbatim. Do të ishim të mendimit që mjaft kërkesa të të dënuarve si p.sh. për analiza laboratorike, për radioskopi, për konsulta ose observacione te specialistët, mund të zgjidheshin në marrëveshje me seksionet e shëndetësisë të rretheve ku janë vendosur repartet e riedukimit. Kjo do të evitonte shtrimin e të dënuarve në spitalin e burgut dhe do lehtësonte gjendjen e krijuar për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm të spitalit. Gjithashtu mendojmë se dërgimi i të paraburgosurve për ekspertin psikiatrik mund të organizohej edhe në spitalin e Elbasanit dhe Vlorës ku janë mundësitë teknike për kryerjen e këtij lloj ekspertimi.

Tiranë, më 17.04.1973
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
Dhori Panariti

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here