Rita Marko, ndihmësçiraku këpucar, që nisi shembjen e kishave e xhamive

0
189
blank

Ndër fundit anëtarë të Byrosë Politike kriminale të Partisë së Punës Rita Marko vdiq kur kishte hyrë në vitin e 99 të jetës. Në të tilla raste, propaganda me origjinë nga ajo e vjetra e regjimit komunist, përpiqet të sjellë një trajtim të atillë që të jepet përshtypja se i kaluari në jetë tjetër është “personalitet politik”. Rita Marko i takon brezit të paditurve që morën drejtimin e Shqipërisë pas luftës civile të viteve 1943-1944, të cilët pas krimeve të shumtave, eksperimenteve të njëpasnjëshme, e çuan Shqipërinë në një prej humnerave më të thella. Pikërisht këtë kategori kishte mjaft për zemër Enver Hoxha. Rita ishte modeli i servilizmit dhe shpirtligësisë. Mbante shënime para E.Hoxhës edhe kur ai ishte duke pirë apo ngrënë.

E ç’mund të jetë një shtet që drejtohet nga të paditurit? Për brezin e sotëm kujtohet se është grua, por në fakt është burrë. Me origjinë nga Bestrova e Vlorës, Rita Marko ishte bir i një bariu. Punoi si ndihmës çirak te një këpucar. Ishte me arsim fillor, ndërsa në vitin 1944 shihet si komisar batalioni në brigadën e 4-të. Pas lufte Rita ishte komisar në regjimentin e Delvinës dhe sekretar politik në qytetit ose Rrethit të Korçës. Në vitet 1950 –1951 është ministër i Industrisë. Në vitin 1950 zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Më 1956 – 1990 anëtar i Byrosë Politike. Më 1951 – 1966 sekretar i KQ të PPSH-së. Në funksionin e sekretarit, Rita mbulonte organet e diktaturës, Sigurimin e Shtetit dhe përgjigjej për vendimmarrjen e tij. Rita ka pasur edhe funksione të tjera, ndër të cilët kujtohet se në vitet 1966 – 1970 ishte sekretar i parë i Komitetit të PPSH-së në Rrethin e Durrësit. Pikërisht këtu nisi aksionin e prishjes së kishave dhe xhamive të këtij rrethi, veprim që u pasua në mbarë vendin.

Ndërsa në vitet 1966 – 1976 e 1982 – 1991 ishte nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Rita Marko u arrestua në fund të vitit 1991. U dënua dy herë: një herë në vitin 1994 për shpërdorime dhe në vitin 1996 për gjenocid. Doli nga burgu pas ngjarjeve të vitit 1997. Deri në fund mbeti një stalinist i vendosur.

Kishte tre vëllezër të cilët u bënë oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (sigurim) dhe të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

Tani një copëz arkivore, ku Rita Marko pranon para partisë se është pa kulturë e inferior. Gjatë diskutimit të kandidatëve të Komitetit Qendror, më 3.4.1952, kur po diskutoheshin biografitë e tyre, Rita Marko thotë: “Pas plenumit të 9-të (23 shkurt 1951) u bëra sekretar i KQ. Në fillim u shtypa në vetvete dhe mendova se është një barrë mjaft e rëndë dhe kjo lidhet me sensin e inferioritetit që kam unë dhe që më ka penguar në disa çështje. Kjo vjen edhe nga mungesa e kulturës. Edhe në punë, unë kam mjaft të meta”. /"55"/

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here