Shtypja e Revoltës së Qafë Barit, kush ishin xhelatët e këtij burgu dhe ku u varrosën të pushkatuarit

2
563
blank

Revolta e Qafë Barit pasi u shtyp prej regjimit çoi në dënimin e 12 të burgosurve, dy prej të cilëve me vdekje, pushkatim. Ata kishin përkatësisht 4 dhe 6 vjet që vuanin dënimet.

-Tom Kolë Ndoja, lindur në Kllogjen të Shkodrës, lindur në vitin 1952, arrestuar më 11.3.1978.Gjykata e Rrethit Pukë, me vendimin nr.63, datë 21.11.1978, e deklaroi fajtor në një proces të zhvilluar në Fushë Arrëz për "agjitacion e propagandë e sabotim. Akuzohej se i ishte kundërvënë politikës së partisë në fushën ideologjike të mbrojtjes e për këtë arsye ishte dënuar me 25 vjet burgim.

-Sokol Zef Sokoli, lindur në Tropojë në vitin 1949, arrestuar më 31.12.1980. Pas disa vendimesh të kthyera, me vendimin nr.20, datë 27.3.1981 Gjykata e Rrethit të Tropojës e deklaroi fajtor për akuzën e "tradhtisë ndaj atdheut" dhe dënoi me 15 vjet burgim.

Pasi çështja u rikthye njëherë për gjykim, me vendimin nr.3, datë 3.6.1984 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me veprim në Pukë me kryesues Lili Robon dhe prokuror Skënder Brecën, dha vendimin kundër të pandehurve duke dënuar me vdekje, pushkatim Sokol Zef Sokolin dhe Tom Kolë Ndojën. Të dënuarit e tjerë u dënuan me burgime të zgjatura, përfshi edhe një të dënuar që ishte me paterica.

Vendimi u ekzekutua nga DPB Shkodër në vendin e quajtur antenat në Kuç, më 9.6.1984. Dy ditë më parë, Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi faljen e jetës. Sipas shënimit të datës së ekzekutimit, të dënuarit nuk u qëlluan në kokë si zakonisht, por në gjoks. Kjo sepse pas vrasjes, sytë iu nxorën për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë “për punë shkencore”. Për shumë vite nuk dihej vendi i varrosjes së tyre. Jam ndjerë mirë që gjeta dokumentacionin e vendit të varrimit të tyre si dhe faktin makabër të heqjes së syve pas vdekjes. Eshtrat e tyre u gjetën në vitin 2011, në kohën kur u inventarizuan dokumentet ku ndodhej edhe skema e varrimit, ndër të rrallat e trashëguara në arkivat tona.

Sipas fashikullit të të burgosurit, më 25.5.1984 ka vdekur i dënuari Sandër Zog Sokoli, lindur më 1935 në Dragobi, i arrestuar më 14.3.1979, ish oficer i ushtrisë, dënuar me 12 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Të dënuarit e revoltës tregojnë se ai është vrarë duke u torturuar, ndërsa nëpër dokumente sigurisht ky fakt nuk ekziston.

Në foto skema e varrimit e vitit 1984, si dhe zhvarrimi i eshtrave në vitin 2011

Në kohën ku ndodhi revolta e Qafë Barit ky kamp drejtohej nga komisari i burgut Novruz Naska, komandanti i burgut Riza Musallari, punëtori operativ Miti Kurici dhe komandanti i togës së policies Edmond Caja.

Novruz Naska ishte arsimtar nga Zabërzani i Skraparit. Kishte mbaruar institutin pedagogjik 2-vjeçar për biologji-kimi, por nuk e ushtroi kurrë këtë profesion. Filloi shërbimin në Gardë, e në vitin 1965. Në sistemin e kampeve e burgjeve hyn në vitin 1973 si komisar në kampin nr.315 Fishtë. Naska ishte në 1982-1984 komisar në Qaf Bari. Për t’u shënuar është fakti se në vitet 1984-1991 ai ishte komandant i burgut më të rëndësishëm të Shqipërisë, atij nr.313.

Riza Musallari nga Bicaj i Kukësit, me profesion bujk e 4 klasë fillore vinte nga një karrierë kryesisht në forcat kufirit. Në vitin 1979 hyri në sistemin e kampeve e burgjeve dhe në vitet 1982-1985 ishte komandant i kampit të Qafë Barit.

 

Në foto: Komisari i burgut të Qaf Barit Novruz Naska dhe komandanti i burgut Riza Musallari

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

2 COMMENTS

  1. Kush eshte deshmitarë i torturave, vrasjeve, te bëje padi juridike....që të denohen këta sadiste, për krime karshi njerzimit....
    Eshtë një tjeter shkallë faji, të rrahesh e torturash, të pushkatosh...
    Zdhukja e jetesës nuk falet....
    Të behet padi juridike...

  2. Si ka mundesi qe eshtrat e te gjoreve te zbulohen ne 2011.A nuk ishte PD ajo qe do vendoste drejtesine e mohuar te diktatures komuniste qe kur mori fuqine ne 1992.?Nuk do kete paqe Shqiperia pa u denuar te gjithe kriminelet komuniste dhe mbeshtetesit e tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here