Si mbijetuam në burg me 300 gramë bukë misri/ Dëshmi nga Avni Bejkova

0
163

Vijon dëshmia e Avni Bejkovës, i dënuar në vitin 1946 si pjesë e Ballit Kombëtar, i torturuar në hetuesinë e Ersekës e më pas, i dënuar me burg, në burgun famëkeq të Burrelit, për të përfunduar në internim deri në vitin 1991. Në pjesën e dytë të dëshmisë, ai sjell tablonë danteske të burgut të Burrelit, ku të burgosurit politik liheshin të vdisnin urie, pa ujë dhe pa ilaçe.

Si e ndryshoi vizita e Mehmet Shehut situatën? Çfarë i thanë të burgosurit atij? Pse vendosi Bejkova t’i lutet Enverit për faljen e dënimit?

Dëshmia e plotë:

Nga burgu i Korçës, në vitin 1946, na nisën për në Burrel. Mua më kanë marrë nga spitali i Korçës, se u sëmura. Nga spitali që isha, me temperaturë më nisën për në Burrel. Ne jemi nisur nga burgu i Korçës 107 veta, më 16 tetor të 1946. Na çuan në Burrel. Të nesërmen na bashkuan me shokët, pastaj bënë atë organizimin kush do të rrinte në birucë, kush do të rrinte në dhomë. Mbijetoje me 300 gramë bukë misri. Problem ishte uji, sepse i gjithë burgu kishte vetëm një pus. Mendo ti që ne aty u bëmë 600 veta. 600 veta me një pus, të kesh një lumë aty, edhe nuk të mjafton. Veprim shumë dinak, t'i lëmë pa ushqim, t'i lëmë pa ujë, t'i lëmë të papastruar, në mënyrë që të shuhen.

Mua më vjen nëna pas tre muajsh në Burrel. Gjatë këtyre tre muajve, unë sëmurem rëndë, se i sëmurë vajta, siç të thashë. U sëmura rëndë me temperaturë 39 e gjysëm, gati 40. Ishte një riaktivizim i proçesit në mushkri, edhe vetë i humba shpresat, por edhe shokët që kisha përreth “mbaroi ky”, - thanë. Megjithatë, natyra çfarë nuk bën... erdhi një doktor, ka qenë i ati i Maks Velos, ai gjysëm i internuar ishte. Erdhi më pa: "Keq është", -tha.
E njihte ai, pjesën më të madhe e njihte. Veç urisë që kishin njerzit, uri kronike, torturuese, hipi një morr, një papastërti e jashtëzakonshme. Filloi trajtimi i keq pastaj. I ndaluan ushqimet të burgosurve. Caktuan vetëm një pako në muaj. Një pako 7 kile. Avash-avash njerëzit i humbën ato rezistencat, filluan të dobësoheshin u bënë kockë e lëkurë. Të pangrënë, të palarë, të trajtuar keq. Shpirtërisht në kulm të pikëllimit, të humbjes së shpresës. U katandisën njerëzit që edhe për të lëvizur, mbaheshin pas murit.

Sa zgjati kjo situatë?

Kjo vazhdoi tërë kohën e Koçi Xoxes. Vdiqën ata që ishin më pak rezistentë, edhe sidomos ata në moshë. Pasi ra Koçi Xoxe, erdhi Mehmet Shehu aty me Shefqet Peçin, Kadri Hazbiun, etj, për kontroll gjoja. E gjetën gjendjen e burgut, u tmerruan, biseduan me një pjesë të të burgosurve, gati të gjithë folën hapur me të.
Arritën t’i thoshin që kemi dëgjuar që je trim. Nëqoftëse je trim, ose na jep bukë, ose na vrit. Sidomos një oficer i tyre, i tha: “Gjeneral, më bëhet që këtë jastëkun e kafshoj natën, se e di bukë. Hë more burrë na vrit, je trim apo nuk je trim. Mos na ler të vdesim për bukë”. Ngriti sytë edhe pa Shefqet Peçin. Gjeti kushuririn e parë Mehmet Shehu aty, djalin e tezes. Ai iu ankua për shëndetin, i tha: Po mos kishe qenë ti o Temo, çfarë do më bëje mua? Ty, tha ai, do të kishim vrarë ne, do të dënonim me gjyq, po burg nuk do kishe. Burgu i Burrelit do të prishej, nuk do të kishim burgje ne, nja 4-5 mund të dënoheshin me vdekje, pastaj të tjerët të lirë. Pse, ti kujton se ne do mbushim Shqipërinë plot me burgje. Mirëpo, djalë teze. Pas dy ditësh që iku Mehmeti, vjen telegram nga Tirana dhe buka bëhet një kile. Nga 300 gr, buka bëhet 1 kile. Po se hanin më mileti, se ishin dobësuar aq shumë, sa nuk e hanin dot. Biles, hëngrën ato dy ditët e para, e pastaj u velën edhe nuk hanin dot më.
Erdhi edhe një komision doktorësh, me në krye Ibrahim Dervishin, kolonel i ministrisë së Brendshme. Një kontroll gjithë burgun. Nxorri nja 80 persona të sëmurë që kishin nevojë për kurim në Tiranë. Shkuan në Tiranë ata, nuk u kthye asnjë, të gjithë vdiqën.

Rikthimi në Tiranë dhe lutja ndaj Enverit për faljen e dënimit

Unë mbeta atje, kur bëhen sebep disa shokët e mi këtu në Tiranë, në agjencinë e përkthimeve që kishte krijuar ministria e Brendshme. Më futën dhe mua në atë grup, edhe më sollën në Tiranë. Më sollën në Tiranë edhe u futa në atë repart unë. Ndenja pak kohë aty, isha i sëmurë edhe u shtrova në infermieri. Gjendja shëndetësore u përkeqësua kur një shokut tim, ai ishte me terbekuloz, i vjen e ëma me një lutje, me një shkresë në dorë edhe i thotë: “Firmose, se ka dalë ligji që ata që janë me sëmundje kronike të rënda, lirohen”. Shumica e të burgosurve e bënë, por ai nuk deshi. "Unë t'i bëj lutje Enver Hoxhës për lirim? Në asnjë mënyrë!". Ishte një nga këta katolikët shkodranë, po ishte djalë i mirë shumë. Qau e ëma që i biri nuk pranoi lutjet, i thashë unë, “gabim bën”. “Pse do e bëje ti?”- tha. Po, i thashë, “unë nuk ja kërkoj Enver Hoxhës, ligji ma jep”. “Po ta bësh ti, tha, e bëj dhe unë”. Bëra unë lutjen për atë, bëra dhe për veten. Firmose i them, nuk e firmos tha, e firmosa unë për të dy. Ndërkohë mua më marrin më çojnë në spital në Tiranë, isha i sëmurë me zemër. Shtrohem në spital, lutja kishte kaluar në Gjykatën e Lartë. Kur më thërasin në spital. Më thonë, do dalësh në gjyq për Seit Seron që kë bërë lutje për lirim me kusht. E po thashë, ishalla më lirojnë. Gjykata e lartë kërkon analizë dhe raport mjekësor, edhe më çojnë në komision, më vizitojnë ata. Analizat të bëra në ushtri, edhe mendimi natyrisht i atyre. Më nxjerrin në gjyq mua dhe disa të tjerë që kishin bërë kërkesa për lirim me kusht. Nga të gjithë, liruan vetëm një dibran, një plak dibran. Në gjyq kishte ardhur edhe mamaja ime, kishte ardhur të më shikonte. Ma komunikuan vendimin e gjykatës, ishte një kolonel, një farë Mid'hat Kuçova, kryetar i gjyqit, që Avni Bejkovës nuk i falet. Atëherë u tmerrova unë, se prisja për 6 muaj të dilja. Shkon e shkreta nënë në Gjykatën e Lartë, se e çuan vajzat e atij që u lirua, se ato u gëzuan edhe i thanë ato hajde të çojmë ne. E çuan atje dhe i thanë: “Jo, jo nuk është liruar”.
Më çuan në burg. Kur një ditë, më vijnë e më rrëmbejnë atje, në dispanceri. Më thanë, ti nuk rri urtë këtu, se gjithë ditën e ditës njerëzit rrijnë këtu tek ty. Unë isha i sëmurë edhe vinin njerëzit edhe me muhabet më mbanin, po edhe kujdeseshin për mua. Unë isha shumë sëmurë, në këmbë nuk qëndroja dot. Mblidhen njerëzit aty se ti i bën prapagandë. Më nxjerrin jashtë atje edhe më thonë: U lirove. Aty u ndodh dhe Nevzati, më pyeti: “I biri Zenelit je ti? U lirove”, -tha. “Faleminderit”. –“Po ku do shkosh?” Kisha dëgjuar unë që internonin këta. Në Lushnje i thashë, në Fier, ku të jetë, ku të thoni ju. Jo more jo, në Kolonjë shko shërohu. Qëndrova atë natë tek Riza Butka, ai kishte shkuar në Bejkovë për të bërë pushime tek ne bashkë me fëmijët. Ndenja nja 5-6 ditë për t’u vizituar se isha keq, isha goxha keq. Nga aty, u nisa shkova në Kolonjë.

Kur filloi internimi?

Deri në '68-ën isha në Elbasan. U vendosa njëherë në Tiranë para Elbasanit, po me të marrë vesh sigurimi, më larguan. Më thanë duhet të ikësh nga Tirana brenda ditës, edhe ashtu bëra ika nga Tirana. Ika nga Tirana, pata mundësi që të sistemohesha në Elbasan. Pak kohë zgjati kjo, dhe na lajmëruan: Do shkoni në Dumre. Vajtëm në Dumre deri në 1991-in.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here