Një relike e rrallë, si një dëshmi e vyer nga periudha e errët e regjimit komunist, është ndeshur në tregun e antikuarëve në Tiranë nga studiuesi dhe koleksionisti pasionant Jaho Brahaj, i cili na e dha për ta publikuar në faqen tonë “Kujto.al”.
Kjo është një kartolinë e rrallë, që vjen si një dëshmi e dorës së parë, nga burgu famëkeq i “shtatë penxhereve” në Kalanë e Gjirokastrës. Kartolina është shkruar më 26 nëntor 1949 dhe nënshkruan në fund Simo. Ajo i adresohej bashkëshortes së të burgosurit politik, zonjës Anastasi Prifti, e cila ndodhej asokohe në Përmet.
Ky është teksti i plotë i kartolinës:
Burg Kala
Gjinokastre
26 nëntor 1949
E dashura shorteja t’ime Anastasi të puth sytë
Përmet
Dëshiroj të jinni mirë dhe unë mirë jam. Caci të lutem të vështronç shëndetin se unë jam në merak të më shkruanç ngaherë, sa për të ardhur këtu, juve mos ajdeni më se është dimër. Kur të voliti më dërgoni me të tjerë ose me postë sende që dajkandisin (?). Pra prapë të shkruanj të shikonç shëndetin të fala gjithëve.
Shorti juaj
Simo.
Në të djathtë të kartolinës shënohet:
Zonjës Anastasi Prifti
Përmet
Poshtë pullës me fotografinë e Enver Hoxhës shquhet shënimi “u pa”, çka dëshmon se asnjë letër e asnjë kartolinë nuk u dërgohej familjarëve pa u kontrolluar nga komanda e burgut.
Duke kërkuar për emrin e Simo Priftit në platformën tonë të arkivës online en.kujto.al, gjetëm këtë profil të krijuar sipas të dhënave bazë marrë nga fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist.
“Simo Prifti lindi në Përmet, në vitin 1894. Me vendim nr. 273, datë 9 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake Gjirokastër e deklaroi fajtor për «pjesëmarrje në një organizatë tradhëtare» duke bërë «agjitacion e propagandë» dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë së tij, si dhe humbjen e të drejtës elektorale për 1 vit kohë. Me dekret nr. 962, datë 25 nëntor 1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor iu fal mbetja e dënimit”.
Nuk jemi krejt të sigurt që kjo kartolinë i përket ish-të burgosurit politik Simo Prifti i datëlindjes 1894, ndaj presim të dhëna të reja dhe konfirmim nga të afërm dhe familjarë të tij.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.