Socialistët kërkojnë ndryshimin e ligjit, më shumë kontroll nga kryeministri për ISKK

0
245
blank

Deputetët socialistë po kërkojnë të ndryshojnë ligjin që në 2010-ën krijoi Institutin e Studimit të Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit, duke rritur kontrollin e Kryeministrit mbi anëtarët e këtij institucioni. Sipas drejtorit të ISKK, Agron Tufa, këto ndryshime mbartin teknika tipike të Sigurimit të Shtetit

Dhjetë deputetë socialistë kanë propozuar një projektligj, për të ndaluar studimin e Luftës së Dytë Botërore, si pjesë e periudhës komuniste të vendit dhe njëkohësisht, kanë kërkuar që punonjësit e Institutit të Studimit të Pasojave dhe Krimeve të Komunizmit, ISKK, i krijuar në vitin 2010, të pajisen me një certifikatë sigurie, e cila, zakonisht u kërkohet zyrtarëve që kanë akses në të dhënat sekrete të shtetit.

I pyetur nga BIRN, drejtori i këtij Instituti, ka thënë që këto ndryshime janë “tipike për teknikat e sigurimit”. Sipas tij, ky propozim shpreh mendësinë komuniste që historia shkruhet nga shërbimet sekrete dhe jo historianët. “Ne po trajtohemi si një strukturë shërbimesh sekrete dhe jo si një institucion për studimin e historisë,” i tha Tufa BIRN.

Sipas relacionit që shoqëron projketligjin, studimi i Luftës së Dytë Botërore nuk duhet të studiohet si pjesë e periudhës komuniste, sepse “eliminimi i kundërshtarëve politikë nisi vetëm pas luftës”, çfarë në të vërtetë, nuk përputhet me dokumentet e kohës, që bëjnë fjalë për disa vrasje pa gjyq të kundërshtarëve politikë nga partizanët, gjatë periudhës së Luftës.

Sa i përket kërkesës tjetër të projektligjit për punonjësit e ISKK, thuhet që ata duhet të “jenë persona që gëzojnë besueshmëri” dhe për këtë arsye duhet të plotësojnë edhe “kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.” Për këtë arsye, kërkohet që punonjësit të marrin certifikatë sigurie, një dokument që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, e cila është në varësi të Kryeministrit. Por për Tufën, pas kësaj kërkese, mund të qëndrojë fushata e socialistëve kundër tij, e cila ka nisur muaj më parë në media, duke e cilësuar Tufën “spiun rus”. Deputeti i PS-së Spartak Braho, ish-gjyqtar gjatë regjimit komunist, e akuzoi drejtorin aktual të ISSK-së se po hidhte baltë mbi rezistencën antifashiste, përmes publikimit të librave që pretendojnë për krime lufte të partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas këtyre sulmeve, erdhi kërkesa për ndryshimin e ligjit.

“Normalisht ata mundet thjesht të më shkarkojnë dhe të rrëmbejnë institutin, por tregon mentalitet komunisti dhe teknika të Sigurimit fakti se duan të sugjerojnë se unë nuk do të marr certifikatë sigurie si shkak për shkarkimin tim krahas teorisë së komplotit të spiunit rus” , ka thënë Tufa për BIRN.

Që nga viti i themelimit, ISKK ka botuar një sërë librash që përmbajnë dokumente dhe dëshmi të të persekutuarëve të regjimit komunist.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here