Kujtimet e të mbijetuarve nga kampi i Turanit dhe Tepelenës, ku uria bënte kërdinë mes fëmijëve, pleqve dhe grave që nuk mundeshin t'i ngopnin, edhe pse e hiqnin nga goja racionin e tyre. Ndërsa policët, i shihnin pas gardhit, hanin shalqinj dhe u hidhnin lëkurat pasi ua kishin gërryer tulin
Uria ishte një nga personazhet kryesorë të jetës së të internuarve në kampin e Turanit dhe të Tepelenës. Fëmijët nuk flinin kurrë të ngopur me racionin e bukës dhe fasulet me krimba, të ziera në kazanin e naftës. Aq më pak nënat, që, pasi kishin ngarkuar dru gjithë ditën, e hiqnin nga goja edhe atë racion për t’ua dhënë fëmijëve. Kur shtriheshin për të fjetur, ata nuk kërkonin përralla, por bukë. Por bukë nuk kishte më, dhe nënat u tregonin përralla: “Ja dhe pak. Do dalë nëna të shkojë te furra e bukës”.
Simon Mirakaj, i cili ka kaluar 45 vite në internim, në programin “Studio e hapur” të Eni Vasilit, bisedë që është publikuar më pas në librin “Zëra nga Errësira” të gazetares, botim i UET Press, rrëfen me detaje për këtë shoqëruese të pandarë të viteve të kaluara në Turan dhe Tepelenë. Kampi ishte i rrethuar; të afërmit, sidomos për familjet nga Veriu, e kishin shumë të vështirë të vinin deri në Tepelenë për t’u sjellë ushqime, ndaj nuk mbetej thuajse asnjë mundësi për t’i shpëtuar urisë. Gratë këpusnin ndonjë ìfrut të egër që mund të gjenin rrugës kur ktheheshin të ngarkuara me dru, fëmijët përvidheshin poshtë telave me gjemba për të këputur gjethe e bimë që në kushte të tjera nuk do i hante kush, sepse ishin shumë të hidhura, por mesa duket uria ishte më shumë. Dhe këto fshehurazi. Nëse i kapnin, ndëshkoheshin.
Kështu ndodhi me një djalë 7 vjeç, Zef Mirakaj, që, siç tregon Klora Mirakaj Merlika, motra e tij, në “Zëra nga errësira”, kishte shkuar të shiste një palë tuta që e ëma dhe e gjyshja i kishin bërë me leshin e jastëkëve të sjellë nga Berati, ku kishin qenë të internuar fillimisht. Kishte blerë pak miell me paratë e siguruara dhe po kthehej në kamp, por polici që e kapi, e lidhi 7-vjeçarin pas betonit të çezmës, jashtë gardhit dhe e la aty si dënim. Kur ra nata, zhurma e stërpikave të ujit, e trembte fëmijën që thërriste: “Po më hanë shtrigat”, ndërsa e gjyshja, e ëma dhe e motra, pas gardhit, mundoheshin ta qetësonin. Kështu ndodhi dhe me Eugen Merlikën, siç ka treguar ai në botimin e AIDSSH “Kampi i Tepelenës Dëshmitë e të mbijetuarve”, që vetëm pse gjuajti me guralec një derr, i cili as e ndjeu goditjen, polici e mbylli gjithë natën në bodrum, ku fëmija duhet të qëndronte vetëm në errësirë, me frikën nga “gogoli”, ndërsa gjyshja, jashtë, mundohej ta qetësonte duke i thënë që nuk kishte gogol. Por nuk ishte koha dhe vendi i duhur për të shfuqizuar legjendat që të rriturit u tregojnë fëmijëve për t’i trembur. Ndoshta në librat e historisë nuk mund të shkruhet për shtriga dhe gogolë, por askush nuk mund të thotë që ata nuk i kanë torturuar fëmijët në kampin e Tepelenës.
Për ta thjeshtuar: nga një anë ishte uria dhe nganjë anë ishin policët. Fëmijët nuk kishin nga të shkonin. Sigurisht të gjithë do mendonin se duhej të zgjidhnin si drejtim policët. Ata ishin njerëz dhe çdo njeri përballë një fëmije të uritur, nuk rri duarkryq, por siç dëshmojnë të mbijetuarit, disa nuk ishin të tillë. Simon Mirakaj, tregon për gazetaren Eni Vasili në “Zëra nga errësira” që një nga situatat me të cilën përballeshin në kampin e Tepelenës, edhe më e paimagjinueshme sesa kazani me lëngun e zi, ishte bahçja e policëve matanë gardhit me gjemba. Ajo ishte e mbushur në çdo kohë me prodhimet e stinës, lakra e presh në dimër, domate, speca, shalqinj e pjepra në verë. Mirëpo policët nuk u jepnin asgjë fëmijëve, që, pamja e frutave të pjekura ua kthente në torturë, urinë e pashuar. Ata prisnin këndej gardhit, të paktën për ndonjë lëkurë shalqiri, por edhe ato, policët i gërryenin sa i bënin të tejdukshme para se t’ua flaknin sikur ua hidhnin qenve. E megjithatë, tregon Simoni, sërish fëmijët shtyheshin e kacafyteshin, duke dërrmuar turinjtë përdhe, për t’i kapur.
Kampet ku do të shkonin më vonë nuk krahasoheshin me Turanin dhe Tepelenën për vuajtjen që u ka shkaktuar uria. Në kampet e Lushnjës, të rriturit mund të punonin e të paguheshin. Madje dhe të vegjlit punonin për t'u lehtësuar barrën më të rriturve dhe për të siguruar pak ushqim. Ishte një ndryshim i vogël dhe i arritur me mundime tejet të mëdha, por për fëmijët dhe gratë që kanë përjetuar Tepelenën, ishte shumë. Sigurisht, pas asaj që i nxorën gjallë ata fëmijë që andej.
Simoni kujton që, ditën kur u thanë që do të shpërnguleshin nga kampi, e përjetuan si festë dhe vendi ku mësynë për të festuar ishte pikërisht bahçja e policëve. Kaluan telat dhe shkuan të hanin lakra. I hanin si të ishin bakllava. Këputën dhe morën dhe me vete.
Duhet të ketë qenë dimër, përderisa në bahçe kishte presh dhe lakra. Në një realitet normal, fëmijët hanin vërtet bakllava.
Nga A.Çano/ en.kujto.al
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.