Telemak Dilo: Torturat e tmerrshme që më bëri hetuesi Skënder Konica

1
277
blank

Ditai i Telemak Dilos/ Dhjetor 1946, rrëfimet për periudhën e vështirë të hetuesisë, llojet e torturave të paimagjinueshme që ushtruan gjatë marrjes së tij në pyetje…

"Jemi në vitin 1946, natën vonë arrestohem nga Sigurimi i Shtetit, për veprimtari të ashtuquajtura armiqësore kundra shtetit.

Ndodhem në hetuesi, në një birucë të vogël, një metër gjerësi dhe një metër e gjysmë gjatësi. Jam vetëm. Hetuesi, natën, filloi të më marrë në pyetje, për çudi kërkonte nga unë të tregoja aktivitetin tim armiqë- sor kundra shtetit. Pasi nuk kisha se ç’të thoja, më kërcënoi. Të bëjmë ne të flasësh. Shko mendohu. Të nesërmen vonë në darkë më thërrasin në pyetje: Fjala e parë: U mendove? Ç’ke për të thënë? Përgjigja, asgjë.

Pyetjet: Çfarë bisedon me shokët? Kërkonte me çdo kusht të akuzoja shokët. Filluan torturat; shputat pa numërim në fytyrë, grushte dhe shqelma këmbëve. Pasi më bënë fërtele, më thanë në fund: Shko mendohu, nesër në darkë do të shihemi prapë. Roja më dërgoi në birucë me urdhër të hetuesit, më lidhën duart me hekura, më hoqën rrobat e fjetjes, pa bukë e pa ujë. Të nesërmen në darkë vjen hetuesi dhe vazhdon pyetjet e zakonshme, shoqëruar me torturat çnjerëzore, duke më shkelur duart e lidhura me hekura, shputa, grushte fytyrës duke më thyer edhe dhëmbët, goditje me takën e këpucës, dërrmim i gishtave të këmbëve.

Kur më kthenin në birucë, pas atyre torturave, çfarë të qahesha më parë; dhimbjet e trupit nga torturat, të ftohtit, uria, etja apo pagjumësia? Kjo lloj torture vazhdoi për shtatë ditë e net, nuk munda të rezistoj më gjatë se isha katandisur kockë e lëkurë e nuk mund të qëndroja më në këmbë, më ra të fikët. Hetuesi, duke parë gjendjen time, vendosi të ndërpriste torturën dhe dha urdhër të më jepej ushqimi, veshmbathja dhe dysheku.

Tani që po i kujtoj ato net në atë birucë, më rrëqethet mishi. Më kujtohet kur më dhanë ushqimin, nuk isha në gjendje të përtypja bukën për arsye se ishin konsumuar lëngjet e trupit e sidomos pështyma ishte tharë. Isha i detyruar ta përcillja ushqimin me ujë. Dhjetor 1946, pasi kisha kaluar ato tortura të tmerrshme, vjen roja natën vonë në birucë, më lidh duart me hekura dhe më çon lart në pyetje. Për çudi, nuk ishte hetuesi im, ishte hetues Skënder Konica me suitën e tij.

Më uli në karrige, këmbëzbathur, më lidhi duart me tela nga telefoni (korrenti). Më mori në pyetje personalisht. Kishin arrestuar Irine Banushin, siç duket Skënder Konica ishte hetuesi i tij, e meqë nuk kishin fakte për të, kërkonin nga unë fakte për ta dënuar. Pyetje: Kërkonin deklaratë akuzë. Çfarë bisedonte Irineu me babain tim, avokat Vasil Dilon dhe për nipin e tij Gabriel Meksi, meqë ishin anëtarë të këshillit të kishës autoqefale ortodokse.

Deri në këtë pikë mbërrinte poshtërsia e këtij hetuesi kriminel, që i biri të akuzonte babanë e kushëririn e tij. Hetuesi Skënder Konica i filloi vetë torturat duke përdorur korrent, shqelma këmbëve, grushte fytyrës. Kjo lloj torture vazhdoi me egërsi me orë të tëra, më binte të fikët, më lagnin me ujë, më sillnin në vete, vazhdonin përsëri. Skënder Konica ishte i vendosur të më merrte me çdo kusht një deklaratë. Nuk kisha rrugëdalje, duhej thënë diçka patjetër për Irineun, torturat vazhdonin pa pushim. Më së fundi u detyrova të bëj deklaratë se Irineu kishte thënë: “Dhespotët midis tyre janë vëllezër nga Krishti”.

Bëhej fjalë për Dhespot Kotokën… Kërkoj që ky hetues kriminel, Skënder Konica, të arrestohet si kriminel dhe do të pranoja me gjithë qejf që të asistoja në hetuesi.

 

blank31 DHJETOR 1946, IKJA NGA BIRUCA E VDEKJES

Vjen hetuesi në birucë: Nxirri teshat jashtë! U tremba, nuk më bënin duart të nxirrja dyshekun, kujtova se po fillonin përsëri. Më mirë do ta prisja vdekjen dhe po të kishte mundësi do të kryeja vetëvrasje se sa të kaloja përsëri ato tortura aq çnjerëzore të papara dhe të palexuara në histori, dhe tani që po i kujtoj, më dridhet trupi. Ky ishte një transferim nga biruca në korridor.

Në birucën e vdekjes ku isha unë, futën një të burgosur minoritar nga Dropulli, Jani Jorgjiun, i cili nuk mundi t’i rezistonte torturës çnjerë- zore. Ditën e katërt, rojet e gjetën të vdekur në birucë. Mbas tij erdhi Llambi Llambiri, i arrestuar në Tiranë, nxënës i shkollës së Fullcit. Hetuesi i tij i bëri të njëjtat tortura, nuk i duroi dot ato tortura të tmerrshme kriminale, vendosi të vrasë vetën me varje në birucë. Llambin e shpëtoi një e burgosur tjetër, e quajtur Liri Prifti, e cila flinte në korridor. Ajo e ndjeu zhurmën në birucë (ishte Llambi që përpëlitej), lajmëroi rojën dhe e shpëtuan…

(Rrëfimi është shkëputur nga “Ditari i Telemak Dilos” publikuar nga e bija Greta Dilo)

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here