Toger Ademi, vrasësi i 17-vjeçarit në Spaç

0
918
blank

“…deri natën vonë, nuk pushuan rënkimet e tij… e dëgjonim mirë se ishte afër kapanonit tonë….më në fund, nuk u dëgjua më... e gjetëm të vdekur në shtyllë. Kishte ngrirë i gjithi nga të ftohtit, me urdhër të toger Ademit. Vonë, në vitin 1998, e takova rastësisht toger Ademin në Tiranë. Filloi të justifikohej se gjoja ashtu ishte sistemi, ashtu ishte koha…”

Quhej Pal, ishte 17 vjeç, ende i parritur, i verdhë e shëndetlig. Çdo ditë, hynte e dilte në galeritë e minierës, në ato shpate të thepisura në Spaç. Në vitin 1968, ishte dënuar me burg politik, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Ishte në burgun e sigurisë së lartë në Spaç, ku ngujoheshin për të vuajtur si skllevër, burra e djem të familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Në kampin e Spaçit, të burgosurit punonin në minierë, ku nxirrnin bakër e pirit. Si gjithë të tjerët, edhe Palit i duhej çdo ditë të realizonte normën e caktuar. Por një ditë u sëmur rëndë dhe e kishte të pamundur të realizonte normën. Ky ishte çasti kur u përball me toger Ademin.

Toger Ademi ishte një ndër drejtuesit më të rreptë të kampit. Toger Ademi ishte në kulmin e karrierës së tij për asgjësimin e  “armikut të klasës”. Ishte ndër qeniet më të frikshme të kampeve të diktaturës, me të cilin patën fatin e keq të përballeshin shumë të rinj, burra e pleq të pafajshëm, nëpër burgjet komuniste. Pali do ta kishte edhe përballjen e fundit, betejën e fundit në këtë botë. Ndërsa toger Ademi do t'i ngjiste shkallët e karrierës, për të vazhduar madje edhe pas rënies së diktaturës komuniste. Në vitin 1998, tetë vite pas rënies së diktaturës, supozohet në demokraci, Toger Ademi ishte sërish zyrtar në ministrinë e Brendshme.

Ditën e fundit të 17-vjeçarit nga Mirdita, por edhe takimin me vrasësin e tij pas shumë vitesh, e ka rrëfyer Reshat Kripa, në librin “Zërat e kujtesës”.

Rrëfim për ditën e fundit

Aty pamë një djalë nga Mirdita, që nuk ishte më shumë se 17 vjeç, i cili po dridhej se ishte sëmurë. Pal quhej. Erdhi toger Ademi dhe iu drejtua me barbarizëm: “Pse nuk e realizove normën?” “Isha sëmurë, zoti toger!” iu përgjigj Pali. Ai e kapi zvarrë, e hoqi që aty, e futi në një vend izolimi, e urdhëroi që mos t’i çohej fare as ushqim. Një shoku i tij mori atë racionin e ushqimit, gjeti një rast dhe vajti e ia çoi Palit në birucë. Kur po hante, erdhi toger Ademi dhe e zuri me bukë në dorë. E pyeti se kush ia kishte dhënë dhe Pali nuk tregoi. Atëherë ai urdhëroi që ta lidhnin në një shtyllë telefoni. Që nga ai çast e deri natën vonë, nuk pushuan rënkimet e tij. Ne e dëgjonim mirë se ishte afër kapanonit tonë. Më në fund, nuk u dëgjua më. Kur u ngritëm në mëngjes, e gjetëm të vdekur në shtyllë. Kishte ngrirë i gjithi nga të ftohtit, me urdhër të toger Ademit. Vonë, në vitin 1998 e takova rastësisht toger Ademin në Tiranë. Filloi të justifikohej se gjoja ashtu ishte sistemi, ashtu ishte koha dhe nuk ishte faji i tij. Mua m’u ngritën nervat, sepse më dilnin parasysh pikërisht këto skena. Kur erdha në vete nga tronditja, toger Ademi ishte zhdukur, kishte ikur. Dhe në kohën kur unë e takova, ky njeri, për çudi, punonte akoma në Ministri të Brendshme, si drejtor Drejtorie”.

Citimet janë marrë nga “Zërat e kujtesës”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ISKK, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here