Ushtari Bari Koçi, për 15 ditë leje, vrau babain e shtatë fëmijëve

0
1555
blank

Ushtari vigjilent që vrau në galerinë numër 15/1, të burgosurin “armik”  Rexhep Goçi, u shpërblye me 15 ditë leje dhe dekoratë nga regjimi  

Ishte mëngjesi i 16 nëntorit të vitit 1982. Ushtar Bari Koçi ishte vendosur në pozicionin e përditshëm në vendrojen numër 14, në kufi me telat me gjemba të burgut të Spaçit. Përballë tij, ishte galeria numër 15/1, atje ku të burgosurit kalonin gjithë ditën duke nxjerrë pirit.

Ushtari Bari Koçi ishte në vitin e dytë të shërbimit në kampin e Spaçit dhe ishte ndër më “vigjilentët". Atë ditë po vrojtonte më vëmendje çdo lëvizje të të burgosurve, kur papritur drejtoi automatikun dhë lëshoi një breshëri drejt hyrjes së galerisë numër 15/1. Shenjestra ishte 45-vjeçari nga Tropoja, Rexhep Uk Goçi, babai i shtatë fëmijëve.

Rexhepi ishte zhvendosur atë ditë në këtë galeri dhe ishte caktuar të mblidhte disa trupa betoni për t'i transportuar brenda galerisë. Trupat e betonit gjendeshin në kufi të disa tabelave në formë trekëndëshi, përtej të cilave i dënuari nuk duhet të kalonte dhe as të afrohej. Rexhepi ishte në atë çast pak metra larg njërës prej tabelave dhe po ngarkonte trupat e betonit për t’u futur në galeri. Pikërisht në atë çast, ushtar Bari Koçi lëshoi breshërinë e automatikut në trupin e tij.

Çastet e fundit

Momentet e fundit të Rexhep Goçit i ka rrëfyer shoku i tij i burgut Bedri Blloshmi, në librin “Plumba në ferr”. “U dëgjua ulërima e mitralozit, ne shtangëm të gjithë sa ishim nga frika. Sapo u dëgjua zhurma e vdekjes, polici i drejtohet duke i thirrur ushtarit: “Ç’bëre more, ndalo zjarrin, mos qëllo”. Rexhepi kishte rënë brinjazi me trupin e betonit 70-80 kilogramësh në prehër dhe me një zë gati në fikje foli: “Ç’më bëre more ushtar, më vrave, m’i le fëmijët rrugëve, kam një qerre me fëmijë. Oh Zot, pse, pse kështu me mua, mirë që s’më liruat, po pse më vratë? Ti e shef sa larg tabelës jam. Ah, fëmijët e mij mbetën jetimë”. Gjaku dalëngadalë po skuqte rrobat e pista nga piriti, ai vari kokën mënjanë dhe nuk u ndie më. Polici qëndronte në këmbë, pranë kufomës duke na ulëritur neve: “Futuni brenda, futuni brenda! Asnjë jashtë!”

Për tetë orë rresht, ulur në cepin e galerisë e pa folur asnjë fjalë me njëri–tjetrin, mendonim për atë që i ndodhi Rexhepit, rrinim si të mpirë, të ndriçuar nga flaka e verdhë e llambës së karbitit. Mbas disa orësh, mbërriti prokuroria e Rrëshenit për të bërë formalitetet e për t'a lejuar komandën të bënte groposjen e radhës, në një kodër që e ka emrin Shpal, gjithmonë aty ku e prisnin shokët, të vrarë e groposur më parë”, shkruan Bedri Blloshmi.

Dekorata mbi gjak

Ushtar Bari Koçi, kishte goditur në shenjestër dhe tamam për këtë ai do të merrte menjëherë 15 ditë leje dhe më pas dekoratë, por edhe të drejtën për t'u veshur polic në atë burg. Sepse rregullat e regjimit komunist ishin të tilla, që në qoftë se ushtari vriste një “armik” (të burgosur politik), shpërblimi i parë ishte pesëmbëdhjetë ditë leje dhe patjetër dhe një dekoratë dhe kur do mbaronte ushtrinë, komanda i vishte policë po në kamp. Kështu i fitoi 15 ditët e lejes dhe më pas dekoratën ushtar Bariu, me gjakun e Rexhep Goçit, i cili la pas shtatë fëmijet e tij jetim, Perlatin, Esatin, Luanin dhe motrat Sadete, Valdete, Valbona dhe Servete.

Rexhepi mund të ishte liruar ato ditë sepse regjimi mori vendimin për faljen e një numri të konsiderueshëm të burgosurish. Por Rexhepi nuk e përfitoi faljen sepse në bazë të përllogaritjes, kishte 11 ditë më shumë burg nga kufiri i viteve të dënimit, brenda të cilit përfitonin falje të burgosurit. Për 11 ditë, Rexhepi nuk mundi ta kalojë ferrin komunist, për të mbetur aty në rrethinat e burgut deri në vitin 1990, kur fëmijet e tij shkuan dhe  kërkuan eshtrat për t'i kthyer të prehen në vendin e lindjes në Tropojë./en.kujto.al

Shënim: Historia është marrë nga libri "Plumba në ferr", Autori: Bedri Blloshmi, Botues: Mirgeeralb

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here