Elena, vajza që la Parisin për dashurinë, por përfundoi në kampet e diktaturës

0
971
blank

Elena Beça, vajza që la Parisin për të jetuar në Tiranën e kohës së diktaturës. Përballja me regjimin e egër, burgu i bashkëshortit dhe internimi në Tepelenë bashkë me vajzën e mitur.

Kur vendosi të ndiqte dashurinë, duke lënë Francën për të ardhur në Tiranën e viteve '40-'50, Elena as që e kishte menduar se shpejt do të përballej me telat e ashpër me gjemba të diktaturës komuniste. Në fillim të viteve '40, Elena Beça kishte lënë Francën, atje ku ishte rritur e shkolluar, për t'u vendosur përfundimisht në Tiranë. Elena ishte shtetase franceze, por kishte zgjedhur Tiranën për shkak të dashurisë me Nikolla Beçën, me të cilin ishin njohur në Francë, ku Nikolla Beça studionte për jurisprudencë.

Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar së fundmi dokumente që dëshmojnë kalvarin e Elenës bashkë me vajzën, nëpër kampet e internimit në Tepelenë e Kamëz, gjatë kohës kur bashkëshorti i saj ishte dënuar me burg nga regjimi komunist, si “armik i popullit”.

Çiftin e ri dhe vajzën e tyre të vogël, i gjeti komunizmi të distancuar plotësisht nga politika. Pavarësisht se ishte djali i Andon Beçës, ish-ministri i qeverisë së vitit 1943, Nikolla nuk u përfshi kurrë me politikë. Ai ishte angazhuar me aktivitet tregtar dhe nuk kishte asnjë lidhje me politikën. E megjithatë regjimi do ta ndëshkonte Nikolla Beçën, duke e lidhur me të atin Andon Beça, dhe karrierën e spikatur të këtij të fundit në gjysmën e parë të shekullit të shkuar. Nikolla Beça u dënua me 10 vjet burg me grupin e deputetëve, bashkë me Musine Kokalarin. Kështu nisi rrugëtimi i vuajtjeve të mëdha për bashkëshorten e tij Elenën dhe vajzën e tyre të vogël.

Të dhënat nga arkivat

“Pas arrestimit të Nikollës më 26.1.1946 dhe dënimit të tij me 10 vjet burgim, në procesin e opozitës së parë me Sami Çeribashin, Qenan Dibrën, Musine Kokalarin, etj, pavarësisht se nuk i dilte asnjë implikim apo lidhje politike, Elena jetoi në varfëri së bashku me vajzën e saj të vogël. Sikur të mos dilte kjo, ajo u internua më 6.6.1952, besohet në kampin e Tepelenës (dyshimi nga mungesa e informacionit të plotë dhe ngaqë ishte me fëmijë të vogël). Në njoftimin e datës 1.10.1953 të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Kampin nr.5 Kamëz dhe Kampin nr.6 Tepelenë, në krye të listës së personave që liroheshin është emri i saj. Të dhënat e mëpasme mungojnë”, shkruan studiuesi Kastriot Dervishi.

Shënim: Të dhënat për historinë e Elena Beçës janë marrë nga artikulli i botuar nga studiuesi Kastriot Dervishi, në gazetën “55”.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here