Letërkëmbimi ku zbardhet revolta e të rinjve nga fshatrat e Lezhës, për mobilizimin me dhunë si vullnetarë në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi…
Pas urdhrit të Koçi Xoxës, në 20 maj 1946, për të mobilizuar në masë të rinjtë e fshtrave dhe qyteteve si vullnetarë në ndërtimin e rrugës Kukës–Peshkopi, disa zyra partiake në rrethe e kishin marrë mesazhin e dhunës, pra të mobilizimit me dhunë. Rasti flagrant kishte ndodhur në disa fshtara të Lezhës, ku një drejtues policie kishte mobilizuar me dhunë 50 të rinj nga këto fshatra, të cilët po çoheshin në këtë aksion si vullnetar, por me forcë. Të rinjtë e këtyre fshatrave e kishin gjetur forcën për ta kundërshtuar këtë akt, duke u justifikuar se s’mund të shkonin në aksion si vullnetar me përdhunë, pasi kishin shumë punë në fshat për të bërë si korrje, prashitje, të mbjella etj.
Revolta e tyre kishte shkuar deri në zyrat e larta të Partisë në Tiranë dhe në Ministrinë e Brendshme dhe ishte kthyer në problem. Letërkëmbimi mes krerëve partiakë lokalë dhe në kryeqytet zbulon se kjo fushatë mobilizimi me dhunë ishte ndërprerë dhe se të rinjtë që kundërshtuan, nuk i kishin mobilizuar si vullnetarë.
Letërkëmbimi dëshmon se aksionet që quheshin vullnetare, në vitet e para të regjimit komunist, më shumë i ngjanin mobilizimit me detyrim.
Kujto.al e sjell të plotë letërkëmbimin, ku zbardhet revolta e të rinjve nga fshatrat e Lezhës për mobilizimin me dhunë si vullnetarë në ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi.
Dokumenti i parë:
Vdekje fashizmit
Liri Popullit
Ministrisë P.Brendshme
Tiranë
Na të nënshkruemit Rinija e katundeve Shinkoll, Gajush, Gryk e Lumit dhe Tale të N/prefekturës Lezhës kemi nderin t’ju paraqesim lutjen sa ma poshtë vijon:
Me datën 7/VI/1946, ditën e premte, jemi lajmërue se me datën 8/VI1946 ditën e Shtund n’ora 5 mbasdite të prezantohemi për në Shtëpinë e Rinisë së N/Prefekturës Lezhës, komunikim ky, që na asht bamë sikur të jemi të mobilizuare për punë vullnetare Kukës-Peshkopi.
Me qenë se neve jemi në kohën e bujqësisë dhe në të cilën kohë korrim gjithë frytin e punës së dimnit, të cilat gja memsi ja kemi arrijtur, sot kërkohemi me insistim që të shkojmë vullnetarisht për në rrugën Kukës-Peshkopi, fakti asht se neve dëshirojmë për të shkuar me punuar vullnetarisht por arsyeja asht se tash jemi në prakun e korrjes së grunave dhe të prashitjes së misrave, kështu që nuk mundemi për me shkue vullnetarë me punuarë, siç na thotë Drejtori i Policisë së Lezhës.
Me qenë se, nga personat të cilët ishin të ngeshëm për punë vullnetare këta u shënuen në kryesinë e frontit të katundit dhe janë gati të nisen kurdo që të kërkohen.
Pra me qenë se neve jemi të angazhuar shumë me punë në bujqësi gja që asht edhe në dobi të shtetit, të cilës i ka dhanë rëndësinë më të madhe në lamën ekonomike për këto arsyena dhe për tjera në rast se do na jepet leja për me i thanë të përjashtohemi nga puna vullnetare; por gjithmonë në raste se asht me pa dashje, urdhnave të shtetit duhet t’i bindemi, por fakti asht se vetëm ndër katundet tona ka ndodhun nji gja e tillë veç vendeve të tjera, mbasi andej kanë marrë vetëm ata që kanë dëshiruar të shkojnë vullnetarë, kurse në vendet tona duan të na marrin me insistim dhe në mënyrë të detyrueshme. Prandaj lutemi asaj Ministrije që të ketë mirësinë dhe të urdhnojnë ku duhet dhe sidomos të ndërhyjnë pranë Drejtorisë Policisë së Lezhës që të mos na marrin përdhunisht, mbasi po të na mobilizojnë do të na shkaktojnë humbjen e të gjithë punës që kemi se në korrjen e të lashtave, në prashitjen e misrit si dhe kositjen e barit, mbasi nuk ka se kush t’I kryejë këto punë.
Gjithashtu tashti siç dihet prej të gjithëve se pjesa më e madhe e tokave asht pa punaur për misër gja e cila duhet t’I vihet parmenda ose plugu s ama parë.
Me shpresë se lutja e jonë ka me u marrë parasysh.
Me nderime
Rinija e katundeve:
Shinkollë, gajush, Gryk e Lumit dhe Tale.
Nënshkrue prej përgjegjsave të Rinisë bregut mates:
Maliq Sokol Djala
Mark Nikoll Sakoli
Kol Ndue Ujka
Tiranë, me 8/VI/1946
Dokumenti i dytë:
Radiogram Nr.859/33
Datë 14 qershor 946
Spiro Panos
Shkodër
Rinija e Katundeve Shinkoll, Gajush, Gryk e Lumit dhe Tale të n/prefekturës Lezhës, me nëj lutje të firmueme nga Maliq Sakol Djala, Mark Nikoll Sakoli, Kolë Ndue Ujka, i drejtohen Ministrisë Mbrendshme, se rinija e atjeshme po merret përdhunisht për në rrugën PESHKOPI – KUKES, stop. Ata shtojnë se asht nevoja e korrjes dhe e mbjelljes dhe nga ana tjetër theksojmë ndërhyrjen që ka bamë policija e Lezhës në mobilizimin e tyne stop. Hetoni shpejt dhe mirë se si qëndron çështja dhe përgjigjuni urgjentisht. Stop.
Gogo Nushi.
Dokumenti i tretë:
Radjogram
Nr.379/
Nr. Prot.859/37
Mbërriti 16/6/946
15 qershor 1946
Koçi Xoxes
Gjegje e telit t’uaj Nr.859/33 datë 14 Qershor 1946. Çështja është e vërtetë por e kemi marrë vesh që kur ndodhi kjo dhe ndërhym menjëherë, kështuqë veprimi u anullua. Nga të afro 50 të rinj të shkruar, mbas ndërhyrjes sonë vetëm 10 shkuan vullnetarisht kurse të tjerët u kthyen se kishin të korrura. E kanë bërë këtë punë dy shokë të rinj. Ne ia theksuam Leces gabimin, i treguam rrjedhimet e imponimit dhe e ndaluam kryekëput ndërhyrjen e policisë në çështje që nuk i përkasin.
Spiro Pano
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.