Rreth 100 të rinj janë vrarë në kufi nga komunsitët në fundin e diktaturës, shumica e të cilëve ishin adoleshentë
Fotografia që shfaqet më lart, është e një të riu 16-vjeçar i vrarë në kufi, në vitin 1990. Foto është marrë në arkivën e ministrisë së brndëshme por nuk shoqërohet me emrin e viktimës.
Komunizmi ka funksionuar në Shqipëri deri në vitet ‘90, ku shërbimi sekret i drejtuar prej tij ka eliminuar afro 100 të rinj në pika të ndryshme kufitare të vendit, teksa tentonin të kalonin kufirin. Ndryshimi i ligjit për kalimin e paligjshëm të kufirit më 8 maj 1990 nga ish-presidenti Ramiz Alia, duket se ka qenë një farsë, pasi urdhri i vërtetë përtej këtij ndryshimi ka qenë eliminimi, për çdo person që do të shkelte kufirin. Foto të vrasjeve makabre, që janë marrë nga arkivat sekrete, shihen në albumin e prezantuar dje nga Muzeu Historik Kombëtar “Terrori komunist në Shqipëri”, përgatitur nga Enver Kushi dhe Fatmir Boshnjaku. Çdo vrasje është e dokumentuar me kronologjinë e ngjarjes dhe fotot e personit të vrarë. “Fotot e vrasjeve në kufi në vitin 1990 botohen për herë të parë. Në maj të vitit 1990, doli një dekret i firmosur nga Ramiz Alia ku thuhej se arratisja dhe kalimi i kufirit nuk quheshin më tradhti e nuk mund të vriteshin ata që kalonin kufirin. Rinia shqiptare e gënjyer nga ky dekret filloi në masë të kalonte kufirin”, thotë Enver Kushi. Sipas tij, mosha e të rinjve të vrarë është nga 18-32 vjeç. “Sigurimi i shtetit dokumentonte çdo gjë. Përkrah informacioneve janë dhe fotot. Janë fotot më tronditëse që unë kam parë në arkiv. Këto foto flasin sa për dhjetëra libra, sa për dhjetëra tragjedi. Janë mbi 100 të vrarë. Janë arratisur nga Jugu e sidomos nga Mali i Zi”, thotë Kushi. Përveç vrasjeve në kufi, ky album kërkon të tregojë dramën shqiptare nga viti 1948-1990. Sipas Kushit, një tjetër dokument që botohet për herë të parë është edhe një letër e Edip Tërshanit dërguar Enver Hoxhës, një njeri i cili merr guximin dhe i shkruan udhëheqësit komunist se ka shkelur idealet dhe parimet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në album janë dhe letra nga të burgosur politikë të viteve ‘50 ku shprehin revoltën. Historia e Shërbimit Sekret Shqiptar paraqet një pamje mjaft të rëndë për periudhën e sundimit komunist në Shqipëri. Nga të dhënat jo të plota të arkivit të Ministrisë së Brendshme rezulton se gjatë këtij regjimi u vranë 5157 njerëz dhe vdiqën në burgje 9052 vetë, u burgosën si të dënuar politikë 17.900 njerëz, u internuan me motive politike 30.383 të tjerë. Nga viti 1945-1988 nga Shqipëria janë arratisur 11,800 vetë. Për motive politike u dënuan me burgime, punë të detyruar dhe me konfiskim të pasurisë 19.250 persona. Në burgjet shqiptare, në kampet me punë të detyruar dhe internimi kanë vuajtur për motive politike edhe shtetas italianë, grekë, jugosllavë, gjermanë, austriakë, polakë, rusë, etj. Shqipëria kishte rreth 40 burgje të mbyllura dhe mbi 50 kampe me punë të detyruar me të dënuar për motive politike. Në këto burgje dhe kampe me punë të detyruar kanë gjetur vdekjen 980 të dënuar politikë dhe 380 persona kanë pësuar trauma psikike. Nga nëntori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1991 u ekzekutuan 450 gra.
Simon Stefani
(Diskutim në takimin me shokët zv/ministra dhe të komandës së kufirit më 19 mars 1990)
Thamë se janë rritur tendencat për arratisje e në disa zona për këto flitet hapët. Këtë situatë nuk duhet ta lejojmë, prandaj ligjet që kemi duhet t’i zbatojmë. Nëse në ndonjë rast është bërë politikë në interes të atdheut e të personit të gënjyer e të çoroditur nga ideologjia borgjeze, kjo nuk do të thotë se do të bëhet vijë. Ata që do të kalojnë në rrugë të fshehtë, të kalojnë kufirin, do të dënohen në bazë të ligjit dhe nëse nuk do t’u binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të jetë dhe kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion.
Disa çështje të tjera që edhe mund të lidhen me problemin e mësipërm.
Është e vërtetë që tendenca e arratisjes ka qenë dhe është e mprehtë. Organet tona për këtë tendencë kryejnë një volum të madh pune, në ndjekjen e tyre harxhojnë mjaft kohë, forca, mjete dhe para. Për këtë tendencë nga viti 1984 e deri tani, janë ndjekur afro 2 mijë vetë, janë arrestuar 398 persona, janë këshilluar e demaskuar 11000 persona të tjerë nga organet e Partisë, të pushtetit dhe degët e punëve të brendshme. Me gjithë këto masa nga viti 1984 deri në 6-mujorin e parë të vitit 1988 mundën të realizojnë arratisjen jashtë shtetit 354 persona. Veç këtyre u kapën me tentativë për t’u arratisur në zonat kufitare 495 vetë. Që nga çlirimi e deri në vitin e fundit janë arratisur në moshë madhore nga Shqipëria 11.800 vetë.
Ministri i Punëve të Brendshme
Hekuran Isai
ERSEKA
-Më darë 2.2.1990, rreth orës 24:00, njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje të tre shkelësve kufiri nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirjan Ismail Zari, vjeç 30, banues në Tiranë, roje në depon e armatimit të çetës vullnetare Kinostudio. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave në orën 05:00, të datës 3.2.90 u kap Agim Ismail Zari, vëllai i të vrarit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit, i cili është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja dhe banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm.
SHKODRA
Më datën 14.6.1990, në postën kufitare të Hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer në pengesën klon, u konstatua një gropë dhe një granatë dore luftarake. U njoftua posta kufitare e cila nisi njësitin e kontrollit së bashku me qenin kërkues, të cilët ranë në përpjekje me shkelësit e kufirit me drejtim nga brenda jashtë. Njësiti bëri paralajmërim duke qëlluar me armë në ajër, për shkak se nuk u ndalën, qëlloi në drejtim të tyre duke vrarë Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra, i pa zënë në punë, ndërsa në orën 01:50, të datës 15.6.90 u kap shkelësi tjetër Marjan Zef Ndoja, nga Shkodra. Vazhdon bllokimi i kësaj zone.
ERSEKA
Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27, banues në Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua në drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës Shelegur. Në përpjekjen e orës 8:00, më 10.6.90 u vra në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Fatmir Ismail Duro, vjeç 25, banues në Orman, Pojan i Korçës.
SHKODRA
Më datën 12.6.1990, në postën kufitare Zogaj u asgjësua në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Nin Rok Hoti, vjeç 25, rrobaqepës, banues në Shkodër.
POGRADECI
Më datën 17.7.1990, në sektorin e postës kufitare Peshkëpi, nga njësiti i kontrollit u kap në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Artan Ahmet Kushi, vjeç 16, banues në Elbasan, nxënës, i cili u ndalua.
GJIROKASTRA
Në datën 17.7.1990, ora 11:45, në sektorin e postës kufitare Radat në tentativë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, u kapën dy persona dhe u vra një tjetër: Arjanit Ali Vashaj, vjeç 27, shofer, Shkëlqim Avni Deçaj, vjeç 27, banues në Vlorë, punëtor, të cilët u ndaluan, Muharem Fejzo Velaj, vjeç 25, banues në Klos Mallakastër Fier, kooperativist, i cili u vra nga njësiti pas zbatimit të kërkesave të rregullores për kapjen e tij të gjallë.
SHKODRA
Më datën 18.7 1990, realizuan kalimin e paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Frederik Kol Petraqi, vjeç 25, punëtor dhe Mark Noc Çuçia, vjeç 25, punëtor në peshkim.
Më datën 18.7.1990, u kapën në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Rakip Myftar.
KORÇA
Më datën 18.7.1990, në sektorin e postës kufitare Ponçarë, njësiti i shërbimit në orën 03:05 ra në përpjekje me shkelësit e kufirit Nardi Kujtim Ravolli e Osman Xhakolli, të cilët tentuan t’i merrnin armët njësitit të shërbimit dhe pastaj të realizonin kalimin e kufirit. Njësiti i shërbimit asgjësoi Osmanin dhe plagosi rëndë Nardin. marre nga gazeta "Shqip".
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.