1946/ Lajmi që xhindosi Koçi Xoxen: “Mark Gjon Markaj me 50 burra u fut në fshat e iku pa e kap...”

0
533
blank

Një raport i shkurtër i Spiro Panos dërguar Koçi Xoxes e ka xhindosur këtë të fundit pasi i shumëkërkuari nga komunistët, në mars 1946, Mark Gjon Markaj u kishte kaluar para hundëve forcave të Mbrojtjes bashkë me 50 burra, e kishte rrethuar mëhallën, kishte pushuar gjithë natën, kishte marrë edhe furnizime ushqimore në fshat e ishte larguar pa i hyrë gjemb në këmbë. Në raportin e ngjarjes, Spiro Pano tregon imtësisht hyrjen e e Mark Gjon Markajt, datën 22 mars 1946, dy orë pasi kishte rënë mbrëmja , qëndrimin e tij deri në dy orë pa zbardhur dita e re, rrethimin e mëhallës me forcat e tij , dhe furnizimet që kishte mundur të merrte me vete.

Informacionet tregojnë se komunistët e kishin zhvilluar më së miri rrjetin informativ, ama i frikësoheshin shumë Mark Gjon Markut dhe forcave të tij e nuk guxonin as ti afroheshin. Përgjigja e Koçi Xoxes tregon revoltë dhe vë në dukje se si duhet të kishte vepruar organizata komuniste për të ndihmuar forcat e Mbrojtjes. Më poshtë i botojmë të plota në “Kujto.al- Arkiva e Viktimave të Komunizmit” dy telegramet e shkëmbyera mes tyre.

(Në foto: Mark Gjon Markaj)

Nr. 233

24/III/46.

Koçi Xoxe

Më datën njëzet e dy mars dyzet e gjashtë në mbrëmje mbasi kanë shkuar dy orë natë, Mark Gjon Markaj me pesdhjetë të arratisur ka hyrë në mëhallën Ndër Shetiroshit mbasi ka okupue shtëpit e vendos rojet ka qëndruer deri dy orë pa dalë drita pastaj asht nisur, duhet të kenë marrë drejtimin fshatit, ka kërvënue katundarët e ka marrë bukë, djathë dy bagëti.

Ka thanë që Rusija e pat mbaroji, asht formue me ne Qeverija Shqiptare me të cilën kemi lidhje, Ballistat Zogistat po pergatiten për kryengritje, mbrënda dy ose tre muajvet fillon lufta e përgjithëshme.

Partija Komuniste nuk ka ma forca me dërgue në Mirditë. Na jemi me Anglo Amerikanët. Forcat janë nisur në ndjekje. Në lidhje me këto lëvizje ju kemi propozuar forcimin e reparteve ose dhe për krijimin e Kompanis shetitëse kundra Mark Gjon Markaj.

Spiro Pano

 

Nr. 24/I Res.

Komitetit Qarkor

SHKODËR

Në gjegje të radjogramit t’uaj Nr.233 dt.24.III.946.

Fakti që ju nuk jemi preokupuar nga dalja e Marka Gjonit në një fshat të Mirdotës me 50 veta tregon disinteresim.

E njëjta gjë shihet edhe tek Seksioni i Mbrojtjes.

Ju me këtë rast, në çast, duhet të kishit mobilizuar gjith organizatën për të ndihmuar në maksimum me informata forcat e Mbrojtjes dhe se edhe vetë p.sh. sekretari Politik duhet të shkonte për të ndihmuar shtabin që udhëheq forcat, me anën e organizatës, për çfarosjen sa më parë të tyre. Po këtë gjë duhet t’a bënte edhe shefi i mbrojtjes me kohë për t’i furnizuar me informata nga afër forcat operuese.

Prandaj i është dhënë urdhër gjith forcave ushtarake për t’u vënë në ndjekje të tyre porse organizata duhet të lozij rolin kryesor për të zbuluar bazat e tyre.

Bashkëpunimi i ngushtë midis jush e forcave ushtarake të jetë i plotë.

Na vini në korent të ngjarjeve.

Koçi Xoxe

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here