Si e shkatërroi komunizmi familjen e shquar korçare, Merdani, duke i konfiskuar pasurinë, burgosur dhe internuar deri në 1990. Dëshmia e Ylberit për Spaçin: Më vunë dërrasë me gozhdë në kurriz
Ylber Merdani është një nga të mbijetuarit e krimeve komuniste dhe një nga dëshmitarët okularë dhe pjesëmarrës të revoltës në burgun e Spaçit, ku dëshmon se si burgu menjëherë pas revoltës, u vu në gjendje gadishmërie, duke bërë tortura nga më të tmerrshmet, deri në ekzekutim të atyre që ishin organizatorët e revoltës. Origjina e tij është nga një familje e shquar korçare, gati 300-vjeçare, e cila përjetoi një kalvar të gjatë përndjekjesh, duke vuajtur nëpër kampet dhe burgjet e regjimit komunist. Ylberi, i biri i Fuat dhe Fatime Merdanit, ka vuajtur sistemin e përndjekjes, duke u dënuar nga viti 1967 ku u internua sëbashku me të atin, të ëmën, vëllain dhe motrën, në Pulahë të Oparit dhe më pas, u arrestua më 9 qershor 1969 për disa poezi, të cilat i dërguan tek Sigurimi i Shtetit, miqtë e tij të ngushtë Petrika dhe Mihal Bacu, duke u dënuar me 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë (për dorëshkrimet e poezive që cënonin diktaturën). Dënimin e vuajti në burgun e Spaçit. U lirua më 1977 dhe menjëherë pas daljes nga burgu, u internua në Shtyllë të Vithkuqit, atje ku e priste edhe familja e tij. Kalvari i vuajtjeve përfundon në 1990. Sot ai është 80 vjeç dhe ka marrë titullin Kryetar Nderi i Shoqatës së të Përndjekurve në qytetin e Korçës. Z. Ylber Merdani ka kontribuar me shumë botime të tij për zbardhjen e krimeve komuniste jo vetëm për familjen Merdani, por edhe për bashkëvuajtësit e tij.
Intervistoi Najada Pendavinji/Kujto.al
Merdani, mund të na tregoni diçka për familjen Merdani para se të niste persekutimi komunist?
Unë kam lindur në Korçë në vitin 1940. Jam i biri i Fuat dhe Fatime Merdani, pinjoll i fisit të shquar të Merdanëve. Merdanët janë vendosur në Korçë këtu e 300 vjet më parë. Gjyshërit e mi janë marrë me tregëti dhe tregëtia e ndershme të ngre kur i thonë fjalës, në aspektin moral dhe financiar dhe arritën te jepnin mall me shumicë deri në Rajcë, Ersekë dhe në fshatrat e Devollit. Në vitin 1919, formuan firmën tregëtare “Magazia Drejtësia”, ku ishin bashkëpronarë Fuati babi im, Qemali dhe Reshati, dy xhaxhallarët e mi. Tashmë është dokumentuar se fisi Merdani ishin filantropë, ishin bamirës të njohur. Familja Merdani, ndihmonin njerëzit në nevojë, ndihmonin vajzat për të bërë pajën, dhuronin herë pas here fonde për familjet e varfëra, për ndërtimin e rrugëve, ndihmonin kolegët e tyre për të hapur dyqane, ndërsa iu jepnin mall pa pagesë dhe kur të krijonin pozitën e tyre ekonomike i sillnin. Deri vonë, unë mbaj mend që mjetet e kuzhinës në spitalin e Korçës, mbanin firmën e Merdanëve të dhuruara nga ata. Fituan respektin e korcarëve. Ishin njerëz që nuk u morën me politikë, por politika u mor me ne. Mirëpo erdhën ato vite të pas luftës dhe u zbatuan ato lista që i kishin bërë që në mal ata komunistët dhe dihet tragjedia që ndodhi, të parët që u sulmuan ishte aristokracia e qytetit, bejlerët, tregëtarët, të etiketuar si kulakë, ajka e këtyre njerëzve filluan që të përballeshin me sistemin komunist. Filloi me rradhë t’i merrnin prindërit tanë në hetuesi që të nxirrnin floririn që gjoja e kishin fshehur. Mbaj mend kur doli babai mbas 18 muajsh nga hetuesia, doli me një dorë gjysëm të paralizuar.
Kur filloi internimi juaj?
Në vitin 1957, në shtëpinë tonë, erdhën disa njerëz të qeverisë dhe na thanë se duhej të dilnim nga shtëpia. Partia na kishte gjetur një vendstrehim tjetër. Na strehuan nëpër hauret e katavaroshit nëpër shtëpitë e pabanuara që ishin jashtë standardit për të jetuar, ndërsa në shtëpinë tonë do të strehoheshin ata drejtorët, oficerët dhe komandanti i burgut. Përfundimisht që nga 1967 filluan ato çmenduritë e paronajakut, ishte koha e kinezërirave. Ishte koha kur diktatori kishte filluar të jepte sinjalet e traumatizimit mendor. Dhe që atëherë, fillova edhe unë personalisht ta ndjeja atë thundrën e hekurt të diktaturës. Në 1967, fare kot pa asnjë problem, na internojnë në një kooperativë malore në Pulahë të Oparit, së bashku me familjen. Ne ishim thjesht punëtorë kooperative dhe merrnim 5 lek të vjetra për ditë pune që mund të blije vetëm një shkrepse, nuk kishim të drejtën e tokës apo të bagëtive, ishim thjesht punëtorë kooperative që shteti komunist ja kishte marrë pasurinë. Më besoni, aty jam ndeshur ballë për ballë me mjerimin që e kujtoja kushedi sa herë, por deri atë kohë kisha qenë mësues dhe e shikoja mjerimin tek nxënësit e mi në fshatrat e Librazhdit dhe më kujtohej ai Luli i Vocërr. Por megjithatë aty u pashë sesi dridheshin ato flokët e thinjur të prindërve të mi dhe unë nuk kisha mundësi sesi t’i ndihmoja se i kisha duar e këmbë të lidhur. Përfundimisht aty shpërtheu ai frymëzimi duke i kthyer ato emocione në vargje dhe në poezitë e mija. Në Pulahë kishte dhe të internuar të tjerë dhe poezitë që shkruaja ia tregoja Petrika Bacu dhe vëllait të tij Mihal Bacu, të cilët më denoncuan në sigurimin e shtetit, duke i dorëzuar disa nga dorëshkrimet e mia.
Mbani mend emrat e hetuesve tuaj? Të atyre që ju dënuan?
Unë nuk e dija, por një ditë pranë këmbëve të mia, u ndal gazi i degës. Isha arrestuar në emër të popullit. Ishte 9 qershor i vitit 1969. Poezitë që kisha shkruar i mbaja në vendet më të fshehta që të mos i gjente askush, por kur u gjenda përballë hetuesit ai më vuri përpara një tufë letrash njësoj sikur të ishin granata që do të shpërthenin nga çasti në çast. Atje e kuptova që më kishin denoncuar miqtë e mi të cilët kishin dëgjuar poezitë e mia si Petrika Bacu dhe bashkëshortja e tij Liljana Bacu dhe Mihal Bacu të cilët kishin firmosur denoncimin në organet e sigurimit në dt. 17 mars 1969 afërsisht tre muaj para arrestimit tim. Kur lexohet “ekspertiza hetimore letrare” e poezive të mia në dorëshkrim, ku ekspertët Vangjush Ziko dhe një farë mësuesi Vangjel Marko, poezitë i etiketuan si zhgaravina dhe pa vlera letraro-artistike të cilat që të gjitha ishin me përmbajtje armiqësore dhe cënonin pushtetin popullor.
Si ishte dhoma e hetuesisë, a kishte tortura?
Hetimi ishte një ferr i vërtetë për këdo që e provoi, atje dëgjoja pyetje me britma, me kërcënime, me grushta fytyrës. Torturat ishin nga më të tmerrshmet, nga më çnjerëzoret, të varnin kokë poshtë dhe të ndiznin kashtë që të të bënte tym dhe të tregoje dhe të pranoje dhe ato që nuk i kishe bërë. Këtu në Korçë këto seksione të sigurimit të shtetit ishin atje ku ka qënë ish-prefektura në kohën e mbretërisë, në shtëpinë e Rakos, të cilat funksiononin si qendra torturimi për këto kategori njerëzish. Mbaj mend që u arrestuan këta dy vëllezërit Ndrekoja dhe Xhuvi Kajno, ku këtij të fundit ia digjnin këmbët në mangall derisa ju gangrenizuan dhe nuk doli i gjallë nga hetuesia. Por sigurimi i shtetit hapi parullën që gjeti një copë xham dhe preu damarët, mirpo kur doli babai nga hetuesia ma tregoi të vërtetën. Prandaj them që hetuesia e asaj kohe i jepte jetë idesë dhe mendimit që ajo ishte një strukturë që vepronte me dhunë dhe tortura.
Si i kujtoni vitet në burgun e Spaçit?
Më arrestuan në qershor 1969 nga internimi dhe më dënuan me 8 vjet burg me akuzën për agjitacion e propagandë. Të tetë vjetët i vuajta në burgun-minerë të Spaçit. Aty përjetova dhe jam okular dëshmitar dhe pjesëmarrës i Revoltës famëmadhe të Spaçit. Dua të theksoj që revolta e Spaçit në qershor të vitit 2000, kur u mbajt edhe Kongresi i Viktimave të Komunizmit në Europën Lindore, u quajt si revolta më e madhe në Vilnus të Lituanisë në këto vendet e demokracive ish-popullore dhe jam krenar për këtë. Ishin shokët e mi dhe miqtë e mi ata të katër që u pushkatuan, të katër ata martirë ishin në moshën 30 vjeçare. Kishte edhe të tjerë që u ridënuan dhe mbaj mend që ishin gati 90 veta. Dhe derisa tha mjaft ai Feçor Shehu që zbatonte urdhrat për të shtypur revoltën. U lirova në 1977 me plotësim dënimi dhe menjëherë më çojnë në internim në geton e shtyllës-Vithkuq si dënim për pjesëmarrjen time në Revoltën e Spaçit.
Cilat ishin torturat fizike që përdoreshin më shpesh ndaj jush?
Norma qe e detyruar, aty në Spaç ishte minierë dhe puna ishte e vështirë dhe të mbanin dy turne nëqoftëse nuk bëje normën. Ushqimi ishte i keq dhe i pamjaftueshëm, por sidomos uji qe me acid dhe të gjithë ne që kemi qenë në Spaç pa mbushur moshën 50 vjeç, na kanë rënë dhëmbët. Brenda në kamp nuk ndodhnin tortura, por jashtë në rrethimin e madh ishin galeritë ku i torturonin. Torturat më të mëdhaja kanë qenë: që t’i shtrëgonin duart dhe arrinte deri në atë pikë sa mishi i mbulonte hekurat e prangave dhe të binte të fikët dhe ti nuk ndjeje gjë veçse kur t’i hiqnin ato ishte një dhimbje e padurueshme që fillonte qarkullimi i gjakut. Por sidomos gjatë asaj periudhe kur burgu gati tre vjet pas revoltës u vu në gjendje gatishmërie dhe që të ishte në gjendje gatishmërie, dihej që për gjënë më të vogël, dënoheshe me torturat nga më të tmerrshmet. Si punë e asaj që ujku i thoshte qengjit pse ma turbullove ujin, dhe qengji i thoshte ujkut po unë jam më poshtë se ty, edhe kjo punë kështu është. Torturat e tjera si ndalim të korrespodencës, ndalim të takimit me familjarët, futjen në birucë, ishin torturat më normale pasi ne ishim mësuar me to. Por më ka ndodhur që policët e kampit pas revoltës, më shtrinë përdhe duke më vënë në kurriz dërrasa me gozhda dhe më shkelnin me këmbë. Gozhdat më hynin në kurriz. Pra njerëz që nuk kishin ndërgjegje, deri këtu arrinte kafshëria komuniste.
Mbani mend ndonjë detaj të jetës së bashkëvuajtsve tuaj?
Po sigurisht. Në burgun e Spaçit në vitin 1973, me erdhi kushëriri Sherif Merdani, këngëtari i njohur, i cili bëri epokë në vitet 1969-1970 me muzikën e tij. Mbaj mend që atë e thirrën tre herë në hetuesi për ta bërë spiun, nuk pranoi. I bënë presion duke e ridënuar vetëm për këtë pasi iu tha se “në rast se do më thërrisni më, unë do bërtas aq shumë sa të më dëgjojë tërë bota, se ju doni të më bëni spiun, por unë jam soji i Merdanëve dhe nuk kam të drejtë të turpëroj nderin dhe emrin e mirë të prindërve dhe gjyshërve të mi”. Dhe një tjetër që më ka ngelur në memorie ishte Qazim Vula, i cili është ai kosovari që i bëri atentat Miladin Popovicit dhe e gjeta në burgun e Spaçit, i moshuar plak, Zoti i dhashtë prehje atij plaku të mirë, dhe më tha kështu: “Unë kam bërë burg në kohën e Krajlit të mbretit të Serbisë, kam bërë burg në Golojtov në kohën e Titos, ku më pas u arratis dhe erdhi këtu, po bëj burgun në kohën e Enverit, por ato burgje që kam bërë në Jugosllavi janë hotele përpara burgjeve komuniste shqiptare”.
Si ishte jeta në internim?
Unë e theksova pak më parë që menjëherë pas mbarimit të dënimit në burgun e Spaçit në 1977 më internojnë përsëri dhe këtë radhë në Shtyllë të Vithkuqit. Ku atje gjeta dhe familjen time të internuar për të dytën herë. Fillimisht u takova me nënën dhe babanë, pashë se ata ishin plakur shumë. Ishin krejtësisht të drobitur. Kishim 8 vjet pa u takuar dhe gëzimi i prindërve të mi nuk kishte të thënë. Nënës i ra të fikët kur më pa tek dera. Aty e gjeta edhe Shpresën (Bashkëshortja e Ylber Merdanit) së bashku me familjen e saj, e cila ishte internuar në 1975. Po aty finalizuam dashurinë tonë me Shpresën me martesë dhe na lindën edhe dy fëmijë. Po aty i ndjeu Zoti dhe ndruan jetë të dy prindërit e mi, gjithashtu atje ndruan jetë edhe të dy prindërit e Shpresës dhe gjyshja e saj, eshtrat e të cilëve mbetën aty në Shtyllë. Nuk pata fat t’i shoh qoftë edhe një çast të vetëm pa lot në sy. Ajo që do të veçoja ishte se fisi Merdani kishte gati nëntë familje të internuara në Shtyllë të Vithkuqit nga ku lindën edhe dhjetë fëmijë, të cilët përjetuan atë kalvar internimesh. Ishim tamam në kohën e skllavopronarisë, sepse skllevërit shtoheshin nga luftërat të kapur rob dhe fëmijët e skllevërve ishin skllevër; e njëjta gjë ndodhi edhe këtu, pasi këta fëmijë të burgosur dhe të internuar ishin skllevër të këtij sistemi.
Çfarë ndodhi pasi u kthyet nga internimi?
Kalvari i internimeve dhe burgosjeve përfundon në vitin 1990 kur lirohem nga internimi. Shiko pak deri ku arrin kafshëria komuniste?! Unë kam qenë pjesëtar i një familje 400-vjeçare në qytetin e Korçës dhe sëbashku me internimin më hoqën edhe pashaportizimin dhe gjendjen civile dhe nuk mund të kthehesha në vendlindjen time pa bërë kërkesë me shkrim në vitin 1990 nga vendi ku isha i internuar. U nxorr vendimi se problemin e strehimit duhet ta zgjidhnim vetë, paçka se kur u internuam në vitin 1965, ne kishim shtëpinë tonë, pasurinë tonë, por komunizmi na i shembi. Dhe kur erdha këtu, ata më shikonin sikur vija nga shpellat dhe jo sikur isha qytetar prej vitesh./en.kujto.al
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.