“Grupi çam”/ Njohja e Alushit me Harry Fultzin në Bari më 1944, inicioi legjendën përndjekëse ndaj Sejkove në shekullin XX...
Alush Xhemal Sejko u lind në Filat të Greqisë {Çamëri} më 1921, dhe ishte banues në Kavajë. Gjatë pushtimit italian u burgos në Bari; mbas pushtimit anglo-amerikan në prill 1944 kreu një kurs për radio-telegrafist pranë Misionit Amerikan në Taranto. Në Itali u njoh me Fultzin, Spiro Rucin dhe Lari Postin, argument i cili do t'i kushtonte dënimin me vdekje më 7 janar 1948.
Alushi hyri në radhët e UNÇ në 14 prill 1944 në Brigadat Jugosllave. Në Shqipëri shërbeu në Brigadën V, dhe mbas luftës u dekorua me medaljet e Çlirimit dhe të Kujtimit.
Në vitin 1947 kishte fituar gradën e nëntogerit dhe shërbente si përgjegjës i Klubit Edukativ të repartit 300 të Divizionit të Delvinës. Arrestohet nga Seksioni i Sigurimit të Regjimentit të Gjirokastrës, më 10 qershor 1947.
Në dt. 27 nëntor 1946 trupi gjykues i Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës e përbërë nga Llazi Polena, kryetar, Shaban Idrizi dhe Avdul Habili, dha vendimin kundër "Komitetit Klandestin në Ushtri", sipas akuzës së përpiluar nga Prokurori i çështjes Vangjel Kocani. Gjyqi i zhvilluar në Gjirokastër dënoi me vdekje: Alush Xhemal Sejkon, Dr. Riza Izet Resulin, Myrto Shefqet Hysin, Dhimitër Nikoll Nikon, dhe Syti Zule Koritën.
Mbas kërkesës së Prokurorit të Gjykatës së Lartë Ushtarake Nevzat Haznedari u kërkua rishqyrtim i akt-vendimit të Gjirokastrës, për heqjen e dënimit me vdekje për Dhimitër Nikoll Nikon dhe Syti Zule Koritën.
Me dt. 7 janar 1948 Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake me kryetar Niko Çetën e antarë Veledin Zenelin e Nexhat Hysenin morën në rishqyrtim akt-gjykimin e Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës ku u konfirmua dënimi me vdekje i Alush Xhemal Sejkos, Riza Izet Resulit dhe Myrto Shefqet Hysit.
Nga ky rigjykim u hoq dënimi me vdekje për Dhimitër Nikon dhe Syti Koritën duke ua kthyer në 20 vjet burg.
Në vitin 1961, çështja e Alush Sejkos si "agjent amerikan" dhe e "Komitetit Ushtarak Klandestin", u bashkëlidh në analizat e Sigurimit për ndërtimin e fazave të legjendës së "Grupit Çam" në ushtri. Vendimet e Sigurimit për arrestimin e “Grupit Çam” u mbështetën thjesht në teorinë e gjakut por edhe të "dyshimit", siç pohoi gjatë procesit të tij kur u pyet për këtë temë ish Ministri i PB Kadri Hazbiu. Këtë linjë të teorisë së gjakut e “implikonte” shënimi në Kartelën Personale të Temes në Ministrinë e Mbrojtjes për ekzekutimin e kushëririt të tij të parë Alushit.
Kështu rileximi i Sigurimit të procesit të vitit 1947, solli arrestimin dhe tragjedinë e djemve të xhaxhait të Alushit: Kundër-Admiralit Teme Sejko, Taho Sejko dhe familjeve të tyre.
Në procesin ndaj Kadri Hazbiut më 1983 është akuzuar ky i fundit për arrestimin e 100 ushtarakëve të Divizionin e Delvinës, si fakt i reprezaljes të Seksionit të Sigurimit në Ushtri ndaj këtij "Komiteti" të cilit nuk iu vërtetua asnjë krim përveç pohimeve nën torturë të Dr. Resulit për dhënie raportesh mjekësore si akuzë për “sabotim” për moskryerjen e detyrave ushtarake të disa oficerëve. Ndërsa njohja e Alushit me Harry Fultzin në Bari më 1944, inicioi legjendën përndjekëse ndaj Sejkove në shekullin XX.
Pergatiti: Leka Ndoja
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.