Dokument i 1946/ Pushkatuam 13 burra të Malësisë se u dhanë bukë të arratisurve

0
321
blank

Dokumenti në foto, i firmosur nga Musa Daci, major i veprimit në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit, gjatë aksioneve në veri të vendit, dëshmon sesi janë pushkatuar 13 burra në malësitë e Shoshit, Mërturit, Shllakut e Dushmanit, vetëm pse kishin strehuar prijësit e tyre të arratisur apo pse u kishin dhënë ushqim atyre.

Rrethanat e ngjarjeve, edhe pse të përshkruara me pak fjalë, janë rrëqethëse, ndërsa gjuha e këtij dokumenti, dëshmon qartë se të ç’niveli arsimor ishin edhe drejtuesit e lartë të brigadave të mbrojtjes së popullit, të cilat u sulën në gjithë veriun e vendit me urdhër të komandatit të përgjithshëm Enver Hoxha, për ta gjunjëzuar Veriun e për ta zhdukur rezistencën antikomuniste në atë pjesë të Shqipërisë.

Musa Daci raporton në këtë dokument prej katër faqesh, të ndarë në  katër kategori: listat me personat që kanë pushkatuar, listat e atyre që iu kanë djegur shtëpitë, listat e të arrestuarve dhe të të dorëzuarve gjatë aksioneve të muajit shtator 1946.

Nga ky dokument, Kujto.al sjell sot listat e të pushkatuarve në datat 27, 29, 30 shtator dhe 1 e 2 tetor 1946. Pjesa më makabre e këtij raporti janë arsyet që renditen në krah të çdo emri, ku shpjegohet se në ç’rrethana dhe pse janë pushkatuar të 13 burrat e shënuar më poshtë.

T’i hapje derën e shtëpisë një të arratisuri, edhe pse kodi i mikpritjes në Malësi ishte mbi çdo kod e ligj tjetër, për regjimin e Hoxhës përbënte krim, pasi e konsideronte këtë, si bashkëpunim me ata që i konsideronte armiq të rrezikshëm të pushtetit të tij.

Më poshtë, sjellim të plotë, zbardhur sipas origjinalit, pjesën e parë të dokumentit ku renditen 13 emrat e të pushkatuarve nga brigadat e Mbrojtjes së Popullit:

Personat që janë pushkatue

Tom Zef Pali nga katundi Benë Shllak djali i Bajraktarit të Shllakut: për arsye se ka qenë bashkëpunues i Gjergj Vatës,  arratis më datën 22/IX/ 1946, ka ushqyer me bukë Gjergj Vatën me shokët e tij (pushkatue me datën 27/9/46)

Vogël Kola nga katundi Palaj i Shoshit ish kryetar i këshillit të frontit, pushkatue me datën 27/IX/1946 për arsye se ishte bashkëpunues i kriminelëve Gjergj Vatës dhe Mark Malës, i cili më datën 13/8/46 dhe më 25/9/1946 ka ushqyer të sipërmit dhe dhënë informata dhe pse i udhëzuar nga të sipërmit me anën e panikut që do të fuste në popull do të ilegalizoheshin shumë persona të dyshimtë të nxitur nga ky.

Dem Mëhilli nga katundi Broshtë i Shoshit, pushkatue në datën 27/IX/1946 pse ishte bazë më e shëndoshë e ilegalëve Gjergj Vatës, Gjelosh Ndoit, etj. dhe pse i ka dhënë dy pushkë Gjelosh Ndoit, për të cilën deklaroj dhe vetë ky kur u qit për të pushkatuar. Ky u pushkatua pse nuk tregoj pushkën dhe pse për nxjerrjen e armëve duhej të pushkatoheshin.

Ukë Çuni nga katundi Tetaj i Mërturit u pushkatua më datën 29/9/1946 pse ka strehuar kriminelat me muaj rjeshtë, ku janë shëruar edhe të plagosurit si illegal Zef Mark Tungji etj, që është plagosur në përpjekjen e datës 20/7/1946 në Mertur dhe pse nga data 8/9/1946 kishte ushqyer Nikën dhe të gjithë shokët e tij me bukë tue i mbajtë në shpi.

Fet Sadiku Bajraktari u pushkatua me datën 29/9/1946 pse gjatë dimrit ka strehuar Nik Sokolin me gjithë çetën e tij dhe pse ka katër pushkë dhe nuk i dorëzoj asnjë, për më tepër kishte përgatitur popullin të mos tregonte asnjë pushkë. Për këtë ky caktoj të vëllanë, Adem Sadikun, që të fliste në emër të popullit të bajrakut të tij, i cili sa u demaskua vazhdoi të bënte pjesën e avukatit tue mbrojtë bashkatundarët e tij. Meqenëse ky ishte nder bajraktarët me influencë, i cili mundi me ba popullin e bajrakut të tij, që të mos tregonte asnjë armë dhe pse kishte katër armë e nuk tregoj asnjë, për këtë u pushkatua në datën e sipërme.

Dedë Predushi nga katundi Qerret Dushman u pushkatua më datën 29/9/1946 pse më datën 12/7/1946 qe arratis dhe bashkue me Gjergj Vatën. Dorëzuar mbas nji muaji dhe pse nuk ka treguar armët që kishte të msheftur.

Mark  Ndoj, nga katundi Qerret i Dushmanit pushkatuar me datën 29/9/1946 për të njajtat akuza me të sipërmit.

Marash Vata nga katundi Telum Dushman u pushkatua me datën e sipërme për të njajtat akuza me të sipërmit.

Ndue Vata nga katundi Telum Dushman, i vëllaj i të sipërmit, dhe ky u pushkatua me të sipërmit me të njëjtat akuza.

Pal Zefi nga katundi Benë Shllak pushkatue më datën 30/9/46, për arsye se ka qenë strehues e korier i Gjergj Vatës, ky mbante lidhje me Gjergjin e Gjergji me anën e këtij mbante lidhje me Bajraktarin e tij.

Tush Marku nga katundi Vukaj-Shllak u pushkatua më datën 1/10/ 1946 për arsye se ka qenë bashkëpunues i Gjergj Vatës dhe ka qënë ndër më aktivët për punën që e kanë ngarkuar. Më datën 16/7/1946 ky u arratis dhe u bashkua me Gjergj Vatën ku qëndroj deri më datën 10/8/46 dhe u dorëzua e u la i lirë. Ky gjithnji vazhdoj të tregojë aktivitet, për të cilin u arrestua më datën 22/9/1946 dhe u pushkatua në katundin Lataj, i cili gjatë kohës që u mbajt procesi nuk tregoj asgjë pse ishte i vendosur nga sa një ere edhe për të përfituar në çarmatimin e katundit Lataj Nemavriq u pushkatua.

Kol Deda nga katundi Mollë Shosh ky u vra më datën 2/X/46 nga njësitet që operojshin në sektorin e Shoshit, ku mbasi u kontrollua katundi i Mollës, ky tentoj të ikte, në të cilën kohë u godit nga partizanët e mbeti i vrarë.

Ndue  Gjoka nga katundi Mallagji Dushman ky asht kërkue nga zyra e rekrutimit i Dukagjinit për çështje pune dhe duke shoqërue nji patrullë e postkomandës M.P. të Dushmanit, rrugës tentoj të ikte, të cilin porsa deshi të ikte e ma vonë ky është vrarë më datën 23/9/46.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here