Ahmet Tufa: Në Qafë-Bari, më paralizuan këmbët nga torturat

0
209

Ahmet Tufa, një nga të dënuarit e Qafë-Barit dhe pjesëmarrës në revoltën e vitit 1984, tregon me detaje për Kujto.al ngjarjet e asaj dite, por edhe terrorin e policisë dhe Edmond Cajës, ndaj të burgosurve të pafajshëm, disa nga të cilët humbën jetën në tortura. Sot, Ahmeti që ka humbur dëgjimin nga një vesh, por edhe është paralizuar tri javë prej torturave të Cajës dhe policëve të tij, ka nënshkruar padinë ndaj komandantit të Qafë-Barit, për “krime kundër njerëzimit”. Vetëm drejtësia mund të qetësojë shpirtrat e ish-të burgosurve dhe martirëve, sipas tij.

Cila është historia juaj? Si jeni dënuar?

Në vitin 1981, pas një viti hetuesie, shumë shumë të rëndë, sepse bisha komuniste ishte aq e egër me ne sa zor ta kuptojë njeriu i sotëm seç bëhej në ato dhoma të izolimit, të hetuesisë, që kanë një trishtim të paimagjinueshëm, sepse janë mbytur në torturë njerëzit, më nxorën në gjyq dhe më dënuan 10 vjet. Shokët e mi i dënuan me dënime pak më të lehta dhe më i vogli ndër ta ishte nipi im, Skënder Tufa, që sapo kishte mbushur 18 vjeç dhe e dënuan 18 vjet. Megjithatë një shoku im, Fatmir Lakasi, që u dënua 23 vjet i tha trupit gjykues: “Si mundet të na merrni rininë, pa bërë asnjë send? Nga e thëna në të bërë…” Gjyqtarja ishte nje shtrigë, në shpirt dhe në fytyrë, Afroviti Gjevera dhe ia pret menjëherë kjo: “Po, po ta kishit bërë, do e hanit plumbin të tërë”.

Çfarë ndodhi që u shtua dënimi?

Unë isha shumë i lumtur me 10 vjet, sepse prisja pushkatimin. Ngjarjet e Kosovës kishin bërë punën e vet. Ishte folur shumë për organizatën tonë. Pas disa ditësh më vjen një xhelat i tyre, që shërbente si nënoficer, një Ali Balla nga Baldushku, shumë i poshtër, shumë kriminel. Nga dera e hetuesisë te e birucës, torture më bënte, më shtrëngonte hekurat deri në zero, bënte qejfin e tij. Mbasi u dënova, vjen, hap derën dhe hedh një letër gjoja sikur kasha bërë unë protestë. “Po ti, më thotë, nuk ishe i kënaqur me 10 vjet? Nuk e dije që do dënoheshe me pushkatim?” Nuk kam bërë gjë unë, i thashë. “Po ç’është kjo letër” ? Mora letrën dhe lexoj që prokurori i rrethit Tiranë, me sa më kujtohet quhej Isamedin Resmja, thoshte që këtu shihet qartë veprimtaria kriminale e tyre, e organizatës dhe duhet t’i jepet dhe neni 57 i kodit penal që e parashikonte deri me pushkatim. Në krye të muajit dola prapë në gjykim unë, bashkë me shokët e mi dhe shoh që kishte marrë Tirana një trishtim të plotë, te gjykata, ishte rrethuar pothuaj krejt bulevardi, nuk kishte asnjë lloj lëvizje, asnjë lloj mjeti,  asnjë këmbë njeriu, vetëm policë të veshur me të zeza. Ne na shoqëronin nga dy-tre policëdhe aty u pa që do na likujdonin. Familjarë nuk shihje, vetëm hetues, policë, me uniformë, pa uniformë. U ulëm, filloi gjykimi dhe më dënuan 25 vjet heqje lirie, 5 vjet internim dhe 5 vjet heqje të së drejtës elektorale. Duke menduar që ishin duke më pushkatuar, unë përsëri me 25 vjet, duke qenë I ri, kasha një fare shprese sepse “çfarë sjell minuti nuk sjell ora”. U ktheva në ato qelitë e tmerrshme. Nuk qëndrova shumë, një muaj, një muaj e gjysmë.

Në çfarë burgu ju çuan?

Më transferuan në Spaç. Të gjithë shokët e mi, I kishin nxjerrë në kaush një muaj më përpara, mua nuk më nxirrnin sepse më quanin të rrezikshëm, mendonin mos bëja ndonjë përplasje me të tjerët aty. Megjithatë i pashë kur dola, kur më erdhi policia, më lidhën dhe më futën në autoburg për në Spaç. Nuk kishte fund rruga. Rrugë e tmerrshme. Autoburgu si kazan, nuk hynte një pikë ajri. Arritëm në Spaç.

Çfarë gjetët aty në Spaç?

Atje pashë një gropë të thellë, si pus, edhe policët ishin shumë të egërsuar. Isha mësuar në Tiranë, ku ndonjë dhe buzëqeshte. Ata atje ishin njerëz, por nga shpirti dhe nga shikimet ishin kafshë. Bërtisnin, urdhëronin. M’i morën rrobat që më kishte prurë familja, më zhveshën, më dhanë rrobat e burgut. Më bëri përshtypje, më morën dhe pizhamat. U thashë: Pse po m’i merrni? Unë pashë aty të burgosur, me pizhama. Ajo ishte uniforma e burgut. Ata qeshën. “Do e marrësh dhe ti atë kostum”, më thanë. E mora dhe unë atë kostum, me të shtyrat e policisë. Atje shikoj shumë fytyra të trishtuara, fytyra të lodhura. Njerëzit kishin frikë të afroheshin sepse kishte dhe ridënime pothuaj çdo dy muaj, pa bërë asgjë. “-Sa ka?”–“10”–“Jepi dhe 7, 17  e kemi në rregull.” Kishte të tjerë që u vinte dita e lirimit, i çonin te dera, i jepnin fletën e arrestit: “je i arrestuar për agjitacion dhe propagandë” dhe nxirrnin të tjerë, që ishin fundërrinat e kampit. Më çuan në punë të rënda. Këta të vinin në rreth të kuq, doje apo s’doje ti dhe gjenin arsye gjoja nuk bëje normën, të merrnin në birucë, të rrihnin. Kjo nuk ishte vetëm për mua, ishte për një pjesë të mirë.

Kur u transferuat në Qafë-Bari? Si ishte atmosfera  atje krahasuar me Spaçin?

Qëndrova një vit në Spaç. Pastaj u transferova kur u hap kampi i Qafës së Barit për ne, në 82-shin. Kishte qenë kamp për ordinerë më përpara, tani na çuan ne. Atje policët ishin edhe më të poshtër se këta mirditorët. Ata ishin dibranë. Filloi puna, filloi lodhja, filluan persekutimet, filluan rrahjet vend e pa vend. Ti rregulloje krevatin, vinte polici ta prishte dhe thoshte,pasi kishe dalë në apel: “Pse nuk e ke rregulluar krevatin?” E kam rregulluar, thoshe ti, e kam bërë kuti shkrepëse. “E ke rregulluar? Mirë, prit aty poshtë.” Dhe të çonin te zyra teknike që ne i thoshim “zyra e Dalipit”. Dalipi ishte një bashkëvuajtësi  ynë, punonte në zyrën teknike. Zyra e tij u kthye në një vend torturash ku njerëzit masakroheshin në mënyrë çnjerëzore. Dhe unë e provova këtë vend. Pastaj filloi një çmenduri nga një makineri e shfrenuar e drejtuar nga kryekrimineli  Enver Hoxha dhe zbatuesit e regjimit, policia. Shef i policisë së tyre ishte një djalë i sapoardhur, 25-vjeçar, që nga fytyra nuk mund të thoshe që ishte kriminel. Kishte autoritet, ulte sytë, ulte kapelen, dukej si djalë shkolle në krahasim me gardianët e tjerë që ishin me fytyra të zymta, por ai ishte kriminel. Me pamje ishte ndryshe nga të tjerët, por shpirti i tij ishte katran. Ky quhej Edmond Caja. Unë pata fatin e zi të përplasesha që në fillim sa shkova atje. Rastësi. Më thirri në kalim e sipër: “Si e ke emrin ti?”- Ahmet. “Mbiemrin?”- Tufa. “Pse je dënuar?”- Për organizatë. Më foli rëndë. U përplasëm dhe tha:“Çojeni poshtë te zyra!”. Ky kishte zakon që fuste policët në fillim. Ata godisnin, fyenin dhe atëherë hynte ky si triumfator. “Ti ke ardhur këtu,- tha,- dhe nuk e qet kokën jashtë.” Pse,- i thashë,-mua shpirtin ma ka dhënë Zoti, unë nuk kam bërë gjë. “Ti je kriminel, ti bën propagandë, ti flet kundër qeverisë, ti nuk e do sistemin, ty do të zhdukim...” Rrahje sistematike.

Edhe këtu vazhdoi puna e rëndë...Keni pasur ndonjë episod të veçantë gjatë punës në galeri?

Një ditë, më çuan në galerinë e vdekjes. Një shoku im i ngushtë që sot nuk jeton, Sami Lala quhej, kishte rënë dy-tre vjet para meje në burg dhe më thotë: “Ahmet do të tregoj një galeri, që nuk e dinë shumë të burgosur të tjerë. Është bërë me trupat e pishës, por lart nuk shikon çfarëbëhet edhe sikur të kalojë avioni. Prandaj atje mos shko. Më thotë numrin e saj që nuk e mbaj mend. “Prano tortura, prano gjithçka, por atje mos shko, sepse është vdekje e sigurt, kanë futur njerëz dhe kanë ngelur brenda”. Unë ngula këmbë të mos shkoja, por shokët më thanë“mos këmbëngul, shko” se material kishte aty, e bëje një vagon, por ishe në rrezik. Hyra aty me një djalosh nga Fieri, Panajot Bastuni dhe futëm 8 vagona, imagjino ishte 2 m një vagon, i bie goxha largësi.  E morëm të parin, filluam duke e mbushur. Ai në krah të majtë, unë në të djathtë. Sapo filluam duke e mbushur, kur ndiejmë një presion të madh ajri që i fiku të dy kandilat që kishim. Presioni, shokun tim, Panajot Bastunin, e nxori jashtë, ndërsa mua më futi brenda. Kur më hodhi brenda, ishte errësirë. Unë nuk kam ndier frikë, Zotit i qofsha falë!  Më hodhi në një vend që ishte pirit, por ishte si rërë dhe nuk ndjeva asgjë, nuk u vrava. Vetëm dëgjoja zhurmën e gurëve nga sipër, që rrokulliseshin dhe bënin xixa dhe bënin pak drita. Të burgosurit më të vjetër se unë më kishin thënë që nëse do ngelesh në ndonjë situatë kështu, drejtim do kesh tubin e ajrit ose shinat ku ecën vagoni dhe unë këmbadoras, se mund të bije në gropë, ika. Ishte alarmuar komplet kampi, policia, kishin ardhur grupet e shpëtimit gjoja, të burgosurit e fuqishëm për të nxjerrë kufomën time. Sami Lala punonte në nivel. Vjen aty lart se e merr vesh, po thoshin që e ka zënë Ahmetin galeria dhe po qante bashkë me shokët e mi. Pas nja dy orësh, unë këmbadoras dal në një lartësi, nga prapa, ishte një vijë si formë harku. Dëgjoja biseda shumë të largëta. Unë thërrisja: Ndihmë, kam ngelur këtu. Ata kishin frikë. Ishin orde, kështu quheshin, të mbyllurua prej shumë vitesh dhe po të kapej i burgosuri aty, ridënohej sepse aty nuk kishte punë, ishin të bllokuara dhe kishin vënë trarë që kur i kapje shihje që ishin myshk. Komplet i kalbur, imagjinoje sa vite kishte. Duke folur, dikush mori guximin dhe erdhi me kandil. I thashë: “jam Met Tufa, më ka zënë galeria, hajde më bëj dritë”. Më bëri dritë, dola. Kur u dal nga prapa dhe më shikojnë, thotë polici: “Nuk e gjen gjë qenin.” “O ty qeni të ngrëntë, i thashë, ju nuk jeni njerëz, po fajin e kam unë që u futa atje”. Aty filloi përleshja. Megjithatë erdhi ora për ta lënë punën dhe ikëm. Të nesërmen, drejtuesit e kampit ishin të detyruar të më linin 3 ditë nga ai tmerr që kishte ndodhur, ishte si rregull. Ata nuk më lanë. U habitën shokët, thanë “si ka mundësi që të nxorën në punë?” “Po ç’të bëjmë?, -u thashë.- Nuk do bëjmë luftë, ne jemi të vdekur këtu”. Dola në punë. Më thotë polici: “do shkosh prapë aty ku ishe”. Por tani ishte jashtë rrezikut aty, por unë ngaqë e urreja atë vend, i thashë: “unë nuk futem gjallë në botë”. “Ti do futesh, më thotë, sepse ndryshe të pret si të tjerët.” I thashë: “bëni çfarë të doni, unë nuk vij”. Ky thërret  oficerin e rojes, ai sjell grupin e gatshëm, grupi i gatshëm do të thotë grupi i drurit, ishin të përgatitur. Vjen dhe komandanti, i quajtur Riza, ishte nga Kukësi, kishte qenë partizan, ai nuk kishte as shkollë asgjë, ai nuk dinte të fliste. “Ti do hysh tash këtu”, më thoshte. “Jo mo, gjallë në botë, nuk hyj, më vrisni.” U konfrontova me të, ndërhyri Edmond Caja. “Hajde se të rregulloj unë ty”, tha, por e la atë muhabet sepse kishim mjete të forta dhe kishin frikë. Kur u kthyem në kamp, nuk më lanë të haja dhe më thirrën direkt. “Te zyra e Dalipit, Ahmet Tufa!” Shokët e dinin. “Medet, do hash dhe dru”, më thanë. Shkoj atje dhe gjej 7-8 policë, që i mbante rreth vetes, i kishte si vetja, xhahila, ka qenë Fiqiri Çakalli, Beqir Vrenozi, një tjetër me emrin Hajdar, një Melazim, ka qenë mundës, Myzaferi dhe Shefkiu. M’u hodhën mua këta. Sapo hyra në dhomë, më thotë Edmond Caja: “Ti ishe ai trimi?”“Jo, këtu nuk bëhet fjalë për trimëri, bëhet fjalë për jetë, -i thashë. -Aty ishte jashtë sigurisë çdo gjë, pse na çoni aty? Më mirë na vrisni.” Aty më bie me shkop gome Kujtimi. Ajo është shumë e hidhur si dhimbje. M’u errën sytë dhe rashë përtokë. Vazhduan goditjet deri sa humba ndjenjat, por nga shqelmat u përmenda sërish. Më çuan në birucë, më lanë 10-12 ditë. Ma kishin prishur veshin e majtë, filloi të qelbëzohej. Shkova te mjeku që ishte i dënuar. “Të është çarë daullja”, më tha. Më dha një shuk pambuku, ky ishte mjekimi. Atëherë u mërzita shumë, jeta ishte e vështirë, dhimbjet e veshit ishin të mëdha. Shkrova një letër.

Kujt ia dërgove?

Këtë letër ia drejtova Enver Hoxhës, ishin ngjarjet e Kosovës. I shkruajta: më bëhet qejfi që ti u ke dalë në mbrojtje vëllezërve tanë kosovarë që po shtypen nga makina e egër serbe, por ti nuk e ditke që serbomëdhenjtë nuk i ke atje në Kosovë, por i ke këtu në Qafë-Bari. Asgjë më shumë nuk janë duke bërë atje, sesa këtu, prandaj sill njerëz të shikojnë çfarë po kalojnë të burgosurit politikë në këtë kamp. Letra u hodh në postë, por kuptohet e morën këta sepse po të kishte shkuar, do vinin në krye të tri ditëve njerëz nga Tirana. Vjen një operativ nga Fushë-Arrëzi, gjoja për inspektim, ai kishte ardhur, me sa kuptova, vetëm për letrën time dhe të një shokut tim që kishte shkruar gjithashtu letër, Agron Çipllaku. Ai e kishte faktuar me dokumente letrën. Unë i preva rrugën se po nisej për kontroll te birucat:  “Më falni, jam Ahmet Tufa, i dënuar politik me kaq vite, nëse ka mundësi dua një takim 5 minuta.”–“Për çfarë arsye?”–“Arsyen nuk e them këtu në fushë, do e them në zyrë.” Më mori direkt dhe ia shpjegova: kështu kështu puna. “Letrën, nuk ka shans ta marrë njeri”-, më tha.- Letra ka shkuar në destinacion”. “Letra nuk ka shkuar,- i thashë.- Ti për këtë ke ardhur. Do vijnë dhe të tjerë, po kushdo që të vijë, unë do i them që kam çuar letër, i kam thënë dhe filanit, për ty dhe letra nuk ka shkuar”. E hëngri presionin. “Unë do hyj aty, -tha-, dhe nëse letra është aty, do e dërgoj”. Ne ishim në kodër dhe e shikonim komplet skajin tjetër, ku ai do hipte te zyrat. Shkoi në komandë, ka qëndruar 1 orë e 1 orë e gjysmë. Dolën oficerët pastaj, u kuptua që ishte bërë mbledhje. Nuk kaloi as java. Vjen nga Tirana Rrapi Mino, prokurori dhe më thërret. Më thotë: “ti i ke bërë një letër udhëheqësit Enver Hoxha, por do të lutesha që atë rresht ta heqësh ku thua “serbomëdhenjtë janë këtu dhe nuk janë atje”. “Nuk kam pse ta heq, thashë unë. Nuk e them me mllef,  e them me llogjikë sepse shiko çfarë më kanë bërë me veshin”.“Më jep një emër”. “Ja ku janë, ky pellagjatë, ky Kujtimi, ky më ka goditur.” Ky nuk pranoi, “jo, tha, nuk të kam prekur”. “Mirë, i thashë, mos trego, ky këtu është operativ, do jesh ti këtu, nuk ma ha mendja që nuk do tregosh eprorët që të kanë detyruar të bësh këtë”. “Mirë”, tha operativi. Mbajti shënimet. “Unë nuk do kap shkopin e gomës që kanë kapur me ty, unë do kap lapsin dhe do e ndjek penalisht.”

Ndodhi diçka më pas?

Faktikisht filloi një procedurë sepse nga e nesërmja, Edmond Caja, kryekrimineli i Qafës së Barit, filloi duke ardhur me rroba pune, hynte brenda, bënte sikur komunikonte me të burgosurit, i kishte hyrë frika. Nuk zgjati shumë kjo punë, një muaj. Ustallarët që kishin këtu në Ministri të Brendshme përgatitën atë revoltë false.

Përse thoni që e organizoi Ministria e Brendshme? Çfarë ndodhi realisht atë ditë në kamp?

Revoltën donim ta fillonim ne, sepse shpirtrat tanë kishin plasur, por mënyra si plasi, e paorganizuar, ishte një organizim i Ministrisë së Brendshme, i bishave të egra. Ata e bënë këtë gjë me anë të një personi bashkëvuajtës, i quajtur Ndue Pisha, i cili ishte turni i tretë, me një tjetër person dhe nuk e bëri dot normën, si shumë të tjerë, dhe policia e pruri poshtë për të ngrënë, i tha: “ha bukë dhe do vish prapë në punë”. Ky takoi  shokët e vet. Si zakonisht, ne i prisnim shokët tanë kur vinin nga galeria, sepse kur nisej dikush ne thoshim: “Të pruftë Zoti shëndoshë!” sepse nuk dihej kthimi. Shokët e tij, tropojanë ishin, po e prisnin aty. U tha si e kishte punën: Mua dhe Ndrekën duan të na çojnë prapë për të bërë normën. “Jo, i thanë, nuk ke për të shkuar”. Dhe këta ishin djem të fizikshëm, djem trima, malësorë. Ky ishte Sokol Zefi dhe Tom Ndoja, ishte dhe Martin Leka dhe i thanë policit: “nuk keni për ta nxjerrë”. Ky njofton oficerin e rojës, ky njofton ekipin e komandës, vjen komanda e drejtuar nga Edmond Caja dhe kërkojnë djalin ta marrin me forcë, këta nuk ja dhanë dhe u bë gjurulldi e madhe. Menjëherë bie çanga dhe thonë “të gjithë në apel”. Dolëm në apel, filluan na rreshtuan, por ishte mbushur me policë, të gjithë me shkopinj gome, me hekura nëpër duar. Kuptohej që do bëheshin arrestime. Kur na futën në mensë, u ulëm. Hyn Edmond Caja, me shikimin si bishë sepse ishte ofenduar nga këta djem që kishin thënë:“Ti nuk ke çfarë të na bësh, ne gjallë nuk e japim djalin”. Kjo ishte diçka që ai nuk e kishte përjetuar më parë. Ai thoshte: “unë jam shteti, unë jam ligji”. Ishte njeri shumë cinik, shumë i poshtër. Edhe ç’bën? Si zakonisht ulte kapelen, imitonte nazistët, sepse kështu e mbante. Dhe filloi tha: “Kush të dëgjojë emrat të dalë jashtë…Ndue Pisha, Sokol Zefi, Tom Ndoja. Dhe filluan njerëzit që kishin shpirtin e revoltës, që thoshin “më mirë vdekur sesa gjallë”, që e përqafonin vdekjen si diçka më të lumtur. Ashtu isha dhe unë. Në atë kohë çohet një shoku im, gjettë rrahmet, Haxhi Baxhinovski. U çua dhe ai, por pa i thënë dikujt “çohu dhe ti, çohu dhe ti”, siç thoshim ne kur kishte diçka. Dhe kur çohet na bën përshtypje sepse Haxhiu kishte një përplasje me tropojanët për një problem. Ne bënim boks për stërvitje, me peshqira, ka qenë një rast kur unë isha duke bërë boks me Haxhiun në dhomë, futet Lush Bushgjoka dhe Sokol Progri dhe ndërhyn: “mos na bëni zhurmë është turni i tretë”. E kishte për xhelozi, “mos na bëni të fortin”, me demek. Ai i tha “je duke folur gabim, ne bëjmë stërvitje për veten tonë, ti je turni i tretë, ne jemi pushim”. Edhe sherri sa kishte filluar. Kur ky u çua, unë bëra habi, si u çua ky për këta? Kur u çua ky, filluan shumë të tjerë të çoheshin. U çova dhe unë, por unë kisha pranë nipin tim, më i vogli i kampit, Skënderin, një djalë i imët, 50 kile me gjithë plaçka, por zjarr. Çohet dhe një shok tjetër dhe bëjmë për të dalë, por aty na mbyllin derën. Kur mbyllin derën, fillon përleshja. 10-12 veta sa kishin dalë fillojnë përleshjen me policinë, por policë ishin shumë. Ne morëm një stol, unë dhe Llazi Koçi, një djalë shumë energjik, ai ishte me patericë sepse kishte pasur këmbën me apses, e thyem derën, e hapëm dhe pamë që bëhej një kacafytje për jetë a vdekje. Disa policë kishin vënë përfund të burgosurin, dy-tre të burgosur kishin vënë përfund policin, fut njëri me shqelma, fut tjetri, rrahje barbare, u futëm dhe ne u kacafytëm. Kur u futëm ne, ata u trembën. Në këtë kohë, Haxhiu po drejtohej te një polic për ta qëlluar. I futet komisari politik, Novruz quhej, nuk mund të them që ishte agresiv, ishte njeri i urtë dhe i thotë: “Po ju ku doni tëshkoni me këtë agresivitet që po bëni karshi nesh, ne jemi shteti!”. Dhe Haxhiu i shkon dhe ia ngul thikën në bark…Unë e dija që kishte thikë, ne mbanim ndonjë thikë për veten tonë. Dhe ai ndjeu thikën, por dhe frikën. I bie kapelja dhe mundohet të ikë. Kur mundohet të ikë e sulmojmë unë dhe disa të tjerë. Kur ai donte të ikte për në repart brenda, Kostandin Gjordeni, shumë djalë i dashur, i mirë, i drejtë, i shkon pas për ta kapur. Në këtë kohë, një nga ushtarët e gjuan me armë dhe e plagos në shpatull këtë djalin. Dhe sot nuk e ka dorën nga ai plumb dhe e mban plumbin në shenjë kujtimi, “edhe ta kërkojnë me miliarda lekë, thotë, unë nuk e jap”. Ishte një Dush Martini, shumë djalë i dashur, shkodran, nxjerr një kuti duhani, ia mbulon plagën, shkojnë dhe disa të tjerë dhe nipi im Skënderi, për ta ndihmuar. Por nuk kishim punë vetëm me këtë ne, kishim punë dhe me policinë që po kacafyteshin të tjerët. E nxorëm policinë jashtë, kjo ishte fitorja më e madhe që ndjemë ne si të burgosur politikë. Fituam lirinë. E fituam me gjak, e fituam me zotësi, duan apo nuk duan ta pranojnë diçka të tillë, ne i nxorëm me bisht ndër shalë.

Çfarë ndodhi pasi nxorët policinë jashtë? Si vijuan ngjarjet?

Në atë kohë erdhën dhe kooperativistat me pushkë, sepse i mbanin pushkët varur në pemë dhe na rrethuan deri sa erdhën forcat e ushtrisëspeciale të Tiranës. Pasi na rrethuan, dolëm në tarracë, e kishim hapur vetë atë tarracën me punë dhe bënim xhiro aty dhe aty shohim policinë që vinte vërdallë, shohim dhe kameramanë që na merrnin me kamera, por të trishtuar të gjithë. U mbushën vend-rojet me policë, i hoqën ushtarët sepse kishim frikë mos i kompromentonim, sepse u thoshim “ju jeni vëllezërit tanë”, filluam t’u bënim thirrje atyre. Edmond Caja po shikonte në vend-roje dhe i them: “Po hajde mo trim, po ti je ai bisha që na vërsulesh, hajde poshtë”. Nuk na fliste fare, absolutisht. Erdhën helikopterë, erdhën forca speciale dhe hipën në vend-roje një person nga Ministria, zv.ministër i Brendshëm, Agron Tafa në mos gaboj ka qenë dhe Lekë Ymeri dhe thotë: “Në qoftë se për 5 minuta nuk dorëzoheni, do t’ju shkelim me zjarr dhe hekur” dhe e merr megafonin gjithë nerva e hedh nga vend-roja poshtë. Poshtë kalonte një përrua dhe ikën megafoni. Sokol Zefi me Martin Lekën dhe Tom Ndojën bisedojnë dhe thanë, sa të vriten dhe të tjerë, më mirë dorëzohemi ne dhe mos ta shtojmë numrin. Bisedojnë me të komandës dhe ata u premtuan që nuk do ketë gjakderdhje, nuk do ketë burgosje, vetëm ta shuajmë. Ishte një gënjeshtër, si gjithmonë. U dorëzuan këta, shkuan poshtë. Aty lart mbeta unë dhe disa të tjerë. Midis tyre ishte dhe një shoku im nga Tepelena, Bajram Dervishaj edhe më thotë: “A dëgjove? Janë duke u dorëzuar, po ikin”. “Çfarë thua?, i thashë. Po kjo është vdekje e sigurt, vdekje e tmerrshme, më mirë të hidhemi në tela, të na qëllojnë. Si e këtë punë këta kështu?”. “Lëre, lëre”, thotë ai. Kur na thërret Sokoli, na thotë: “Ahmet, kena bërë një tepsi me hasude, hajde të merrni nga një top sepse duhet të përshëndetemi sepse shumë nga ne do shkojnë nga kjo jetë.” Për vdekje bëhej hallvë, por ne nuk kishim dhe kishin bërë hasude. Po kujt i hahej?! Po duhej respektuar ajo që u tha dhe shkuam e morëm nga një top. Dhimbja ishte shumë e madhe. Trishtimi ishte shumë i madh. Vdekjen e kishe aq pranë sa habitesh. Unë theva derën e magazinës. Aty rrinte brenda një Rexhep, punonjës i komandës. Kishim depon e ushqimit dhe veshmbathjes. Ai u tremb, kujtoi mos do e vrisja. I thashë:“nuk kam punë me ty, kam punë me thesin tim”. Shkoj te thesi, Skënderi, ky shoku im, Fatmiri, morëm ndërresat e pastra, të vdesim me rroba të pastra, thamë. Kur dolëm, ishte vendosur qetësia, kishin filluar të dorëzoheshin. Kur dolëm, në vend që të shkonim te rreshti për t’u dorëzuar, mbajtëm rrugën në krahun e djathtë.  I thashë policisë: do shkoj në tualet. Aty në tualet dola në hapësirën e tunelit që quhej apartamenti, në fjetore. Më shikon polici, më thotë: “Ku ishit ju?”- Në tualet. –“Shkoni te shokët tuaj!” Shikoj për shokët, nuk kishte asnjë, miza nuk dëgjohej. Ata i kishin nxjerrë te sheshi i rreshtimit para mensës. Të gjithë të ulur përtokë. Të gjithë me fytyra të trembura. U ula dhe unë. U ul dhe Skënderi. U ul dhe Fatmiri. Filluan të thërrasin emrat. Midis këtyre emrave thirrën Sandër Sokoli. Unë kam pasur muhabet me të. Ai kishte muhabet me shumë njerëz, ishte njeri shumë fisnik, ish-ushtarak, shumë i përgatitur. Me të kam bërë shumë agjitacion kundër sistemit. Mirëpo, kur e vumë përpara policinë dhe hipëm lart për t’i parë mos na sulmonin dhe kishim ca tulla për mbrojtje, më thotë: “Edhe ti Ahmet?”. “Po dhe unë, i thashë, pse ç’na duhet kjo jetë duke u rrahur përditë? Unë jam djalëi ri dhe shkoj drejt vdekjes, ti je thuajse babai im në moshë dhe nuk po vjen?” Tekstualisht më ka thënë: “Po është herët, mor Ahmet” sepse e kishte në shpirt për të bërë diçka të tillë, e kishim biseduar. Dhe ika unë, nuk i fola më. Ai iku. Dhe unë u habita pse e thirrën, ky nuk mori pjesë në revoltë, si shumë të tjerë sepse nuk dolën të gjithë të përlesheshin me policinë. Sa e kanë nxjerrë në anësore të murit të godinës, vetëm kemi dëgjuar një ulërimë dhe nuk u dëgjua më. Sepse këta i nxirrnin aty, kanë treguar shokët tanë që janë arrestuar,i priste një skuadër policësh gjakpirës, me bishta kamze i godisnin. Kam marr vesh që e kanë shtrirq në tokë barkas, e ka parë Haxhi Baxhinovski, kur jam takuar me të më ka thënë, e ka pasur afër. Edhe atë e kishin rrahur dhe e kishin hedhur në tokë. “E shikoj Sandrin që kishte rënë në tokë. I ka hipur një oficer, shefi i prapavijës, me emrin Sela, ishte një gjigant, 2 m burrë, 100 e ca kile, i ka hipur në mes me këpucë dhe e kanë kapur dy policë të tjerë dhe e kanë palosur, i kanë thyer shtyllën kurrizore. Ai ishte pa ndjenja, nuk ka marrë vesh gjë”, më ka thënë. Dhe e ka qarë si fëmijë, ka pasur shumë afrimitet me të. Morën pastaj Dalip Zhabollin. Kjo na habiti prapë pa masë sepse ai ishte kryetari i zyrës teknike, thuajse në rang oficeri, kryente punën e policisë, bashkëpunonte me ta. Lajmëronte të dënuarit që i thërriste komanda. Ky ishte bashkë me ta, sepse njeriu i ndershëm nuk e pranonte atë punë, thoshte “stop!” dhe shikonte punën e tij. I pëlqente, pa e bënte. E thirrën dhe atë. Sa e nxorën aty, e mbytën, dëgjuam ulërima. Edhe ai ka qenë shumë i shëndetshëm 100 e ca kile. Pastaj thirrën Hajredin Fratarin. Edhe ky ishte inxhinier ndërtimi. Ky punonte me ta, dilte me një polic, kontrollonte punën e rrethimit, nuk kishte asnjë dyshim qëmund tëikte, ishte i besuari i tyre, sepse ia kishin dhe nevojën ngaqë ishte inxhinier. Ai ishte njeri me kulturë, nuk ishte njeri i dhunshëm, që të kishin frikë prej tij. Edhe këtë sa e thirrën, e kanë rrahur në mënyrë barbare, e kanë lënë aty bashkë me Dalipin. Kështu u thirrën disa persona dhe e lanë me aq atë ditë.

Po ju, ju kanë torturuar pas revoltës?

Në 12 e gjysmë të natës më morën mua. Policia speciale ishte nëpër këmbë. Unë flija në kat të dytë. Linxi, që e thërrisnin me përkëdheli, vëllai i Spartak Ngjelës, Sokol Ngjela, gjettë rrahmet, djalë shumë i mirë, djalë shumë i dashur flinte ngjitur me mua. Ai kujtoi mos do merrnin atë, po dridhej nga frika, por ata më kërkonin mua, më thanë “zbrit poshtë”, më kapën për krahësh, këmbët më rrinin në ajër sepse ishin djem të fuqishëm. Më çuan te zyra e Dalipit, aty ishin një grup policësh: Beqir Vrenozi, Latifi, Myzaferi, Fiqiri Çakalli, Hajdari e shumë të tjerë. Më tha Edmond Caja “Si kujtuat, që morët pushtetin? “Jo nuk morëm pushtetin, por shpirti ka ardhur deri këtu”. Dhe nuk kishe çfarë flisje më, nuk guxoje të flisje një fjalë. Dhe filluan goditjet aq sa arritën të godasin njëri-tjetrin dhe si përfundim Edmond Caja tha “Lëreni tani. Hiqi këpucët”. Ne kishim çizme të shkurtra. I hoqa, më hoqi ato pecetat që mbanim, “hiqe xhupin e punës! Trikon! Ulu nëçimento! Afroni karrigen!” Afruan karrigen. Te mbështetëse e saj, të dyja këmbët e mia dhe një këmbë ma mbante Beqiri, një këmbë ma mbante Fiqiriu dhe godisnin te shputa e këmbës. Ajo ishte rrahja më barbare që ka parë i burgosuri. Është bërë për herë të parë në trupat tanë. E nisën me mua në 12.00 të natës dhe e vazhduan të nesërmen kur thirrën me listë shumë shokë të tjerë, por gjatë rrahjes, thoshe “shpirt dil”, se nuk durohej. Në krahun tim ishte duke u rrahur Fatmir Lakasi, shoku im. Ai kishte bërë operacion kyçin e këmbës para se të binte në burg dhe Latifi e godiste aty. Ai e kapte këmbën me dorë: “ju jeni xhahila!”. Atëherë bërtisja dhe unë që të iknin nga ky, ata vinin te unë. Del Edmond Caja jashtë dhe thotë: “Çojini në birucë!”. Më thotë mua: “Çohu!”. Bëj të çohem, nuk çohesha dot. Mendova që para ca kohësh një bashkëvuajtësit tonë në Burrel, Urim Elezi, një burrë shumë i lartë, jeton sot në Korçë, i morën dritën e syrit nga shkopi i gomës. Dhe mendova: atij i morën sytë, mua më morën këmbët. “Më paralizuat mor qena”, u thashë. Atëherë ata u turrën prapë. Hyn Edmondi nga korridori dhe thotë: “Çfarë është ky zë?”.“Ky, thanë ata, po na kundërvihet me fjalë”. “Akoma ti?, tha dhe mori shkopin e gomës duke më goditur. “Është paralizuar”, i thanë. Aty e la. “Merreni, hidheni në krevat.” Më morën si thes, më hodhën në krevat. U tmerruan të burgosurit. Të nesërmen vazhduan rrahjet e tjera. Bëhej apeli, unë nuk dilja dhe thoshin “është dhe Ahmet Tufa, ai i paralizuari”. Më zgjati kjo afër tri javë. Pas kësaj rrahjeje, ata kanë bërë një raprezalje të madhe me të gjithë, edhe me moshat e thyera dhe këto i drejtonte Edmond Caja, kryekrimineli që sot ndodhet në Gjermani.

Si e keni pritur ditën e lirimit?

Unë jam liruar në janar të vitit 1991. Jam liruar nga kampi i Durrësit, kovaleshenca. Aty kishte filluar zbutjen Edmond Caja sepse nga krimet që kishte bërë, kishte frikë që kur të liroheshim do bënim diçka. Dhe para se të lirohesha, kisha 20 e ca ditë burg, më pruri në kovaleshencë të Durrësit. Më tha “do rrish këtu, ke njerëz të mirë, të presësh lirimin, mos të bësh ndonjë gafë të arratisesh”. Nuk kisha çfarë të bëja. Kur erdhi vendimi i lirimit, kisha parandjenja shumë të mëdhaja. Shokët e mi thoshin “do lirohen ata që kanë pak, jo ti që ke 25 vjet.” Po jam futur kot,- u thosha,- jam futur për motiv të pastër politik. Dhe Ministria nxori dekret, do lirohen këta të burgosur. Mes tyre dhe emri im. Kam thirrur me të madhe: Poshtë sistemi diktatorial i Enver Hoxhës! Hapni derën o kriminelë, që më keni marrë rininë! Poshtë Enveri! Rroftë demokracia me partinë Demokratike deri në vdekje! Isha shumë i dhënë pas Sali Berishës. Dhe faktikisht punova një periudhë pas Saliut si oficer police. Kishte ardhur dita t’i japim vendit tonë, unë dhashë rininë time për atë ditë. Mirëpo ne u zhgënjyem nga politika. Të zhgënjyer jemi dhe sot sepse ne i kemi akoma ata qentë që na masakruan, ata janë akoma në pushtet, parmalement. I kemi kudo që shkojmë dhe na bëjnë dhe karshillëk.

Ju jeni një ndër ish-të burgosurit që ka firmosur padinë ndaj Edmond Cajës për krime kundër njerëzimit, në një kohë që ai ka reaguar në media duke mos i pranuar akuzat e bashkëvuajtësve tuaj. Çfarë keni për të thënë për këtë?

Edmond Caja thotë që nuk jam kriminel dhe ka dhënë përgjigje me shpifjet e tij për shokët e mi, që nuk janë aspak të vërteta, flet kundër Bedri Blloshmit, Visar Zhitit, njerëz të nderuar, njerëz të mrekullueshëm, antikomunistë. Unë desha që me anë të kësaj interviste t’i them atij kanibali me fytyrë njeriu që t’i lërë presionet që bën përmes gazetës “Dita”, me njerëz të paskrupull që shkruajnë me aq përçmim për këta martirë të demokracisë dhe nuk thonë një fjalë të vërtetë për të dhënë ndihmën e tyre për ndërtimin e vendit tonë që dhe ne të shkojmë në Evropë, që edhe ne të shohim një ditë të bukur, por shpifin ndaj bashkëvuajtësve të mi. Edmond Cajës i them ta mbyllë atë gojë të shpifur, atë gojë të qelbur, që nxjerr vetëm vrer sepse ne po të kishim dashur të merrnim hak, ai nuk jetonte një sekondë, por ne kemi qenë demokratë, jemi demokratë, e duam demokracinë, por e duam ashtu siç e ka gjithë bota, një demokraci të pastër, pa plehra. I kemi hapur padi penale dhe presim që ai të vijë para drejtësisë. Ai dhe shokët e tij duhet të dalin para drejtësisë për krimet që kanë kryer që të qetësohen shpirtrat tanë, të qetësohen dhe ata martirë që sot nuk ndodhen mes nesh. Ky është realitet i hidhur për ta, por është i mirëpritur nga gjithë populli shqiptar. Që të vihet qetësia, duhet të dalin para drejtësisë.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here