Uran Kostreci: Isha 14 vjeç, ndërsa vëllai qe më i vogël kur shkuam në Burrel dhe kërkuam takim me Fuat Kostrecin, babanë. Doli babai. Unë e njoha se edhe e mbaja mend më mirë, kurse vëllai që e mbante mend më shumë nga fotografitë, nuk e njohu, ngaqë babai ishte tjetërsuar: i kishin rënë dhëmbët, ishte dobësuar, dhe nga torturat që i kishin bërë në Korçë, nuk dëgjonte as nga veshët
“Ka qënë mbasdite, vjeshtë, po binte një vesë shi. Ishte pak ftohtë dhe u err shpejt. Salla ndriçohej me disa llamba të vogla. Kishte pak njerëz, dhe unë u futa siç futesha gjithmonë, pa rënë në sy. Babai u dënua me 101 vjet. Nja tre i dënuan me vdekje. Ndër ta ishin Zalo Selenica dhe Mehmet Babani. … babain e mbajtën rreth dy muaj në burgun e Korçës. Pas dy muajsh, në nëntor, atë dhe rreth 120 të burgosur nga Korça i futën nëpër makina, dhe ashtu autokolonë, të rrethuar me ushtarë, i çuan në Burrel. Atje u mblodhën nga burgu i Shkodrës, pastaj i Korçës dhe pastaj i Tiranës. U bënë rreth 600 vetë.
Në vitin 1946, në Burrel kishte 620 vetë. Këto shifra i mbaj mend mire” është një pjesë nga rrëfimi i Uran Kostrecit për diëne gjyqit të babaitë të tij, Fuat Kostreci. Rrëfimi i Uran Kostrecit, jep detaje të jetës së vështirë që kaluan kur I ati shkoi në burg. Një udhëtim I vështirë kur ishte ën moshën 14 vjeç bashkë me të vëllanë më të vogël, ka mbetur në kujtesëne Uranit, i cili pak vite më vonë do të vuante edhe vete nëpër burgjet komuniste.
Udhëtimet e vështira të grave të Korçës drejt burgut të Burrelit
“Nëna bëhej bashkë me nja katër a pesë zonja nga Korça, dhe merrnin gjithë atë rrugë të gjatë, sepse nuk kishte as makina atë kohë. U duhej të vinin me taksi nga Korça në Tiranë, e pastaj të hipnin në ç’të gjenin rrugës për në Milot, e prej Miloti, në Burrel. Ishte rrugë e gjatë, dhe s’kishin as ku të flinin. Hotele s’kishte. Më kujtohet që strehoheshin te një familje evgjite. Ato i ishin mirënjohëse të zonjës së shtëpisë që i fuste brenda sepse nuk të fuste kush në shtëpi atë kohë se konsideroheshim armiq, por natën, ajo u hapte fshehtas thasët dhe u merrte ushqim nga ai që po çonin në burg. Pra, i vidhte. Dhe prapë, këto nuk guxonin t’i thoshnin dot gjë, sepse kishin frikë se mos nevrikosej, dhe nuk i qaste më radhën tjetër.
Malli për babanë dhe udhëtimi drejt burgut
Më kujtohet, ka qenë viti ’52, dhe ne banonim në Tiranë atë kohë, para se të na përzinin. Shkova në Burrel bashkë me vëllanë. Unë isha nja 14 vjeç; vëllai qe më i vogël. Kërkuam takim me Fuat Kostrecin, babanë. Doli babai. Unë e njoha se edhe e mbaja mend më mirë, kurse vëllai që e mbante mend më shumë nga fotografitë, nuk e njohu, ngaqë babai ishte tjetërsuar shumë: i kishin rënë dhëmbët, ishte dobësuar, dhe nga torturat që i kishin bërë në Korçë, nuk dëgjonte as nga veshët. Çfarë t’ju them: një transformim i jashtëzakonshëm, një tmerr që nuk e harroj. Vëllai, duke mos e njohur, këmbënguli te roja: “Duam Fuat Kostrecin.” “Ja, ku e ke Fuat Kostrecin,” i tha roja. Pastaj babai na thirri në emër.
Bastisja e shtëpisë
Po. Por ishte mamaja që shkonte zakonisht. Por edhe mamaja, nuk shkonte dot shpesh, sepse nuk kishte se çfarë t’i çonte. Pasi u burgos babai, ne na përplasën sa andej-këndej. Fillimisht na nxorrën nga shtëpia. Deri atëherë, ne nuk kishim ndejtur në shtëpinë tonë, por në shtëpinë e një tregtari, Misto Lakos, që ishte shtëpi shumë e mirë. Na nxorrën ne, nxorrën edhe të zotin e shtëpisë. Ishte shumë burrë i mirë. Edhe atë e futën në burg dhe e mbajtën gjashtë muaj, sa i morën ca florinj, sepse e futën edhe për florinjtë. Me hu ia kanë nxjerrë. Por para se të na nxirrnin, na rrasën në një dhomë, në atë shtëpi ku kishte edhe pesë dhoma të tjera. U deshën nja dy muaj që të na nxirrnin, por teshat, orenditë, na i morën menjëherë. Na lanë vetëm nga një dyshek për njeri, nga një jorgan, nga një lugë, nga një pirun, nga një pjatë. Të gjitha të tjerat, me mobilje, ndërresa, lugë floriri, lugë argjendi, shtroje, servise…, të gjitha i morën. Halli ishte se qilimat, që ishin gjëra me vlerë, na duheshin sepse mund t’i shisnim, që të paktën të siguronim ndojë kacidhe për të jetuar. I sekuestruan, i futën në një vend, i dyllosën, dhe pastaj na nxorrën nga shtëpia dhe na çuan në një shtëpi tjetër, që rastësisht qëlloi të ishte shtëpia e Adem Vilës, ku babai kishte bërë hetuesinë, gjatë kohës kur ishte shndërruar përkohësisht në seksion policie. Babai ishte në Burrel në atë kohë.
Na hoqën edhe prej andej, dhe na urdhëruan që të shkonim në një shtëpi tjetër. Gjithmonë keq e më keq. Pastaj na hoqën prapë dhe na thanë që do të shkonim te “Kulla e hirit”. “Kulla e hirit” ishte një lagje shumë e keqe në Korçë, e pabanueshme. Atëherë, mamaja e shkretë, si e re në moshë dhe e parrahur shumë me këto punë, vendosi që të shkonim tek e ëma në fshat, në Qafëzezë. Në Qafëzezë, kishin mullirin që ishte i vetmi mall që akoma nuk ua kishin marrë, sepse tokat e të tjerat, ua morën. Ky mulli ndahej mes tre pjesëtarëve të familjes së mamasë, por një qese të vogël me miell arrinim ta merrnim prej tij, sa për të mbajtur frymën gjallë. Aty në fshat, ndejtëm tre vjet. Por pastaj mamaja kishte hallin e shkollimit tim, sepse unë mbarova 7- vjeçaren dhe aty në Qafëzezë, nuk kisha asnjë mundësi të vazhdoja shkollën më tej. Bisedoi me kushëririn e babait në Korçë, që me ndihmën e tij, të mund të vazhdoja gjimnazin atje. Por çfarë ndodhi? Shkuam të regjistroheshim, por në Korçë na njihnin, dhe nuk pranuan.
“Pse, nuk ka vend?” i pyeti mamaja.
“Jo. Nuk e regjistrojmë se është bir reaksionari!” iu përgjigjën.
Shqip. Hapur fare. Pra, nuk më pranuan nxënës në shkollën e mesme sepse isha “bir reaksionari”, siç i cilësonin të burgosurit atë kohë. Mama ishte pa shkollë vetë, por ia dinte vlerën shkollës. Atëhere mamaja, për të mos na lënë pa shkollë, vendosi të vinim në Tiranë. Po ku të shkoje në Tiranë? Kishim nja dy kushërira; të dyja nga ana e babait. Njëra qe Sheriari, e bija e Mehdi Frashërit, me mbiemër Çelo nga i shoqi, të cilën nuk e kishin internuar akoma në Gradisht. Ajo banonte në Rrugën e Kavajës. Kurse tjetra qe Maxhide Frashëri, e cila ishte martuar me një me mbiemër Pojani, që nuk kishte njerëz në burg. Dhe u ndamë: mamaja rrinte te Maxhideja, kurse unë me vëllanë rrinim te Sheriari, e bija e Mehdi Beut, sepse babai e kishte dajë Mehdi Frashërin, domethënë, vëllanë e nënës. Ajo ishte një zonjë shumë e mirë, por edhe i shoqi, Remzi Çelo quhej, ishte shumë burrë i mirë. Ndërkohë, kishim edhe një kushërirë që quhej Pëllumbesha, po me mbiemrin Frashëri, që ishte nga fisi ynë por jo aq e afërt, e cila punonte në Ministrinë e Financave. Ajo i tha shefit të saj që “kam një kushëririn tim, një djalë të vogël nja 13 vjeç, që është jetim. E ëma me dy fëmijë, është ndarë nga i shoqi se ishte pijanec,” pa i treguar të vërtetën, për të më krijuar ndonjë mundësi për punë. Dhe ai e besoi. Më morën në punë si korrier në Ministrinë e Financave. Ministria e Financave ka qenë atje ku është Bashkia sot. Edhe më kujtohet vetja, me një çantë, me një biçikletë MIFA, tërë ditën në shi, në diell, saqë i mësova shumë mirë rrugët e Tiranës. Shyqyr që na gjetën atë punë, sepse kisha të drejtë për triskë ushqimi. Tani këta te Sheriarit, më mbanin mua me ushqimet e veta dhe triskën time të bukës dhe ushqimit, më kërkuan t’ia dërgoja mamasë për ta ndihmuar, atje ku ishte, tek ajo kushërira tjetër. Mbaj mend që merrja dy mijë e treqind lekë në muaj rrogë, plus triskat. Ushqimet ishim me triska në atë kohë: kishte triska ordinere me 400 gr bukë dhe triska për të punësuarit, me të cilat merrje 700 a 800 gramë bukë, edhe ca ushqime. Pra, në një farë kuptimi, u gjet një zgjidhje. Por mbetej puna e shkollës për t’u zgjidhur, për të cilën edhe shkuam në Tiranë. Meqë u punësova te Ministria Financave, më thanë që të regjistrohesha te Teknikumi Financiar, që ndodhej në Rrugën e Kavajës. Dhe fillova shkollën. Ndiqja shkollën e natës natyrisht; tri herë në javë. Shkolla fillonte në ora 6 pasdite, se në ora 4 mbaronte puna. Nuk e pëlqeja atë degë që kishte të bënte me kontabilitet e me kalkulime financiare, por nga e keqja ajo duhej bërë, sepse nuk kisha zgjedhje tjetër.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.