Burrel, 30 vetë në një qeli, aty ku hanim kryenim edhe nevojat personale...

0
468
blank

Dëshmia e Lavdosh Beqos, ish i burgosur politik në burgun e Burrelit. Nëpër dhoma mbanim qypa për të urinuar, ndërsa për ata që i zinte barku, dizanteria, ishte tmerr, një tmerr i vërtetë! Qypat vendoseshin në qoshe të dhomës aty ku hapej dera. Natën dyert nuk hapeshin...

Për të kuptuar se në ç'kushte mizerjeje jetonin të burgosurit politik në burgun e Burrelit na ndihmojnë shumë dëshmitë e lëna nga ish të burgosurit që vuajtën vite të tera në qelitë e ferrit në Burrel. Një prej tyre është  Lavdosh Beqo, nga Kanina e Vlorës, i arrestuar  me 7 maj 1950 si një prej anëtarëve të një grupi të rinjsh që shpërndante trakte kundër komunizmit në gjimnazin Ali Demi në Vlorë. Mes shumë dëshmive të vyera  Lavdosh Beqo ka lënë edhe këto rreshta mbi jetën brenda qelive në Burrel, shkëputur nga një rrëfim shumë i gjatë i tij mbi vuajtjet në kohën e komunizmit në intervistën e publikuar në vëllimin II "Zërat e kujtesës". Ja çfarë dëshmon ai ndër të tjera:

"Burreli dhe burgu i Gjirokastrs, ishin dy burgjet ku kanë vdekur me qindra personalitete shqiptare. Burreli ishte shumë i ashpër si nga trajtimi ashtu edhe nga klima.  Por edhe për shkak të ujit.

Burgu furnizohej me ujë  nga një pus. Pusi infektohej nga enët e palara që futeshin për të marrë ujin. Dhe shpesh binte diarreja. Me këtë shkak shumë vetë gjetën vdekjen nga dehidratimi i organizmit dhe mungesa e ilaçeve.

Një tjetër  problem në burgun e Burrelit ishte dendësia shumë e madhe nëpër dhoma: në një dhomë 7m X 5m rrinim 30 vetë.  Dyshekun që ta sillnin nga shtëpia duhet ta kishe sa gjerësia e gazetës dhe ti ishe I detyruar të flije në brinjë. Edhe sot e kësaj dite nuk fle dot as përmbys as në shpinë, por vetëm në brinjë, s ekështu më ëhstë mësuar trupi në burg.

Por më e tmerrshme ishte puna e banjove.Llogarit: për një numër kaq të madh të burgosurish që kishte Burreli, 8 dhoma të mbushura plot me nga 30 vetë përveç atyre që ishin nëpër 20 biruca- kishte vetëm 4 banjo! Për të vajtur në banjo, kishte orare të caktuara: shkohej vetëm paradite dhe pasdite. Nëpër dhoma mbanim qypa për të urinuar, ndërsa për ata që i zinte barku, dizanteria ishte tmerr, një tmerr i vërtetë! Qypat vendoseshin në qoshe të dhomës aty ku hapej dera. Natën dyert nuk hapeshin; rojet nuk kishin të drejtë të hapnin dyer natën. Për çdo nevojë natën duhej të përdorje vetëm qypin. Dhe në të njëjtën dhomë të vogël, mbanim edhe enët tona të ushqimit, gavetën dhe paguren e ujit. Mendoje se në ç’kushte higjenike jetonim!"

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here