Gjatë 33 viteve të para të jetës së tij Jozef Radi njohu vetëm jetën e internimit komunist. Ai është një fëmijë i kampeve famëkeqe të internimit që diktatura kishte ngritur për qindra e mijëra familje intelektuale që i konsideronte “armiq”.
I dënuar që në lindje me mungesën e lirisë, në vitin 1957, Jozefi ishte i vetmi fëmijë në kampin e quajtur “kampi i 100 intelektualëve” në Kuç të Kurveleshit. Pasi ndoqi fatin e prindërve të tij në kampet e Gradishtës dhe Çermës, gjeti shokë si veten në kampin e Savrës, ku krijoi kujtimet e fëmijërisë dhe ku jetoi 31 vite të jetës deri kur ra “muri i frikës”.
Fëmijë të familjeve ku flitej italisht apo frëngjisht, ku lexoheshin klasikët botërore, ai dhe shokët e tij kuptuan që herët se bota i kishte izoluar pa të drejtë. Kështu, fëmijët e barakave nisën “luftën” si në romanet e tyre të parapëlqyer të Zhyl Vernit duke krijuar “armët” për të sulmuar “të lirët”, fëmijët që jetonin në shtëpitë prej guri.
Kjo lojë fëmijësh zemëroi sigurimin e shtetit dhe u mor shumë seriozisht nga të rriturit. Ky ishte momenti kur ai kuptoi sa e egër ishte diktatura komuniste dhe pse prindërit e kishin ruajtur rrëfimi i vuajtjeve të tyre.
Jozef Radi, shkrimtar e përkthyes, që ndoqi gjurmët e të atit, Lazër Radi, një ndër intelektualët e arrestuar e dënuar nga komunizmi që në vitet e para të instalimit të diktaturës, dëshmon jetën e tij në internim.
Dëshmi për en.kujto.al – Bisedoi: Blerina Gjoka
Jozef, ju jeni një fëmijë i lindur në kampet e internimit të diktaturës, pasi familja juaj ishte dënuar dhe persekutuar. Çfarë do të thotë për ju ky fakt? Si është të jesh një fëmijë i lindur në internim?
Të lindësh në një kamp internimi, më parë se të jetë diçka e tmerrshme për atë që lind aty, duhet të ketë qenë një dhimbje tejet e madhe për gjitha ata prindër që u detyruan t'i lindën fëmijët e tyre në të tilla kushte çnjerëzore. Dhe nuk kanë qenë pak po me mijëra. Në gjitha familjet që u persekutuan prej vitit 1944 deri në vitin 1954, lindshmëria e tyre ka qenë pothuajse zero. Ky është një tjetër krim ende i patrajtuar e i pastudjuar, pa harruar se personalisht kam njohur me qindra gra e burra që diktatura nuk u krijoi kushte, as besim për martesë, e nëse u martuan në moshë të shtyrë nuk patën fatin të kishin fëmijë... Prindët e mi në tragjedinë e jetës së tyre patën fatin të kenë njëri-tjetrin po edhe tre fëmijë edhe në kushtet e internimeve.
Mund të them se në moshën e koshiencës, e konsideroja veten të kem qenë fat i madh i dy prindërve të mi, dhe ai gëzimi për të cilin ata kishin pasur dyshime se mund të ekzistonte! Lazër dhe Vitore Radi, të dy të dalë nga burgjet dhe nga hetuesitë makabre të bishave me fytyrë njeriu, i kishin degdisur në humbëtirat e braktisura nga dhiarët, kështu që ardhja e një fëmije, me gjithë trishtimet e tyre duhet të ketë qenë si dritë në fund të Tunelit të San Gotardit! Ajo çka mund të them duket si thikë me dy presa. Kur fillon ta kuptosh se je i përjashtuar nga çdo e drejtë njerëzore dhe nga çdo mundësi për të jetuar si njeri normal, të pushton pak nga pak si një trishtim i pakufi; më pas po pak nga pak e keqja të bëhet pjesë e lëkurës dhe inercisë së jetës, dhe pse ti beson se e keqja ka një fund. Ajo që mund ta përmbledh me një frazë është: Në tragjedinë e një familjeje intelektuale pjesë e së cilës u bëmë tre fëmijë dhe katër nipa, e konsideroja fat që isha në pjesën e të vrarëve dhe jo vrasësve të jetës; të njerëzve që përfaqësonin diçka dhe jo atyre që nuk përfaqësonin asgjë!
Por ajo çka unë këmbëngul ta theksoj gjatë gjithë kësaj përpjekjes sime është pyetja: Me çfarë të drejte është bërë ky abuzim i skajmë në disa breza ndaj fëmijëve që u lindën dhe u rritën nëpër kampe?! A u ka shlyer kjo shoqëri ndonjë dëm atyre?! A është përpjekur kjo shoqëri për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këta breza fëmijësh?! A ka pasë ndonjë lehtësi integruese për këto gjenerata të pafajshmish të ndëshkuar rëndë, në integrimin moral dhe profesional?!
Prandaj, më duhet ta theksoj se krimi më i madh që është bërë nën diktaturë është ai ndaj të pafajshmëve dhe inkoshientëve, (më vijnë ndër mend 300 fëmijët e kampit të Tepelenës) që nuk arritën as dje e as sot ta kuptojnë pse e gjithë kjo armiqësi ndaj krijesave të pambrojtura e të pafajshme?!
Vetëm kur t'i lexojë si duhet problemet e saj do të nisë emancipimi i një shoqërie. Anashkalimi, mospranimi apo shpërfillja e problemit ia lë nëpër këmbë problemin asaj shoqërie, dhe sigurisht rrezikon ta rrëzojë atë...
Në çfarë kampesh keni jetuar? Çfarë kujtimesh ke nga fëmijëria në kamp? Si ishte jeta aty?
Faktikisht kam jetuar në disa kampe si ai i Kuçit të Kurveleshit, Gradishtës, Çermës dhe Savrës, por kujtesës sime i shfaqet vakët Kampi i Çermës, ku kam jetuar 2 vjet e gjysëm dhe 31 vitet në Kampin e Savrës.
Kujtimet e fëmijërisë sime janë shumë të bukura, sepse vetë fëminia nuk të lejon të merresh me të keqen e madhe. Duke qenë një kamp i madh e i ndarë përgjysëm, edhe e keqja e përbashkët zvogëlohej. Savra ishte një kamp me njerëz të kulturuar e të shkolluar, ku flitej e diskutohej për gjithçka, për muzikë, libra, kulturë, politikë, sport; kishte shkodranë të humorit e të batutës, kishte gra të bukura që i mbushnin me dritë rrugicat prej balte, po kishte edhe kryetar këshilli, edhe operativë sigurimi, që ishin të frikshëm, dhe hera-herë ajo egërsia e tyre përkthehej në arrestime dhe terror, kishte edhe spiunë, kishte mjaft spiunë, që sot kur kujtoj fytyrat e tyre dhe lexoj dosjen e babait me kap trishtimi pse i kam dashur dhe respektuar atë mjerimin e tyre në shërbim të se keqes...
Savra në atë tragjiken e saj të vuajtjeve ka qenë magjia e fëminisë sonë dhe unë kam pasur shokë e miq me të cilët kemi ndarë ëndrra dhe kujtime të papërsëritëshme... Kjo me siguri vjen nga vlerat dhe edukata e familjeve që ata përfaqësonin, në atë kap internimi ku “ua kishte zënë rrota bishtin!”
Kur e mësuat se ishit një fëmijë “i dënuar” që në lindje? Çfarë ju thanë prindërit për komunizmin dhe internimin?
Prindët e mi sot i gjykoj si pedagogë të shkëlqyer! Ata janë përpjekur mos të na fusnin në armiqësi me komunizmin! Sepse edhe ajo do të ishte një traumë, sidomos në fazën e parë të adoleshencës. Po mund të them se pak nga pak u bëra koshient ndaj asaj ndarjeje dhe luftës klasore. Sa më shumë rritesha e kuptoja realitetin, po nuk duhet ta mohoj, se shiu ideologjik na lagte edhe ne. Vlen ta ilustroj këtë që them me një ndodhi. Duhet të kem qenë më pak se dhjetë vjeç, në verën të vitit 1965 ose 1966, kur si fëmijë reaguam “me luftë” ndaj kësaj ndarje. Si fëmijë të lexuar që ishim ne “të interrnuarit” po edhe të ndikuar nga filmat, vendosëm të reagojmë ndaj padrejtësive. Si model patëm “Djemtë e Rrugës Pal” të Molnar-it si dhe ca filma francezë si; “Tre Musketierët”, “Fan-Fan Tulipan” apo “Til Ulenshpigel”. Të cënuar në dinjitet, dhe duke mos u pajtuar me atë “Mur Berlini”, ne përgatitëm shpata, mburoja, llastiqe, bile shfrytëzuam edhe fantazinë e Zhyl Vernit, duke përgatitur edhe një “Top” me pjesën e vjedhur nga një plug traktori, u shpallëm luftë “të lirëve”. Ne bëmë një grup me komandantin tonë, ata një grup me komandantin e tyre. Meqë lagjet ishin të ndara beteja bëhesh midis “shtëpive prej guri”, dhe “barakave prej pupuliti”. Sheshbeteja për ne bëhej më e lehtë, se kishim mburoje edhe kasollet e lopëve, po edhe arat e punuara, plisat e të cilave i kishim strukturuar si “kështjella”! Për gati një javë, herë paradite dhe herë mbasdite zhvillohej një betejë e vërtetë. U kapën edhe robër, u bënë edhe rrahje nga të dyja palët. Për të blerë bukën dilnim grup dhe ktheheshim grup! Si fëmijë, fituam ne “të interrnuarit”. Më pas, “të lirët” në krahun tjetër, e morën shumë seriozisht, dhe në këtë betejë për ta hynë edhe të rriturit, edhe këshilli popullor, edhe operativi i sigurimit dhe kështu u shprish kjo “luftë e drejtë”, e cila i ka mbetur e gjallë kujtesës sime, si të kishte ndodhur dje...
Ky ishte ai ndërgjegjësimi fëminor i kësaj ndarjeje politike të egër, dhe i asaj lufte klasore që e mbushte vendin me viktima...
Si nisi persekutimi komunist ndaj familjes tuaj? Pse u arrestua dhe u dënua babai juaj?
Persekutimi i babait nisi si një projekt i qartë i luftës ndaj intelektualëve shqiptarë, projektuar që gjatë luftës ndaj okupatorit. Babai kishte mbaruar për Jurisprudencë në Romë, dhe punonte si nëpunës dhe këshilltar juridik. Pasioni i tij për letërsinë e gazetarinë, e kishte shtyrë të kontribuonte në disa gazeta si të periudhës mbretërore, asaj të pushtimit fashist, edhe pas kapitullimi të tij, në shtypin nacionalist. U dënua vetëm për shkrimet e botuara në gazeta. U akuzua së bashku me 61 personalitete në farsën e madhe të Gjyqit Special, prej një teneqexhiu si Koçi Xoxe, dhe një intriganti e aventurieri kriminel si Bedri Spahiu, me 30 vite burg.
Familja e Lazër Radit, me tre fëmijë, dhe katër nipa, të 46 vitet e komunizmit, i ka kaluar nëpër burgje dhe kampe internimi, pa asnjë ditë të vetme jashtë këtij ndëshkimi të ashpër e të pajustifikueshëm shtetëror!
Po me nënën tuaj çfarë ndodhi?
Mbas arrestimit të tim eti, me 23 nëntor 1944, familja e tij e madhe me të vëllanë, gruan dhe dy fëmijë të mitur; nëna e tij së bashku me motrën, si dhe gruaja e tij me dy fëmijë, një i mitur dhe një i porsalindur, u nxorën nga shtëpia, iu sekuestrua gjithçka kishin e u hodhën mes katër rrugëve... U vendosën në Durrës, në të afërm ku mund të mbijetonte me një mijë sakrifica. Sqaroj se mbas bombës në konsullatën sovjetike (shkurt 1952), edhe në qytetin e Durrësit u bë një fushatë arrestimesh masive: shtatë persona, një prej të cilëve ishte edhe nëna ime, 25 vjeçe, e vetmja grua mes tyre. U dënua si gruaja e “Armikut të popullit” Lazër Radi dhe agjente jugosllave. Ishte shtator i vitit 1951. U dënua me dhjetë vite burg, gjatë hetuesisë ishte bërë tuberkuloze!
Çfarë kujtimesh keni nga nëna dhe babai për vuajtjet e tyre, hetuesinë, dënimin dhe jetën në internim? Sa e vështirë ka qenë për ta?
Siç e theksova edhe më sipër, prindët janë treguar tejet të kujdesshëm në rrëfimet e dramave të tyre tek ne fëmijët. Për fat ata ishin edhe njohës të disa gjuhëve të huaja, kështu që komunikimi mes tyre na përjashtonte ne fëmijëve. Besoj që kjo ka qenë mjaft pozitive. Me kohë ne e kuptuam pjesë-pjesë atë çka kishte ndodhur dhe cila ishte drama e tyre. Po ne kuptuam sakrificën e tyre, vlerat e tyre humane, stoicizmin e tyre të paepur, dinjiteti sipëror për mos t'iu nënshtruar së keqes. Nëna kishte pësuar gjatë hetuesisë tortura të paimagjinueshme. Sa herë arrestohesh dikush në lagje... (gjatë qëndrimit tonë në Savër u arrestuan rreth dhjetë persona) për disa ditë ajo ishte thellësisht e tronditur. Kurse babai ishte më gjakftohtë, i kujdesshëm po edhe i gatshëm për të përballuar çdo të keqe të pritshme...! Nëse babai ishte i paqëm dhe filozof, nëna ishte grua e thjeshtë, por në udhëkryqe të jetës, kurajoja dhe fjala e saj e kapërcenin filozofinë e tim eti...
Kam pasur fatin ta përcjell herë mbas here të vërtetën e tyre...
Në aq shumë dhimbje e vuajtje që përjetuan qindra-mijë shqiptarë dhe familja juaj nën regjimin komunist, duket se ka mbetur një gjë e paprekur, dinjiteti njerëzor. Pse, sipas jush, nuk pati hakmarrjeje nga të persekutuarit ndaj persekutorëve?
Persekutimi i regjimit mbetet një tragjedi e madhe e kombit shqiptar, gjurmat e të cilit nisën para 1944, dhe vazhdojnë edhe sot. Ka një fakt të pamohueshëm. Pjesa më e shkolluar, më qytetare, më e kulturuar, më tradicionale, ishte pësuesja e madhe e kësaj drame, dje dhe sot. Pjesa më e vakët dhe më kriminale e shoqërisë shqiptare, e shpërdoroi Luftën çlirimtare dhe Pushtetin për një qëllim jashtëkombëtar, atë të masakrimit të elitave, historisë dhe kulturës, duke u përpjekur të mbivendosë një kulturë efimere pa rrënjë... pjesa më e madhe e së cilës ka përfunduar në kosh të historisë! Për ta mbajtur këtë stafetë, edhe sot ndjehet qartë se është “ruajtur me korrektesë” linja e diktaturës. Ju pyesni pse nuk pati hakmarrje. Unë mendoj se ka pasur hakmarrje, por do ta quaj hakmarrje morale! Është pikërisht kjo hakmarrja morale, që dita-ditës po u dëshmon fytyrën e vërtetë krimit dhe kriminelëve, të diktaturës dhe udhëheqësve të saj, fytyrën e vërtetë të abuzuesve të djeshëm dhe të sotëm si me pasurinë publike, me pushtetin apo me qytetarin... Nëse do të kishte një sistem drejtësie sado mediokër... Shqipëria do të ishte një hapsanë e pashembullt e ndëshkimit e krimeve të djeshme e të sotme, dhe abuzimi i skajmë i këtij pushteti dora-dorës po shfaqet si hallkë e diktaturës së djeshme.
Hakmarrja sado e vyer që të ishte, do të hapte një zinxhir të pafund krimi. Në fund të fundit njeriu i emancipuar beson në ligjet, në moralin dhe drejtësinë hyjnore... Kurrsesi, një krim nuk sjell paqe përmes një tjetër krimi!
Një shoqëri, për të cilën flitet rëndom ndër ne, jeton mbi ligje, dhe moral qytetar!
Edhe pse kemi 30 vite demokraci a mendon se plaga e komunizmit vijon të pikojë gjak dhe se sistemi i ri nuk duhej të ngrihej pa i larë hesapet me të shkuarën? Çfarë duhet bërë për të krijuar memorien kolektive, që ajo që ka ndodhur me secilin prej të persekutuarve të mos harrohet?
Asnjëherë s'kam besuar se mbas diktaturës do të vinte demokracia. Gjithçka kam shprehur ndaj kësaj kohe, e kam quajtur postdiktaturë. Demokracia është një luks i madh për vendet që dalin nga diktatura. Demokraci do të thotë emancipim. Një shoqëri trushpërlarë për 46 vite, dhe e zhveshur nga kulti i besimit, i ligjit dhe i pronës kërkon mjaft kohë për t'u quajtur demokraci. Ajo çka nuk e kisha besuar, ishte se mbas 30 vitesh nuk do të ishim këtu ku jemi sot! Kjo është tragjike. Qytetari shqiptar jeton jo vetëm nën ndëshkimin e shtetit, po edhe nën rrugaçërinë e njerzëve të pushtetit, nën rrënimin institucional dhe abuzimin e skajmë të të gjitha pushteteve: si atij legjislativ, atij ekzekutiv, pushtetit gjyqsor dhe atij mediatik. Pikërisht ky kthim mbrapsht i kohës, po sjell edhe njëherë në skenë komunizmin, jo si ideologji, po komunistët si forma të squllëta, që në metamorfozën degraduese janë të gatshëm të marrin formën e çdo ene në të cilën futen. Ky pragmatizëm ordiner dhe bajat, me pasoja katastrofike, ka bërë të shfaqet figura e diktatorit, edhe atavizmat e diktaturës, të malcohen plagët e vjetra, e të rivriten sërish ata që dikur i vrau diktatura...
Besoj se qytetari shqiptar po dëshmon një rezistencë të admirueshme ndaj një establishmenti abuziv e kriminal, besoj se beteja e “njeriut të vogël” me pushtetin e pakufi sot është në krahun e “njeriut të vogël”, të qytetarit që përpiqet të mbijetojë, që përpiqet të shkollohet, që lufton me shpirt nëpër dhëmbë të mbrojë pronën e vet, të mbrojë Teatrin, si shenjë e kujtesës dhe kulturës së tij, që merr rrugët e mërgimit për mos t'u nënshtruar e për t'u dhënë një të ardhme fëmijëve, që proteston përditë, që bën art e dëshmon qytetari, që s'resht së demaskuari fasadat, korrupsionin e të korruptuarit, mjerimin e varfërinë, paftyrësinë e babëzinë...
Janë të shumë ata që e kanë njohur vuajtjen dhe persekutimin dhe janë në këtë beteje të përditshme. Pse atyre ua kanë thyer rininë dhe ëndrrat ata janë në këtë betejë me qytetarinë e tyre të lartë për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri që e ka bekuar Zoti, e që po e rrënojnë barbarët e pushtetit, ata që ndërrojnë maskat njëra mbas tjetrës, për të realizuar tragjedinë e radhës thjesht për hijen e lavdisë së rreme.../en.kujto.al
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.