Ditëlindja e një 18-vjeçari, në qelitë e hetuesisë komuniste

0
423
blank

Lluka Dindi, njëri prej qindra të rinjsh gjimnazistë të Tiranës së vitit 1950, që u arrestuan e u dënuan për veprimtari armiqësore dhe kaluan rininë e tyre burgjeve të diktaturës

Lluka Dindi ishte një ndër të rinjtë e kryeqytetit i pakënaqur me pushtetin popullor, pranverën e vitit 1950. Ishte gjimnazist, pjesë e një grupi të rinjsh që flisnin dhe shpërndanin trakte kundër pushtetit popullor dhe për këtë arsye, ai u arrestua në moshën 17-vjeçare. Përgjatë një viti, bashkë me shokët e tij, Lluka Dindi u torturua në mënyrë çnjerëzore nga hetuesit komunistë. Ditëlindja e tij e 18-të, do të ishte pikërisht aty, në qelitë e burgut dhe vetëm pak ditë pasi mbushi 18-vjeç, ai u dënua me 5 vjet heqje lirie.

Në pretencën e prokurorisë komuniste kundër të riut të pafajshëm, theksohet:

"I pandehuri ka marrë pjesë në grupe kundër pushtetit popullor që ishin ngritur në atë kohë në disa shkolla të kryeqytetit. Kanë kryer agjitacione propagandë me gojë e me shkrim duke e shpërndarë përmes trakteve nëpër shkollat e Tiranës e gjetkë".

Pas akuzës nga gjykata ushtarake e Tiranës, 18-vjeçari i torturuar egërsisht në hetuesi, e kishte pranuar pjesërisht akuzën.

“Kur kam qënë në moshë të vogël nuk kam kryer veprimtari kundër pushtetit popullor. Unë isha i pakënaqur nga pushteti popullor sepse më kishin arrestuar xhaxhain, ndërsa babait e nënës nuk i jepnin të drejtën për punë”, - ishte sqarimi i 18-vjeçarit, Llukë Dindi, në qelitë e hetuesisë, në maj të vitit 1950.

Ai flet për aktivitetin e tij me shokët e gjimnazit, Amik Kasoruho, Vasil Melo e të tjerë.

Pas një procesi të gjatë hetuesie, Llukë Dindi u dënua me 5 vjet heqje lirie dhe heqje e të drejtës elektorale. Lluk Dindi është një ndër mijëra të rinj të kryeqytetit, por edhe të Shkodrës, Korçës, Elbasanit e gjetkë, që tentuan t'i kundërvihen diktaturës komuniste në ato vite të para të diktaturës komuniste në Shqipëri. Qindra prej tyre u vranë, vdiqën në tortura e të tjerë e kaluan jetën nëpër burgjet komuniste.

blank

Shënim: Dokumentet janë marrë nga AIDSSH/en.kujto.al

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here