Të burgosurit thanin kënetat, Kadri Hazbiu kërkonte mbrapsht lekët e normave të punës

0
343
blank

Shkresat e dhjetorit 1955, ku viheshin në alarm dy ministri për dëmin e shkaktuar nga përllogaritja e gabuar e normave të punës së të burgosurve në kampin e Zadrimës.

Në jetën e përditshme të të burgosurve politikë nëpër kampet e punës së detyruar, termi “normë ditore” ishte më i përhapuri. Gjithçka e jetës së tyre lidhej me normën që përcaktohej nga komanda e kampit. Në bazë të kësaj norme, çdo i burgosur përfitonte edhe një shumë të vogël të hollash për nevojat ushqimore, sikurse edhe llogaritej ndonjë ditë zbritje nga dënimi që iu ishte dhënë.

Kur ata realizonin normën apo edhe e tejkalonin për të përfituar në këto dy drejtime, ishin të qetë dhe me shpresë. Kur nuk arrinin ta plotësonin, e dinin se i priste ndëshkimi dhe masat e tjera të rrepta nga komanda e kampit.

Mes dhjetëra e dhjetëra kampeve të punës së detyruar ngritur në gjithë Shqipërinë, nga regjimi komunist, ku shfrytëzohej puna e të burgosurve politikë, më të rëndat ishin ato të tharjes së kënetave dhe hapjes së kanaleve dhe puna në miniera. Ndër këto kampe të vështira, ishte kampi i Zadrimës, i hapur në vitin 1955. Në këtë kamp, puna kishte nisur që në prill të 1955-s dhe të dënuarit hapnin kanale e ngrinin çdo ditë me krahë tonelata dhe.

Në këtë tablo pune munduese dhe shfrytëzuese, kishte ndodhur një ngjarje e pazakontë. Të burgosurve iu ishin shënuar më shumë norma nga ç’kishin realizuar, dhe prej këtyre normave, ata kishin përfituar disa të holla më shumë nga ç’u takonin dhe diçka më tepër nga ulja e dënimit.

Por kjo kishte një kosto për regjimin komunist, dhe disa muaj më vonë, pasi ishte kapur gabimi, ishte vënë alarmi se ndërmarrja e bonifikimeve kishte paguar gabimisht 1.570.880 lekë më shumë nga ç’duhej të paguante, duke u bazuar në gabimet në përllogaritjen e normave të të burgosurve.
Por meqë ky gabim ishte kapur disa muaj më vonë, disa të burgosur ishin liruar nga dënimi ose ishin transferuar në kampe të tjera. Në këtë kushte, ishte e pamundur t’ua merrje mbrapsht pagesat e dhëna gabimisht.

Të vënë në alarm mbi këtë gabim, ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe ministri i Ndërtimit, Josif Pashko, analizonin në një varg letrash shkëmbyer, mes tyre dëmin e shkaktuar nga ky gabim dhe kërkonin të gjenin një zgjidhje. Kujto.al sjell të plotë korrespodencën mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Ndërtimti dhe Kryeministrisë mbi këtë çështje sipas dokumenteve të mëposhtme.

 

blank

LANDA: Mbi disa gabime në normat e punës në Kantierin e Zadrimës.

MINISTRIS NDËRTIMEVE

MINISTRIS FINANCAVET

Për dijeni:

K R Y E M I N I S T R I S

T I R A N Ë

Me zhvillimin e punimeve për devijimin e Lumit Gjadër në zonën e Zadrimës, Drejtorija e Kantjerit të punimeve atje, me aprovimin e Drejtoris të Ndërmarjes Bonifikimeve Durrës, i ka dhënë gabim normat e punës Komandës Kampit Nr. 3, me disa shtesa çmimesh në zërat e punës, si në ngarkimin e tokës, në transportimin e dheut etj. Me këto norma është punuar që nga fillimi i punimeve në muajin Prill e deri në fillim të muajit Gusht 1955 dhe gabimi u diktua nga Dega e Normave të Ministris Ndërtimit vetëm nga fundi i muajit Korrik 1955. Për këtë u shkua dhe u verifikuan në vend, si nga kjo Ministri ashtu edhe nga Ministrija e Ndërtimit sëbashku dhe u vendosën me-njëherë normat reale; gjithashtu u shqyrtua çështja e të hollave që ishin paguar tepër nga Ndërmarja prej 1.570.880 lekë, nga të cilat 1.172.480 lekë i takonin buxhetit Shtetit dhe 398.400 lekë u janë paguar të burgosurvet në bazë të ligjit. Nga shuma e fundit 248.190 lekë u janë paguar të dënuarve, që ndodheshin akoma në Kampin Nr. 3 Zadrimë, ndërsa 150.210 lekë u takojnë të dënuarve që janë liruar ose transferuar nëpër burgje të tjera.

Nga ky gabim është shkaktuar në radhë të parë dëmtimi i Ndërmarjes, duke paguar më tepër për punën e kryer, nga ana tjetër janë shkaktuar një sëri çrregullimesh e anomali administrative në llogaritë e të dënuare, si në të holla që u takojnë nga kjo punë si edhe në zbritjen e dënimeve.

Prandaj për të mos u dëmtuar Ndërmarja dhe për rregullimin e gjëndjes propozojmë:

1- Të hollat prej 1.172.480 lekë që i takojnë buxhetit të Shtetit si edhe 248.190 lekë që u janë paguar të dënuarve që ndodhen sot në Kampin Nr. 3 Zadrimë, t’i kthehen Ndërmarjes Bonifikimeve Durrës. Për këtë duhet të meret një vendim, për transferimin e shumës – prej 1.172.480 lekë nga buxheti i Shtetit, kur janë derdhë në favor të Ndërmarjes.

2- Të hollat prej 150.210 lekë, që u janë paguar të dënuarve të liruar, të mos kërkohen më, mbasi shumicës së tyre nuk u dihet vënd-banimi, kështu që do të kërkohet një punë shum e madhe me veprime shum të gjata, nga ana tjetër do të bëjë përshtypje të keqe ndër këta të porsaliruar nga burgjet, e mund të shkaktojë që ndonjeri prej tyre edhe t’aratiset, nga frika se mos shkon prap në burg.

3- Ministrija e Ndërtimit të analizojë këtë çështje dhe të marë masat e nevojshme karshi shkakëtarve të këtyre çrregullimevet, që kanë neglizhuar detyrën shtetnore, duke i dhënë Komandës Kampit norma të gabuara.

 

Konc. Q. M.                                                 MINISTRI PUNËVE MBRËNDËSHME
Dakt. I. N.                                                                    GJENERAL-MAJOR
Kopje katër                                                                   (KADRI HAZBIU)
6/XII/1955                                                                           (vula, firma)

 

 

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E NDËRTIMIT
-Dega e Normavet-
Nr. 998 Res.                                                                                  Tiranë, me 22/XII/55

 

L A N D A: Mbi disa gabime me normat në kantjerin e Zadrimës.

MINISTRIS PUNËVET BRENDËSHME
- Drejtoris Policis -

MINISTRIS FINANCAVET

T I R A N Ë

Gjegje tuajës Nr. 205 Sekret datë s’ka.

E studjuam me vëmendje përmbajtjen e shkresës së sipërme dhe në përgjithësi kemi këto vërejtje:

1/ Për sa u përket 150.210 lek që u takojnë të dënuarvet të trasferuar ose të liruar, neve jemi dakord që për të liruarit të mos kërkohet as gjë dhe këto të mbulohen nga Nd/ja e Bonifikimit, ndërsa për ata që janë trasferuar mendojmë që ajo Ministri duhet të paguajë diferencën që takon.

2/ Nuk jemi dakord me propozimin t’uaj që për shumën 1.172.480 lek që i takojnë buxhetit të shtetit të meret ndo një vendim për trasferimin e kësaj shume nga buxheti në favor të Nd/jes, për arsye se Nd/ja e Bonifikimit është në marëdhënje pune me Ministrinë e Punëvet të Brendëshme, (Drejtorin e Policis) dhe mund të ndalohen nga situacionet e punimevet që kryhen sot.

Për këtë çështje kjo Ministri ka vënë në dijeni titullarin e atij Dikasteri me letrën e datës 20/IX/1955.

Si përfundim shtojmë se me gjithë që norma e gabuar në Kantjerin e Zadrimës, është dhënë nga Nd/ja e Bonifikimit, neve mendojmë se në kampe ka personel inxhinjero-teknik që i njohin shumë mirë normat, dhe këtë e kanë vërtetuar faktet në kantjerin e Kamzës, Levan-Fier etj., që kur norma ësht dhënë gabim nga ana e Nd/jes në dëm të punëtorëvet, ata e kanë ngritur zërin dhe ësht regulluar gabimi, ndërsa kur është në favor të tyre nuk flasin, prandaj mendojmë që Drejtoria e Policis duhet t’i vërë para përgjegjësis këta dhe të kërkojë prej tyre aplikimin e drejtë të normavet.

Kjo Ministri e ka analizuar këtë çështje dhe ka marrë masa karshi Ndërmarjes.

M I N I S T R I:
(JOSIF PASHKO)
(vula, firma)

 

 

K R Y E M I N I S T R I S Ë

T I R A N Ë

 

Për njoftim.
Për gabimet në interpretimin e normavet në kantjerin e Zadrimës, këjo Ministri e ka analizuar çështjen dhe në analizën 6 mujore që u-bë nga fundi i muajit Korik, i ka tërhequr vëmendjen Nd/jes Bonifikimit, gjithashtu që në muajin Gusht ësht zëvendësuar Drejtori i Kantjerit, përgjegjësi Teknik dhe referenti i normavet.

Siç dihet, normat e ndërtimit janë mjaft të detajuara dhe këjo lehtëson aplikimin e drejtë të tyre, po me qenë se që nga viti 1950 e këtej janë ndryshuar 7 herë dhe si rjedhim baza e librit është shumëzuar shumë herë me koefiçenta të ndryshëm, ësht vështirësuar përdorimi i tyre dhe nga këjo bëhen edhe gabime.

Për këtë arsye këjo Ministri ka filluar përpunimin e gjithë normavet të ndërtimit si dhe thjeshtësimin e tyre, pengesa ësht vetëm në shtypshkrim, se neve jemi në gjendje që brenda 6 mujorit të parë 1956 të kemi gati më tepër se 60% të zëravet punës, e sidomos të zëravet kryesore; prandaj lutemi që nga ana juaj të ndërhyhet në Ministrinë e Arsimit me qëllim që t’i jepet preçedencë çështjes së botimit të tyre.

Gabimet lidhur me normat kanë ndodhur edhe për faktin se personeli që ka drejtuar këtë sektor si në kantjer dhe në Nd/je nuk ka qënë i aftë, për këtë arsye këejo Ministri që në muajin Gusht ka zëvëndësuar me nirmista teknikë një pjesë të tyre, dhe gjatë vitit 1956 do zëvëndësohen edhe të tjerë.

Gjithashtu gjatë këtij viti janë organizuar seminarë me normistat dhe me teknikët lidhur me interpretimin dhe aplikimin e drejtë të normavet si dhe mbi evidentimin e punës me norma dhe në fakt ka përmirësime në këtë drejtim.

Gjatë vitit 1956 janë marrë masa për të krijuar kondita që të jepen një pjesë e mirë e punimevet me akord, dhe këjo nga ana jonë konsiderohet si forma më e mirë që kufizon gabimet në normat, përmirëson evidencën dhe kualitetin e punës.

 

Koncep. I. Tasi                                                                                 M I N I S T R I:

Daktil. N. Dobi                                                                               (JOSIF PASHKO)

Kopje 4.dt.20/12/55.                                                                                     (vula, firma)

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here