Dokumenti i shkurtit 1945: Të burgosurit e Shkodrës që çelën kalvarin e internimeve

0
164
blank

Personat e parë të internuar në Berat ishin sjellë nga burgjet e Shkodrës. Një pjesë e tyre rezultojnë në listat e dokumenteve të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit Shkodër. Sot sjellim listën e hartuar me  datë 25.2.1945, ku renditen të burgosurit që mbaheshin në burgjet e Shkodrës, me të cilët regjimi komunist nisi valën e stërgjatë të internimeve . Ata ishin arrestuar gjatë operacionit të quajtur “bllokues” të zhvilluar më 29 janar deri më 2 shkurt 1945.

blank

Nga Shkodra drejt kampit të Beratit

Në mars 1945 në Shqipëri u hapën dy kampe tela me gjemba, në Berat dhe në Krujë. Në Berat u vendosën të internuarit nga veriu dhe në Krujës ata nga jugu i vendit. Internoheshin familjarët e këtyre personave:
-Të arratisurve brenda dhe jashtë vendit
-Të dënuarve dhe atyre që mund të burgoseshin (rasti i Shkodrës)
-Të dezertorëve
Nëpër seksionet e punëve të brendshme filluan të grumbulloheshin persona kontingjente për internim. Ata silleshin duke ecur në këmbë nga shtëpia e deri në pikën ku do qëndronin, duke bërë kështu dhjetëra kilometra. Pleq, gra, e fëmijë, të rreckosur, lodhur, uritur e dëshpëruar ishin pjesë e panoramës që mund të shihej në qytetet ku ata vendoseshin përkohësisht. Përpara se të mbërrinin në kampe ishin tmerrësisht të lodhur e sëmurë.
Kampi i Beratit që funksionoi në vitet 1945-1949 ishte përcaktuar për banorët nga veriu i vendit. Në fillim të internuarit u vendosën në shtëpi të braktisura, e më pas u përqendruan. Burrat punonin në fermën e Kuçovës, ndërsa gratë vilnin ullinj. Puna e tyre është shfrytëzuar edhe për zhvarrime.
Në mars 1946 në kampin e Beratit ishin 1.275 të internuar, si vijon (sipas prefekturave):
-270 nga Shkodra
-331 nga Kukësi
-178 nga Dibra
-173 nga Elbasani
-234 nga Durrësi
-89 nga Tirana
Në shtator 1947 në kampin e Beratit ndodheshin 586 të internuar. Në vitin 1949 kampi nën drejtimin e të njëjtit komandant, u zhvendos në Tepelenë.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here