Dom Pjetër Gruda, kleriku i paralizuar që u mbajt i burgosur derisa vdiq

0
207
blank

Ai është i fundit klerik që ka vdekur në kushte torture në gjithë Lindjen komuniste. Vetëm 3 muaj para se të shpallej amnistia e klerikëve, i paralizuar prej shumë kohësh dhe i mbajtur në burgun nr.305 në Sarandë, Dom Pjetër Gruda dha shpirt mes mundimesh të mëdha.

Pjetër Palok Gjeloshi Gruda, lindi në fshatin Grudë të Malit të Zi më 1 gusht 1922. Studimet e formimin për meshtar i bëri në Kolegjin Saverian e Seminarin Papnor në Shkodër. Meshën e parë e kremtoi më 1946. Që nga ky vit filloi misionin e tij meshtarak duke u emëruar famullitar në Shkrel, prej nga më vonë u transferua në Sheldi, ku qëndroi deri në vitin 1967, vit ky kur u mbyllen Kishat dhe tempujt tjerë fetar nga regjimi komunist në Shqipëri.

Pas mbylljes së tempujve dhe institucioneve fetare, Dom Pjetër Gruda, si shumica e klerikëve tjerë, qe detyruar të punonte si punëtor krahu në Ndërmarrjen Bujqësore të Bushatit. Kështu krijimtaria e tij intelektuale, sepse Dom Pjetër Gruda qe intelektual dhe artist i artit skenik, do të ndërpritej brutalisht nga regjimi çnjerëzor e antikulturor komunist.

Me talentit artistik që kishte, Dom Pjetër Gruda do të ishte bërë regjisor i njohur, po të mos i ndërpritej brutalisht krijimtaria. Kujtojmë se vuri në skenë shumë pjesë teatrore, ndërmjet të cilave dramën "Flije Atdheut".

Është dënuar dy herë nga regjimi komunist.  Herën e parë u dënua dhe vuajti dënimin në vitet 1946-1951 në kampe pune të detyruar. U arrestua për herë të dytë më 11.3.1979. U akuzua për agjitacion e propagandë dhe tradhti ndaj atdheut dhe u dënua më 5.11.1979 me 25 vjet heqje lirie.

Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit u paralizua. Por mejgithëkëtë regjimi komunist e mbajti sërish të burgosur.

Siç  provohet nga komunikata ditore e Ministrisë së Punëve të Brendshme, publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi, kleriku Pjetër Gruda vdiq i paralizuar më 13.1.1989 në kampburgun nr.305 të Përparimit të Sarandës në moshën 67 vjeçare dhe u varros në varrezat e fshatit Përparim.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here