Edmond Caja, pse të burgosurit e quanin kaubojsi i skëterrës

0
698
blank

Shkrimi dëshmi e shtatorit 1991: Ju tregoj si i torturonte pleqtë dhe të sëmurët, dhe si i vrau tre të dënuarit e revoltës së Qafë Barit.

Ish i burgosuri politik Hasan Bajo, në një shkrim të tijin më 29 shtator 1991, bën një portret të pazakontë të Edmond Cajës, ish xhelati i burgut të Qafë Barit, i cili njihet nga të gjithë të burgosurit e këtij kampi për torturat e tmerrshme që ushtronte ndaj të dënuarve politik. Hasan Bajo ka marrë shkas për këtë shkrim, pasi kishte lexuar një intervistë të xhelatit të tij në gazetën “Bashkimi”, ku fliste si drejtor i adminsitratës së kampeve dhe burgjeve. Kjo ngjitje në karrierë e tij, në shtator të 1991, kur mendohej se regjimi komunsit kishte rënë, e kishte nxitur Hasan Bajon të reagonte me një artikull, të cilin e titullon “Edmond Caja kaubojsi i skëterrës”. Në shkrim, ai i kujton gjithë masakrat që ai bënte në kamp ndaj të burgosurve dhe sjell dëshmi të dorës së parë mbi shtypjen e revoltës së Qafë Barit. Një foto e këtij artikulli u publikua dje nga studiuesi Çelo Hoxha.

Kujto.al - Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit e zbardhi të plotë artikullin e vitit 1991 për t’ia sjellë lexuesit, si dëshmi në valën e nxehtë të diskutimeve të hapura, pasi Edmond Caja, tashmë me banim e biznese në Gjermani, ka paditur në gjykatë për shpifje Fatmira Dinen, bijë e familjes së persekutuar ashpër nga regjimi komunist.

Fatmria Dine kishte denoncuar pranë autoriteteve vendase, në qytetin gjerman ku Edmond Caja banon, se ai ishte një prej xhelatëve të regjimti komunist dhe autor i shumë krimeve gjatë kohës kur ishte shef policie në burgun e Qaf Barit, e më tej komandanti i këtij burgu.

Më poshtë e sjellim të plotë shkrimin e Hasan  Bajos:

Edmond Caja, kaubojsi i skëterrës

Nga Hasan  Bajo

Gjithçka mund të ndodhë, por që ju patët paturpësinë të jepnit intervistë në faqet e gazetës “Bashkimi”, ku emri i juaj me shkronja të mëdha  mund të lexohej nga disa hapa larg, më duket ende e pabesueshme. Mund të jetë një koinçidencë, mendova, nuk ka sesi  që Edmond Caja i gazetës, të jetë i njëjtë me shefin e policisë të repartit famëkeq Nr.311 Qafë Bari.

Gjithnjë kam pasur përshtypjen se kriminelët pas përmbysjes së yllit të tyre, mundohen të fshihen të mos bien në sy, e pse jo të ndërrojnë edhe emrin, ndaj gjithnjë të kam përfytyruar duke ikur nëpër natë, larg këtij vendi, për të fshehur diku turpin e krimin që do të të ndjekë gjithë jetën. Është kjo arsyeja, o Edmond Caja, drejtor i drejtorisë së kampeve e burgjeve, që kur dëgjova për përdhunimet e grave shqiptare në sy të burrave e fëmijëve, atje në itali, m'u shfaqe ti e jo pa shkak, mbasi janë të brumit tënd, është njeriu i ri që arrin të shkaktojë mënxyra të tilla. Por, ti jo vetëm që nuk kërkon ndjesë (edhe kjo do të ishte paturpësi) nuk fshihesh, por të kanë ngritur në detyrë, e për më tepër jep edhe mendime për diktaturën dhe demokracinë.

A nuk morën arratinë kriminelët e luftës së dytë Botërore? Megjithëse ka një ndryshim, madje të madh, ndërmjet tyre e jush. Krimet e tyre u kryen gjatë luftës, ndërsa tuajat në kohë paqeje, por që i solli këtij populli shkatërrim, vuajtje, lot e turp (edhe kjo e fundit është më e rënda) më shumë se çdo luftë, kolerë a murtajë të marra së bashku në të gjithë historinë e tij. Përveç kësaj, zoti drejtor i administratës së kampeve e burgjeve, më absurdja qëndronte në faktin se ju dhe gjithë të tjerët si ti, këto krime makabre nuk i kryet mbi popujt e tjerë (kjo nuk i lehtëson aspak kriminelët) por mbi ne të burgosurit politikë, që ishim të një kombi, të një gjaku me ju.

Nuk më kujtohet se cili qe i pari nga ne që të quajti: Kaubojsi i Qafë Barit dhe aq më shumë, përse të vuri këtë nofkë, mbasi ti nuk kishe asgjë të përbashkët me kaubojsin e Teksasit. Ndoshta ishte thjeshtë ajo përshtypja e parë që të krijoje, duke qenë aq i ri (o zot me atë shpirt!) apo nga mënyra se si ti ecje nëpër kamp i shoqëruar nga 5-6 të tjerë, që t'i plotësonin dëshirat e tua makabre me aq zell, ndoshta ishte mënyra se si godisje mbi fytyrat tona me aq mospërfillje e gjakftohtësi, duke mos ta cënuar aspak gjendjen shpirtërore gjaku mbi dëborë, dhëmbët, duart, këmbët e brinjët e thyera, sytë e nxjerrë, ulërimat rrënqethëse dhe o Zot, lotët e të pafuqishmëve, e pleqve të mjerë, apo ka qenë thjeshtë ajo që thotë mbreti: “Shpeshherë urrejtja shprehet nëpërmjet humorit.”

Jeni ju zoti drejtor, Edmond Caja, shpikësi i mundimeve të skëterrshme. A ju kujtohet me sa djallëzi detyruat të sëmurët e pleqtë të të luteshin për të punuar në galeri, megjithëse ishte absurde për forcat e gjendjen e tyre shëndetsore. E pra, “për hir të rregullit”, ju urdhëruat mbylljen e kapanoneve nga ora 5 e mëngjesit gjer në orën 9 të darkës, dhe ata të sëmurë pleq, të katandisur kockë e lëkurë, duke u ushqyer vetëm me 13 lekë (pa dyshim të vjetra) në ditë, duhej të vërtiteshin gjithë ditën nëpër dëborë, që shpesh trashësia e saj ua kalonte gjatësisë së trupave të tyre, duhej të vërtiteshin nëpër atë të ftohtë të llahtarshëm në mes të dëborës, erës, apo shiut që u hynte gjer në palcë dhe të qëndronin me ditë të tëra, të lagur, gjithnjë të uritur, e vetëm një besim e dashuri bënte të mundur të qëndronin ende mbi këmbët e tyre. Dhuna vazhdoi më me forcë , e një ditë maji revolta shpërtheu. A të kujtohet si ju vumë përpara ty dhe trimat e tu? A të kujtohet se sa kapele me yll mbetën në shesh, trofe e jona që kishim vetëm duart, urrejtjen e dëshpërimit. Dhe ju që, përtej telave me gjemba, derdhët plumbat mbi ne, e ne derdhëm mllefin. E mbi gjithë atë kaos ngrihej klithma e Sokol Zefit apo Sokolit të madh, si e thërrisnim, pasi ishte i gjatë dhe i fuqishëm. Atje në mes të oborrit, shqeu këmishën e klithi: “Bini qena. Ne dimë të vdesim!”

Dhe tani e shoh o Edmond Caja, në mes të oborrit, me kokën lart, krenar e mospërfillës mes plumbave, që bënin rikoshet në çimento dhe nuk mund ta harroj (zoti mos e dhëntë) sepse ai më shumëfishoi krenarinë, dashurinë e besimin për këtë truall, sepse ai ishte shoku im, vëllai im, heroi im. Ndihmat e kërkuara nga Tirana nuk vonuan të vinin e ju menjëherë filluat masakrën atje në sy të të gjithëve, e fill pas kësaj, kur pritej të të godisnin, duket paradoksale, të ngritën në detyrë. Nga shefi i policisë, në komandant kampi. Ju i dini Edmond Caja, ku ndodhen varret e Sokol Zefit, Tom Noit e të Sandër Sokolit, që e thyet më dysh, si në mesjetë. Ndaj dhe ju kam përfytyruar të fshehur diku, apo duke shkarë heshturazi kokëulur rrëzë mureve, netëve pa hënë. Është kjo arsyeja që nuk besova se ishe ti Edmond Caja i gazetës “Bashkimi”. Por jo, si shumë e shumë të tjerë të fushave të ndryshme, tregtarë të paskrupuj flamujsh, e theksoj jo ideali, pasi ju nuk patët kurrë ideal, kërkoni të rrëmbeni me ato duar që ju pikojnë ende gjak, flamurin e  demokracisë dhe e ndjen demokracinë të dhunaur kur edhe ti deklaron në intervistë për shkelje dhe mungesë të ligjeve, se të burgosurit politikë kanë qenë një trill i regjimit, se në mungesë të ligjeve e rregulloreve, përdorej dajaku, etj.

Në intervistë thuhej se takoheshe me ish të burgosurit. Ju siguroj, zoti drejtor i Administratës së Burgjeve, ata nuk ju njohin cili jeni e ç’dorë shtrëngojnë. E nëse ju njohin, janë me siguri ata homoseksualët për të cilët flitet në intervistën tuaj e që ju i trajtoni ndryshe nga të tjerë, po shtoj që të mos lindin keqkuptime, me urdhër nga lart, mbasi sa më shumë prej tyre, aq më pak kundërshtarë ndaj regjimit.

E nëse do të flisja për vetën e miqtë e mi atje, ashtu si dikur në Qafë Bari, e ndeja se nëse do të tjetërsohesha pra, nëse do të shndërrohesha qoftë edhe për një moment të vetëm në informator, do të çmendesha apo do të më duhej të vrisja veten, po kaq i sigurt jam tani, se nëse do të prekja dorën tende, qoftë edhe në shenjë mirësjelljeje, do të më duhet të pres timen.

Por sidoqoftë, më duhet t’ju falenderoj sinqerisht mbasi më keni ndihmuar, ndoshta jo vetëm mua, por shumë e shumë të tjerë për t'i dhënë përgjigje një pyetjeje sfilitëse, që është bërë e bërë në vite, me mijëra e pse jo, me miliona herë. Si shpjegohet që krimineli, injoranti, imorali, u bënë zotër të jetës e të vdekjes?

Me sa duket, ashtu si vetëtima brenda një çasti qartëson dhjetëra kilometra përreth, edhe ngjitja juaj në karrierë, 26 vjeç komandant kampi e tani 32 vjeç, drejtor i drejtorisë së kampeve e burgjeve (o zot ç’krime të përbindshme të ngritën në këtë detyrë të re) e jo vetëm juaja, por pothuajse e të gjithëve skërmitet: në këtë Shqipërinë tonë të mjerë, ngjitja e shkallës së hierarkisë partiake dhe shtetërore nuk bazohej mbi aftësitë, intelektin, arsimimin, ndershmërinë e punën, por në të kundërtën e tyre dhe që mund të përmblidhet me njëfjalë të vetme, rrënqethëse: KRIM!

Sa më thellë zhytja në krim, aq më shpejt dhe e sigurt ngritja në pushtet dhe kjo është e kuptueshme, gjithsesi e qartë. Nuk ka lidhje më të fuqishme se sa ajo që përbën krimi.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here