Dokumenti i 3 dhjetorit 1946/ Si e aprovon dënimin me vdekje diktatori, për dy të dënuar për “sabotimin e tharjes së Kënetës së Maliqit”…
Ky dokument i firmosur nga Enver Hoxha, në 3 dhjetor 1946, i hap rrugë ekzekutimit të dy të dënuarve me vdekje, nga gjyqi për “Kënetën e Maliqit”. Përmes këtij dokumenti, ku theksohet me shkronja të kuqe fjala “vdekje”, Enver Hoxha kërkon që t'i njoftohet data e ekzekutimit dhe t'i përcillet fjala e fundit e të ekzekutuarve.
Si të gjithë shkresat e këtij lloji, që shquhen për gjuhën makabre, edhe ky dokument i viteve të para të regjimit komunist, me nënshkrimin e diktatorit në fund, dëshmon egërsinë dhe etjen për gjak të regjimit, që në ditët e para të tij.
Dy të dënuarit me vdekje Aleks Vasili dhe Mirush Përmeti, hasen si emra në një varg dokumentesh të procesit gjyqësor për “sabotim kënetën e Maliqit”, gjyq i mbajtur në nëntor të vitit 1946.
Më poshtë, e sjellim të plotë tekstin e këtij dokumenti dhe faksimiljen e tij.
Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Naltë Ushtarake
Nr.08-101 prot. REZ.
Tiranë, më 3. XII. 1946
Landa: Aprovim dënimi
Gjykatës Ushtarake
Tiranë
Gjegje Shkresës Nr.1753.Datë.2 Dhjetor 1946.
Aprovohet ndëshkimi me vdekje i dhanun prej asaj Gjykate kundra:
1) Aleks Fili Vasili, nga katundi Alarup dhe banues në Korçë
dhe
2) Mirush Bedri Përmeti, lindur në Manastir (Jugosllavi) dhe banues në Tiranë
Na njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit
Ministër’i Mbrojtjes Kombëtare e Komandant Suprem
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha
(Firma)
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.