Inxhinieri i naftës që studioi në Oksford, u var në Kuçovë si armik

0
165
blank

Ishte vetëm 36 vjeç inxhinieri Riza Alizoti kur u thirr nga zyrtarët e lartë të kohës dhe i vendosën një dekoratë në qafë, pasi kishte vënë në punë dy puse të rëndësishme të naftës, bashkë me kolegët e tij. Por tre muaj pasi e kishin dekoruar për punë të mirë, e vendosën në litar dhe e mbajtën për dy ditë të varur, si armik i popullit. Kjo ngjarje makabre ndodhi në vitin 1947, kur Riza Alizoti u dërgua me pranga në duar bashkë me të tjerë në procesin që njihet si “Gjyqi i deputetëve”. Në vitin 1945 Riza Alizotit regjimi i kishte vrarë babanë, personalitetin e njohur të politikës Fejzi Alizotin, edhe ai në një proces të stisur, të njohur si “Gjyqi special”. I ndodhur në rrethana të tilla, Riza Alizoti bashkë me inxhinierët italianë vunë në punë puse nafte në Kuçovë dhe ringritën një ndërrmarrje thuajse të shkatërruar. Me brengën për humbjen e të atit, i riu që kishte një “sënduk” të madh me diploma dhe specializimeve pas universitare uli kokën duke dhënë kontributin e madh për shkak të ekspertizës në një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë së kohës. Riza Alizoti kreu Kolegjin Robert në Stamboll, vazhdoi Tekniken e Fultzit në Tiranë dhe studimet e larta në Oksford, specializohet për shfrytëzimin e minierave në Strasburg dhe më pas u kthye për të dhënë kontribut në vendin e tij. Por nuk e lanë. Procesi i njohur  si “Gjyqi i deputeteve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”. Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta, Kryetar, Kapiteni i I Nexhat Hyseni anëtar, dhe Kapiteni i II-Mustafa Iljazi anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945, mes shumë personaliteteve dënoi me vdekje, me varje edhe inxhinierin 36-vjeçar Riza Alizoti. Në mënyrë demonstrative ai u var pranë disa rrepeve në Kuçovë dhe u mbajt për dy ditë i pajetë në litar, me qëllim që të ngjallte terror tek punëtorët dhe drejtuesit e ndërrmarrjes së nxjerrjes së naftës.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here