“Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe”

0
567
blank

Takimi i hidhur në qelitë e burgut: “Ik grua! Merri të dy fëmijët dhe mos më hajde më. Mjaft të kam lodhur e sfilitur. Po të më duash aq shumë, merri këta dy të vecklit që kemi bërë dhe shko në lumë të Shkumbinit. Hidhu në ndonjë thellësirë bashkë me ta dhe mbytu. Mbytuni që të tre!”

“Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe”, është një libër i shkruar nga Pëllumb Kulla, ku përshkruhet historia e familjes Kulla në Zëmblak të Korçës, kalvari i vuajtjeve, pushkatimeve, burgjeve e internimeve që nuk reshti për 45 vjet. Është drithëruese historia e Xhevitit, njërit prej djemve të familjes Kulla, e përshkruar me shumë emocione nga autori. Është historia e tij me bashkëshorten Fehmijen, bijën e një familje në Bilisht të Korçës. Fati i kishte bashkuar në një jetë shumë të vështirë por regjimi gjakatar nuk i mundi dot.

Fehmia dhe Xheviti

Ishte viti 1945, kur Fehmie Kulla një vajzë 19-vjeçare në familjen fisnike të Dervish Muharremit, në Bilisht të Korçës, ishte fejuar me Xhevit Kullën, të birin e Jonuz Kullës, familje patriote në Zëmblak të Korçës. Pak kohë pas fejesës, regjimi komunist vendosi ta arrestojë e ta dënoje me vdekje të Xhevitin. Pa mundur të gjejnë asnjë lidhje me akuzën e sajuar nga sigurimi i shtetit, regjimi vendos ta kthejë dënimin me pushkatim, në dënim me burgim të përjetshëm. Ndërkohë i vëllai i Xhevitit, Ajdini ishte pushkatuar. Kur Fehmija mori vesh lajmin për dënimin e të fejuarit, Xhevitit, u mbyll për shumë kohë në dhomën e saj. Më poshtë botohen pjesë nga libri :” Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe”.

***

Pas një muaji në portën e shtëpisë të Dervish Muharremit në Bilisht trokasin njerëzit e dhëndrit. Prindërit kërkojnë ndjesë që vajza nuk mund t’u dalë. Atëherë kunata e madhe Xhevitit bën me dije se ata, me keqardhje të madhe, kanë ardhur, ngaqë i fejuari i burgosur me një porosi të fshehtë është lutur të zgjidhet fejesa e ta lirojnë vajzën e re nga detyrimi.

Në dhomën e miqve plas vaji. Këtu ndodh e papritura dhe fillon saga që sapo zumë në gojë pak më parë. Vajza ka qenë prapa derës në kohën kur në dhomë bëhej biseda.

”Nusja shtyn derën dhe shfaqet papritur. Vetëm ajo nuk i ka sytë e përlotur.

–           I dëgjova të gjitha ato që u thanë, baba. Më thoni, e kanë dënuar kaq ashpër, se ka vrarë ndonjë njeri?

–           Jo – i përgjigjen.

–           Ka vjedhur?

–           Jo, jo! –  i thonë përsëri.

–           Atë herë unë nuk do të pyes më, se të gjithë jemi pyetur një herë. Ky është fati im dhe i Xhevitit. Fati më goditi dhe unë do ta luftoj fatin gjatë tërë jetës time. Unë kam shpresë tek i madhi Zot. Unë, jam nuse për Zëmblak, nuse e derës tuaj. Mos ma mbyllni!

Çfarë ishte kjo vajzë?”  – Bën pyetje autori i këtij libri e bashkë me të, edhe ne. – “Si do të cilësohet ajo? E marrë? Miliona vajza do të jenë në një mëndje dhe do ta quajnë ashtu. Vajza që hyjnitë ia kishin caktuar kushuririt tonë kish një edukatë të shëndoshë; me kollona morale dhe shpirtërore të pabesueshme sot, por të papara edhe në atë kohë. Që të kuptohet vendimi i jashtëzakonshëm dhe i papritur i të mirës Fehmije, duhen sjellë në tryezën e arsyetimit të gjithë faktorët: lufta, përmbysja, besa e dhënë, brejtja e ndërgjegjes dhe, përmbi të gjitha, solidariteti i fuqishëm, si një kumt që duhet t’i shkonte të dashurit të saj në përballimin e jetës së dhunëshme të burgut.

Kjo krijesë sjell një shembull të rrallë vlerash shpirtërore, se njeriu më shumë se trup, është shpirt. Është kënaqësi që të përfytyrosh tek qeshin me këtë vendim të kësaj vajze të thjeshtë, ato gra, dhe ata burra që ca vite më pas, në spastrimet që i diktonte paranoja e Enverit, prishën në masë fejesat, martesat, familjet… Edhe me nga dy – tre çiliminj! Ishin krushqira me zyrtarë të lartë dhe ushtarakë me grada madhore, që pas shkarkimeve apo burgimeve, të mjerët shihnin pasardhësit e tyre të lënë nga bashkëshortet e bashkëshortët, të cilët ia mbathnin të lemerisur nga lidhjet e kërcënuara, nga rrufetë, lidhje që dikur, po për interesa, i patën tërhequr si mizat në mjaltë.”

Fehmija nuk u pendua kurrë për atë vendim. Drita e kthjellët nuk braktisi kurrë sytë e saj gjatë kalvarit më të rëndë që mund t’i përfytyrohet një femre, që platonikisht ndjek dhe ndjek të dashurin në tërë gjeografinë e vështirë të kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë staliniste. Nuk kishte asnjë detyrimi ligjor, nusja ende nuk pat marrë mbiemrin e burrit. Mund ta shfaqte pendimin dhe t’i kthente kurizin kur të dëshironte, kur ta ndjente se u cfilit, se u lodh, se po vyshkej burgjeve, e pamartuar kurrë. Asnjë njeri nuk do ta shante.

Dhe ja pas 11 vjetësh Xheviti u lirua i favorizuar nga një amnisti. Fehmija po i afrohej të tridhjetave tani, por ishte bërë më e bukur dhe më fisnike. “E tërë pritja e saj, ndiekja e të fejuarit  nëpër burgjet e Shqipërisë, për sytë e atyre që ia dinin virtytet, natyra i kish hedhur Fehmies përsipër një vello të dlirësisë në pritje të asaj, të dasmës”.

 

Pas vitesh jete familiare dhe kur Xheviti qe bërë babai i dy  fëmijëve me emërimin e Haznedarit në krye të punëve të Sigurimit në Elbasan, të gjithë Kullat, që patën gjetur në këtë qytet strehë nga tufanet e luftës klasore, internohen në Fierzë të Dumresë, ndërsa Xheviti është plasur rishtaz në burg.

Takimi i hidhur me babain në qelitë e burgut

Është një skenë që nuk të hiqet nga mendja ajo që zhvillohet në një dhomë takimesh në burg.  Gruaja ka marrë dy  fëmijët e saj të vegjël, që drithërojnë ta takojnë babain e tyre. Fehmija është mësuar me këto takime, i ka ndjekur një jetë të tërë, kursë fëmijët nuk kanë takuar kurrë një të burgosur në pranga.

Xheviti është dobësuar ndërsa kokën e ka të enjtur në ballë dhe në tëmtha. Në dhomat e hetuesisë atë e kanë trajtuar egërsisht.

–           Ikë, grua – i bërtet ai së shoqes – merri të dy  fëmijët dhe mos më hajde më. Mjaft të kam lodhur e sfilitur. Po të më duash aq shumë, merri këta dy  të vecklit që kemi bërë dhë shko në lumë të Shkumbinit. Hidhu në ndonjë thellësirë bashkë me ta dhe mbytu. Mbytuni që të tre!

 

Fehmija qetëson më parë fëmijët, që nuk e kuptojnë dot që as ai vetë nuk do të bënte atë vepër. Gruaja i jep zemër të treve. I shtrëngon Xhevitit duart e nxirosura dhe i thotë me një zë të ëmbël që vetëm ajo di të nxjerë nga buzët:

–           Mos e humb kështu, o im shoq. Mblidhe mendjen e mos m’i mërzit këta.

As ti mos e lësho veten. Unë ketej e tutje do të vesh pantallona, do të mbath dhe një palë opinga dhe ty do të të ndjek kudo që të të shpien. Ty do të të nxjerr  gjallë që këtej dhe të shikosh se si do t’i rrit këta fëmijë. Hiqe nga mendja lumin, ti!

Ai e vuajti burgun që i pat caktuar fati. Ajo e vuajti burgun nga ana e saj. Udhëtime të vështirë, takime të shkurtër, kampe me tela në jug, kampe me tela në veri. Rrugë në jug, rrugë në veri. Udhëtime të bëra vetëm, udhëtime tok me fëmijë, që deshën të shikonin babanë. Net të lagështa të kaluara nën shkallë pallatesh të panjohur parafabrikatë, për të arritur në orët e mëngjezit në kampet me tela, për të takuar babain, burrin. Aty poshtë shkallëve të huaja prej betoni, nëna u tregonte të vegjëlve përralla deri sa ata të dy i zinte gjumi. Fehmija u rrëfente nga ato më të gëzueshmet dhe e qeshura e tyre fëminore kërkëllinte e çiltër, sikur për të fjetur çdo gjë të paskej qenë ashtu si duhej… Përveç ngrohjes, mbulesave jastëkëve, ambazhurëve dhe dyerve që mbyllen.”

Marrë nga libri " Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe", me autor Pëllumb Kulla.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here