Biznesmeni i madh Lluka Rashkoviç erdhi në Shqipëri si përfaqësues i kompanisë së udhëtimit “SAKT” dhe përfundoi i pushkatuar pa gjyq për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike. Komunistët kishin vrarë në vitin 1944 edhe ortakun e tij nga Durrësi, Lluka Xhumarin.
Në kohën e mbretërisë Lluka Rashkoviç shpërngulet nga Mali i Zi dhe vendoset në Shqipëri, në nisje të një biznesi të ri për kohën, në kompaninë e makinave dhe autobuzëve që ofronin udhëtime brenda vendit. Për mbarëvajtjen e biznesit lidhet me tregtarin e njohur Durrsak Lluka Xhumarin, duke krijuar kompaninë “SAKT”, nga ku kryhej transporti i udhëtareve si në Shqipëri ashtu edhe në Ballkan. Ardhja e komunistëve në pushtet do niste fundin e një epoke të nisur. Më 1944 arrestohet nga komunistët Lluka Xhumari dhe ekzekutohet prej tyre. Ndërsa ortaku i tij malazezi Rashkoviç qëndroi në hije, me shpresën se situata do të ndryshonte. Por vitet e pritjes për “qetësimin e gjendjes” ishin vetëm fundi i tij, që më pas vijoi me persekutimin edhe të familjes. Më 20 shkurt 1951, Lluka Rashkoviç arrestohet, si i dyshuar për implikimin në hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. E gjithë pasuria e tij sekuestrohet më pas dhe në rastin e tij komunizmi “fitoi” dy herë. Fillimisht duke eleminuar një kundërshtar hipotetik, ndërsa e dyta jo pak e rëndësishme, ishte sekuestrimi i pasurisë së tregtarëve dhe biznesmenëve të medhenj, një prej të cilëve ishte Rashkoviç. Në hetuesi ai u torturua për disa orë radhazi bashkë me të tjerët, di i akuzuar si “tregtar dallaveraxhi dhe agjent që punonte për të huajt”. Në listën e 22 emrave që do të pushkatoheshin natën e 26 shkurtit 1951 ishte edhe Lluka Rashkoviç. Fati tragjik do vijontë për bashkëshorten dhe djalin e tij, të cilët u internuan dhe persekutuan përgjatë gjithë periudhës së sistemit totalitar.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.