“Mallit të shpirtit tim, nipit të dashur Panos. Gjyshi i përmalluar, Zoto”

0
277
blank

Është letra e Zoto Taçit nga SHBA, që ia dedikonte nipit të tij poetit, Pano Taçi, i cili vuante në Shqipëri, diktaturën komuniste. Ia kishte lënë amanet një amerikani, quhej William Rajerson dhe do të ishte i pari ambasador amerikan në Shqipëri, menjëherë pas rënies së diktaturës. 

Kur mbërriti në Tiranë, ambasadori i parë amerikan, William Rajerson, kishte një amanet për të kryer. Duhet të takonte Pano taçin, poetin bohem që endej rrugëve të Tiranës. Rajerson nxitoi ta rendiste ndër takimet e para Panon sepse duhet ti dorëzonte një fotografi. “Mallit të shpirtit tim, nipit tim të dashur Panos. Gjyshi i përmalluar, Zoto. 1941”. Ishte fotografi e Pano Taçit, kur ishte i vogël dhe mbishkrimi I gjyshit të tij Zoto Taçi. Në fotografi, ishte Pano I vogël dhe kishte moshën e ambasadorit amerikan Rajerson, i cili e kishte njohur Zoto Taçin si jurist në kompaninë e familjes së tij. Zoto i kishte mësuar gjuhën shqipe dhe e donte shumë pasi i kujtonte të nipin, Panon që kishte moshë të përafërt me të. E ka rrëfyer vetë Pano taçi takimine tij të parë me ambasadorin amerikan, William Rajerson.

“Kur erdhi në Shqipëri ambasadori i parë amerikan pas shembjes së diktaturës William Ryerson, më erdhi në shtëpi një sekretare e ambasadës dhe më tha se më kërkonte ambasadori. Shkova në ambasadë dhe ai doli e më priti. Fliste shqip. Më tha: E di kush ma ka mësuar shqipen mua? Jo, i thashë. Ke pasur një gjysh në Amerikë? Po, i thashë, ka vdekur në ’82-in. Ç’profesion ka pasur, më pyeti? Ka qenë jurist dhe ekonomist i diplomuar në Sorbonë, i thashë unë. Po, më tha, ai është gjyshi yt.

Më pyeti nëse kisha ndonjë fotografi, kur kam qenë i vogël, e kur gjyshi vinte në Shqipëri. Por unë nuk kisha asnjë fotografi. Ai mori një foto dhe ma tregoi. Isha unë me papion, i vogël, me pantallona deri poshtë gjurit, me një xhaketë të bukur. Nuk e njoha veten. Ai më tha ta shihja foton nga pas. Aty shkruhej: “Mallit të shpirtit tim, nipit tim të dashur Panos. Gjyshi i përmalluar, Zoto. 1941”. Kishte ardhur me pushime në atë kohë në Shqipëri, kur e kemi bërë atë foto. E ruaj edhe sot e kësaj dite.

E pyeta ambasadorin Rajerson, se si ishte njohur me gjyshin tim dhe më tha se e kishte njohur që kur kishte qenë fëmijë dhe familja kërkonte një jurist për kompaninë e tyre, për çështje që i lidhnin me Ballkanin. Gjyshi i kishte mësuar atij shqip.

“Më donte, më thoshte gjithmonë. Më kujton nipin tim Panon, që e kam në Shqipëri….”, rrëfehej Pano, ato vite të para pas diktaturës komuniste. Vitet e fundit të jetës, Pano Taçi i kaloi në një dhomë përdhese te Bregu i Lumit midis komunitetit rom, mbasi shtëpinë e tij nuk ia rikthyen, pasi mbi të ishte ndërtuar një pallat, si kudo në Tiranë. Ai bashkëjetoi pa asnjë problem me komunitetin rom e egjiptian ndaj dhe ata e quanin “gaxhiu i mirë”. Madje për ata, komunitetin rom e egjiptian, Pano Taçi ka shkruar vëllimin “Kitara cigane”. Pano Taçi ndërroi jetë në barakën e tij pranë miqve romë, në qershor të vitit 2012 duke lënë pas veprëne tij letrare, kryesisht poezi por edhe rrëfimet për mundimet të  tij në diktaturë.

 

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here