Muret e qelisë ishin të shkruara me gjak: “Amanet fëmijët, nesër pushkatohem”

0
818
blank

Ndrekë Bazhdari: Isha vetëm 17 vjeç kur para meje u shfaq një burrë dhe më tha: “Unë jam Feçor Shehu. Në emër të Popullit, je i arrestuar!

Kurrë nuk i shlyhen nga kujtesa ato mure të errëta të burgjeve komuniste, të skuqura me shkronja gjaku, ku lihej amaneti i fundit nga ai që kishte radhën të pushkatohej. Është Ndrekë Bazhdari, një i mbijetuar i komunizmit, i cili u përball me egërsinë e diktaturës, qysh kur ishte 17 vjeç. Ishte nxënës i Liceut Artistik dhe do të arrestohej për veprimtari armiqësore, shpërndarje traktesh antikomuniste. Përballja e parë ishte me një dhomë hetuesie, e cila ishte ndërtuar në formë varri nga xhelatët komunistë, me qëllim për t'i tmerruar e dhunuar psikologjikisht të arrestuarit, deri sa të pranonin atë version të historisë që ata, xhelatët e donin me domemos. Ishte dita e Pashkëve kur Ndrekë Bazhdari u arrestua. Feqorr Shehu, xhelati xhakatar, iu shfaq përballë dhe i shqiptoi fjalët e tmerrit: Unë jam Feqorr Shehu, në emër të popullit je i arrestuar! Këtu nis kaluari i vuajtjeve të Ndrekë Bazhdarit, i riu që pa tmerrin me sy nëpër burgjet e komunizmit.

Më kanë arrestuan më 21 Prill 1957, ditën e Pashkëve. Unë, me dy shokë të Liceut Artistik (por jo shokët e grupit), njëri flautist e tjetri violinçelist, ishim në rrugë për të shkuar në kishë, në Kishën Françeskane, e cila ndodhej në rrugën që të çonte tek Pazari i Ri. Unë, që në mëngjes, munda të vija re që më ishin vënë mbrapa dy persona të mbajtur e të veshur mirë, për të cilët, më vonë, mora vesh se paskëshin qenë ish kryetari i Degës së Shkodrës, Feçor Shehu dhe kryetari i hetuesisë për Tiranën, Besim Selita. Në kohën kur mbërritëm para derës së Degës, që ndodhej tek Selvia, dërguan një polic, na ndalën dhe na morën e na futën brenda. Të treve. Unë kisha një parandjenjë që diçka e keqe po ndodhte. Në Degë, salla ku na futën, ishte mbushur me oficerë, sikur të ishte ndonjë ditë feste për ta e jo Pashkët tona. Njëri prej atyre policëve, më drejtohet mua e më thotë: “Hajde, ti bjondi që je në mes”. Shkova pas tij dhe e kuptova që nuk do dilja më prej atij vendi. Isha 17 vjeç.

Ngjita shkallët i rrethuar me policë, a thua se kë kishin kapur; sikur kishin kapur ndonjë të “rrezikshëm”, sikur të kishin kapur Hamit Matjanin. Më ngjitën lart në një zyrë, e kur ç’të shoh! Aty përballë, i ulur në tryezë, ishte po ai person që më ishte vënë pas, dhe anash tij qëndronin shumë oficerë. M’u prezantua: “Unë jam Feçor Shehu.” Pastaj më tha: “Në emër të Popullit, je i arrestuar!” S’kisha ç’të thoshja por pashë edhe dy oficerë nga Shkodra dhe më vonë, e mora vesh që këta ishin të autorizuar nga Dega e Shkodrës, për të ndjekur hetuesinë tonë në Tiranë. Mbasi u prezantuan, më dhanë edhe mandatin e arrestimit, për t’i vënë një firmë, pastaj më ulën në katin poshtë. Kur më ulën poshtë, më çuan në ca biruca, që ne në atë kohë, i quanim “qela”. Biruca ku më futën, ishte në formë varri dhe kishte një birë të vogël për dritare, rreth 20 cm me 20 cm, por afër tokës. Kështuqë biruca ishte krejtësisht në terr.

U futa aty brenda dhe s’kisha as rroba e asgjë tjetër. Ishte rregull që kur hyje në birucë, duhej të hiqje e të lije jashtë rripin, ndonjë bluzë të trashë, lidhëzat e këpucëve, kopsat, --gjithmonë me idenë se i burgosuri mund të tentonte vetvrasje. Ditën e parë, natyrisht që isha shumë i trishtuar, sepse dihet se si mund ta përjetojë atë terr, atë ambjent varri, një 17 vjeçar. Të nesërmen, motra kishte ardhur në Tiranë që të festonte Pashkët me mua dhe pasi e kishte marrë vesh se si ishte puna, bëri çmos që të më sillte të paktën një batanije , një fije bukë Pashkësh që quhet “Përpeç” dhe disa vezë, se vetëm kaq lejohej të hynte. Ditën e parë, s’më kishin dhënë asgjë për të ngrënë, se nuk kisha hyrë akoma në “forcë”, pra, në listën e të burgosruve.

Kjo punë vazhdoi për disa ditë. Në hetuesi, na merrnin nga ora 1 apo 2 të natës, atëherë kur ishim të rraskapitur. Natyrisht, hetuesia ishte vend i trishtë për moshën që kishim, por jo e krahasueshme me atë të shokëve tanë, të cilët kishin kaluar tortura nga më të tmerrshmet; hetuesit nuk kishin se çfarë prisnin prej nesh, sepse kishin traktet në dorë, kishin shkrimin tim, kishin faktet. I kishin të gjitha çfarë u duheshin, për ta na dënuar.

Juve ju arrestuan të parin?

Jo, fillimisht kishin arrestuar në Shkodër, Nikolin Pavacin, për të cilin ne nuk dinim gjë, se nuk kishim lëvizur nga Tirana dhe askush nuk na njoftoi. Traktet i kemi shpërndarë gjatë tetorit të ’56 dhe prapë në janar të ’57. Ai ishte kapur një muaj e ca përpara. Në atë kohë, ishte edhe vështirë për të rënë në kontakt, sepse mjetet e komunikimit ishin të rralla.

Aty, në atë birucë, në atë varr, më kanë mbajtur tre muaj e gjysmë. Bile, shpeshherë kur ishte koha që na sillnin një lugë supë apo një lugë çaj (që ndodhte dy herë në ditë), kur hapej dera e hynte një fije drite aty brenda, kur drita lëvizte, në muret e qelisë dalloje të shkruara me gjak: “Amanet familjen”, “Amanet fëmijët”, “Nesër pushkatohem”. Po në atë birucë kishin kaluar Hamit Matjani, Zenel  Shehu, shumë nga ata që konsideroheshin “kriminelë” të mëdhenj që e dinin të sigurtë ose e kishin marrë pretencën për pushkatim.

Një natë, aty nga ora 11 e gjysmë, mbasi kishin mbaruar proçesin, na morën dhe na vunë në një dhomë që ishte më e madhe se ato dhomat e zakonshme të hetuesisë. Aty shohim një gjeneral, i cili na mori në pyetje, ndërsa këta të tjerët, na kërcënonin e na gjuanin me ndonjë grusht a ndonjë shqelm sipas zakonit, por ky, gjenerali, i ndaloi. Aty, në atë dhomë, ndodheshin edhe hetuesit e Shkodrës.

Pas tri ditëve, në koridorin e gjatë me qeli, dëgjuam një zë femre që qante. Për të komunikuar njëri me tjetrin, ne kemi patur një sinjal, një kod: këndonim “Venite Adoremus” dhe mbështesnim veshin në tokë për të dëgjuar rojen, e kur ai largohej pak për të ndejtur me rojen tjetër, ne i fishkëllenim njëri-tjetrit, e merreshim vesh. Pyesnim “Karlo? Niko? Ç’është kjo gruaja që qan?” Karlosi, që e kishte më afër, më thotë: “Është e shoqja e Panajot Plakut.” “Po ç’ne Panajot Plaku?”- e pyeta unë. Panajot Plaku ishte ai gjenerali që na kishte marrë në pyetje para tri ditësh, e tashmë ishte arratisur. Ai kishte ikur, dhe atë të shkretën, të shoqen, e kishin arrestuar dhe ajo bërtise:“Jam e pafajshme! Unë kam fëmijë! Pse po më merrni në qafë?”

Vërtetë ai ishte, gjenerali?

Po. Me sa duket ai kishte ardhur për të marrë ndonjë informacion. Kushedi se si e kishte punën…

Pas nja tre muajsh e gjysmë, afërsisht katër, na nxjorrën nga biruca. Kishte ardhur një “jeep”, një nga ato makinat e zakonshme të Degës e po priste. Më nxorrën mua të lidhur, e më hipën. Nxjerrin dhe një tjetër dhe e lidhin aty. Tani po prisnim se ku po na çonin. Unë përfitova prej rastit kur dy oficerët që na shoqëronin, po bënim muhabet dhe e pyeta të burgosurin tjetër: “Prej nga je ti?” Më thotë: “Jam prej Shkodre. Po ti?” “Edhe unë prej Shkodre jam”- i them. Kur e pyeta për emrin, ai më tha: “Karlo Çefa, po ti?” Unë i thashë se jam Ndrek Bazhdari. Përfytyroje: nuk njohëm dot njëri-tjetrin! Sepse ishim zbardhur komplet dhe sytë nuk punonin pas katër muajsh në errësirë të plotë. “Po Nikun, ku e kemi; a di gjë?”- e pyeta. Ai më tregoi se Nikun e kishin marrë më përpara. “Po ku e kanë çuar?”- i them unë. “S’di gjë, - thotë ai. -po ne ku po na çojnë?” Edhe na morën prej aty dhe na çuan në birucat e Burgut të Ri, për arsye se kishin kapur një kontigjent tjetër oficerësh pasi iku Panajot Plaku, dhe duhej të liroheshin birucat për ta.

Tek Burgu i Ri, na lanë në birucë nja një muaj e ca. Pastaj na nxorrën në gjyq. Në gjyq, dihet si shkojnë punët dhe ne u akuzuam si grup anti-Parti, si grup që do të rrëzonte pushtetin me force.

Ju ishit 17 vjeç. Sipas ligjeve në fuqi, mund të dënoheshe nëse ishe nën moshën 18 vjeç?

Akuza kundër nesh ishte shumë e rëndë, që gjoja ne si grup, kishim pasur ndërmend të vazhdonim aktivitetin armiqësor, do të dilnim shtetit dhe do të shkonim të specializoheshim në shkollat imperialiste, për t’u përgatitur për të hyrë sërish në Shqipëri, për të vrarë udhëheqësin. Një alibi e tillë. Sigurisht, që këto ishin të gjitha përralla. Bile, fillimisht, plani i tyre ishte të na bënin një gjyq të madh publik, ku të ishin të pranishëm edhe studentët në sallë, por, duke parë qëndrimin tonë, e pezulluan atë plan, dhe në sallë lanë vetëm familjarët.

Në fakt, ligji e ndalonte burgun nën 18 vjeç, pasi Shqipëria, atë kohë, ishte anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe kishim nënshkruar disa karta. Por, këta, e justifikuan me dhënien e “gjysmëdënimit” këtë shkelje. Në atë kohë, nuk ishin hequr avokatët, dhe secili prej nesh kishte dy avokatë. Më kujtohet që ne kemi pasur një avokat me mbiemër Tirana dhe një tjetër që quhej Koço Dilo.

Dy avokatë për të tre ju?

Po. Bile edhe vetë avokatët ranë në burg politik më vonë. Njëri prej tyre, vdiq në burg. Kurse Koço Dilon, e dënuan nja 15 a 20  vjet. Më kujtohet, kur po përgatiteshim të dilnim në gjyq, Koço Dilo më thotë: “Shiko, ti je më i vogli. Merri përsipër ti me tekst e me të gjitha, dhe bindi që je kryesori në këtë grup. Nëse e bën këtë, ti mund të shpëtosh jetën e shokëve, për arsye se ti je nën moshë.” Përndryshe, ata do të pushkatoheshin se ishte viti 1957, dhe nuk e kishin problem të të zhduknin. Kështuqë, në mënyrën time, i mora unë përsipër, siç më këshilloi avokati.

Dhe si përfundim, na dhanë dënimet maksimale për moshën që kishim, “gjysmë-dënimet”. Mua më dënuan me 14 vjet burg.

Rrëfimi është marrë nga libri "Zërat e Kujtesës me autorë: Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here