Kalvari i Sevasti Qiriazit nën persekutimin e egër komunist, rrëfyer nga mbesa e saj Viktoria Dako Ruli. Si ia vranë në hetuesi të birin, Gjergjin e ia burgosën Aleksandrin, djalin tjetër. Internimi i Robertit, Viktorias e Djanës, fëmijë të Aleksandrit... Jeta e mundimshme e gruas që i dha shumë Shqipërisë e mori prej saj vetëm vuajtje.
Robert Dako ishte foshnje e porsalindur kur u internua në Tepelenë. Dy motrat e tij, Viktoria dhe Djana, motrat e Robertit ishin më të rritura, por shumë të mitura për të kuptuar pse jeta e tyre po merrte atë kthesë të rëndë. Roberti sapo kishte ardhur në këtë botë, që ai s’kishte si ta dinte pse fati i tij do të ishte kaq i vështirë e kjo botë në të cilën sa kishte ardhur, ishte kaq e ashpër. Ishte djali i Aleksandër Dakos, i biri i Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos. Gjyshja e Robertit, Sevastija, kishte qenë ndër vashat e para shqiptare të mirëarsimuara e ndër të parat vasha, që kishte investuar gjithçka kishte, për të sjellë arsim ndër të tjera vasha shqiptare. Kristo Dako ishte gjyshi i Robertit, një ndër rilindasit e shquar shqiptarë. Aleksandër Dako, babai i Robertit dhe i biri i Sevastisë e Kristo Dakos, ishte diplomuar në Oxford, Angli, në degën e inxhinierisë. U kthye në Shqipëri në vitin 1940. Ishte martuar me një italiane dhe nga martesa e tyre lindën tre fëmijë, Oberti, Vitoria dhe Diana. Aleksandër Dako kishte qenë pjesë e misionit të UNRRA-s për Shqipërinë. Në tetor 1946, pas prishjes së raporteve diplomatike me SHBA, u arrestua nga komunistët me akuzën si “agjent amerikan”, ndërsa kryente detyrën e koordinatorit. Gjyqi zhvillohet pas dy vjetësh arrest dhe dënohet me 7 vjet burg.
Ndërkohë, i vëllai i Aleksandrit, Gjergji, një mjek kirurg i talentuar, i kishte përfunduar studimet në SHBA për mjekësi. Kur erdhi në Korçë, në valën e sulmeve të komunistëve kundër nënës së tij, Sevasti Qiriazi dhe babait Kristo Dako, Gjergji arrestohet në vitin 1947 dhe vdiq në hetuesi si pasojë e torturave. Ai vdiq në hetuesinë e Tiranës më 18 shkurt 1949. Trupi i tij nuk iu kthye së ëmës Sevastisë, e cila ishte gjithashtu në burg, e arrestua nga komunsitët.
Nata e tmerrshme e Sevastisë
E ka rrëfyer Vitoria, e motra e Robert Dakos, e mbesa e Sevasti Qiriazit. Është një ndër ato netët e tmerrshme të Sevasti Qiriazit. I kishin vrarë djalin dhe nuk ia jepnin trupin e tij. “Sevastia shkoi për të marrë trupin e të birit. Të paktën do ta shikonte të vdekur, por atë nuk ia dhanë. Sevastia mundi të zbulonte se ata që vdisnin në burg, çoheshin në Lumin e Tiranës. Kështu, natën ajo u nis bashkë me Marien në bregun e lumit për të gjetur trupin e Gjergjit dhe trupin e gjetën të mbështjellë me një hasër.
Ndërkohë, po gdhinte mëngjesi dhe kishin frikë se mos dikush i diktonte, kështu që ato e fshehën trupin në anë të tokës dhe u kthyen në shtëpi, me qëllim që të ktheheshin në mbrëmje dhe të merrnin trupin e tij. Por kur u kthyen, e gjetën tokën të punuar nga traktori dhe trupi ishte zhdukur, për të mos e gjetur më kurrë. Sevastia, megjithëse në jetë kishte kaluar shumë telashe e peripeci, e karakterizuar nga një fortësi dhe kurajë, kësaj here dhimbja qe mbi forcat e saj dhe ra në një depresion të thellë, u end plot pesë muaj nëpër zyrat e qeverisë, me qëllim që të mund të rimerrte trupin e djalit të saj të dashur 36-vjeçar, por asnjë nuk iu përgjigj”, rrëfen Vitori Dako.
Varrimi i Sevastisë
Gjashtë muaj pas vdekjes së të birit, Sevasti Qiriazi, u nda nga jeta me brengën e madhe, prej dëshpërimit që e humbi djalin e saj të dashur e kurrë nuk ia gjeti as eshtrat.
Sevastia vdiq më gusht 1949. Nuk iu bë asnjë ceremoni varrimi, sepse regjimi e ndalonte një të tillë për kundërshtarët e tij. E mbesa, Vitore, e rrëfen kështu ditën e fundit të Sevastisë mbi tokë. “Nuk iu bë asnjë ceremoni varrimi, kështu u varros nga familja. Ne e çuam në varreza me një karrocë me kalë në “Shesh Tufinë”, në veri të Tiranës, që në atë kohë ishin të vetmet varreza në qytet. Ne e çuam dhe e varrosëm atje të shoqëruar nga teto Parashqevia, mamaja ime Rozi, motra e saj Maria, që ishte e shoqja e Gjergjit dhe nga ish-kuzhinierja e shkollës “Rukie Tafaj”, e cila ishte prej një familje të vjetër dhe autoktone tiranase dhe unë që isha fëmijë e vogël. Babai, Aleksandri, ishte në burg. Në vitin 1964, varrezat u prishën se do të ngriheshin pallate banimi, kështu eshtrat e Sevastisë u transferuan në varrezat e “Sharrës” në jug të Tiranës në lagjen e “Kombinatit”. Në atë kohë Sevastia ishte dekoruar pas vdekjes në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kështu që, transferimin e bëri shteti dhe më vonë, mbas vdekjes së teto Parashqevisë, shteti për to bëri një varr të përbashkët për “Motrat Qiriazi” në parcelën e veçantë caktuar për personalitetet e shquara të kombit. Në zhvarrimin e eshtrave të Sevastisë ishim teto Parashqevia, babi im, Aleksandri, dhe unë”, rrëfen Viktori Dako, në një letër publike botuar në media dy vite më parë.
Përgatiti: Luljeta Progni
Rrëfimi i Viktoria Dakos është marrë nga gazeta Shekulli e cila i referohet jetëshkrimit të “Mësues së popullit” Sevasti Qiriazi Dako, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante.
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.