Në Spaç vinin vetëm njerëzit e shpirtit dhe korbat

0
414
blank

16 vite burg, në kampet më të rënda të punës, sepse Dodë Veshtja nuk donte të thoshte ato që i kërkonin... Siç të njohurit e tij nuk pranuan të thoshin asgjë kundër tij, derisa dikush iu dorëzua presionit. E çuan në kampet më të vështira të punës, në zonat më të thella… ku nuk të vizitonte askush, veç njerëzve të dashur dhe korbave.

“Dhjetor 1964-gruja me fëmij në burg Shkodrës”… “Shkurt 1965-Nana në Laç”… “Dt.10.1.1971 Vllaj në takim në Spaç”… “Dt.24.2.1980-gruja ishte takimi i fundit në burg Spaç”.

Në një copë letër, Dodë Veshtja shënoi gjithë takimet me gruan, fëmijët, nënën, vëllanë dhe pak të afërm që e vizituan në Shkodër, Laç, Elbasan, Reps, Spaç, Tiranë, Rrëshen. Takimet përshkruhen telegrafikisht: data, njerëzit që e kishin takuar dhe vendi ku vuante dënimin. Ai vuajti 16 vjet burg, pasi 4 vite iu ulën për shkak të punës në minierë. Në këto 16 vjet, pati 62 takime. Ishin 62 ngjarje për t’u shënuar. Nëse dikush do ta pyeste për jetën në ato vite, mund t’i tregonte ato dy faqe, ku janë përqendruar çastet e vetme kur kishte jetuar. Pjesa tjetër ishte punë e rëndë, tortura, sëmundje…

Shënimet e burgut të Dodë Veshtjës, bashkë me historinë e tij të përndjekjes, e ka publikuar në librin e saj “Saga e dhimbjes”, Fatbardha Saraçi Mulleti, siç ia ka treguar vetë Doda.

Ai ishte arratisur nga Shqipëria, në moshën 22 vjeç dhe për këtë arsye, të ëmën dhe të motrën, të dyja me emrin Lenë, i kishin internuar nga Bajza e Kastratit, në Levan e Shtyllas të Fierit. E ëma ishte 50 vjeçe, ndërsa motra vajzë e re… Me një dekret amnistie të vitit 1959, ato u liruan nga internimi. Pas një viti, edhe Doda u kthye në shtëpi. Për momentin, nuk pati pasoja dhe nisi një jetë normale për moshën e tij. “U punësova në Shtëpinë e Fëmijës, në Shkodër. U martova me Katerina Mark Simonin, që ishte sportiste atlete. Vrapoi 800 m në kohën 2 min e 59 s”, i ka treguar ai, autores së librit, pa e fshehur krenarinë për bashkëshorten, gruan që e takoi për herë të parë, për herë të fundit dhe vazhdimisht gjatë gjithë viteve të burgut, gruan që i fali më shumë çaste jete në 16 vite.

Kaluan vetëm 4 vjet nga koha kur ishte kthyer në Shqipëri. Në 19 maj 1964, në orën 8 të mbrëmjes, Dodën e arrestuan. E akuzonin që nuk kishte denoncuar shokët që donin të iknin jashtë vendit. Akuza zyrtare ishte agjitacion dhe propagandë dhe tradhti ndaj atdheut.

“Në hetuesi, më mbajtën 5 muaj, nën torturë psikologjike e fizike, më kishin lidhur në karrigen e çimentos dhe më godisnin në kokë. Isha 29 vjeç, nuk pranova akuzat e sajuara. Më sollën dëshmitarët. Nushi ishte i burgosur, ai nuk pranoi të depononte kundër meje, e dënuan dhe atë. Milka Lenkoviç nuk pranoi të depononte për mua. Atë e dhunuan. Një dëshmitar, i quajtur Hilmi Vesel Freskia, ishte i internuem. E sollën në Shkodër, e detyruan sigurimsat, kuptohet duke e torturuar, ai deponoi kundër meje. Në fillim, Gjykata më dënoi me vdekje, e zbritën në 25 vjet dhe e ulën në 20 vjet burg. Kam bërë 16 vjet burg, se 4 m’u ulën nga puna që kisha bërë në minierë”, ka treguar Doda.

Ishte një “punë e lodhshme prej skllavi”. Doda ishte djalë i ri kur hyri në burg dhe sigurisht që të gjitha fuqitë e tij do të shfrytëzoheshin, por ndërkohë shëndeti do jepte shenjat e dobësisë, siç kuptohet nga takimet e listës, tre nga të cilët janë zhvilluar në spitalin e Tiranës.

“Kam provuar burgje dhe kampe pune. Në Laç-Kurbin te superfosfati. Në Elbasan, në fabrikën e çimentos, punëtor në ndërtim.

Në Reps, kam punuar minator për prerjen e malit. Dy vjet në fabrikën e përpunimit të bakrit. Në 2 janar 1969, më futën në birucë një muaj, në qeli, pa shtroje, në errësisë, në temperatura të ulëta nën zero.

Në 27 mars 1970, më dërguan në burgun-minierë në Spaç. Për 12 vjet, kam transportuar vagona me minerale. Tre veta, duhet të bënim 12 vagona. Një njeriu, i takonte me mbushë 1 vagon me 2 ton mineral, që ishte i barabartë me 122 lopata; një lopatë peshonte 20 kg... Gjithë dimrin, e kalova me një xhaketë dhe vetëm dy batanije, temperatura 18 gradë nën zero”. Mund të shkruante në një copë letër numrin e vagonave, të lopatave, peshën e mineralit, temperaturën e ajrit, por ato ishin fakte të përditshme. Nga 12 vitet në Spaç, për t’u shënuar ishin 27-28 takimet me nënën, vëllanë, gruan dhe fëmijët... Të vetmet episode jete, të vetmet çaste me diell mes akullit, erës dhe errësirës.

“Era që frynte ishte e tmerrshme. Gjatë 12 viteve që punova në Spaç, kam parë vetëm dy korba, asnjë send tjetër. Kur ata krrakarritnin, patjetër ndodhte një fatkeqësi ndër të burgosur, ndodhnin aksidente në punë, na vdisnin shokët në galeri dhe aty mbeteshin të groposour.”

Doda doli 46 vjeç nga burgu, pasi i kishin thithur energjitë në kampet më të rënda të punës. Duke ditur që jeta e ish-të burgosurve nuk ishte e thjeshtë as kur dilnin nga burgu, kuptohet që e tija, ishte një jetë e sakrifikuar për asgjënë. Megjithatë, edhe pse i lodhur, i sëmurë e me sy që kishin humbur shkëlqimin, Doda i ka treguar vuajtjet e tij me shumë thjeshtësi, siç thekson Fatbardha Saraçi, në librin e saj. Tashmë ai nuk jeton më. Nga vuajtjet e tij, nën krakallitjen e korbave, mbeten vetëm dëshmi si kjo dhe bindja që në 16 vjet, jetoi 62 copëza të shkëputura kohe.

Historia gjendet në librin "Saga e dhimbjes" e autores Fatbardha Saraçi Mulleti, botim i Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

A.Çano

In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here