Një ceremoni shpirtërore e veçantë u mbajt dje në “Ish-Kampin e Përqëndrimit të Tepelenës”, ku 5 klerikë të të gjitha feve në Shqipëri bënë lutje për shpirtrat e qindra të vdekurve në këtë kamp. Ky aktivitet i organizuar nga MEMO dhe en.kujto.al, u mbajt në sheshin e kampit, ku qindra qiparisë janë mbjellë në përkujtim të 300 fëmijëve që humbën jetën nga kushtet çnjerëzore.
Lutja e klerikëve u mbajt pranë një flamuri të madh kombëtar. Nismës së pagëzuar si “Përshpirtje ndër varret e mohuara” iu bashkuan me qindra qytetarë, njerëz të njohur të jetës publike, të mbijetuar dhe të rinj nga zona.
“Ishte një ceremoni shpirtërore e cila tenton të vërë një gur përkujtese. Nuk besoj se ka pasur një formë më të mirë dhe të bukur, se sa një përshpirtje mes të gjithë përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe nën sfondin e një flamuri të madh shqiptar”, u shpreh aktorja e mirënjohur Ema Andrea, nga MEMO Albania.
“Përshpirja ishte një ceremoni shpirtërore me 5 klerikë për t’u lutur dhe përkujtuar në veçanti për shpirtrat e 300 fëmijëve që humbën jetën në këtë kamp. Kjo u bë për herë të parë dhe realizimi i lutjes nga të gjithë klerikët ishte një simbolikë e veçantë për familjarët dhe të mbijetuarit, por edhe një mesazh për të gjithë shoqërinë që kemi ende shumë nevojë për të përkujtuar të kaluarën, por edhe për të treguar më shumë rreth krimeve që kanë ndodhur”, tha Erald Kapri nga Fondacioni en.kujto.al
Ngritja e Ish-kampit të Përqëndrimit në Tepelënë ishte një nga aktet me brutale të diktaturës që shkaktoi tragjedi për mijëra familje shqiptarësh. Rreth 300 fëmijë humbën jetën në këtë kamp nga kushtet e vështira dhe trajtimi çnjerëzor, duke iu mohuar edhe mundësinë për të pasur një varr. MEMO dhe en.kujto.al risollën në vëmendje të shoqërisë respektimin e traditës në nderim të tyre, ndaj dhe çdo i pranishëm nderoi kujtimin e tyre duke mbajtur një një qiri.
Fjala e përfaqësuesve të 4 besimeve fetare në Shqipëri.
“Jemi ktu me ja paraqit zotit, me u lut për ta siç janë lut ata në momentet e vështira të jetës tyre. Jepja o zot pushimin e pasosun.”
“Ata nuk janë viktima por ata janë heronjë. O zoti ynë pranoje këtë përshpirtje dhe jepu prehje dhe qetësi shpirtrave të tyre. Të paharruar qofshin.”
“Besojmë që shpirtrat e vëllezërve tanë pas vdekjes do të jetojnë në përjetësi. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.”
“I lutem zotit t’i mëshirojë, tua lehtësojë baltën mbi trupin e tyre, tua lehtësojë dhe qetësojë shpirtin e tyre.”
“Myslimanë dhe të krishterë si vëllezër dhe larg çdo ideologjie të dëshmojnë që sot e tutje për një lajkmotivë më paqësorë.”