Dokumenti i vitit 1946, tregon sa të lehtë e kishin forcat e ndjekjes të pushkatonin malësorët e Veriut që i bënin rezistencë vendosjes së pushtetit të tyre dhe e quanin të justifikuar marrjen e një jete, nëse prej vrasjes arrinin të grumbullonin ca pushkë dhe çifte
“Kemi pushkatuar Ahmet Zenelin me 5 tetor 1946, në Kullaj Bokes, për të kërcënuar fshatin që të dorëzojë armët dhe fshatarët vërtet pas kësaj dorëzuan 7 pushkë”.
Për komunistët jeta e malësorëve të Veriut që nuk e pranonin doktrinën e tyre, kaq vlente. Madje mund t’i pushkatonin edhe për më pak.
Ngjarja i takon vjeshtës së 1946-ës, kur brigadat partizane, edhe pse kishte përfunduar lufta, luftonin me armë në shtëpitë e tyre, shqiptarët e pafajshëm që nuk e pranonin komunizmin si filozofi jete.
Për t’i nënshtruar, ata hynë me forca të armatosura fshat më fshat e shkelën malet pëllëmbë për pëllëmbë, duke ndjekur këmba-këmbës kundërshtarët e tyre politikë të arratisur. Aksioni i gjerë u shtri sidomos në malësitë e Shkodrës, Pukës, Kukësit e Tropojës, Mirditës, Matit e Dibrës.
Dokumenti që publikojmë sot në Kujto.al, sjell pikërisht shembullin makabër të veprimeve vëllavrasëse të komunistëve në Veri.
Dokumenti i plotë, si në vijim:
Vdekje Fashizmit
Liri Popullit
Ushtrija Kombëtare Shqiptare
Divizjoni i Mbrojtjes së popullit
Komanda e qarkut M.P.
Shkodër
Nr.B5-77/276 Res
Shkodër më 6/X/1946.
Komandës Divizjonit M.Popullit
Tiranë
E për njoftim
Seksionit të Sigurimit të Shtetit M.P.
Ketu.
Ju njoftojmë se me datën 5/Tetor në katundin Kullaj Bokes, Njisiti nr.15 pse nuk ka mund të nxjerrë pushkët nga katundarët e atjeshëm ka pushkatuar të quajturin Ahmet Zenelin po nga ky katund. Mbas pushkatimit të këtij aty kanë dalë me njiherë 7 pushkë, 3 çifte dhe kanë deklaruar se kanë patur edhe të tjera, të cilat duhet të jenë dorëzuar ma vonë.
Kaqe per dijeni.
Komisari Politik
Maman Saliu
(Firma)
Komandanti i qarkut M.P
Major
Musa Daci
In case you are aware of crimes, victims or events related to the communist period in Albania, click here to publish it in our archive.